Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
E hene, 11.05.2020, 05:49 PM
14
Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Veprat
më të bukura të njerëzimit janë tmerrësisht të dhembshme -
André Gide.
Nga
Fotaq Andrea
Ky
shkrim merr shkas nga disa mesazhe përgëzimi që morëm pas botimit që i bëmë
para disa ditësh tek forumet “Fjala e lirë” dhe “Zemra shqiptare” të poezisë
sonë “Vrasje e dëlirësisë foshnjore”, duke rikujtuar karantinën shqiptare të
vitit të zi ’97 në këto ditë të pazakonta ngujimi botëror si pasojë e pandemisë
së kovid19. Prej një kohe të gjatë ime shoqe dhe unë kemi ngulmuar për të
hulumtuar, mbledhur e arkivuar mori fotosh e veprash artistike dhe historike me
tematike tepër të gjerë e të veçantë: “Fëmijë të Shqipërisë ndër vite” në
përgatitje të një Ekspozite të mundshme a të një albumi me mbi 500 imazhe dhe
me bosht qendror brezin e ri historik të kombit tonë si aktorë aktivë të jetës
së përditshme shoqërore në krejt aspektet e veta. (fig. 1)
Edhe
pse me shtrirje të gjerë kronologjike që daton nga fillimi i shekullit XIX, vërehen
në mori kësi fotosh e skenash pikëtakime rrënqethëse të së djeshmes me të sotmen, që shfaqin
tragjikisht trishtim, dhembje, mjerim, nga njëra anë, por edhe shfrytëzim,
keqtrajtim, traumatizim, etj. nga ana tjetër, në atë botë të dëlirë e të pafajshme të fëmijës
shqiptar, tipizuar e simbolizuar historikisht tek i përjetshmi migjean “Luli i
vocërr”, hallëmadhi hallëplotë e i pafatë, engjëll viktimë i përvuajtur, shpesh
me vështrim të fikur, të frikur, të fishkur që na tromaks e trondit. Ndodh
kësisoj tek një pikturë e diteve të sotme të belgjianit Angelo Brenez titulluar
“Fëmijë nga Shqipëria”, së cilës poeti i njohur portugez José Aghostino
Baptista i ka kushtuar këto vargje: “Ti
gjallove / Në vendin e fëmijëve të trishtë / Dhe në djepet e zbrazur / Pe
të bjerë vesimi, / Pasandaj lagështimi, pasandaj kalbëzimi. / Ti ishe i
pafajshëm në atë kohë, para krimeve / Para fytyrave mbushulluar me bukuri / A
mallkueshmëri.” (fig. 2)
Në
fakt, nuk kanë munguar aspak komentet për këtë tablo plot trisht e mallëngjim,
që të elektrizon krejt trupin, që
gati-gati të frik e të ligështon njëkohësisht, të mban egër në ethe e të
mornicon mishtë, me ato vështrime shpuese e gjëmuese si rrufe sa të nënës, aq
edhe fëmijës bërë një trup i vetëm nënë e bir, në kërkim të një përkrahjeje a
ndihme hyjnore që të këput shpirtin. Shfaqet kësisoj në tërë këtë skenë e poezi
me ngjyrën e blertë të shpresës e të natyrës së paqtë krejt atmosfera tragjike
e vitit të zi ’97 në Shqipëri, që nuk do të vononte të pasohej nga lufta e
Kosovës ’99 dhe nga shpërnguljet masive të popullsisë, kur në epiqendër do
vihej tashmë fotoja ikonë “Nëna me foshnjen në gji”, të cilin ajo e dinte të
vdekur. (fig.3) Janë foto tronditëse që flasin vetë, ku poezi e pikturë
shkrihen në një, për t’i lënë vend një lloj muzikaliteti sensual me tingëllesë
të përzishme. E të vinë ndër mend këtu, me po këtë përmbajte edhe te fotot e A.
Degrand që ilustrojnë librin e tij
“Kujtime nga Shqipëria e Epërme”, Paris, 1901, ku përsëri figura e nënës
shfaqet me foshnjen në gji (fig.4), dhe përherë në lëvizje, shtegtim, apo
fotoja aq e veçantë nga eksodi çam, (fig.5)
pa harruar këtu marubianen adoleshente “Endacakja lypsare” (fig.6)
Shtegtimi.
Mëkimi i foshnjës në lëvizje e sipër. Është një ritual i përjetshëm mitik, parahomerik, i shqiptares
historike me fat sizifian në mbijetesën e saj të paepur, kur që nga Pukëvili i
fillim-shekullit XIX (fig. 7) shohim të ilustruar shtegtim shqiptarësh fshtaçe
e me priftin në krye, po me bosht qendror gruan amazonë shoqëruar nga qen i saj
molos, duke mbajtur historikisht për dore fëmijën e vet apo duke mbajtur madje
edhe djepin mbi kurriz lidhur fort para gjoksit me ushkurë të egër (fig.8) apo,
pse jo, edhe djepin mbi krye (fig. 9), si ato shtambat e ujit jetësor që
kërkohej gurrave të largta të kreshnikëve e zanave, mu siç thotë shprehja e
bukur shqipe “e mbaj, e vë majë kokës” diçka a dikë të vyer, të shenjtë,
hynore, si vetë foshnja engjëll, përfaqësuese e brezit të ri, e së ardhmes, e
përjetësisë.
Po
ashtu, shohim po aq trishtim e nevojë për ngrohtësi njerëzore edhe në tablonë e
ditëve tona të spanjollit Carlos de las Heras titulluar “Albanian girl” (fig.
10), fëmijë që na shfaqet me vështrim të dëlirë, plot pafajshmëri. Apo edhe një
tjetër tablo po aq domethënëse e publicistit dhe piktorit atdhetar Asllan
Dibrani titulluar “Pikë loti për shkollën shqipe” (fig. 11). Gjithçka të prek
deri në përvuajtje, në kërkim të një “pseje ?” të ethshme fatzezë, shfaqur aq
ftohtë e ngrirazi. “– Pse kështu?” “–
?!” Pyetje pa përgjigje, apo përgjigje rrëqethëse pa fjalë, si fotoja “Tre
fëmijë shqiptarë para ushtarësh okupatorë” (1944) (fig.13), tre engjëj të
varfër shqiptarë, foto që i la aq, aq mbresa të thella mikut tim piktorit
mjeshtër Anastas Kostandini, për të cilën ai do të më shkruante në shkurt 2017:
“Me albumin fotografik që më dërgove, u kënaqa pa masë, veçmas me disa
fotografi ku dalloja edhe tharmin e pikturës në strukturat e fotove, në
bardhezinë si dhe në të vërtetën dramatike të kohës përmes fëmijeve shqiptarë .
Është një gjetje vërtet prekëse të rrëfesh ato epoka përmes tyre... Mos t’ju
vijë keq nëse do të shikoni se si do bëj diçka duke u nisur prej tyre. Psh, tre
fëmijët e varfër përpara ushtarëve dhe fotografuar prej tyre me kanë tronditur
sikur të ndodhesha përpara pikturave të Louis le Nein në Louvre”. Por nuk ka
vetëm lot të nxehtë të dala nga shpirti i përvuajtur fëmijëror si tek pikturat
e italianit Giovani Bradelin (fig.12), po kaq ka edhe lot të ftohtë akull në
fytyra të mpira drithërueshëm, me nota tragjike edhe më shpuese e tmerruese, si
tek fotot e baroneshës gjermane De Godin gjatë vizitës së saj në Shqipëri në
vitet 1905 (fig. 14), apo të fotografit italian Bruno Castiglione (më 1939 –
fig. 15), pa folur për veprën e mrekulleshme në akuarel të Edit Durhamit
“Fëmija shqiptar”(që nuk arritëm ta blejmë dot në ankand), kur vetë vepra flet
shumë, që me ngjyrën e saj të kafenjtë e leshrat kaçuborë, që me tejdukshmërinë
kristalore që mbart e shfaq shpirtin fëmijëror shqiptar të pafat e të pafajshëm
(fig. 16).
Po
ka edhe më: Ja “fëmijët e rrugës” gati në çdo qytet të Shqipërisë së
paraçlirimit, (fig.17), ja më tej,
fëmijët çamarrokë që orvaten të përngjasojnë botën e të rriturve duke këmbyer e
pirë cigare (fig. 18), ja më përtej fëmijët e detyruar të punojnë në punë të
rënda, gati si skllevër, me pagesën më të ulët, si tek piktura “Fëmija punëtor”
i Nexhmedin Zajmit (1940) apo më në fund, fëmijët çamarrokë e të harbuar në gji
të Natyrës-Nënë (fig. 19), për të mbërritur te ajo foto bizarroide, si
adoleshenti i gjorë leckaman, “ku as qeni s’ka ku e kapë”, e që, megjithatë,
përshendet denjësisht me dorën në gjoks à la Zogu-Mbret (fig. 20).
Krejt
arsenali dhe seriali historik, fotografik e artistik, orientuar e aksuar tek
fëmija tragjik shqiptar, një “engjëll i mallkuar pa faj”, që të hap barkun,
shpaloset si një fizarmonikë me nota të dhembshme që sëmbojnë zemrën, grisin
vetë shpirtin, kur sjell ndër mend edhe sot e kësaj dite në kohët moderne
“Fëmijët e mjerimit”, “Fëmijët e semaforëve, të prostitucionit”, “Fëmijët e
ngujuar”, “Fëmijët e kromit”, “Fëmijët e Gërdecit”, “Fëmijët e trotuareve të
Athinës, viktima trafiku”, “të bulevardeve të Tiranës, ku lypin e pastrojnë
rrezikshëm xhamat e veturave”, “Fëmijët luleshitës të varrezave që morën
përmasa të papara”, ashtu si vetë analfabetizmi i rishfaqur në radhët e tyre
dhe puna shfrytëzuese e skllavëruese e të miturve (fig. 21, 22, 23).Veçse, një
e vërtetë e madhe, një tregues absolut i zhvillimit shoqëror me parametra
europianë të lartë është se kohët moderne
dhe qytetërimi perëndimor janë e do të jenë përherë tepër të ndjeshëm ndaj
trajtimit të të miturve, e ardhmja e çdo vendi drejt progresit. Dhe për aq kohë
sa do vazhdojë “tranzicioni demokratik”, në vijim të atij “tranzicionit
diktatorial alla socialist shqiptar” – për të cilin miku dhe profesori im Jusuf
Vrioni do të më pohonte se “nuk kishte asgjë socialiste, nuk kishte asgjë
shqiptare” – për aq kohë pra, sa do të
vijojë ky “tranzicion demokratik”, që
polli një klasë politike të pasurish, do vijojë domosdo edhe një lloj
“tranzinkuizicioni mesjetar” me shfaqje të tillë të egër të botës së plagosur
të fëmijës shqiptar, në kërkim të ethshëm e të përhershëm të Dritës, Lirisë,
Dinjitetit, Progresit, që i garantojnë vetëm Shteti i përparuar Ligjor, Shteti
i së Drejtës (fig.24).
Keqtrajtimi
i fëmijës është turpi i shoqërisë, atentat i rëndë ndaj së ardhmes së një
kombi; mirëtrajtimi i fëmijës është vepër sublime e shoqërisë, sepse fëmija
është engjëll i panjollë, lindur i pafaj e i paqtë, hyjnizuar e shenjtëruar aq
bukur te kryevepra e Artan Shabanit “Nënë Tereza” (fig. 25), që mban në gjoks
një “krisht” fëmijë karthi, vepër e çmuar artistike, që i bën nder Vatikanit
tek e ka në fondin e vet, si dhe kombit shqiptar, që i dha botës dy njerëzit e
tij më të lartë e më të shtrenjtë, shenjtoren “Nënë Tereza” dhe “Atletin e Krishtit”, Gjergj Kastriotin.
1-2
3
4-5
6-7
8-9
10
11-12
13
15
16
17-18
19
20
21-23
24
25