Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale...
E shtune, 12.09.2020, 06:35 PM
Gjurmime
shqiptare
Këta shqiptarë me vlerë
proverbiale...
Nga
Fotaq Andrea
Në vazhdë të rubrikës “Gjurmime shqiptare”, e shohim me vend t’i paraqesim sot lexuesit një historian ushtarak francez, gjeneral i Ushtrisë së Madhe napoleoniane, Baronin Fréderic-François Guillaume de Vaudoncourt (1772-1845), i syrgjynosur politik fillimisht (proskrit) dhe i dënuar me vdekje në mungesë gjatë regjimit të Terrorit të Bardhë në Francë. Ka qenë që herët i lidhur me elitën liberale europiane, tek u shqua si republikan demokrat i hapur, duke u vënë në qendër të revolucioneve europiane në vitet 1820-1830. Ka qenë anëtar aktiv i Karbonerisë europiane dhe me lidhje të ngushtë veprimi me personazhet më të rëndësishëm të kontinentit të vjetër, me një vizion përparimtar dhe ndërkombëtar. Në një duzinë veprash ushtarake, me vlerë historike e letrare, rrëfen përvojën e tij si luftëtar i lirisë, duke përshkruar gjithë talent një rrugëtim atipik nga ushtar i Republikës në gjeneral të Napoleon Bonapartit.
Me interes për ne
shqiptarët në këto vepra janë udhëpërshkrimet dhe letërkëmbimi i tij i dendur,
sidomos Kujtimet dhe Raportimet që ai bën gjatë misionit të tij në Hercegovinë,
Shqipëri dhe Epir në vitet 1806-1807, kur u ngarkua nga perandori N. Bonaparti
“për të mbështetur Ali Pashën në kundërshtimin e tij ndaj Rusisë”, në një
situatë të veçantë politiko-ushtarake gjatë luftës për hegjemoni e aneksionizëm
të fuqive europiane, luftë që do të çonte në Traktatin e paqes të Tilsitit
(korrik 1807), dhe kur Ishujt Ionianë do të lëshoheshin nga Rusia për t’u marrë
nën kontrollin e Francës.
“Kujtimet” e
Guillaume De Vaudoncourt janë botuar fillimisht në anglisht, Memoirs on the
Ionian Islands, Considered in a Commercial, Political, and Military Point of
View, në Londër më 1816, dhe vetëm kohët e fundit është botuar mbi bazën e
shënimeve origjinale në frëngjisht “Raporti i Misionit” të tij gjatë dërgimit
në Shqipëri, Raport që mban datën 13 dhjetor 1807, përgatitur për botim nga
prof. Nicolas Vernicos i Universitetit të Egjeut.
Raporti në anglisht është i gjatë, rreth 500 faqe libër, me të dhëna të shumta etnografike, historike, gjeografike, ushtarake, politike, kulturore, madje edhe linguistike, ku bie në sy njëfarë objektiviteti dhe prirje e autorit për t’i parë gjërat disi realisht, me një vizion të gjerë, herë-herë edhe me paragjykim e angazhim të theksuar politik, në emër të interesit hegjemon të Francës dhe të politikës napoleoniane, së cilës i shërben me besnikëri e devotshmëri.
E fillon udhëtimin e tij të gjatë nga Hercegovina, në prill 1906, përshkon fushën e Kosovës, “të famshme, për vdekjen e Muratit I-rë,” siç shprehet ai, dhe e paraqet qytetin e Prishtinës “me 2 a 3000 shtëpi”, “fortifikuar rishtas në mënyrën turke, domethënë rrethuar nga një hendek, me parapet gjerdhesh me hunj”, dhe administruar nga një “pasha i quajtur Malik, mik dhe aleat i Ali Pashës të Janinës”. Kalon Pejën, të cilën e quan “fshati Pe?/Pecciana”, merr drejtimin e Drinit të Bardhë, si përshkon “një fushë të bukur e të kultivuar” dhe mbërrin në Prizren, qyteti “i përbërë nga 4 000 shtëpi dhe që numëron 30 000 frymë, ndërtuar rrëzë maleve që mbyllin Drinin e Bardhë, mbi rrugën Shkodër-Kostandinopojë, sunduar nga një kështjellë, e fortifikuar keq, ku Pashai ka një nga sarajet e tij”. E konsideron Prizrenin si pjesë përbërëse të “veziratit të Shkodrës”, të pavarur nga ish mbretëria e Serbisë, administruar nga Seid pasha, dhëndër i Ibrahimit të Shkodrës, të cilit i bindet në gjithçka”. Vë në dukje se “Ky qytet nën Perandorinë Romake ka qenë kryeqytet i Dardanisë dhe Trajani - që dërgoi aty një koloni -, e quajti Ulpiana; Justiniani i dha emrin e tij, duke e quajtur Justiniana e Dytë”, për ta dalluar nga Justiniana e Parë që ishte Lykindusi [Akrida/Ohrida]. Po ashtu, Gjenerali De Vaudoncourt nënvizon se “Ka në Prizrenda një manifakturë mjaft të mirë për armë zjarri, që furnizon Shqipërinë e Epërme.”
Si përshkon rrugën
e Drinit të Bardhë, zonën e Shalës dhe të Sheldisë, i drejtohet Pashallikut të
Skutarit dhe jep historikun e lashtë të krahinës, duke theksuar se “Ilirët
zinin gjithë rajonin që përbën Serbinë e sotme, Bosnjen, Kroacinë,
Hercegovinën, Dalmacinë dhe Shqipërinë, deri në lumin Stirnaza [Erzeni], që
është Panyasusi i lashtë.” I kushton një paragraf popujve të ndryshëm të
Ilirisë në luftë me pasuesit e Karnusit të Maqedonisë dhe nxjerr në pah se
vetëm dardanët nuk iu nënshtruan mbretërimit të Filipit II, babai i Aleksandrit
të Madh. Më pas, jep një përshkrim të shpejtë historik të provincave ilirike gjatë
Bizantit, të “prefekturës Epirius Novus”, “Epirius Vetus” dhe të Shqipërisë,
sidomos gjatë periudhës nga Mikeli VIII Paleolog tek “familja e Kastriotëve,
siç thotë ai, që shtiu në dorë provincat ilirike - duke formuar prefekturën e
lashtë Prevalitane dhe atë të Provincës së Re të Epirit -, si dhe brigjet e
Epirit të lashtë, që përfshinte Kaoninë e Thesprotinë (rajonet e Himarës,
Gjirokastrës dhe Delvinës).”
Me interes këtu për t’u vënë në dukje është se, siç shprehet autori, vendi i Shqipërisë, “që përbën provincë më vete, krijohet nga tre pashaliqe: i Shkodrës e i Beratit në pjesën ilirike, dhe pashaliku i Delvinës, në pjesën epirote. Pjesa tjetër e Epirit, që përfshin ish popujt e lashtë të quajtur Molosë, Delopë apo Kasiopë, Atintantë e Stimfajanë, krijojnë pashalikun e Janinës”. Në mënyrë të pështjellë, autori bën një dallim artificial midis “popullatave ilirike me të cilat sllavët erdhën e u përzien” dhe shqiptarëve, “popull absolutisht i dallueshëm nga grekët e nga turqit, dhe që nuk ka as gjuhën, as zakonet e popullatave të tjera ilirike”. Çuditërisht, dhe pa asnjë argument historik e shkencor, por me obsesion terminologjik ushtarak, Gjenerali De Vaudoncourt i sheh shqiptarët si “mbetje të ushtrisë së perandorëve latinë të Kostandinopojës” dhe të “asaj të mbretit të Pulias e të Siçilisë, Rogeri II” (në vitet 1100-1130). Me sa duket, i prirë pas idesë se “zanati i shqiptarëve është lufta”, gjenerali as që e ka idenë e Albanopolit dhe të albanëve, fisit të lashtë ilir përmendur nga Ptolemeu që në shek. II si paraardhës të iliro-arbër-shqiptarëve.
Pashalikun e
Shkodrës, apo “Veziratin e Skutarit”, siç e quan ai, e sheh të veshur me “pyje
të bollshme, të pasur në dru për ndërtime” (ku mund të mbështetet me interes,
sipas tij, tregtia me Francën), e sheh “me fusha të kultivuara më së miri dhe
pjellore”, me “prodhime rrushi, drithi dhe kullota”, ndërkohë që rajonet e
Klementit dhe të “Mereditëve” (Mirditorëve) janë për të më pak të kultivuara se
provincat e tjera. I mëshon si tepër idesë për shfrytëzim të pyjeve dhe drurit
për ndërtime, kur “Alessio (Lezha) do të shërbente si magazinë për drurin e
nxjerrë nga brigjet e Drinit” dhe “Ulqini për pyjet e Moravisë (Moravës) e të
Zenës”.
Por, çka shfaqet
origjinale nën penën e tij është “veshja ushtarake e shqiptarëve”, siç e quan
ai përshkrimin e veshjes popullore të shqiptarëve, apo “kostumin shqiptar”, që
e bëri të famshëm në botë Lord Bajroni. Lexojmë konkretisht: “Shqiptarët kanë
ruajtur përgjithësisht veshjen ushtarake të romakëve. Një tunikë [fustanellë] e
mbajtur me brez, ku rrasen njëkohësisht pisqollat e tyre, kamat dhe dy vezore
të vogla mbushur me fishekë. Një parzmore me thurje, por pa mëngë, ku gajtanet
dhe qëndismat me filigrame kanë zëvendësuar tashmë thurimet e hekurta; një lloj
dollomaje [xhamadan] me mëngë, e hapur përpara, një pantallon i ngushtë [tirk]
përmbi tunikë; kundra të ngjashme me ato që shohim në monumentet e ushtarëve
romakë, bashkuar me tirkun falë rripash lëkure kaluar në tre rrathë të praruar
a të argjendë; leshrat mbuluar nga një qeleshe e kuqe, të cilën e mbështjellin
zakonisht në formë çallme me një lloj shalli, pak a shumë të gajtanuar, që u
shërben për të fshirë djersët, për të lidhur plagët, për të mbajtur sende,
madje edhe si mbulesë të kryeve gjatë natës.”
E veçanta që lypset
të kundërshtohet në këtë përshkrim të bukur të kostumit shqiptar është se
fustanella jonë mbi 2.500 vjeçare, dëshmuar nga statueta dhe një skulpturë
ilire e shek. V p.e.s. (fustanella e Mariborit) i paraprin prej tre shekujsh
epokës romake, pa shkuar më tej në argumentet tona kur kjo fustanellë është
përdorur gjerësisht, nga Veriu në Jug të Shqipërisë, deri edhe në kohët moderne
(F. Andrea, Letër Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Alfred Moisiu,
“Fustanella shqiptare përfaqëson nderin, dinjitetin dhe krenarinë tonë
kombëtare”, 20 nëntor 2006).
Ndryshe nga 27
vjet më vonë, kur harton zërin “Arnautë” (1833), që po e paraqesim më poshtë në
këtë shkrim, dhe kur i sheh shqiptarët më me simpati, gjenerali De Vaudoncourt,
i zhgënjyer me sa duket më 1806 nga mungesa e gadishmërisë së pashallarëve
shqiptarë për të mbështetur politikën napoleoniane, del jashtë kontrollit në
rolin e tij të historianit, duke e trajtuar karakterin e shqiptarit me nofkat e
kohës, sikurse pat bërë para tij konsulli francez Pouqueville: i sheh
shqiptarët “të ashpër, të egër, barbarë, [që] kanë marrë nga karakteri i
ilirëve të dikurshëm”, madje, çuditërisht, i sheh edhe “mosmikpritës” (!). Por le të kujtojmë me këtë rast tezën
filozofike të antropologut dhe etnologut të famshëm francez Claude Lévi-Strauss
sipas së cilës « barbari nuk është njeriu i zhveshur nga çdo kulturë,
përkundrazi, barbari është njeriu që përdor argumentin e dallimit kulturor për
të përjashtuar tjetrin si pjesë përbërëse e njerëzimit ». Pra, barbarë
janë vetë ata që përdorin nofkat për popujt e tjerë. Një shekull më vonë, më
1906, Faik Konica do të firmoste te “Albania” e tij me pseudonimin “Një i egër”
shkrime të rrepta me argumente të mprehta, kundër propagandës së huaj dhe
kryesisht serbo-greke për t’i paraqitur shqiptarët me krejt etiketimet e
mundshme, si “të prapambetur”, “të egër”, “banditë” e ç’nuk tjetër!
Duke u rikthyer te
Vaudoncourt, me sa duket edhe ky gjeneral frëng e ka pasur zhgënjimin të plotë,
tek nuk i ka ecur hiç në synimet e veta, përderisa shkruan se pashai i Skutarit
“nuk pranon të marrë pjesë në asnjë prej ekspeditave tona”, ndërkohë që pashai
i Janinës, sipas tij, “kishte pikëpamje të veçanta dhe absolutisht të ndryshme
nga interesat e Perandorisë franceze... [dhe se ] nuk njeh kufi në ambicien e
vet duke lakmuar prej kohësh Shtatë Ishujt jonikë”.
Duke iu shmangur
paksa temës, e shohim këtu të dobishme të japim një episod nga ekspedita e parë
e gjeneralëve të Bonapartit për të bindur pashallarët shqiptarë (në emër të
Sulltanit) të përkrahnin perandorin francez në përpjekjet e tij për kontroll të
Shtatë ishujve jonianë, por mbi të gjitha për kontroll të vetë Shqipërisë,
episod që e kemi nxjerrë nga revista “Albania” e Faik Konicës:
“Gjenerali
Pavteau dërgoi shtatë oficerë të zgjedhur, nga Antivari [Ulqini] në Shkodër,
për t’i dorëzuar fermanin [e sulltanit] Ibrahim pashës dhe për të ngritur në
këmbë një trupë shqiptarësh. Oficerët francezë u pritën me nderime të mëdha,
por Ibrahim pasha, si lexoi fermanin, u thotë atyre: “Unë kam guximin të mos i
bindem këtij fermani; po të më ishte marrë më parë mendimi, në asnjë mënyrë nuk
do mund të jepej një urdhër i tillë; sulltani nuk e njeh këtë vend dhe në
Stamboll veç mburren se i dinë të gjitha”.
Oficerët francezë, të çuditur nga kjo qëndresë e paparashikuar dhe nga kjo
mosbindje, u përpoqën ta kandisnin Ibrahim pashën se plani i tyre nuk përmbante
kurrfarë rreziku për atë vetë, dhe se ai plan drejtohej vetëm kundër anglezëve,
armiku i tyre i përbashkët.
Ibrahim pasha i dëgjoi francezët me durim dhe ua ktheu: “A e dini,
Zotërinj, historinë e bretkosës dhe të akrepit? Një akrep, në bregun tjetër të
Bujanës [Bunës] donte të vinte në Shkodër, por duke mos ditur not, iu lut
bretkosës që të kalonte lumin mbi kurriz të saj. “Edhe mund ta bëj, ia ktheu
bretkosa, po ti je i keq, se me të mbaruar punën tënde, ti veç kur të më
ngulësh thumbin. Gjithë akrepat njihen për tradhtarë, mosmirënjohës e vrasës”.
Akrepi ynë protestoi: “Jo gjithë akrepat janë të këqij, – tha. Ja, dje një
bretkosë kaloi Bujanën me një akrep dhe asnjë e keqe nuk i ngjau”; akrepi po i
betohej kështu bretkosës me be e rrufe se kishte vetëm qëllime të mira dhe se
do t’i ishte mirënjohës e mirëbërës për tërë jetën.
Bretkosa zemërmirë, pa ç’pa, më në fund u bind, nderi këmbët e pasme dhe
akrepi u ngjit mbi kurriz, teksa bretkosa notoi drejt bregut tjetër. Para se të
zbriste, akrepi zu të bërtasë se e zuri xanxa dhe se nuk mbante asnjë
përgjegjësi për veprimet që do bënte, dhe se lypsej tanimë t’i ngulte thumbin.
Dhe e pickoi mu në zemër të gjorën bretkosë e cila ngordhi në vend.
E pra, ju francezët, jeni si akrepi i fabulës. Me të futur këmbët në
Shqipëri, do të gjeni njëmijë pretekste për të mos shkuar në Korfuz. E di më së
miri që ju nuk jeni të kënaqur nga Dalmacia, që doni të rrëmbeni edhe bregun e
bukur dhe pjellor të Shqipërisë dhe në zakonet tuaja franke ka helm si te
akrepi. Sulltani nuk i ka kuptuar qëllimet tuaja, dhe unë nuk ua dorëzoj kurrë
Shqipërinë. Ndërgjegjja ime dhe vetë vullneti i të parëve të popullit tim më
ndalojnë kategorikisht t’i bindem Padishahut, dhe ai, vërtet mund të më
ndëshkojë për mosbindje, por ju nuk do arrini kurrë të realizoni planin tuaj.”
Gjithçka në këtë
anekdotë, me vlerë të fuqishme aktualilteti dhe patriotizmi flet vetë, pa qenë
nevoja për komente e perifrazime të tepërta nga ana jonë. Le t’i kthehemi pra,
raportit të gjeneralit De Vaudoncourt:
E konsideron forcën ushtarake të Pashait të Skutarit mjaft të madhe që, në rast nevoje, mund të ngrejë në këmbë deri në 40 000 burra. Pjesa më e madhe përbëhet nga “latinët” (domethënë shqiptarë të fesë katolike) dhe do të ishte e lehtë t’i mobilizoje “kundër turqve, që i urrejnë jashtëzakonisht... Vetëm Mereditët [mirditorët], që janë 10 000 burra të armatosur e frikësojnë Ibrahim Pashën” - shkruan ai.
Më tej, jep të
dhëna demografike për qytetin e Shkodrës – 6 000 shtëpi me 60 000
frymë dhe e sheh qytetin të shtrirë në një lega e gjysmë gjatësi dhe treçerek
lega gjerësi; në kështjellë ndodhet saraji i pashait, kurse pazari dhe qyteti i
vjetër janë rrëzë kështjellës, përshkuar nga rrugë të ngushta, anashkaluar nga
shtëpi ngjitur njëra pas tjetrës; pjesa tjetër e qytetit përbëhet nga shtëpi të
shpërndara e të distancuara. E sheh Ibrahim Pashë Shkodrën si “një nga njerëzit
më të shkathët që mund të haset, dhe që ka në të njëjtën kohë talente të
jashtëzakonta në krahasim me një pasha turk. “Është i pajisur me mendje të
hollë, me gjykim të shpejtë e të fuqishëm, me mprehtësi të rrallë, me finesë të
madhe takti e vetëpërmbajtjeje, aq sa asgjë në dukje nuk e turbullon
njëtrajtshmërinë e gjendjes së tij shpirtërore, tek ruan baraspeshën më të
përkryer në krejt qëndrimet dhe veprimet e tij, dhe tek fsheh tërë nuancat e
karakterit të tij falë mirësjelljes më të dashur dhe që shfaqet si më e
çiltra”.
“Pashaliku i
Shkodrës, thekson autori, që ka qenë në zotërim të babait dhe më pas të vëllait
të tij Mahmudit, është shndërruar në çiflig të trashëguar, aq sa ai e sheh
njëfarësoj veten si Princ sovran dhe thjesht vasal i Portës. Kjo mënyrë të
konceptuari të gjërave e bën Ibrahim pashën, jo më pak nga vëllai i tij, i
ndjeri Mahmud, të mos e shohë veten skllav të dëshirave të Sulltanit, madje ai
shfaqet edhe më finok dhe ia arrin qëllimit që i cakton vetes me mënyra të
tjera... Duke bërë çmos të mos shpallet rebel ndaj Portës otomane, kënaqet t’u
bëj bisht urdhrave që merr apo të bëjë të pamundur zbatimin e tyre me anë
manovrash politike, pa rrezikuar shumë.” Më pas, autori ndalet në qëndrimet
politike të Pashait të Shkodrës me Malin e Zi, Rusinë, Pashain e Bosnisë, me Hercegovinën,
ku ruan, në rajonin e Podgoricës, një korpus të tij për të mbajtur një sy hapur
ndaj malazezëve. “Kam përshtypjen, vijon raportimin e tij De Vaudoncourt, se ai
[Ibrahim Pasha] është i gatshëm të ndihmojë gjeneralët francezë në një
ekspeditë të drejtdpërdrejtë ndaj grykës së Kotorrit, madje më dha pozitivisht
siguri. Kjo ekspeditë do ta çlironte atë nga përafria e rusëve në këtë rajon
dhe nga frika e një invadimi nga ana e tyre, e kombinuar me malazezët dhe me
pasoja të rënda për të”. Po ashtu, autori ndalet edhe në synimet e Pashait të
Shkodrës për të vendosur lidhje tregtare me Mbretërinë e Italisë, sidomos për
shitjen e drurit për ndërtime [anijesh], që është e një dobie të madhe për
Venecian, por edhe për vetë grykën e Kotorrit.
Nga Shkodra,
autori vijon itinerarin e tij drejt Jugut, (jep Zadrimën me 2 a 300 shtëpi),
depërton kodrinave të pyllëzuara të Alessios (Lezhës) – jep historikun e
qytetit, “i lulëzuar gjatë sundimit të mbretërve të Ilirisë Dalmate dhe nën
perandorinë romake, por i shkatërruar plotësisht gjatë dyndjeve barbare.
Princërit kastriotas e bënë Alession vendbanimin e tyre të zakonshëm dhe qyteti
rimori shkëlqimin e tij të dikurshëm por, qëkurse ndodhet nën pushtetin e
turqve, ai vazhdimisht ka degraduar dhe nuk shpreson më të ringrihet, për aq
kohë sa do të lëngojë nën një qeverisje [osmane] shtypëse dhe shkatërrimtare
për nga vetë natyra e saj”. E sheh qytetin të banuar nga 10 000 frymë, me
një pazar, si mbetje e dikurshme e lulëzimit të saj tregtar. Kalon lumenjtë Mati
e Fani, i afrohet Krujës, “trashëgimi e familjes Kastrioti”, për të marrë
drejtimin e Durrësit (Durazzo-s), “qytet dikur i famshëm, që sot nuk është
veçse një fshat i madh i rëndomtë”, vijon zbritjen e tij, duke lënë Durrësin në
të djathtë për të përshkuar një varg kodrinash, “të famshme, thotë ai, për
fushatën e bukur midis Cezarit e Pompeut, që i parapriu betejës së Farsalës...
Sikur të mos kisha të bëja me xhelozinë barbare turke, vijon gjenerali De
Vaudoncourt, që nuk e lejon një të huaj të përdorë pendën dhe kalemin në prani
të tyre, do kisha bërë në vend planin e atij terreni aq i ndryshëm nga mendimi
që mund të krijohet duke lexuar vërejtjet e ndoca autorëve modernë mbi
“Komentarët” e Cezarit”. (Në parantezë, shënojmë se arkeologu i famshëm francez
Leon Heuzey ka vërtetuar se Cezari zbarkoi në gjirin e Palasës, Palæstéa
(Shqipëri), dhe jo në Farsalia, (Greqi) për të rrethuar Pompeun në kodrat e
Durrësit për betejën e famshme të Dyrrahut Cezar-Pompe në v.48 p.e.s., për të
cilën mendojmë se do t’ia vlente të vendoseshin sot shenja përkujtimore
historike përgjatë itinerarit të ndjekur nga Cezari nëpër Shqipëri: Palasë,
Llogara, Orikum, Myzeqe, Kavajë, Durrës).
Nga Durrësi, trupa
e gjeneralit të perandorit francez i drejtohet Kavajës dhe fushave të saj
“shumë pjellore, me vreshta të kultivuara, me kullota të pasura”. Vetë qyteti,
me 20 a 25 000 frymë “administrohet nga një pasha me dy bishta (tuga), që
kishte qenë zëvendës i Vezirit të Shkodrës. Është rajoni i fundit i Pashalikut
të Shkodrës”.
Më pas, si kalon Panyasusin
e lashtë [Erzenin] “me anijata” (sic! – që dëshmon se ky lumë ka qenë i
lundrueshëm dhe i gjerë, si Buna), depërton në Veziratin e Beratit, ku nuk
mungon të bëjë përshkrimin e tij gjeografik e historik dhe të ndalet në tre
qytetet kryesore të këtij vezirati: Berati, Elbasani dhe Vlora. Vë në dukje se
Vlora (Avlona) ka qenë qytet me emër për tregti, qendër e rëndësishme në rrugën
Romë-Kostandinopojë nëpërmjet Otrantos, që “ka humbur shkëlqimin e vet të
dikurshëm, por duke mbetur prapëseprapë qendër aktive tregtie me republikën e
Napolit dhe që ka përparësinë e një rade në gjendje mjaft të mirë.”
E sheh po ashtu Elbasanin si qendër tregtie të brendshme, me njerëz punëtorë e të zotë në përpunimin e hekurit dhe bakrit, si dhe me traditë në organizimin e panaireve. Ndërsa Beratin e sheh qytet mjaft të bukur, ngritur në bregun e djathtë të Apsusit (Osumit), në një bërryl që formon ky lumë, me 3 a 4 000 shtëpi dhe me 30 000 banorë. Vetë kështjella (që është me sa duket Dautia e lashtë e Eordeteve – Dassaretët e Ilirisë) e lartuar në jug-lindje të qytetit ka brenda 400 deri në 500 shtëpi, krejt të banuara nga shqiptarë të fesë ortodokse, që autori pëlqen t’i quajë “grekë”. Nga ana tjetër, e shohim autorin të mos e kursejë antipatinë e tij për vezirin e Beratit Ibrahim Pashën, të cilit i kërkoi një trupë shoqëruese dhe të lëshonte urdhër për të vënë kuaj në dispozicion të ekspeditës frënge gjatë udhëtimit. “Pashai nuk e pranoi kërkesën e parë dhe i thartuar në fytyrë, mezi lëshoi urdhrin për kërkesën e dytë, duke bërë vërejtjen se nuk dëshironte që francezët të qëndronin gjatë në shtetet e tij”. Ja këtu një qëndrim dinjtoz, një mësim nga historia jonë, do thonim, për puthadorasit e sotëm politikanë, me ndjenjë të theksuar inferioriteti dhe të gatshëm për “lepe-peqe” servile e hipokrite ndaj të huajit, tek e konsiderojnë këtë “të fuqishëm”.
Nga ana tjetër,
ashtu si paraardhësit e tij udhëpërshkrues, historiani ushtarak frëng nuk
mungon të nxjerrë në pah kundërshtitë, armiqësitë dhe rivalitetet mes tyre të
pashallarëve shqiptarë, konkretisht mes Ibrahim Pashës të Beratit dhe Ali
Pashës të Janinës të cilët, për interesat e tyre të caktuara – zgjerim të
kufijëve palashikë – lidhin aleanca me fuqi të ndryshme për të dëmtuar e
dobësuar njëri-tjetrin, një luftë kjo e brendshme, mjaft e ashpër, që të kujton
republikat italiane në Mesjetë, para bashkimit garibaldin të Italisë.
Si jep me hollësi
itinerarin Berat-Janinë nëpërmjet fshatit Tozari, Klisurës (Këlcyerës),
Përmetit, Zagorisë, zbret në fushën e Janinës që të lashtët e quanin
Shamp-Elizé, për t’iu drejtuar qytetit si destinacioni i fundit i udhëtimit,
qytet që përbëhet nga 45-50 000 frymë, me tregti të lulëzuar, ku qenë
vendosur edhe “ndoca tregtarë frëngj, por që ishin larguar të frikësuar nga
veprimet e tepruara të Ali Pashës”, siç shprehet autori. Jep historikun e
qytetit, ndërtuar nga një Gjon Kantakuzeni, fillimisht një lagje përqendruar
rreth kështjellës (Kastros), me mure të përforcuara, vetë kalaja dhe saraji
kryesor i vezirit ngritur mbi një shkëmbishtë që përparon mbi liqen. Janina u
mor e u plaçkit nga ushtria e Rogerit II, mbretit të Pulias, që rrënoi edhe
kështjellën. Por “bukuria pozicionuese e qytetit, pjelloria e fushave përreth,
prodhimtaria e pasur, tregtia dhe sidomos pazaret dhe panairet tërhoqën përherë
e më shumë banorë dhe qyteti jo vetëm u rindërtua, por edhe u zmadhua
parreshtur... Aktualisht, Janina është kryeqyteti i shteteve të Ali Pashës.”
Në një syth më vete jep historinë e njohur të Ali Pashës, “plot 40 vjet luftëra, pabesi e uzurpime” – siç thotë autori, sikur luftërat, intrigat, krimet, tradhtitë dhe tërë veset që i vishen Pashait të Janinës të ishin thjesht e vetëm tipare të tij dhe jo karakteristika të frymës, zakoneve dhe veprimeve agresive të kohës që përjetoi, plot tollovi, pushtime, hegjemoni, me mbretër, perandorë, sulltanat, patriarkat, etj. si aktorë kryesorë luftërash për pushtet, sundim e hegjemoni. E në tërë historinë e tij, autori nuk i kursen episodet, anekdodat, epitetet, plot mllef e përbuzje ndaj pashait shqiptar kur, ndryshe nga Bajroni i madh, shembullin për denigrim e diskreditim të figurës së tij historike e kishin dhënë tashmë Pouqueville, Gjenerali frëng La Rose, alzasiani renegat Alphonse Cerfberr i konvertuar në islamizëm me emrin Ibrahim-Manzour Efendi, të cilët dështuan keq përballë politikës rafinuese dhe diplomacisë mëvetësuese të Pashait të Janinës.
E megjithatë,
historiani dhe gjenerali i Napoleonit tregohet realist e objektiv për
mikëpritjen e ngrohtë që i bëri Pashai i Janinës. “U prita tepër mirë”, - thotë
ai, “me fjalë plot dashuri për Perandorinë franceze”. Më pas, autori bën një
paraqitje të shkurtër të forcave ushtarake të Aliut: 10 000 trupa në More
nën komandën e Veli Pashës, 7-8 000 trupa në Lepante nën drejtimin e birit
tjetër të Aliut Muktarit, 5 000 vetë nga këto trupa në gadishmëri për
ushtrinë e Vezirit të Madh, 8 000 burra në Plaja përballë ishullit të Shën
Maurës, nën drejtimin e Jusuf agës, vëllai i natyrshëm i Aliut, 4 000
trupa në Prevezë, 6 000 trupa në Janinë. Dy kampet e Aliut në Plaja dhe
Prevezë i kishin bërë në atë kohë të dështonin me turp trupat ruse të Shën
Maurës, që ishin të detyruara të mbanin në ishull, të mbërthyera e në
gadishmëri të plotë, 2 000 trupa për mbrojtje, si dhe të lidhnin aleancë
me Mustafa Pashën e Delvinës, por edhe me siamidët (çamët) e paramitianët
(parathimiotët), “shqiptarë e grekë në armiqësi me Ali Pashën... Armiqtë më
të egër të Aliut, nënvizon autori, ishin në fakt suljotët dhe tërë shqiptarët
“grekë” (të fesë ortodokse), në shërbim të Rusisë”. Me këtë rast, autori nuk
mungon të vëjë në dukje se Ali Pasha përdori rreth 20 000 trupa kundër
6 000 suljotëve, të cilët i bënë “një qëndresë të fuqishme... për 17 vjet
me radhë”. Dhe, në këtë kontekst, gjenerali De Vaudoncourt ngre lart heroizmin
e gruas shqiptare, tek shkruan : “Në këtë Trojë të re – e ka fjalën për fshatin
Suli –, një vashë amazonë, që kishte
humbur në luftë të shoqin, dhe që kishte parë të masakroheshin para syve
fëmijët e saj, u bë nga tërë krerët e Sulit ajo që e dëmtoi më rëndë Ali Pashën
(kjo grua nuk është më shumë se 30 vjeçe, dhe është e një bukurie të rrallë
dhe, pasi drejtoi jo më shumë se para një viti një korpus trupash në shërbim të
Rusisë, u tërhoq në një fshat të Alkiomës në ishullin e Korfuzit).”
Nga Janina,
gjenerali frëng shkon në Prevezë, ku shqyrton terrenin konkret për të ngritur
ai vetë një fortifikatë (në kepin e Shën Gjergjit) për mbrojtje të garnizonit
shqiptar si dhe të kanalit që çonte në Gjirin e Artës. Jep këtu një tablo të
zymtë të rrezikut që po kalonte Ali Pasha dhe qyteti i Janinës, i kërcënuar në
atë kohë nga çamët, paramithiotët e suljotët, të mbështetur me arsënal ushtarak
nga rusët. Për të dalë nga kjo gjendje, gjenerali frëng propozon një dredhi, me
vënie në veprim të parasë, si dhe të
niseshin bashkëbisedimet, me qëllim që të garantohej njëfarë statu quo-je,
sa të përforcoheshin pozicionet ushtarake dhe të ndërtoheshin anijata me
kuvertë të sheshtë. Dhe ashtu ndodhi, dredhia frënge eci, shqiptarët ortodoksë
lanë në baltë aleatët rusë, por jo që të bashkoheshin me armikun e tyre të
betuar Ali Pashën.
Me interes shfaqet
përshkrimi që i bën De Vaudoncourt mendimeve novatore dhe përpjekjeve të Ali
Pashës jo vetëm për fortifikimin e Prevezës, por edhe për fabrikimin e barutit,
derdhjen e topave dhe përgatitjen e 200 topçinjëve. Veçse, jo të gjitha këto
plane të Aliut u realizuan, sidomos plani për derdhjen e topave, kur u shfaq
dukshëm mungesa e metalit, lëndës së parë.
Shqipërinë e
Jugut, historiani ushtarak frëng e konsideron përgjithësisht si një trevë jo
shumë të kultivuar, me shpate malesh të thepisur përgjatë rrjedhës së Vojuzës
(Vjosës), pa kullota të pasura për kopetë e shumta të bagëtive; e quan rajonin
e Himarës Kaonia e lashtë, dhe krejt vargmalet e Akrokerauneve i sheh të
djerra, me përjashtim të zonës bregdetare mbjellë me ullinj. Po ashtu, e sheh
të pasur fushën e Artës, luginën e Akelousit, pjesën perëndimore të Molosisë,
të cilën e përshkoi nga Zagoria në Janinë; nuk lë mënjanë pa përshkruar as
luginën e pasur të Argiro Kastros (Gjirokastrës), që e quan Antigonea e lashtë,
as luginën e Tiamisit, nën Delvinaq, as atë të Metristrit (Dodonës).
Pasuar nga
gjenerali frëng, Ali Pasha shkon në
Prevezë për të përforcuar mbrojtjen e saj dhe hyrjen në gji, përballë ishullit
të Shën Maurës, ku ndodheshin pra, të përqëndruara 2000 trupa ruse, të trembura
nga një sulm i mundshëm i përbashkët i francezëve dhe i Ali Pashës. Flota
franceze, mbështetur nga ajo turke dhe nga tetë anijata të Aliut, bënte presion
në ujërat përreth ishullit, me qëlllim që trupat ruse të dorëzoheshin, por, tek
përshkruan me hollësi gjendjen ushtarake dhe pozicionet e zëna, “... asgjë në
botë nuk do mund t’i bindte shqiptarët – thotë historiani frëng – për t’u
angazhuar në një sulm frontal ndaj trupave ruse”. Shihet qartë me këtë rast që Aliu
i Tepelenit as që do donte kurrsesi të bëhej mashë në duart e francezëve për të
nxjerrë gështenjat nga zjarri, kur Shën Maurën, si pozicion kyç për kapjen e
ishullit të Korfuzit, ai synonte ta merrte nën kontrollin e tij, tek e shihte
veten zot të krejt atyre trevave. Dhe jo vetëm kaq, por “ambiciozi Vezir, thotë
De Vaudoncourt, nuk dëshiron të shohë asnjë fuqi europiane në zotërim të shtatë
ishujve, që i lakmon prej kohësh. Ai doli hapur kundër Rusisë me shpresë për ta
dëbuar që andej, dhe po qe se Ingliterra do t’i kishte premtuar ndihmë për t’i
larguar trupat ruse nga Deti Jon, ai me siguri do ta shpallte veten në
përkrahje të saj, dhe këtë propozim ia bëri madje edhe konsullit anglez M.
Mouriere...”.
Në rreth 20 faqe
të raportit të tij, historiani De Vaudoncourt paraqet me hollësi dyshimet e Ali
Pashës për planet franceze, evolucionin e gjendjes ushtarake në frontin
Prevezë-Plaja-Shën Maur, zbarkimin e 2000 trupave suljote, mbështetur nga
rusët, për të goditur trupat e Aliut, të cilat u tërhoqën duke humbur rreth 80
vetë, goditjen që dha një anijatë ruse duke bombarduar pozicionet e korpusit
shqiptar, kundërsulmin e artilerisë franceze dhe më tej, marrdhëniet e ndera
midis ushtarakëve francezë dhe Seliktar agës, si përfaqësues i Ali
Pashës në Prevezë, që nuk u bindej urdhrave të tyre dhe që bëri të mundur të
dështonte plani ofensiv i francezëve për goditjen e trupave ruse. Gjenerali
frëng detyrohet atëherë të tërhiqet nga Preveza, të kthehet në Janinë, ku vihet
në dijeni për “plane të reja të Pashait” dhe, i zhgënjyer që nuk sulmoi dot
trupat ruse, largohet nga Janina për të inspektuar tashmë nga afër trojet
shqiptare, Gjirokastrën, “qytet i përbërë nga 30 000 frymë... i pavarur
nga Ali Pasha, i cili i trembet guximit të banorëve në pjesën më të madhe
shqiptarë të fesë greke [ortodoksë]. Gjatë fushatës së vitit 1799, qyteti,
shkruan gjenerali, ishte gati të ngrinte flamurin francez, sikur ne të mos
kishim dështuar në Korfuz”. Më tej, De Vaudoncourt vijon itinerarin Labovë,
Tepelenë, Klisura (duke ndjekur rredhën e Vjosës) me synim t’i drejtohej më pas
Porto Palermos, Himarës, Vlorës. “Nga Tepelena, - thotë ai - ka një rrugë që
çon në Porto Palermo duke ngjitur përrroin e Bënçës, nëpërmjet një terreni
jashtëzakonisht malor e të pyllëzuar, banuar nga kaçakë të pavarur, aleatë të
popullatave të Shimarrës (Himarës), në atë kohë të lidhur me rusët... Por një
tjetër udhë çonte në Vlorë, duke zbritur Vojusën nëpërmjet të njëjtave gryka,
ku Filipi, mbreti i parafundit i Maqedonisë u mund për herë të parë nga Konsulli
T. Quintus Flaminius... Një rrugë e tretë, duke ngjitur Vojusën, çon në Klisura
(Këlcyrë), ku bashkohet me rrugën e madhe Berat-Janinë”.
Nuk mund të lëmë
pa shënuar synimet e Gjeneralit frëng për të inspektuar nga afër këto treva nga
pikëpamja gjeologjike, kur shprehet: “... duke pasur nga ana tjetër sigurinë që
qoftë në Benza [Bënçë ?], qoftë në Tepeleni nuk kishte gjurmë minierash për
asnjë lloj metali, mendova të rikthehesha dhe iu drejtova Spillia-s [Spilesë
?], ku lypsej të gjeja një minierë ari, por ku nuk gjeta veçse masa të mëdha të
një mermeri mjaft të bukur në ngjyrë të përhime”.
Fundi i luftës, apo armëpushimi i Tilsitit (korrik 1807) e rigjen Gjeneralin frëng në Janinë, ku Ali Pasha “dukej i çuditur dhe i pikëlluar nga lajmi... dhe kur në qytet po përhapeshin lajme alarmuese për turqit”, tek thuhej se “Perandoria franceze kishte bërë paqe të njëanëshme duke ia dorëzuar Rusisë Perandorinë osmane”, apo që “Turqia europiane do të copëtohej”. Kësisoj, Gjenerali frëng i rikthehet edhe një herë qëndrimit të Ali Pashës dhe synimeve të tij pas armëpushimit, kur Pashai, “i pakënaqur që kishte në zotërim Livadinë e Morenë, administruar nga djemtë e tij, po përgatiste pushtimin e pashaliqeve të Beratit e të Delvinës, si dhe nuk rreshte së lakmuari Ishujt jonikë, të cilat i shihte si pronë të tij për t’iu bashkuar Epirit”. Edhe më tej, Baroni De Vaudoncourt, këmbëngul në planet e Vezirit të Janinës “për të pushtuar pjesën tjetër të Shqipërisë, Vlorën, por duke pushtuar rajonin e Himarës me anë të detit... Sepse me anë të tokës, arrihet në këtë vend vetëm nëpërmjet grykash pothuaj të pakalueshme, dhe kohët e fundit 300 himariotë, më me fat dhe më të zgjuar se Leonidha, mundën plotësisht 6000 nga të tijtë (grekë)... Për të dëbuar Pashain e Beratit, Aliu u përpoq të shtinte në dorë Elbassanon për ta goditur Pashain nga kjo pikë...por nuk ia arriti dot qëllimit” [...]. Sikurse vihet re, kemi të bëjmë këtu me një dëshmi të hershme konkrete nën penën e historianit De Vaudoncourt lidhur me qëndrimin e Ali Pashës për ta vlerësuar atmosferën politike të krijuar nga Traktati i Tilsitit (1807) mëse të favorshme për të realizuar planin e tij jo vetëm për një bashkim të plotë të Shqipërisë së Jugut, por edhe për të shpallur mëvetësinë e tij ndaj Portës, kur fillimi i shekullit XIX po e gjente tashmë Turqinë europiane përpara sfidash të reja dhe kur Greqia nuk do mungonte të shpallte pavarësinë e saj më 1824, me arvanitasit në krye të “revolucionit grek”.
Më 30 gusht 1907,
gjenerali Guillaume de Vaudoncourt i jep fund misionit të tij nëpër Shqipëri
dhe më 20 shtator largohet me anije nga Preveza për në Korfuz, e më tej nëpër
gjrin e Otrantos, pa harruar të ndalet në Kasopi, Porto Palermo, Drimadhes dhe
në Kepin Shën Teodor “për të njohur, thotë ai, shtresat mineralmbajtëse të
Bregut (?!)” .
Po japim më poshtë
të përkthyer në mënyrë të plotë zërin “Arnautë”, nga historiani ushtarak,
gjenerali Guillaume de Vaudoncourt, duke ruajtur sigurisht rezervat tona përsa
i përket mendimeve që shpreh ky autor në shkrimin e tij.
G. De Vaudoncourt
Zëri ARNAUTË (ARNAUTES), sipas
“Dictionnaires de la conservation et de la lecture” (“Fjalor i bashkëbisedimit
e i leximit”), Paris, 1833.
“ARNAUTË. Është
emri që turqit u japin popujve që ne i quajmë Albanë, dhe që në gjuhën e
tyre vetëquhen Skipetars. Banojnë jo vetëm në Epirin e lashtë, por edhe
në një pjesë të Ilirisë që ndodhet në Jug të Drinos [Drinit] dhe të Skutarit të
Shqipërisë. Ndahen në katër fise të mëdha: Mirditët në Jug-Perëndim, Gegët,
në Veri-Lindje, Tsamidët [Çamidët], në Jug-Perëndim, dhe Toksidët
[Toskët] në Jug-Lindje. Është e padiskutueshme që Shipëtarët apo Skipëtarët
janë një popull i dallueshëm nga grekët dhe sllavët, fqinjët e tyre, dhe jo më
pak nga turqit. Ndonëse gjuha e tyre është e mpleksur me një numër të madh
fjalësh greke e latine, madje edhe turke e sllave, është prapëseprapë një gjuhë
e veçantë dhe e ndryshme nga këto që përmendëm si për nga rregullat gramatikore
ashtu dhe për nga shprehjet që përdor.
Origjina e
shqiptarëve nuk është e lehtë për t’u përcaktuar, ndryshe nga dallimi
karakteristik që kanë me fqinjët e tyre. Disa autorë, nisur nga emri albanë që
u japim, i shihin pasardhës të albanëve të malit Kaukaz, të cilët i
pandehin të njëjtët me alanët [alpanët]. Mirëpo, këta alanë ishin
tatarë apo turkomanë, ndërkohë që thelbi i gjuhës shkipe
nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhët turkomane apo tatare. E njëjta gjë mund të
thuhet edhe kur pretendohet për prejardhjen e tyre nga bullgarët, komb sllav
që, për një kohë të gjatë, ka sunduar në Greqinë perëndimore. Autorë të tjerë i
shohin pasardhës të ilirëve të lashtë. Ky mendim nuk mund të vërtetohet, duke
qenë se ne nuk kemi kurrfarë njohjeje të gjuhës ilire; veçse, ka në mbështetje
të saj një gjasë me peshë të madhe. Skipëtarët, që në mënyrë të veçantë i
quajmë albanë, janë ata që i përkasin Ilirisë maqedone në jug të Drinit,
domethënë mirditët [mirditorët] dhe krejt gegët. Banojnë në male pothuaj të
pakapërcyeshme në dy anët e Drinit dhe në pjesën që e ndan me Adriatikun; dhe
dihet që malësorët në të shumtën e rasteve i kanë shpëtuar shkatërrimit që vjen
si rezultat i dyndjeve pushtuese.
Ka shumë të ngjarë
po ashtu që galët skordiskë, të dëbuar prej sllavëve nga brigjet e Danubit dhe
nga rrethinat e Beogradit, të kenë ardhur për t’u strehuar në ato male e të
jenë përzier me sikpëtarët. E pakta që mund të thuhet është se hasen në
gjuhën shqipe një numër jo i paktë fjalësh gale. Kështu, lidhur me simbolin e
apostujve haset tashmë fjala alti (athir apo athair) [altar]; pain
në fr. = bukë - shqip: bukum, (bukkëm apo busckon); bouchée
në fr. = çapë bukë apo ngrënie; sod (aujourd’hui
në fr.) = sot; dhe po ashtu, keç apo keq – në fr. mal,
shqip = keq. Shënojmë nga ana tjetër se emri Albanie është i njëjtë
me Albanack, vend malor në galisht. Veçse, rregullat gramatikore shkipe
janë të ndryshme nga ato të galëve. Dy fise shkipëtarësh banojnë në
Epir, por nuk duhet arritur në përfundimin se janë epirotë. Këta të fundit
ishin pellazgë, gjuha e të cilëve ishte shumë e përafërt me të grekëve, pra, jo
shkipe. Këtu përfshihen në thelb tërë hipotezat që mund të ngrejmë mbi
origjinën e skipëtarëve, apo albanëve, apo arnautëve.
Shqipëria u
pushtua nga Mehmeti II pas marrjes së Kostandinopojës. Lufta që i kundërvunë
këtij pushtuesi skipëtarët e udhëhequr nga Georges Kastriota, i
mbiquajtur Skanderbeg, të cilin e kishin zgjedhur si princ të tyre,
zgjati 24 vjet, dhe humbjet që pësuan turqit e tejkaluan në numër popullsinë e
fiseve të Gegëve dhe të Mirditës, mbi të cilët ra pothuaj tërësisht pesha e
luftës.
Pas nënshtrimit të
Shqipërisë, tre fise shkipe përqafuan fenë myslimane, të paktën në
pjesën më të madhe të tyre. Ato të Mirditëve dhe të Akrokeraunisë e të Sulit
ngulmuan të vetme në krishtërim, duke ruajtur fenë e tyre.
Karakteri luftarak
i skipëtarëve bëri që ata të viheshin në shërbim të sulltanëve dhe të
pashallarëve të ndryshëm. Po ashtu, bejlerët e tyre apo fisnikët, në krye të
trupave që mbajnë, u kanë shërbyer gjatë Mesjetës klientëve të ndryshëm si
kondotierë italianë. Vlera e tyre është e mirënjohur prej turqve, aq sa u kanë
dhënë për këtë arsye, siç thuhet, emrin arnautë. Me këtë rast, vëmë në
dukje se arnaodh në galisht do të thotë trim, nga fjala naodh,
vlerë.
Shqipëria është
një vend pastoral, me male, pyje dhe me pak kultura bujqësore; por ka shumë
kope dhënsh, që përbëjnë pasurinë e saj. Skipëtarët janë përgjithësisht
trupa të lidhur, të hajthëm, të zhdërvjelltë e të fuqishëm, me karakter të
gjallë e të prirë pas të papriturave, dhe me vlerë proverbiale. Si gjithë
popujt e tjerë gjysmë të egër, janë gjuetarë dhe barinj. Vjedhja e bagëtive
është një prej zakoneve të tyre të parapëlqyera, por është vjedhje me armë, të
cilën e konsiderojnë si ushtrim për të mësuar zanatin e luftës.
Gjenerali G. De
Vaudoncourt.