Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Fillesë e një korrespondence të gjatë e të rregullt me Moikomin
E enjte, 21.05.2020, 09:15 PM
15 vjet më parë
Fillesë e një korrespondence të gjatë e të rregullt me MOIKOMIN – Unikal
në emër e erudit si AI
Nga Fotaq
Andrea
Letra shoqëruese
Strasbourg, 02.05.2020
I dashur Moikom,
Sigurisht që ma ke dërguar me shumë dashuri
librin tënd me vizatime "Metaforat memece",
duke më nderuar ndër të parët miq e shokë,
sapo e botove më 2014.
Libri më la mbresa të thella dhe më kujtohet
shumë mirë se si më nxiti atë vit që ta thelloja edhe unë teknikën time të
vizatimit me pikëzime-pickime akriliku në sfond të zi kartoçine, duke dashur të
jepja simbolikisht motive nga të xhubletës shqiptare, i mrekulluar edhe nga
libri e koleksioni etnografik i i poetes së fjalës së brishte Luljeta Dano.
Stilizimet dhe improvizimet, por sidomos
ngjyrimet me akrilik të gurëve (nga Europa) që kam nisur të pikturoj që
nga 1997-ta do më shpinin shpesh drejt paraqitjesh fantazmagorike, brenda së
cilave përhumbesha krejt, mbas ditësh të gjata e të lodhshme përkthimore,
ose pastaj në qëndrese stoike ndaj të
papriturave të pakëndshme të jetës së vështirë në Perëndim, kur fatkeqësisht më
shumë e pëson keq nga keqdashja dhe shpirtëzia e ndoca bashkatdhetarëve të tu
gjuhëgjarpër e gojëhelm, se sa nga ftohtësia e vendalinjve frëngj.
Po të ridërgoj, sa për të rifreskuar kujtesën
letrën time të parë për ty, që shënoi edhe bashkëpunimin dhe letërkëmbimin tonë
të rregullt. 15 vjet më vonë, pa e prekur aspak
këtë letër sa më poshtë, po i shtoj në fund vetëm dy portrete në gurë të Nënë
Terezës dhe Skënderbeut, të botuara në album antologjinë time “ Skënderbeu,
Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishit, Mbrojtës i Europës, Tiranë, nëntor
2017”.
Përqafime me mall, mik i shtrenjtë dhe
kujdesu fort për veten, sidomos në këto kohë të vështira pandemie kovid 19.
Fot.
Letra e parë dërguar Moikom Zeqos nga Fotaq Andrea
Strasburg, më 30 maj 2005
I dashur Moikom,
Më fal për vonesën e letrës : arsyet
mund të rënditen à la file indienne, por më të përligjurat janë thjesht
hallakatjet shpirtërore, pa shkuar më tej.
I vetmi kontakt i drejtpërdrejtë
ditor që kam me vendin janë mediat shqiptare via internet,
« kishëza » ku s’arrin dot të falesh sepse, në vend të të joshin për
të mësuar vërtet diçka, të zhveshin nga çdo dëshirë për të klikuar në to.
Aktualisht, - ti e di më mirë nga unë -, aty
po sundon politika politiciene e zgjedhjeve (me mbikëqyrje të turpshme
ndërkombëtare, si më 1914 dhe 1920 kur ishim shtet-foshnje), ku janë vënë në
garë, zotërinjtë politikanë, për të mos thënë shprehjen franceze politicards
véreux, që do ta kish qejf në këtë rast gjeniu Rable, apo edhe Edmond Tupja
me lojrat e fjalëve të tij therëse.
E filloj në këtë mënyrë, jo pa indinjatë e
revoltë, pikërisht sipas modelit tënd për fillimin e Florimontit, ku i
thur himn profesor Mahir Domit, duke e ngritur në piedestal të lavdisë, dhe ku
fshikullon rëndë VIP-ët, që s’dinë ç’është humbja e një kolosi të shkencave
albanologjike. Para disa kohësh, u ngrit Franca e tërë në këmbë me rastin e
vdekjes së filozofit Zhak Derrida : çdo organ shkroi artikuj, çdo kanal
televiziv e radiofonik i kushtoi emisione të posaçme, çdo librari prezantoi
krejt fondin e veprave të shkruara, u fol e u nderua në shkolla, universitete e
kudo, duke lartësuar kështu veprën dhe jetën e tij, duke dëshmuar kulturë e
nderim për njeriun e shkencës e të mendimit. Dhe po para disa javësh, një kanal
televiziv francez e quajti Shqipërinë « vendin më të korruptuar të
planetit » dhe politikanët shqiptarë njerëzit më të korruptuar në botë, të
cilëve duhet t’ua lyesh mirë qerren, në do të investosh diçka, (sipas shprehjes
që përdorën « il faut bien les arroser »). Nuk kish turp më të madh
për ne, sidomos për fëmijët tanë, të cilëve mundohemi si e si t’ua mbajmë lart
dinjitetin dhe krenarinë kombëtare, t’ua ruajmë gjuhën, historinë dhe traditat tona
të mrekullueshme. Dëmin më të madh Shqipërisë sot po ia bën vetë klasa politike
shqiptare. Këtë, për fat të keq, mund ta pohojë kushdo, dhe duket sikur s’po
thua ndonjë gjë të re, kaq shumë është zhveshur nga kuptimi i saj i vërtetë. O
Zot, falju mëkatet, dhe ti, Moikom, më fal që u enda skutave që të prishin
humorin.
Ndoshta e ke parë filmin e fundit Aleksandri
i Madh të Olivier Stone. Pavarësisht si e ka vlerësuar kritika (me të mirat
dhe të metat e veta, - si në çdo gjë !), më bëri në të përshtypje, mbi të
gjitha, muzika e filmit. E pashë me tim bir 11 vjeç, - isha munduar ta ëmbëlsoja
që më parë se Aleksandri është me gjak shqiptari. Shumë herë në skenat e
betejave të famshme, në hovet e gjeniut luftarak, muzika, edhe pse shpërthyese,
kish në sfond një polifoni të përpunuar e të habitshme, me melodiozitet sa epik
dhe dramatik, dhe mua atëherë, më ngrihej qimja e parakrahut përpjetë, e mishi
më pupurrizohej në krejt trupin, i përpirë nga skenat madhështore.
E them këtë jo se dua të të përcjell të
njëjtin emocion, por thjesht për të treguar se gjithë Florimonti tënd
është për mua një polifoni e tillë e fuqishme labe, ku personazhet dhe heronjtë
e tu, nga mitikët te jetësorët, në kohë e hapësirë, këndojnë njëzëri këngën e
shqiptarizmës, kur njëri ia merr, tjetri ia kthen, një tjetër ia hedh, një
tjetër ia prêt, për t’u njëjësuar më pas, të gjithë së bashku, në ison e
rrufeshme dhe buçitëse të Zeusit Zë.
Në fund të fundit, ç’është tjetër kënga
polifonike në mos njëzëshmëria njerëzore natyrore shprehur shpirtërisht që nga Lashtësia,
ashtu si vetë kënga e shpesëve, e në radhë të parë e bilbilit ? Ç’është
tjetër Florimonti tënd në mos vetë ai bilbil për lashtësinë
shqiptare që di të këndojë nën penën tënde, mes argumenteve që parashtron dhe
erudicionit që shpalos ?
E lexoja Florimontin nën uturimën
fluturuese të avionit të linjës Baden-Romë dhe përballë horizonteve që ti
shpalos, vetë avioni më bëhej insekt kozmik, sekondë marrake në trokthin e
furishëm të reve rënduar me mendim, tek ndjeja e përjetoja impulset dhe frymëmarrjen
e veprës, herë përmes pathosit, seriozitetit, ashpërsisë a ironisë, herë
nëpërmjet analizës, parashtrimeve, përqasjeve, përplasjeve të autorëve, epokave
a trevave historike. Domosdo, boshti i veprës është shqiptarofilia, e të
tjerëve po se po, por në radhë të parë shqiptarofilia tënde e hershme, për të
cilën ti nuk ke rreshtur së shkruari dhe nuk ndjen një grimë lodhje në
gjurmimet pasionante që bën. Lexoja dhe ndjeja jehonën e veprës të përhapej e
tretej në brendësinë time, pa më velur, por kraharorin ama, mbushur me emocion,
dhe tek ngrija herë-herë kokën, vështroja kryet tollovitëse të një kleriku që
nuk rreshti së faluri me një kryq të vogël në dorë… Të gjallët me të gjallët,
po edhe vdekatarët me të vdekurit...
Florimonti, si
tërë librat e tua, shpreh nga ana tjetër shpirtin tënd artistik e poetik. Ti e
di, që është një moshë e caktuar në jetën e njeriut kur entuziazmohesh e
pasionohesh pas leximit. E pra, le të të rrëfehem edhe unë e të them se dhjetë
a dymbëdhjetëvjeçar, dikur të kam pasë ndjekur në poezitë e tua të para, për
detin, Durrësin, diellin, thellësitë kaltërore, etj. duke u zilepsur krejt e
duke u orvatur madje të vargëzoj edhe unë vetë. Ka te Florimonti tënd
hove të tilla poeticiteti, plasticiteti e elegance të shkruari që një hop, të
duket sikur përmbajtja dhe forma, njeriu dhe poezia shkaktojnë njëfarë qarku
elektrik të shkurtër, nga ku shpërthen shkrepëtimë e orakujve të Delfit dhe
ravijëzohet vetëtimë e majave Akrokeraune. Ka të drejtë Jakobsoni kur thotë se
tërë format e shprehjes përmbajnë lidhjen e fjalës me botën dhe se ky është
pikërisht arti i gjuhës, që ti di ta vësh në përdorim. Ashtu si vetë Florimonti
që ka frymëmarrje « shumëpërmasore » sipas termit shqip që i pëlqen
mikut tonë Pandeli Koçi, edhe fjala tënde artistike ka muzikalitet, shije,
ngjyrë piktori e mish filologu, duke krijuar kështu një stil sa klasik dhe
modern, sa realist dhe surrealist, që thjesht është stili tënd, i këndshëm, i
hovshëm, i hopshëm. « Stili është vetë njeriu - na thosh me thjeshtësinë
e tij të zakontë Jusuf Vrioni, nuk mund të imitohet, ai transpozohet » (e
kish fjalën për përkthimin). Dhe vërtet, një çast, më duket sikur të
shoh të përplotë xhojsiançe, « të dehur rablejançe », duke
vërshuar ethshëm në shkrim automatik, po kurrsesi shkrim zero nga të Bartit,
shkrim në fakt 100% angazhuar me shqiptari, « duke e thënë troç, gjithçka
që mendon », siç shprehet në autokritikën e vet Lë Klezjo.
E pra, aty, te ty, ngërthehen fort arti e erudicioni, historiani e analisti, etnologu e arkeologu, poeti e piktori, etj. dhe krejt vepra shpaloset si një afresk davinçian, kompleks e i pasur që ngulmon për të rizbuluar e transkriptuar kode të fshehtë, për të cilat flet aq hapur e prerë Fatmir Minguli në shkrimin e tij kushtuar veprës tënde « Kështu foli Mona Liza ». Dan Brauni, me 50 milionë ekzemplarët që arriti, s’bëri gjë tjetër veçse solli si të reja në formë, epizode nga jeta e Juzusit që njihen prej kohësh. Ai qëndisi njëfarë Harri Poteri për të rritur, duke huazuar nga vepra të tilla si « Enigma sekrete » të Michael Baigntit, Richard Leightit dhe Henry Lincolnit apo edhe bestseller të tjerë të famshëm të Picketit e Clive Princit. Ai kompiloi me mjeshtëri Umberto Ekon dhe vepra të tjera të suksesshme që flasin për marrëdhëniet e Juzusit me Maria Madalenën, duke përvijuar rrëfimin legjendar dhe tezën fantaziste të Ungjillit të Filipit dhe të ashtuquajturit manastir të Sionit. Po nejse, tërë atutë qenë në anë të tij dhe jam njëqind përqind dakort me Mingulin. Ne na duhen atutë. Vrioni qe vetëm një dhe dha rezultatet që dihen.
Moikom,
Pa u larguar nga vepra, do desha të flas edhe
për himnin tënd naimian drejtuar Durrësit e Shqipërisë, për lartësimin që ti u
bën figurave tona të ndritura të shqiptarisë, për himnin që i thur vetë
Florimontit, duke e trajtuar si mik, vëlla, atë, gjysh e stërgjysh, për
heronjtë që çmitizon dhe mitet që çmonton, për vdekjen që jetëson dhe jetën që
legjendizon, për gjithçka që të grish Florimonti tënd në do kohëra e
vende, hapësira tokësore e kozmike. Në fund të fundit, vetë Florimonti është
ajo lëndë e parë poetike e Mesjetës kaotike, së cilës, pas Hilkës, ti i
shkaktove big-bangun shqiptar, duke kërkuar ekuilibret faktike në çekuilibret
mitike.
Vërtet, siç thua ti, « identitetet e
rreme të Mesjetës janë spirale subjektore nga s’dalim dot » dhe për një
çast, me thënë të drejtën, e pashë veten të humbur, si i « Humburi i
ngratë », tek iu qepa autorëve për Florimontin dhe Meluzinën. Kish goxha
menu, sallaturinë maqedonase joshëse, variante nga më të ndryshmet, që ti i di
e s’dua të ndalem gjatë.
Ti me të drejtë bën pyetjen : « Si ndodh që s’është botuar Romani i Florimontit ? », që ka ngelur në formë origjinale te Hilka i madh gjerman, ndërkohë që Meluzina e Zhan D’Arrasë dhe e Kudretit pushtoi Evropën dhe kaloi te Rableja e Gëtja, te Nervali e Prusti, te Brëtoni, Rëne Shari, Marsel Ejme, e plotë të tjerë, gjer në ditët tona, duke ardhur furtunshëm, dhe kur në fakt, po këtë hov që nga Mesjeta e njohën edhe shumë romane të tjerë, qoftë të ciklit breton (Graali), qoftë të ciklit idilik (Okasini) apo bizantin e oriental (ku bën pjesë edhe Florimonti). Për mendimin tim, dhe qofsha njëmijë herë i gabuar, arsyeja qëndron në faktin e thjeshtë se Florimonti është roman 24 karat me personazh kryesor shqiptar, Florimont von Albanien, thotë Alfons Hilka, ku s’ke ç’vë më në dyshim, dhe në këtë rast, s’ka kush merret ngeshëm (a kanë interes ?) me përkthimin e tij në frëngjishten moderne. Nga ana tjetër, përderisa thuet e këmbëngulet se Meluzina është edhe një nga çelësat e artë të mitologjisë kelte e frënge, domosdo që çekani ka rrahur e do vijojë të rrahë aty. Ky arsyetim, mbase edhe i shpëlarë e parashtruar shqeto, pa dorashka, nga ana ime, e bën edhe më të domosdoshëm përkthimin dhe studimin tërësor të Florimontit nga ana jonë (dhe të mbështes fuqimisht ty në këtë ide !), pavarësisht se shprehen skepticizma të tilla që është thjesht roman kalorsiak e asgjë më shumë. Ai roman jetëson e përjetëson lashtësinë tonë.
Nga ana tjetër, edhe te vetë Meluzina,
kur bëhet fjalë për zanafillën e saj, për Elinasin e Albanisë, ruhen
qëndrime dhe prirje të kundërta. Botimi më i fundit i vitit 2003 të Meluzinës
së Zhan d’Arrasit, përkthyer nga Zhan Zhak Vincensini, nxiton të vërë në krye
të librit origjinën skoceze, por jo pa e shoqëruar me shënim. Ti e di se Zhan
d’Arrasi e fillon Meluzinën : « Është e vërtetë që dikur ishte një
mbret në Albani që qe burrë goxha i guximshëm ». Termi
« Albani » është zëvendësuar thjesht me « Skoci », mbi
bazën e linjës kelte e bretone. Por le ta lë autorin të shpjegojë në
shënimin e vet : « Të mos e përkthesh termin Albani me « Skoci »
do të thotë të presësh një nga rrënjët keltizuese të romanit, qëndrim që do
ishte për të ardhur keq nga ana jonë. Për një paraqitje të argumenteve në favor
të « Albanisë », shih M. Perret…etj, etj. ». Pra autori, pasi
bën një fait accompli, detyrohet të parashtrojë edhe argumentet e
kundërta në favor të zanafillës albaneze të Meluzinës. Po në shënimin e
parë të faqes së parë, autori shkruan : « Florimonti e bën Durasin
portin e Durazzos, në Albani. Ankorimi gaskon i Luzinjanëve (për të cilin
dëshmon në ditën tona toponimia e
Lot-et-Garonës) do të mbronte tezën në favor të qytetit të Durasit (në rrethin
e Marmandës). Pushtimi i tij është një fitore e shquar franceze ndaj anglezëve
(kështjella iu dorëzua Dy Gesklinit më 1377) ». O Zot ! të ketë harruar vallë ky autor
se Florimonti u shkrua e zezë në të bardhë nga Aimoni më 1188,
ndërkohë që Durasi i tij, i cili sot ka 1298 banorë, na paskërka më 1377
një kështjellë, pra rreth 200 vjet pas Durazzos sonë 2600 vjeçare ?! O
Zoti Zot i Moikomit : edhe këtë dashkan të na e marrin ?! S’mjaftokan
yjet, hyjet, mitet, legjendat, heronjtë, zanat e deri te fustanella që na kanë
marrë e përlarë ?! S’mjafton që trotuaret e Parisit kanë bitum shqiptar
dhe askush s’e zë në gojë ?! Që Mehmet Ali shqiptari fali obeliskun, etj.
etj. !
Pier Martin Siva (Pierre Martin Civat) në
tezën e tij të doktoraturës së Universitetit të Parisit, « La Mélusine,
ses origines et son nom » (1969), si parashtron tërë variantet e mundshme
se « Ç’duhet të kemi parasysh me termin Albani ? », sigurisht i
mëshon idesë se shumica shohin në të Brëtanjën e Madhe, vendin e Albionit,
tokën druidike dhe të traditave kelte, se të tjerë shohin në të Skocinë (Albany
në gjuhën galike), të njëjtin emër që mbanin dukët Stuart, dhe më në fund, të
tjerë shohin në të Albaninë klasike, në lindje të Kaukazit, hapur gjerësisht
mbi detin Kaspik, dhe që ka bërë pjesë në perandorinë e madhe të Aleksandrit.
Më në fund, i referohet edhe Dontenvillit, që mbështet tezën se është fjala për
Shqipërinë, duke pasur parasysh « vendin që ajo ka zënë në botën
mesdhetare në kohën e kryqëzatave » (nënvizimi im). Autori e sheh këtë
mundësi zgjidhjeje si joshëse, duke parë në të « Epirin e vjetër, më të
ashpër e më natyror se Greqia e lashtë, e qytetëruar dhe e rafinuar ». Për
më tepër që autori u njeh grekëve këtu disa nga pikat më të rëndësishme të
mitologjisë së tyre. Po le të ballafaqohet ky autor aherë këtu, në dashtë, me Despotët
e Epirit, e le ta lëmë të flasë me vete !… Po si s’u shkon mendja
një herë xhanëm të thonë se, në fund të fundit, në ka albanë aty e këtu, në
përmenden këta e ata te Ptolemeu, në shihkan një lidhje të albanëve brëtonë a
britonë me Akilin, në paska përngjasë tunika skoceze me fustanellën shqipe, në
u habitka Bajroni për një përngjasim të mahnitshëm të dokeve e zakoneve skoceze
me ato shqiptare etj. etj., vetë Keltosi, Ilirosi dhe Galatosi, a nuk qenë
vëllezër nga e njëjta mëmë, nga nimfa qumësht bardhë Galatea, që
u dashurua nga Polifemi ? Heronjtë eponimë qenë thjesht vëllezër, nga ku
lindën popujt galatë, kelt e ilir. Kjo, se pse më kujton njëfarësoj një thënie
të zgjuar, porse të hidhur të Rugovës më 1999, kur e pyetën në Këshillin e
Evropës nëse paraqitej rrezikshmëria për krijimin e një Shqipërie të Madhe.
« Ne jemi vëllezër tha ai, por e kemi zakon që kur krijojmë familje,
gjithsekush shkon n’shpi t’vet.» Koha çdo gjë e përsërit në mënyrën e saj.
O tempora, o mores !
Kolë Luka, të cilin edhe unë e kam njohur dhe
ia njoh meritën e shkëlqyer që dha eposin tonë në frëngjisht dhe qëmtoi
topologjinë shqiptare në Këngët e Rolanit, do bënte me siguri një lidhje
mjeshtërore midis Këngës së Rolanit, Meluzinës e Florimontit. I Madhi Çabej,
emrin e të cilit duhet ta shkruajmë me gërma të arta, do dinte të gërmonte në
arkeologjinë e etimologjisë shqiptare për ta zbërthyer emrin ELINAS jo
nëpërmjet anagramës elsina apo esina, domethënë eusina e
pyjeve të Perëndimit apo forma dialektale
yesine ( yeuse : lis në gjuhën provansale). Kësaj
i thonë të kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë. Mbase një etimologjist i
vëmendshëm do shihte në emrin ELINAS thjesht fjalën shqipe E + LIS + AS. Po ashtu, edhe te emri MELUZINA :
përderisa autori francez sheh në të anagramën e një mënyre djallëzore, të ligë,
shejtanizuese, që karakterizonte fatën e keqe Meluzina, dhe parashtron me këtë
rast edhe variantin se grekët shohin te kjo heroinë termin mellan (zi),
pse ne shqiptarët s’paskemi të drejtë të shohim në emrin MELUZINA thjesht
përbërësat ME + LU(J) + ZI shoqëruar nga prapashtesa NA ? Meluzina kish
nam të keq, si fata Morgan në Avlon (edhe Vlorës sonë i thonin dikur
Avlona!) që të punonte qindin, dhe e keqja gjithmonë është shprehur me të zezë
te thrakët e mesdhetarët, siç thonë autorët e lashtë përforcuar me humor nga
Rableja. Në fund të fundit, a nuk flisnin në korrespondencën e tyre De Rada dhe
nobelisti i dytë francez, poeti dhe filologu i famshëm Mistrali (që i dedikoi
një shkrim rilindasit tonë) për një lidhje të ngushtë të gjuhës shqipe me
gjuhën provansale (oke) ? Po për këtë, ja që duhet të dish shqip, e në
radhë të parë të njohësh brilantin De Rada ! Kyç i gjithë mitit të
Meluzinës janë pra termat Albani, Elinas, Meluzina. Por unë, as që mund
të pretendoj kurrsesi se bëra këtu ndonjëfarë zbërthimi shkencor të këtyre
termave, (pale që më shfaqet vetvetiu edhe njëfarë kombinimi në termat
AVLON-AVALONA-VLORA me ishullin Sazan, dikur krejt i gjelbëruar, apo edhe me
ndonjë ishull tjetër krejt të humbur, përpirë nga deti). Fakti është se
shqipja, siç e cilëson konti Gobino e të tjerë, është, krahas gjuhës baske,
gjuha më e vjetër në Evropë, dhe Petro Zheji ka ditur mjeshtërisht ta pasqyrojë
lashtësinë e gjuhës sonë në veprën e tij dinjitoze Shqipja dhe
sanskritishtja, trajtuar mbi bazën e semiotikës. Nëse ka njerëz që duan të
na heqin vizën me një të rënë të lapsit, apo duan të na injorojnë (dhe kjo
është taktika më e përkryer), edhe kur e zeza është mbi të bardhë, kjo është
punë e tyre, po edhe ne mjafton, në këtë rast, të bëjmë punën tonë.
Kur të tjerët paskan të drejtën të
përvetësojnë a asimilojnë, kur e shohin gjithçka si të tyren e vetëm të tyren,
e pse ne s’paskemi të drejtë të shohim tonën apo edhe tonën ?
Problemi është si ta shohim, si ta argumentojmë, shkencërisht mbi të gjitha, si
të gjejmë mënyrën shkencore e ndërkombëtare për t’i thënë gjërat mbi baza të
shëndosha. Këtej duhen drejtuar kapacitetet tona të fuqishme shkencore, si e
si të flasin mbi të gjitha ndërkombëtarisht. Thembra e Akilit për ne është
se ne vetë, shqiptarët, s’arrijmë dot ende të flasim si duhet e sa duhet
ndërkombëtarisht, e atëherë këtë e kanë bërë dhe e bëjnë për ne të tjerët, si
duan e sa duan. Izolimi qindravjeçar (dhe jo vetëm komunist) ka luajtur në këtë
mes rolin e vet, por tani me hapjen, dhe sidomos me një brez të ri përgatitur
fuqimisht jashtë, mbase do dimë më në fund të orientohemi në vorbullën
shkencore dhe të mësojmë mbi të gjitha të flasim qartë në arenën ndërkombëtare.
Mojkom, më fal, mbase e teprova dhe të lodha.
Thellësitë e oqeanit albanologjik janë humbëtira të tilla që ty s’të kanë
dekurajuar aspak, përkundrazi të kanë joshur e të mbajnë të lidhur. Florimonti
është një fosil perlë e këtij oqeani dhe ti i dhe shkëlqim për publikun
shqiptar. Disa faqe të tij që më dhe me dashamirësi për t’i fotokopjuar, tek i kam
para syve, sikur më dekurajojnë, me thënë të drejtën, më trembin. Janë më të
hershme se gjuha e Rablesë. Duhet zhytur mirë në to, kokë e këmbë, duhet magje
dhe duar të fuqishme për të gatuar brumin e veçantë të saj. Besoj më kupton në
figuracionin që po përdor. Nuk është se po shpreh pesimizëm dhe se po shmangem,
përkundrazi, dua të jem thjesht realist dhe çështja të shihet nga shumë
këndvështrime…
Në mbarim, simbas zakonës sonë të kartërave,
dëshiroj që kjo letër të të gjejë shëndosh si molla, ty dhe familjen, përherë
të shëndetshëm e të fuqishëm në shkrim, përherë gjithë humor e shtëpinë plot
miq, e mbase takohemi në muajin korrik.
Po të nis bashkëngjitur dy faqe nga Romani
i Florimontit , dy nga Meluzina e Zh. d’Arrasit (ku flitet për
Elinasin) dhe dy faqe me gurë nga të miat. Meluzina ime me gurë, është e
përbërë nga opale de feu dhe amonit, Genti me barit, ndërsa
portreti i djaloshit Jori me safir, kuarz, vanadinit dhe me fosilin
perisfinktes plikatilis, lloj amonoidi. Po vendos edhe një portret labi dhe një
kosovari, si dhe një stalaktit « Zonja hënë ».
Përqafime, Fotaq Andrea
Epilogu i letrës:
Më datën 8 qershor 2005, në orën 14.50,
Moikom Zeqo më lë në telefonin fiks të shtëpisë këtë mesazh lidhur me letrën:
“Andrea... Fotaq Andrea... Jam Mokiom Zeqo. Mora sot letrën tënde dhe të jam
shumë mirënjohës për gjithçka që shkuraje në të. Më pëlqeu shumë... Ajo letër
është vetvetja tënde, e personalizuar në shkallën më të lartë, edhe si dije,
edhe si shpirt, po edhe si emocion, vizion, e shkruar me ndjenjë... Do të të
marrë prapë në telefon. Mirupafshim.”