E shtune, 20.04.2024, 06:15 AM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme

E diele, 27.02.2022, 08:00 PM


Figura e Skënderbeut, Flamuri dhe Simboli ynë kombëtar mbetet përherë aktuale dhe e përjetshme

Nga Fotaq Andrea

Këto ditë mësuam nga shtypi, si dhe nga forumi ynë “Zemra Shqiptare”, se në Prishtinë Z. Luan Tashi ka çelur ekspozitën “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” me 65 vepra nga autorë shqiptarë e të huaj. Gjejmë rastin për të përgëzuar publikisht autorin e kësaj veprimtarie të shënuar e të uruar, me përmbajtje të fuqishme edukative e patriotike, sidomos për brezin e ri, duke mbrujtur e mbajtur përherë të zjarrtë dashurinë për “Babain e Kombit”, siç e ka cilësuar me të drejtë Faik Konica figurën e madhërishme të Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut. Po kështu, përgëzojmë edhe publicistin e njohur shqiptaro-amerikan Frank Shkreli, i cili i kushtoi një shkrim kësaj veprimtarie, me tone të rrepta kritike për përdhosjen e Memorialit të Skënderbeut në Lezhë.

Duke marrë shkas nga kjo veprimtari e bukur, u kujtuam se që në shtator 2017, ne patëm hartuar një listë propozimesh me 10 pika si veprimtari konkrete që mund të merreshin parasysh nga iunstancat përkatëse me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar dhe në prag të shpalljes së Vitit Skënderbeu 2018. Ndodhesha në atë periudhë në Tiranë për të botuar një minimum kopjesh dhe pa kurrfarë ndihme shtetërore a mecenati Album-Antologjinë “Skënderbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”, me mbi 500 faqe format i madh, mbi 200 autorë shqiptarë e të huaj dhe 930 ilustrime, për ta paraqitur në Panairin e librit - nëntor 2017, Tiranë, e sidomos për t’i çelur rrugën një botimi më të gjerë të kësaj vepre, mes vështirësish të mëdha financiare.

Ishte hera e dytë që angazhoheshim drejtpërdrejt për promovimin jo vetëm të kësaj vepre pas një pune intensive prej gati dy dekadash, por edhe për çeljen e një Ekspozite me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë në nëntor 2012 me rreth 100 gravura e ilustrime, origjinale antike të portreteve të Skënderbeut, duke filluar nga shekulli XVI, mbledhur nga koleksionistë e antikuarë shqiptarë. Dështuam që në atë kohë për faktin e thjeshtë se do silleshin nga Vjena  Shpatat dhe Përkrenarja e Skënderbeut – ngjarja më madhore historike – dhe se “Ekspozita jonë – siç na u tha me gjysmë zëri e gjysmë zyrtarisht –, nuk mund të shoqëronte këtë Eveniment të Jashtëzakontë organizuar nga Lart, ngaqë do na dilte në këtë rast më i rëndë bishti (Expozita me vepra origjinale) se sa sëpata (Shpatat)”. Dhe përherë para dështimit qiteshin vështirësitë financiare – sëmundja gangrenë e institucioneve shtetërore,  kulturore e artistike që ndrydh, zbeh  e mpakë veprimtari të tilla të rëndësishme me nismë individuale, duke i blofuar rëndë e duke i nëpërkëmbur me buzëqeshje hipokrite a cinike, e me rrahje shpatullash gjoja miqësore a inkurajuese edhe vetë autorët e këtyre nismave. Të cilëve, s’u mbetet aherë tjetër veç të vihen përherë në kërkim mecenësh a filantropësh, kur asnjëherë nuk vihet në veprim ligji i detaksimit të tyre për veprimtari kulturore e shoqërore me interes mbarëshoqëror e mbarë kombëtar. Mëse një herë studiuesi dhe kritiku i artit Agim Janina, miku i mirë i artistëve e i yni, e ka ngritur fort zërin që piktorët dhe artistët shqiptarë, me vepra të nivelit të lartë artistik nuk ndihmohen për çelje ekspozitash e organizim veprimtarish artistike, por lihen në mëshirë të fatit dhe mezi arrijnë të mbijetojnë. Vazhdojmë kësisoj të jemi përherë në fatin historiko-tragjik të mbijetesës sizifiane shqiptare, në fat tranzicioni mallkues, që dashka gjysmë shekulli a një jetë njeriu të kapërcehet për të dalë kombi në gjendje të përparuar e kulturuar si mbarë Perëndimi i zhvilluar e civilizuar.

Pa u larguar nga tema, po e ripublikojmë siç e kishim hartuar, ish projektin tonë paraprak, paraqitur pra që në shtator 2017, në kohën e duhur, në vendin e duhur, në personat e duhur, për Vitin Skënderbeu 2018 e në vazhdim, projekt që, fatkeqësisht mbeti në kartë, por që mbetet megjithatë përherë aktual në rrafsh kombëtar, në Shqipëri e në Kosovë, sepse aktuale dhe e përjetshme mbetet Figura e Skënderbeut, Flamuri e Simboli ynë kombëtar. Ne nuk pretendojmë këtu aspak të hartojmë ndonjë program qeverie për figurën e Skënderbeut, as të propozojmë blerjen e Muzeut të Makaronave në Romë, ku ka pasë bujtur Skënderbeu ynë, as të mbushet Muzeun Historik i Krujës me vepra origjinale antike, kur kutitë bosh kanë përsipër  vetëm kapakë të fotografuar të këtyre librave, apo kur muret e Muzeut janë thjesht të veshura me fotografime të gravurave e ilustrimeve historike kushtuar portretit të KryeHeroit Shqiptar. Boll me artificializmat dhe varfërinë aspak dinjitoze të regjimit të dikurshëm diktatorial. Ne thjesht u kufizuam këtu në këto 10 pika për një koniukturë të përcaktuar “Viti Skënderbeu- 2018”, duke pasur parasysh, mbi të gjitha, perspektivën dhe përmasën e fuqishme edukativo-shoqërore që ka dhe duhet të ketë përherë Figura madhore dhe madhështore e KryeHeroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ditën e Panairit të Librit, nëntor 2017 me një grup intelektualësh ku u ekspozua Album-Atologjia “Skënderbdu, Heroi Kombëtar Shqiptar”

Propozime veprimtarish për Figurën e Skënderbeut

Mendoj dhe propozoj se mund të stimulohen këto veprimtari konkrete për të ringjallur e freskuar traditën shqiptare në kujtim të përjetshëm të Heroit Kombëtar.

1  Rigjallërim i sportit: thyerje krahu – në Rumani këtij sporti popullor e tradicional i thonë: “hajt bëjmë një garë sksanderbegse!” ose shkurt : “bëjmë një skënderbegse”, dmth thyerje krahu kush është më i fortë. Kanë edhe kampionat kombëtar. Legjenda ka hyrë në Rumani që në fillim të shekullit XVI, rreth vitit 1510 me Barletin kur ky thotë në gojën e Skënderbeut për Muratin: “Të dërgova shpatën, por jo krahun”.

Ka shumë shprehje në rumanisht me fjalën skandenberg = skënderbegase, konkretisht:

Facem un skanderbeg sau ai nevoie de odihn? s?-?i refaci for?ele? (Bëjmë një skënderbegase

për të parë kush është i fortë); Po?i s? m? ba?i la skandenberg (Më munde në skënderbegase – në thyerjen e krahut); Asculta?i. Oricine îl bate pe San la skandenberg, va primi acest ceas de aur (kush e mund Sanin në skënderbegase fiton këtë orë në ar); Oh! sunt fantastic? la skandenberg (Oh, jam i shkëlqyer në skënderbegase) [...]

2. Festa e luleve - Dita e Skënderbeut  - e përngjashme me ditën e Jeanne d’Arc –ës në Francë që festohet tradicionalisht (shih shkrimin Festa e Luleve... te libri “F. Andrea, Gjurmime shqiptare,vëll 1” ose http://www.zemrashqiptare.net/news/23791/fotaq-andrea-festa-e-luleve-per-skenderbeun.html?skeyword=a

3. Festa e mbjelljes së fidaneve të reja të pemës së ullirit – mendoj të ringjallet e gjallërohet masivisht tradita martesore me mbjellje të një fidani nga çdo çift i sapo martuar (si në kohën e Skënderbeut – çifti që mbillte fidan ulliri merrte bekimin e Uratës në prani të Skënderbeut!) Kjo traditë ka simbolikë të fuqishme për një ditë të bardhë, fatlume. Merr këtu kuptim simbolika e paqes tek pema e ullirit në idenë: E mbjellim së bashku këtë pemë ulliri për të na shkuar jeta vaj” – (shprehje e vjetër popullore shqipe me zanafille ullirin). Në këtë mënyrë mund të pemëzohet e të vishet me ullinj krejt faqja e masakruar e malit nga kaverna gurore, kancer vizual që shëmton nga larg Krujën panoramike të Skënderbeut.

4. Ashtu siç organizohet një spartak –iadë (nga Heroi i Lashtësisë Spartaku) – në traditën tonë mund të organizojmë skënderbe-iadën me sporte popullore – kala dibrançe etj. (Për shembull skënderbejada në shkollat 9 vjeçare + gjimnazet).

5. Mendoj t’i jepet një kuptim i thellë historik, folklorik, kulturor e artistik pedonales së Tiranësduke e veshur pjesë-pjesë me mozaikë – Propozoj që studentë të arteve nga Kosova dhe Shqipëria (drejtuar nga pedagogët) të skicojnë e realizojnë vetë (me gurë të mbledhur lumenjve) mozakë të larmishëm me tematikë Eposin e Kreshnikeve (Muji, Halili, shtojzovallet, bajlozi i zi, etj), si dhe me tematikë nga Skënderbejada. Garda e Skënderbeut është në zanafillë të Kalorësisë së Lehtë Evropiane.

6. Pas monumentit të Skënderbeut në Tiranë – në pjesën e pasme mund të projektohen e vendosen monumente të Trimave të Skënderbeut (sipas shprehjes së bukur shqipe “Trimi i mirë me shokë shumë”), kalorësit e Skënderbeut, që nga Gjon Kastrioti, Mamica e Donika gjer te Leke Dukagjini, te Arianiti,  Topia, Muzaka, Moisiu, Vrana Konti, etj. etj.

7. Mendoj që me kohë e gradualisht të ripërtërihet Festa kalorësiake skënderbejane për nder të kalorësisë së famshme shqiptare që është në themel të krijimit të Kalorësisë së lehtë europiane (mund të organizohen me këtë rast gara hipizmi, spektakle kuajsh, prezantime racash të kuajve (sipas traditës boshnjake dhe sllovene), etj. – Shqiptari Gjergj Basta me gjak kastriotas, është ideatori, themeluesi dhe teoricieni i strategjisë së Kalorësisë së lehtë evropiane, sipas taktikës dhe strategjisë skënderbejane të luftës rrufe.

8. Mendoj të futet në masë Festa e Shën Gjergjit më 1 maj, me lule shen gjergji, të famshmet mugetat franceze. Për më tepër që tek arbëreshët dhe shqiptarët Shen Gjergji që mposht dragoin është identifikuar përherë tradicionalisht me Gjergj Kastriotin.

9. Mendoj të ringjallet kuptimi i kapeles së famshme shqiptare të quajtur historikisht albanuaja apo albanoja, ose thjesht kapelja shqiptare (realizuar nga zejtarët shqiptarë në Venedik), kapele të cilën e kanë mbajtur mbi kokë edhe dy mbretër të Francës, Henri II dhe Henri IV, dhe u përjetësuar në tablo nga Rubens hyrja e famshme e Henrit IV në Paris me kapelen albanua në kokë. (Shih studimin tim te “Gjurmime Shqiptare” – kapelja është skicuar dhe realizuar në mëndur artizanale edhe në Muzeun Kombëtar nga një djalosh i pasionuar pas kapeles shqiptare që u hoq nga puna arbitrarisht. Shih dhe

http://www.zemrashqiptare.net/news/id_38119/Fotaq-Andrea:-Z%C3%ABri-Albanua.html

10. Mendoj të marrë hov skulptura urbane me tematikë historike dhe artistike për të zbukuruar parqet dhe sheshet dhe për një urbanistikë moderne. Mund të propozohet një projekt ligj që ndërtuesit të investojne pranë skulptorëve për një afresk, mozaik apo skulpturë përpara godinave që ndërtojnë sidomos në qendrat e qyteteve kryesore. Kam parasysh këtu kujdesin që tregoi në këtë drejtim, në stimulimin e vlerave artistike dhe zbukurimin e godinave, Mathias Corvin dhe Luigji XIV – i quajtur le Roi Soleil (Mbreti Diell) që bëri gjithçka për kulturën franceze, sidomos për Letrat, pikturën e skulpturën.

E mbyllim këtë “Listë Propozimesh” me poezinë e Çajupit “Amaneti i fundit i Skënderbeut”, poezi e recituar në mënyrë të përsosur, me zë të ngrohtë, gjithë pasion artistik e patriotik, me shpirt të mallëngjyer e zë hyjnor nga i Madhi Mirush Kabashi, poezi e shkruar me germa të arta në lapidar të Rilindje Kombëtare Shqiptare që vuri në qendër të saj Figurën e Ndritur e të Përjetshme të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. 

A. Z. Çajupi:  Porosia e fundit e Skënderbeut, para se të vdiste.

Sa rrojta s'u turpëruam

Te gjithë bashkë luftuam,

Vendin e nderuam,

Se nga turqit e shpëtuam.

Po tani u afrua dita e fundit dhe per mua.

Të gjithë këtë ditë e presim,

Kemi lerë e do vdesim.

Njeri për jetë s'ka mbetur,

Dheu të gjithë i ka tretur.

Ndaj desha, sa jam dhe gjallë,

T'u mbledh e t'u them këto dy fjalë:

O vëllezër Shqipëtarë!

Të gjith tok, e të pandarë.

Mysliman, a të Krishterë,

Perëndia na ka bërë,

Jemi vëllezër të tërë.

Zoti kur bëri insanë,

Me një fytyrë të lartë,

Të Krishterë e Myslimanë,

I gatoi me një baltë

Zoti me të madh të vet,

Eshtë Një, dhe i vërtetë

Si këtu dhe mbatë jetë.

Si Ungjilli dhe Kurani.

Mos e ndani Perëndinë!

Mos e ndani Shqipërinë!

Njari-tjatrin mos e hani,

Si bëjne ata që s'dinë.

Besa është e Gjithësisë

Po ne jemi të Shqipërisë,

Se kemi pirë një sisë.

Për perëndinë që besoni,

Faluni si të doni,

Po lutuni tek Perëndia

Të rrojë për jetë Shqipëria!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe Fotaq Andrea: Emri i Skënderbeut, i njohur, i dashur e i vlerësuar në landet dhe baladat skoceze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII Fotaq Andrea & Dritan Muka: “Skënderbeu” i Gentile Belinit, me diellin në ballë e në sy, simbol i krenarisë sonë kombëtare Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar Andrea & Muka: Më në fund, Skënderbeu i Belinit mes shqiptarëve, zbulim i rrallë historik Fotaq Andrea e Dritan Muka: Ikonografi skënderbegiane - Portretet origjinale të Heroit Kombëtar Fotaq Andrea: Këta shqiptarë me vlerë proverbiale... Fotaq Andrea: Shqipëria, vend i denjë për të qenë shtet perëndimor Fotaq Andrea: Fjala e plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris Fotaq Andrea: Paqë e qetim qiellor për Njeriun e përplotë Moikom Fotaq Andrea: 19 vjet më parë, shuarja e një Njeriu të lartë fisnik, Jusuf Vrionit Fotaq Andrea: Hasan Prishtina - Një Shqipëri, pa shqiptarët e Kosovës do të ishte një trup pa shpirt Fotaq Andrea: Fillesë e një korrespondence të gjatë e të rregullt me Moikomin Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim! Fotaq Andrea: Vrasje e dëlirësisë foshnjore Fotaq Andrea: ''Faleminderit miq shqiptarë'' Fotaq Andrea: Njeriu Faik me përkushtim Shqipërinë moderne

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora