E diele, 13.10.2024, 12:08 AM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean

E shtune, 10.07.2021, 05:24 PM


Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean

Letër drejtuar Mjeshtrit Bashkim Ahmeti Izano

Nga Fotaq Andrea

I dashur Bashkim, i dashur Mjeshtër,

Këto ditë më kanë ardhur tre albumet e tua me kushtimet e ngrohta brenda tyre.  Të falem gjithë nderim me dorë në zemër, malësorisht e shqiptarisht.

Duke qenë se dy prej tyre i njihja dhe i kisha dhuratë nga Artan Shabani e Ylli Drishti, më tërhoqi veçanërisht vëmendje albumi i Expo-s tënde 2016, që edhe ky më rrëmbeu duke e shfletuar rrëmbimthi derisa mu qetësua vrulli i parë pas minutash të tëra, për t’ia rinisur përsëri nga e para, por këtë herë duke e shijuar e përpirë Albumin me vështrim të gjatë.

Por, prapë mu desh t’ia rinis për të tretën herë. Dhe ketë herë, bukur fort me laps në dorë, duke qëmtuar me ngulm çdo faqe të albumit si të lexoja një libër të tërë brenda një tabloje të vetme. Një kafe e dytë e gjatë ma bëri leximin e tablove edhe më impresionuese, edhe më të këndshme e shijshme.

Në fakt, si bir gjirokastrit që jam edhe unë vetë nga ime më, e Derës së Nakajve, siç e di tashmë, nuk e kisha të vështirë të të « lexoja » e admiroja, sepse menjëherë më ra në sy se qyteti-kala, qyteti-mal, qyteti i përhimtë, qyteti i gurit të Gjirokastrës sonë të ka dhuruar që në fëmijërinë tënde më të hershme atë ndjenjë të fuqishme e të mahnitshme vertikaliteti e lartësie piktoriale që përmban « botë » të tëra imagjinative të superpozuara, kate-kate, si për të hovur përherë e më lart ato mbresa e ëndrra të përplota që ka mbartur fëmijëria dhe rinia tënde, thesare të vyera që veç prisnin, Mjeshtër, të shtjelleshin sa më parë falë penelit tënd të harbuar. I harbuar ama, në këtë moshë të shtruar të pjekurisë tënde artistike plot urtësi e mjeshtri. Sepse ëndrra, në fakt, nuk kërkon gjë tjetër, para së gjithash e mbi të gjitha ,veç shtjella vrrumbulluese, veç engjëj  të ëmbël si pilivesa me katër krahë lehtake të Musave vallëzuese.

Oh, Gjirokastra, qyteti i ëndrrave tona fëmijërore, ku jeta e gjallë zjente brenda gurit të përvëluar nga vapa gjatë verës së nxehtë, ku mali mban mbi kurriz një qytet të tërë dhe kur vetë çdo shtëpi,  shaluar mbi tjetrën, mbart mbi çati një mal të tërë shtëpish me dërrasa guri, kur përrenjtë mespërmes qytetit  uturinin dimrit me rrapëllima gurësh e plloçash, apo kur « çmendet » edhe vetë rrasa e gurit në Sokak të të Marrëve duke të mbartur fluturim pesë metra tëposhtë, me rrëshqitje të çmendur vertikale. Oh, Gjirokastra jonë, që nderohet e hijeshohet nga rrapet e qiparisat madhështorë, nga kalaja e madhërishme, ku edhe vetë Eduar Leari tënd, i çmeritur nga bukuri e paparë, çakërren sytë me një zbritje shtegut turravrap, pa kthyer kokën pas, si të nxitonte të rrëmbente penelin për të përjetësuar plot ndjenjë qytetin e Gjinëve e të Argjirove amazona. E në këtë mes, i dashur Bashkim, ndjej në çdo gjurmë kolori të penelit tënd të vrulltë një trokth kuajsh që rrahin me patkonj çokllat drejt një shtegtimi të pandalë, si vetë çifti kadarean në gjurmim të një Gjorgu të « Prillit të Thyer ».  Sepse edhe ti vetë Bashkim i dashur, shi nga ato sokakë e kalldrëme gjirokastrite që të plagosën sa herë gjunjtë, e nise shtegtimin tënd pa kthim drejt shtigjeve të thepisura të krijimtarisë artistike, gjithnjë në ngjitje të pandalë, për t’i dhënë ndër vite liri të fuqishme penelit tënd të azdisur, në kërkim të përhershëm të asaj bukurie artistike sa befasuese aq edhe dehëse të  shpirtit admirues.

Siç të thashë, që në fillim, çdo kompozicion i yti m’u shpalos që si një libër-sintezë më vete, që duhej lëçitur me kujdes, kur çdo ngjyrim mbart një fjalë, kur çdo pickim tabloje mbart një rrokje dhe kur çdo element kompozicional duhet qëmtuar me kujdes në simbolikën e vet të fuqishëm, por edhe brenda surrealitetit të vet fluturidhë. Një « Prill të tërë të Thyer » e shoh kësisoj tek ty të ngjeshur e ngërthyer brenda disa tablosh, ku vallëzojnë fustanella e xhubleta, ku rrahin krahët fluturakë xhoket e xhamadanet, ku opinga e gjysmë-opinga labe, me majë përpjetë përthyer, e me pufkë të kuqe mbi vete, rreh fort tokën, për t’u hopur përpjetë, dhe kur qeleshet me antenë rrokullisen gjithë dramacitet që nga majë malesh si gurë Sizifësh në mbijetesë.

Gjithçka shprehet një çast në lëvizje të vorbullt, hutuese, marramendase, për t’u ngrirë pasandaj tragjikshëm, në mund e stërmund, mes fatit njerëzor në kërkim, në vazhdim, në ikje arratisëse, përmes shtatë malesh kaptuar me shtatë ngjyra kontrastive ylberi, me një shfaqje të plotë sur-reale. Ja, nuse e vjehrrë – dy-tre male mllefesh, dy simbole kohore, e shkuara plakë si anetë gjirokastrite, që rri e kundron me njëfarë pezmi e cmire njëkohësisht të tashmen nuse në qëndrim stoik e që mbart tashmë gjithë besim të ardhmen foshnje në gji, dy botë sa larg, aq edhe pranë njëra-tjetrës, kundruall, por prapëseprapë ndarë nga humnerë botëkuptimesh, sherresh e shamatash, në pozicion paepurie çdonjëra, pa lëshuar asnjëra pé : «Jo ti, por unë ! »  Veçse, nga ana tjetër, këto dy botë, nuse e vjehrrë, dinë mergjithatë të bashkohen në fatin e tyre të përbashkët fatal kur djali i anesë e dhëndri i ri njëkohësisht,mes dy grave, merr malin përpjetë në shtegtim të largët, ndoshta drejt Moresë përpirëse të luftëtarëve shqiptarë dhe kur një lofatë lartohet fuqimisht e egërsisht, në lulëzimin e saj të plotë simbolik, me të kuqe të ndezur gjaku, si një dëshmitare paralajmëruese e kobshme e një fati tragjik në braktisjen e dy personazheve kryesore të tablosë që s’u kam mbetur tjetër veç të ngushëllohen me shoshoq.

Në parantezë, e sa për episod, një miku im, inxhinier pyjesh e piktor amator, Parim Carcani, në shtetin e Ilinosit – (që këto ditë është marrë me «  pastrimin » kompjuterik të portretit të Skënderbeut nga Belini) më shkruante se në vitet 1985-87 do shkonte në Amerikë një delegacion shqiptar nga ministria e bujqësisë – ngjarje e rëndësishme për ato vite – për një Expo botërore me dru të rrallë ekzotikë. Dhe autoritetet amerikane kishin propozuar që Shqipëria të përfaqësohej aty me Lofaten apo të quajtur ndryshe " Druri i  Judes" siç shpreheshin konkretisht amerikanët, si një dru karakteristik i Shqipërisë. Po « Ne shqipot - më shkruan Parimi -   në atë kohë nuk e dinim ç’ishte « Druri i Judës – pra, vetë lofata» dhe as që e shkonim nëpër mend se  Amerika shumë shpejt do përmbyste komunizmin ; dhe mendja na shkoi për keq duke thënë se amerikanët na i kanë me hile, domethënë « punë Jude » ! U bë problem i madh se zyrtarët amerikanë na quajtën « Judë »...etj etj. dhe çështja u trajtua si skandal politik » !...

Ja tani dy gra, veshur nuse me të kuqen onufriane në turravrap marrak si mbi një harkadë nga të kalasë së Argjiros, me vështrim përsipërpjetë ato vetë. Shfaqen sa shënjtorike, aq edhe harbuese të vetë shpirtit marrak, kur një vashë e tretë në miniaturë, me fëmijë në krahë, para një porte të madhe nga ato Shtëpi si të Nakajve, që ti i ke pikturuar aq hijshëm,  rri e i vështron dy zanat onufriane. Mu si të kundronte ajo vetë të harbuar ëndrrën e saj për liri, në atë “Gjinokastër” ku ngërthehen egër konakët e gurtë, pllangosur nga retë, si në thellësi të një humnere e humbëtire të frikshme, por ku gëlon megjithatë jetë e mbijetë, me paqen e dy qiparisave që lartohen shigjetë andej nga Teqja në faqe mali.

Ja tani, « Shtatë malet kaptuar » me shtatë ngjyra ylberike, si mbi një ballinë të vetë Malit të Gjerë, që nga e zeza zezonë gjer te ngjyra e bordosë, me shfaqje të fuqishme surrealiste, ravijëzuar tërthorazi nga  një shteg-mal bardhëllor, si udhë drejt dy pafundësive të skajshme, për një martesë të largët gjirokastrite përcjellë nga një ané me syze majë një ballkoni, qyqare e braktisur në vetminë e saj, me duart bashkuar fatalisht që sheh gjithë frikë të ikë nusja me fëmijë në gji, si një nga ato shtojzovalle fluturake që arrin ta mbërthejë mbi telajo vetë piktori Izano në prani të « zonjës blu » që rri e e ndjek gjatë krejt procesit të pikturimit të shoqin e vet me penel aq harrakat.

E kësisoj na paraqitet edhe Sabina, me pamje po aq mbireale, që duket sikur ka gufuar nga tërësi e masës së gurtë të qytetit për të kundruar së larti e së largmi hiçësinë me duart nën nofulla si të meditonte me qetësi - por përsibrendshmi me tërë ata vorbuj shpirtërorë -, për fatin e saj ekzistencial: “ku jam?” e “kush jam?” E sërish, pllangat e reve japin vetë lartësinë e një ëndrre të bukur për ikje e largim përmes një shtegu transversal që shpon shpate malesh, honi e ujëvara, po edhe vetë retë, një shteg mbarëtës i ëndrrave të bardhëlleme.

Oh, Nju Jorku i Bashkim Izanos, që na paraqitet si një shtojzovallje urbane! Një madhështi e beftë vertikaliteti, ku qiellgervishteset përshendesin retë në qetësi e harmoni kolori veshur me përhimtësi, por prapë, ku ndihet megjithatë vrrullim jete, zhurmim e lëvizshmëri, po aq sa edhe madhështi e vetë dorës së njeriut për t’i dhënë krejt Mollës së Madhe (The Big Apple) kuptimin  e nofkës së vet aq popullore për një grishje të ëmbël drejt qytetit të zhurmshëm, gjithë art, muzikë, jazz, reklamë, sporte, kulturë, e ç’nuk tjetër. Krejt në të kundërtën e një “molle të ndalueme”. E ku gjithçka duket e zhduket në një masë të tërë ngrehinash të hovshme e të hopshme për t’u përzier përsëri me retë, sa horizontale, po aq edhe vetikale, si fije-plumba muratorësh që orientojnë nga lart-poshtë drejtqëndrimet e drejtpeshimet arkitekturore, me formë ku si kulla, ku si majëshigjetash e majëkalemash që vazhdojnë të shkruajnë historinë e qytetit gjithë harbim e rrëmbim penelatash.

Nuk po ndalem tek “Skënderbenjtë” modernë të Izanos, që përbëjnë një tematikë më vete, të cilën mendojmë ta përfshijmë në një të ardhme të afërt në “Skënderbejadën” tonë me një hyrje studimore. Sepse nuk ka më befasi joshëse sesa një zanë mali nudo që lëçit Histori nga të  Skënderbeut tonë!

Një tjetër tablo fantastike: “Gjumi i ushtarëve”! Shfaqet kësisoj përzishëm masa e mishtë për top, në gjendje “gjumi top”, gati mortor, pa kurrfarë merakosje se “ç’i pret e nesërmja”, kur lodhja e dërrmimi, tërë pesha e luftës dhe helmetat e përhershme mbi krye, si bunkerë të shpirtit, i kanë shndërruar tanimë ushtarët në robër-robotë të luftës, brenda asaj gjumësie të thellë si një paqe qiellore, por edhe si një hap fatal që i ndan nga vetë vdekja. Jana ushtarë kadareanë që duket sikur thonë: “Na lini rehat të flemë gjumin e madh”! E përsëri mes pllanga resh, sa puplore e ëndërrake, aq edhe ngarkuar me shi breshëri.

Ja “Hakmarrja”, si dragua me shtatë krena, që shfaqin shtatë gjendjet shpirtërore torturuese për atë që s’don të vrasë kollajshëm, me dorë të ftohtë një çift në lumturinë e tyre përgjumëse para një tellalli që ulërit kobshëm: “Kujdes! Po vinë!”

Ja “Kunatat” apo “Ku-ku! natat e zeza”, tre personazhet nokturne të legjendës së Rozafës, si tre orë mali, veshur me xhubletat karakteristike shqiptare, që askush në botë s’i ka, e që mbajnë në gji foshnjet e tyre, dy të parat duke intriguar, ndaj të tretës, viktimë që duhet doemos murosur. Krejt tabloja është një mrekulli fantasku, e magjishme, vegulluese, në të kaltrën gjelbërane mitike,  mes ujëvarash e humbëtirash, mes një vallëzimi shamish mbi kryet me leshra pis të zeza e tërë krela të malësoreve tona sokolesha.

Ja “Spiritus”, në  kuq e zi, e përkryer si tablo, me një orë mali në qendër, nuse me tela, gjithë krahë fluturakë shqipesh, kur krejt pamja e vashës shfaq një qetësi të ëmbël përgjumjeje, por kur nga brenda vlon vrrullshëm shpirti rinor i saj për liri, në kërkim të përhershëm të emancipimit shoqëror....

Në fakt, vepra kadareane dhe vetë qyteti i gurtë përbëjnë bazën dhe thelbin e pikturës së Izanos në krejt albumin e tij “Expo 2016”, tek na shfaqen si burimi kristalor i frymëzimit. Dhe është mëse e kuptueshme përderisa piktori Izano, gjirokastriti par excellence do ta kuptonte e zbërthente më mirë nga kushdo tjetër shkrimtarin Kadare, gjirokastritin puro, duke i bërë të dy së bashku - në harmoni të përkryer -, njëri me penel, tjetri me fjalë, krejt radioskopinë e qytetit të gurtë. Por edhe më tej, duke e zhvendosur dhe zgjeruar tematikën në kohë e hapësirë, thellë në histori, për të bërë si piktori, si shkrimtari  “radioskopinë” e shoqërisë shqiptare në doket dhe zakonet e veta, në fatin e vet sizifian të mbijetesës historike, në fatin e pritjes gjithë ankth “à la Godo”. Andaj edhe tema të tilla si besa, gjakmarrja, mërgimi, lufta, deri edhe te kusaria, rrëmbimi i nuses, martesat e largëta të shtatë maleve të kaptuara dhe fjala e dhënë e Kostandinit ngritur nga varri, apo murosja e nuses me foshnjen në gji në themelet e kalasë së Rozafës, përbëjnë – të gjitha këto – temat madhore trajtuar nga Mjeshtri Izano me penel të vrulltë e të vrundullt, ku statikja nuk ekziston veçse frikshëm e magjishëm përpara lëvizjesh  marramendase të personazheve veshur me kostume kombëtare, ku dallgëzohet  xhubleta e fustanella, hovet opinga, merr tatëpjetë rrëpirat qeleshja, fluturojnë mëngat e xhokeve, si katër krahë engjëjsh, e më në fund ku përloten e pendohen edhe vetë zanat përpara fatit të egër njerëzor të njeriut shqiptar. Në këtë kuptim filozofik, tablotë kompozicionale të Izanos përcjellin një mesazh gati-gati ekzistencialist, kur personazhet e tij mbajnë në dorë fatalisht fatet e tyre, përpara veprimesh e mosveprimesh rrëqethëse, dhe kur vetëm një hënë mali arrin t’i kundrojë ato statuja të ngrira qeleshexhinjsh apo vetë fustanellorin  marrak të frigur nga re e zezë e fatit të tij mbi krye.

Veçse, në përfundim,  i dashur Bashkim, s’ka si të mos hutohesh nga bukuri e veçantë, plot hijeshi e mjeshtëri artistike që shfaq tabloja “Perëndim”, e cila përbën vetë kuintesencën e poemës “Bagëti e Bujqësi” të Naimit. Sa i hijshëm portreti i poetit në librin që mban në duar çobani lab me pamje të çmeritur! Pale gjithë finesë e hajthmëri çobanesha shtojzovalle me qafë të gjatë alla Modigliani! Pale bariu i vogël me kërrabë nën sqetull, veshur në të kaltëra, me një pamje plot adhurim, por edhe disi kryeneçe!  Ja fshatari, që lëron fuqishëm arën me dy qetë e tij përmes ugareve. Ja një shteg zallor i bardhë mes malesh, dhe një vashë majë kalit në ikje e sipër përpara ndoshta një prindi të çmeritur. Ja  tutje poshtë një barkë peshkimi që aq bukur shfaq krejt tablonë në vertikalitet të plotë, si në një shpat mali mbushur krejt me cjep e desh, dhën e dhi, e përsëri, pllaga resh si vetë qeleshja e bariut. Por pa lënë mënjanë këtë herë maska e prosopulla, lule vjeshtake, pemë të zhveshur nga gjethishtja, dhe... një zog... Një zog i bardhë, biçim zgalemi lëshuar nga retë, për të zënë papritur vend në qendër të tablosë, e gjitha e veshur me ngjyra të kontrastuara ëmbël, ku sundon e kuqja alle përpara një bardhësie pastorale.

Suksese të mëtejshme, Mjeshtër,  përherë e më i fuqishëm qoftë peneli tënd mahnitës, i një bukurie e ëmbëlsie të rrallë, me taban e frymëzim kombëtar e kozmopolit, me vlerë të lartë artistike, që lum kush e kundron dhe shijon, tek depërton me meditim në thellësinë e origjinalitetit tënd nga ku buron tërë ai talent dhe përvojë aq e veçantë.

Përqafime, Fotaq

Strasbourg, 4 korrik 2021.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale... Fotaq Andrea: Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor Fotaq Andrea: Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris Fotaq Andrea: Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom Fotaq Andrea: 19 vjet më parë, shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit Fotaq Andrea: Hasan Prishtina - Një Shqipëri, pa shqiptarët e Kosovës do të ishte një trup pa shpirt Fotaq Andrea: Fillesë e një korrespondence të gjatë e të rregullt me Moikomin Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim! Fotaq Andrea: Vrasje e dëlirësisë foshnjore Fotaq Andrea: ''Faleminderit miq shqiptarë'' Fotaq Andrea: Njeriu Faik me përkushtim Shqipërinë moderne Fotaq Andrea: “Njeriu Vitruvian” i Moikom Zeqos Fotaq Andrea: ''Njerëzit binin porsi miza'' Fotaq Andrea: Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh promovoi librin ''Fëmijët martirë të Kosovës, 1981-1999'' Fotaq Andrea: Les Pélasges, ont-ils existé?! Fotaq Andrea: E trishtë, shumë e trishtë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora