Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh promovoi librin ''Fëmijët martirë të Kosovës, 1981-1999''
E enjte, 12.12.2019, 09:16 PM
Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh promovoi librin «Fëmijët martirë të Kosovës, 1981-1999»
Nga
Fotaq Andrea
Në
mjedisin e Shoqatës Kulturore Shqiptare Strasburg-Kelh, zbukuruar me motive,
simbole e objekte historike kombëtare, në prani të mjaft bashkatdhetarëve nga
Kosova, Shqipëria, Maqedonia etj., u bë këto ditë promovimi i librit
« Fëmijët martirë të Kosovës » me autorë Hanëmshahe Iliazi e Nusret
Pllana.
Fjalën
e hapjes e mbajti anëtari i Kryesisë Shoqatës Z. Ilir Shqipnia i cili, pasi
falënderoi të pranishmit, përfaqësuesit diplomatikë nga Konsullata e Kosovës
dhe e Maqedonisë, si dhe autorin Pllanaj, ardhur posaçërisht nga Kosova për
promovimin e librit, vuri në dukje se libri është një dëshmi tronditëse e
rrënqethëse për masakrat serbe në Kosovë në vitet 1981-1999, kur humbën jetën e
tyre të njomë qindra fëmijë nga mosha një muajshe deri në moshën 17 vjeçare, në
lulen e tyre të rinisë. Po ashtu, Z. Ilir theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë
të Shoqatës me diplomatin Gani Veseli dhe Kadri Dokën.
Të
pranishmit u përshëndetën më pas nga Z. Fotaq Andrea i cili, tek përgëzoi
autorët Iliazi e Pllana për botimin e librit “Fëmijët martirë të Kosovës”,
ngriti lart vlerat e këtij libri madhor që sjell të freskët në kujtesë
martirizimin e Kosovës dhe tragjedinë e rëndë që përjetoi brezi i saj i ri në
vitet heroike të Luftës së Kosovës, e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë
së saj, një ngjarje kjo e shënuar dhe e paharruar në historinë e mbarë kombit
shqiptar. Duke u ndalurmë pas, në punën e kryer për një vit me radhë nga kjo
Shoqatë e re kur, para së gjithash, u është ndenjur pranë dhe u është gjindur
konkretisht me ndihma e strehim emigrantëve shqiptarë, familjeve që kanë humbur
të afërm të tyre për të dërguar në Kosovë trupat e pajetë, autori i këtij shkrimi vlerësoi aktet
humanitare e solidarizuese të Shoqatës si dhe theksoi objektivat e saj për të
ardhmen, sidomos në fushën e kulturës, kur Shoqata synon të çelë më 15 shkurt
2020 Shkollën e parë shqipe në mjediset e saj, tek ka shpallur tashmë që në
fillim të dhjetorit fushatën për regjistrimin e nxënësve. Në të njëjtën kohë,
Z. Andrea nënvizoi se Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh do të mbajë
lart emrin e saj të nderuar “Skanderbeg-Nënë Teresa”, dy figurat madhore
historike me të cilat nderohet e krenohet kombi shqiptar, Skënderbeu, si
themeluesi i shtetit të parë të Arbrit dhe Babai i Kombit, dhe Nënë Teresa,
Shenjtorja shqiptare që nderohet nga bota mbarë.
Në
vijim të veprimtarisë së promovimit të librit “Fëmijët martirë të Kosovës”
përshëndetën miq e të ftuar, si dhe vetë autori Pllana, i cili vuri në dukje
vlerat e larta të kësaj vepre të rëndësishme që qëndron si monument përkujtimi
e përjetësie për 1432 fëmijë kosovarë të
martirizuar dhe për rreth 20.000 nëna e gra kosovare që u dhunuan e u masakruan
nga pushtuesi serb edhe shtatzëna e me foshnje në gji. “Është fjala për një
genocid të ashpër, pa precedent, tepër tragjik në kohët moderne, genocid ndaj
ardhmërisë, ushtruar sistematikisht e me vetëdije për të mbytur vetë të ardhmen
e popullit kosovar nëpërmjet vrasjes e masakrimit të fëmijëve, nënave e grave
të Kosovës”, theksoi ndër të tjera Dr. Nusret Pllana, i cili tërhoqi vëmendjen
e të pranishmëve me faktin se ky genocid është ende i padënuar nga bashkësia
ndërkombëtare dhe vazhdon të mbetet në Kosovë një plagë e hapur që kullon gjak.
Në
vazhdim, u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur me këtë rast, që trondit
rëndë, që në fillim, sepektatorin, me simbolikën e qarjes së një foshnjeje, jo
“qarje gëzimi” për ardhjen në jetë, por “qarje trishtimi, tragjizmi,
martirizimi”, në një atmosferë plot lot të hidhur, si vetë realiteti i hidhur i
Kosovës martire të fundshekullit XX-të.