Kulturë
Hejza: Një strehimore për veprat artistike
E merkure, 23.03.2022, 08:33 PM
NJË STREHIMORE PËR VEPRAT ARTISTIKE
NGA
HEJZA
Dikur
pushtuesve barbarë, për ta nënshtruar e asimiluar tërësisht një popull të një
territori të caktuar, i duhej decenie e shekuj! Sot, nuk i duhet shumë, vetëm
aq kohë të nevojshme për t’i lansuar nja 50-100 raketa dhe për ta futur
makinerinë luftarake dhe numrin e paraparë të ushtarëve e ushtarakëve për ta
drejtuar territorin e uzurpuar. Tërë kjo, jo më shumë se, maksimumi, një muaj!
Pastaj vjen “rindërtimi” dhe komandimi nënshtrues sipas “kulturës” së
okupatorit!
Dikur,
Perandorisë Osmane iu desht pesë shekuj që ta zhbëjnë çdo vepër artistike e
kulturore të shqiptarëve, ta zhbëjë çdo shkrim, çdo libër, çdo trashëgimi
letrare që përmbanin fjalë shqipe të shkruar para pushtimit dhe gjatë
pushtimit! Si vepër e shpëtuar, deri më sot njohim vetëm Mesharin e Buzukut,
falë asaj që kjo vepër u shkrua dhe u publikua në Itali!
Po
kur trashëgimia kulturore të shkatërrohet nga neglizhenca e shtetit, nga
pakujdesia noshalante e institucioneve shtetërore, nga papërgjegjësia absolute
shoqërore dhe të organeve të shtetit, atëherë, je kolaboracionist me çdo
pushtues, me çdo faktor të rrënimit të identitetit kulturor, je jo i denjë për
ta trashëguar madje as identitetin kombëtar.
Kosova
u çlirua me luftë dhe në liri doli me një numër të konsiderueshëm asetesh,
rreth 1600 të tillë, që konsiderohen të rëndësishme për trashëgiminë kulturore.
Këto vlera kombëtare dominohen kryesisht nga pasuria arkitekturore dhe
arkeologjike. Pjesa dërmuese e këtyre aseteve vështirë se do t’i rezistojnë
rrënimeve në themel, sidomos ato që i përkasin pasurisë arkitekturore. Janë
dhjetëra objekte jashtëzakonisht të rëndësishme që janë në shkatërrim e sipër
dhe që flasin për një papjekuri shtetërore për sa i përket trashëgimisë
kulturore. Kosova e sotme, në çdo pëllëmbë të tokës së vet rritet mbi themele,
mbi gjurmë arkeologjike jashtëzakonisht të rëndësishme për historinë tonë të
hershme.
Asete
kulturore llogariten edhe veprat e artit, të cilat, bashkë me asetet
arkitekturale kërkojnë një siguri, një mbrojtje e një ruajtje të veçantë,
sidomos në kushte lufte! Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një
vlerë të paparë humane në raport me veprat e artit! U futën nëpër strehimore të
bunkerizuara mijëra piktura, ikona, ikonostase, skulptura etj. Përmendoret,
statujat dhe një mori veprash, si tërësi e veprave skulpturale, këto ditë
anekënd qendrave ku akoma nuk kanë shpërthyer raketat e agresorit okupator rus,
qytetarët ukrainas kanë nisu t’i mbështjellin me materiale të ndryshme, nga
rrjetet e çelikta deri te mbështjellësit e rëndomtë prej najloni! E tërë
shoqëria ukrainase u angazhua edhe për mbrojtjen e aseteve të ekspozuara
kryesisht nëpër qendra të vendbanimeve për ta kujtuar historinë, por edhe për
ta shtuar krenarinë kombëtare.
Qytetarët
edhe mund të ikin, edhe mund të kërkojnë strehim edhe nëpër male, edhe jashtë
atdheut, por si të përkujdesemi për vlerat kombëtar të ekspozuara, si nëpër
galeritë e artit, si nëpër sheshe e nëpër objekte të kultit. A kanë shqiptarët
galeri të bunkerizuar për veprat e artit! Le ta supozojmë më të keqen: ne rast
lufte, në ç’bunkere do të ruhen përmendoret e Skënderbeut, të Ismail Qemalit,
të Hasan Prishtinës, Isë Boletinit, Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit! Apo, kur të
mbyten e të ikin qytetarët, kush po pyet për fatin e “e të vdekurve” më herët,
pa çka që këta personalitete, si vepra artistike skulpturale, janë baza e
vlerave ku përforcohet trungu i identitetit tonë kombëtar!
Asetet
arkeologjike, arkitekturale, veprat e artit, nuk bëhen, nuk investohet në to që
një ditë t’i shtohet kënaqësia armikut gjatë shkatërrimit të këtyre vlerave,
por kujdesi, investimet dhe strategjitë kombëtare për ruajtjen dhe mbrojtjen e
tyre bëhen me qëllim që sot e përjetë ta ndjejmë kënaqësinë, të krenohemi për
atë se kush kemi qenë, për ecurinë tonë si kulturë dhe si civilizim.
Kjo
që po i ndodhë veprave të trashëgimisë kulturore në Kosovë, do të na turpërojë
shumë keq, do t’i humbim të gjitha gjasat për t’u anëtarësuar në UNESKO e nëpër
organizata botërore të kësaj natyre! Do të jenë shumë idiotike ankesat se në
këto anëtarësime po na pengon Serbia! Ç’na duhen dhe sa i meritojmë
anëtarësimet nëpër organizata të tilla kur interesimi ynë si komb e si shtet
është nënçmues për sa i përket vlerave nga trashëgimia jonë kulturore. Çfarë
fuqie shpirtërore, çfarë synimesh kombëtare, çfarë vetëdije kulturore kanë
pasur të parët tanë që na kanë lënë një trashëgimi të hatashme kulturore,
ndërsa, ne, pasardhësit e tyre, sot nuk jemi në gjendje të bëjmë jo një objekt
opere apo baleti, por as të ndërtojmë një amfiteatër apo një Muze të UÇK-së, në
disa nivele ku, në nivelin e parë të bunkerizuar do të shpërndahej një kolonë
skulpturash të personaliteteve ndërkombëtarë e të heronjve që çliruan Kosovën. Jo karikatura,
por skulptura të denja për t’u vizituar mijëra herë dhe mijëra herë për t’u
përkulur para tyre.