Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe
E hene, 14.02.2022, 09:30 PM
Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit,
poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre
Breton-it
në gjuhën e bukur shqipe
- Një letër e hershme
për prof. Emil Lafen
I dashur Prof.
Emili,
Faleminderit për
mesazhin tuaj të ngrohtë që, mbi të gjitha, më solli ndër mend një poezi të
“Babait të Surrealizmit” Andre Breton, të cilën e kisha mësuar përmendesh që në
vitet ‘70 kur isha student në Francë dhe ëndërroja ta përktheja, por që më
dukej e pamundur.
Atëherë, mbrëmë më
11 të darkës, si piva një filxhan të zakontë kafeje të fortë për të asgjësuar
gjumin, i hyra përkthimit të poezisë « Union Libre » të Bretonit, dhe
më 2 të mëngjesit e kisha përfunduar enkas per t'ju pershendetur juve.
Sic e vini re,
është një poemë pa folje të zgjedhuara, pa sintaksë, pa shenja pikësimi,
me gjuhë të re, sa
prozë dhe poezi, pa rimë, pa metrikë, thjesht në varg të lirë, ku trupi i gruas
shpaloset si një mikro e makro univers, me yje vezullues natën e kthjelltë
dhe gjëmime e vetëtima furtune mbi det,
me florë e faunë dhe botë inerte, por edhe një botë e pasur gjithë luks, me ar,
rubinë e shampanjë, e tëra e dhënë në formë litanie apo lutjeje, ku forca e
mendimit është jashtë çdo kontrolli të arsyes apo gjykimit, jashtë çdo konvencioni
estetik a moral, me liri të plotë të fjalës deri në shkrim automatik, dhe
ku duket sikur figurat letrare shfaqen pa lidhje, ndërkohë që metaforat marrin
shpesh kuptim të trefishtë për ta vënë gruan në qendër të universit: GRUAJA -
Ujë, Ajër, Tokë dhe Zjarr !!!!!!!
Pra, Andre Bretoni
erotizon në këtë mënyrë trupin e gruas në shkallën me të lartë artistike,
ku fjala merr
zhdërvellësi peneli në ngjyrë e formë, plot figura letrare me ritmikë
harmonike e përsosmëri plastike, dhe
duke e shndërruar kështu vetë gruan në muzë, në grua-filtër drejt botës së
çelur, në grua të dëshiruar e sensuale, falë fjalës epshore, shpirtërore, asaj
fjale bashkimi hyjnor në Kopsht të Edenit: Ma femme – Gruaja ime, në
formën posesive më të lartë.
Bashkim i lirë
është sakaq sa trupor aq edhe leksikor, në gjuhë letrare të zhdërvjellë, në
krejt format e veta të çlirta, me metaforë të fuqishme à la Jérôme Bosh dhe
à la Salvadore Dali.
Ja pra, i dashur
Prof. Emili, kjo poemë, e përkthyer në tërë gjuhët kryesore të botës dhe që ju
më frymëzuat ta përkthej më në fund edhe në gjuhën e bukur shqipe, me një fuqi
e fuqishmëri të jashtëzakontë shprehëse, ku njërrokshet e dyrrokshet i japin
ritmin dihatës edhe
të lëvizjes
trupore, si ajo "kafsha me dy kurrize", sic e quan Rableja aktin
seksual.
Shpresoj që ju ta
shijoni këtë përkthim, dhe une nga ana ime do lexoj me kënqësi ato të Petrit
Rukës që më dërguat ju.
Sot, në Perëndim
sikur ka perënduar njëfarësoj poezia erotike, pasi ajo njohu kulmin
artistik me bukuri fjale metaforike dhe përtej çdo vulgarizimi që i bëhej
epshit të tipit "Po të pres i dashur me shalët
hapur"..................
Duke dëshiruar e
uruar edhe une sot ne ndeshjen Shqipëri-France një paraqitje të bukur të çunave
tanë futbollistë përballe frëngjve
ju përqafoj,
Fotaq
– Strasburg, 15 juin 2016 11:06
Edouart Manet, « Olimpia » 1865, gravurë në dru.
ANDRE BRETON (1931)
« BASHKIMI I LIRË »
Gruaja ime ka
floknajë gjuhëzash prej flake druri
Me mendime
vetëtimash ngrohëse
Me shtatin
lavjerrës
Gruaja ime me
shtatin e vidrës mes dhëmbëve të tigrit
Gruaja ime me
gojën kokardë dhe buqetë yjesh ndezur vezullimë
Me dhëmbët prej
gjurmësh miusheje të bardhë mbi tokë të bardhë
Me gjuhën qelibar
dhe prej qelqi të fërkuar
Gruaja ime me
gjuhën prej nafore të tejshpuar
Me gjuhën prej
kukulle që çel e qep sytë
Me gjuhë të gurtë
të pangjashme
Gruaja ime me
qerpikë si shkopinjtë në shkrim të fëmijëve
Me vetullat si
buzë foleje dallëndyshesh
Gruaja ime me
tëmthat prej plloçash mbi çati serre
Dhe prej avulli
mbi xhama
Gruaja ime me
shpatulla shampanje
Dhe burimi plot
koka delfinësh nën akull
Gruaja ime me kyçe
shkrepsesh
Gruaja ime me
gishtërinj rastësie dhe asi zemër
Me gishtërinj
kashte të korrur
Gruaja ime me
sqetulla kunadheje e lendeje
Dhe nateje të Shën
Janit
Prej voshtre e
foleje bishtatundësish
Me krahët shkumë
deti dhe shkumë ekluze
Dhe përzierje gruri mbi rrotën e mullirit
Gruaja ime më
kofshët bosht fushqetë
Me lëvizje sahati
dhe dëshpërimi
Gruaja ime me
pulpat prej palce shtogu
Gruaja ime me
shputa nistoresh
Me shputa mbajtëse
çelsash dhe shputa kallafati që pinë ujë
Gruaja ime me qafë
elbi të pathekur
Gruaja ime me
gushë luadhi të praruar
Me gushë takimi në
vetë shtrat të përroit
Me gjinj nate
Gruaja ime me
gjinj fole urithi deti
Gruaja ime me gjinj
fole rubinësh
Me gjinj spektri
të trëndafilit nën vesë
Gruaja ime me
barkun si shpalosje freskoreje e ditëve
Me barkun si
kthetër gjigande
Gruaja ime me
kurriz shpendi që arratiset vertikalisht
Me kurriz sermi të
fortë
Me kurriz drite
Me qafën prej guri
të rrokullisur dhe shkumësi të qullur
Po edhe me
zhurmë-rënie të një gote në të cilën sapo ke pirë
Gruaja ime me ijet
prej barkëze
Me ijet prej
llambadari dhe bisht shigjete
Dhe prej kërcell
pendësh të palloit të bardhë
Prej peshoreje të
pandjeshme
Gruaja ime me
vithe shtufi dhe amianti
Gruaja ime me
vithe kurrizi mjellme
Gruaja ime me
vithe pranvere
Me seks shpatoreje
Gruaja ime me seks
diamanti e ornitorinku
Gruaja ime me seks
algesh e sheqerkash të dikurshme
Gruaja ime me seks
pasqyre
Gruaja ime me sy
plot lot
Me sy arsenali të
manushaqtë dhe gjilpëre të magnetizuar
Gruaja ime me sy
savane
Gruaja ime me sy
uji për të pirë në burg
Gruaja ime me sy
druri përherë nën sëpatë
Me sy niveli uji
niveli ajri toke zjarri.
Përktheu nga origjinali: Fotaq Andrea, 2016.