Speciale » Andrea
Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar
E enjte, 24.06.2021, 07:30 PM
Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini,
pasuri e çmuar e mbarë
kombit shqiptar
Letër drejtuar Z. Gëzim
Marku, moderator i portalit “ Zemra
Shqiptare”
Nga
Fotaq Andrea & Dritan Muka
I
dashur Gëzim,
Plot një muaj më
parë, ne botuam në portalin tuaj të nderuar - që ndiqet rregullisht nga qindra
mijëra dashamirës të ndezur nga ndjenjë e fuqishme atdhetare - portretin e
vërtetë, origjinal të Skënderbeut nga Gentile Bellini, realizuar më 1467 në
Venecie. Me të drejtë, ngjarja bëri bujë, sidomos në mediat virtuale, që nuk
munguan të vënë në dukje mbi të gjitha studimin shkencor që analizonte këtë
portret mbi bazën e vet materiale të paraqitjes aktuale dhe sidomos në krejt
aspektet e veta historike, bibliografike, artistike e dokumentare, studim i
konsideruar me “karakter bindës e shterues” që vërteton katërcipërisht se ky
portret i Skënderbeut është portreti unikal me ngjyra i Belinit, i cilësuar i
humbur prej pesë shekujsh e gjysmë. Por që nuk do të thotë kurrsesi i asgjësuar
nga koha. Sepse “Një Belini” nuk humbet dot me kollaj! Pavarësisht nga vetë
gjendja “e mjerueshme” në të cilën ndodhet sot ky portret belinesk i Heroit
Kombëtar të shqiptarëve.
Nga të dhënat
tuaja të rregullta, i dashur Gëzim, për një interesim gjithnjë e në rritje të
publikut shqiptar për këtë portret real të Skënderbeut, si dhe nga mesazhet e
shumta përgëzuese e mbështetëse që kemi marrë nga miq e dashamirës të shumtë,
mendojmë se sot ka ardhur koha për ne që këtë portret të Skënderbeut ta
paraqesim hapur në publik, si një pasuri e çmuar për mbarë kombin shqiptar,
duke e zhveshur atë nga çdo e drejtë kopirajti përcaktuar në emër të zbulimit
apo të pronësisë intelektuale. E shohim pra me vend që ky portret i Skënderbeut
të gjejë, pa asnjë kufizim a ngurrim, një përdorim sa më të gjerë, duke u bërë
në radhë të parë vetë portali “Zemra Shqiptare” – që është edhe promotori
kryesor i këtij portreti –, shembull për përhapjen e tij sa më të dobishme,
masive e dashamirëse. Sepse ky portret i Skënderbeut është i vetmi portret i
tij i vërtetë realizuar drejtpërdrejt në natyrë nga Mjeshtri Gentile Bellini
përballë Atletit të Krishtit dhe Mbrojtësit të Europës Gjergj Kastrioti
Skënderbeut.
Zhveshja e këtij
portreti belinesk të Skënderbeut nga e drejta jonë e kopirajtit bëhet për më
tepër e domosdoshme kur disa portale interneti - të entuziazmuara nga zbulimi i
paparë, por të ndrojtura e të frigura për ta përdorur këtë portret si ilustrim
-, krijonin një non sens absurd duke vendosur në lajmet e tyre për
zbulimin portrete të ndryshme të njohura të Skënderbeut, deri edhe vetë
portretin e hamendësuar të Skënderbeut nga Altissimo të vitit 1553! Kur
pikërisht, ky portret i Skënderbeut, i cilësuar “legjendar”, ka, si të themi,
shkëlqimin e hënës, para shkëlqimit të diellit të portretit të Skënderbeut nga
Belini i vitit 1467! Dhe me të drejtë kritiku i njohur i artit Ilir Muharremi
protestonte në këtë drejtim kur venin e vinin për ilustrim të lajmit të bujshëm
edhe një imazh skulpturor të Skënderbeut me përkrenare dhe me një bri të dhisë
të thyer majë koke!
Siç e dini, në
gjendjen e parë “bruto” të paraqitjes “së mjerueshme” të këtij portreti, edhe
pse ndihet në të një forcë e fuqishme e penelit gjenial të Belinit, përsëri tek
e kundronim, ndjenim njëfarë keqardhje për paraqitjen e tij fizike, veshur me
tis antikiteti e ndotjeje, pa shkëlqimin e dikurshëm. Dhe ishte pikërisht kjo
arsyeja përse piktori Parim Çarçani, duke ndjerë teknikën e mahnitshme
piktoriale të Gentile Bellinit, forcën e tij artistike dhe sidomos të kolorit
të veçantë purpuresk, por veçanërisht forcën e brendshme shpirtërore që
rrezaton krejt portreti i Burrit të parë të Arbërit, i hyri menjëherë punës, me
program të veçantë, për një “pastrim kompjuterik” të kujdesshëm të portretit,
për ta sjellë sa më pranë reales e objektives dhe brenda parametrave të
lejueshëm. Mund të themi sot, me plot gojën se ky portret belinesk i Skënderbeut
na shfaqet tashmë tepër i dashur, gjithë rrezatim e shkëlqim, por edhe me
vlerën e vet antike të shenjtë, larg çdo artificialiteti. Sigurisht që ne u
munduam t’i qëndrojmë pranë Dr. Çarçanit, në çdo hap të punës së tij
këmbëngulëse të “përpunimit artistik” dhe sot, me një miratim dashamirës
kolektiv, po e japim për publikun e gjerë atdhetar këtë portret të bukur
origjinal të Skënderbeut, Babait të Kombit shqiptar.
Nga ana tjetër,
lypset të themi se gjatë “përpunimit kompjuterik” u vunë re edhe disa elementë
të veçantë, por me vlerë të jashtëzakonshme, që e përforcojnë edhe më shumë
autorësinë e kësaj vepre nga dora e Mjeshtrit venedikas. Gjë që na nxit që
studimit tonë kushtuar “Skënderbeut” të Belinit t’i bëjmë së shpejti një
shtojcë të domosdoshme. Për më tepër që disa të dhëna të reja burimore na
vërtetojnë sot se sa afër Kastriotasve dhe shqiptarëve kanë qenë Belinët e
Venedikut dhe të vetë Italisë.
Por themelorja
këtu është për ne përkrahja e fuqishme masive dhe pa ngurrim që gjetëm mes publikut
të gjerë mbarëkombëtar për të përshëndetur e miratuar nëpërmjet “Zemrës
shqiptare” këtë zbulim madhor, të rrallë e historik që na e sjellë real
Skënderbeun tonë të Madh. I përshëndesim e u falim nder nxehtësisht, me dorë në
zemër, sipas traditës malësore shqiptare, tërë miqve dhe dashamirësve tanë të
shumtë në numër, që na përkrahën e mbështetën pa rezerva, duke na shprehur
simpatinë dhe urimet e tyre, të bindur plotësisht e me të drejtë se ky portret
i paparë i Skënderbeut është i Belinit dhe i askujt tjetër. Koha përherë e më
shumë do flasë e dëshmojë me të drejtë në këtë drejtim, për këtë portret të
Skënderbeut tonë të penelit të Belinit.
LEXONI:
Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik