Mendime
Adil Fetahu: Shkencëtari kroat, Milan Šufflay, viktimë e monarkofashizmit serb
E diele, 13.12.2020, 03:01 PM
SHKENCËTARI KROAT, MILLAN SHUFFLAY, VIKTIMË E MONARKOFASHIZMIT SERB
Nga
Adil FETAHU
Është e çuditshme sa pak
shqiptarë e njohin biografinë dhe veprimtarinë historiko-letrare e sidomos
atë kërkimore-shkencore të dijetarit,
filozofit, historianit, albanologut, ballkanologut e shkencëtarit kroat, njërit ndër më të
famshmit të Ballkanit, në kohën kur
jetoi e veproi. Çudia bëhet më e madhe kur dihet se Shufflay më se 20 vjet ia kushtoi punës së
tij shkencore-hulumtuese për historiografinë etnokulturore shqiptare në
Mesjetë, duke vërtetuar rrënjët e lashta autoktone iliro-shqiptare, në
vazdimësi të pandërprerë në territorin
që sot quhet Ballkan.
Po cili kush ishte Millan Shufflay?
Millan Shufflay, ishte biri
i një familje fisnike kroate, me prejardhje hungareze; mund të ketë rrënjë
hebreje, veçse për këtë nuk kemi të dhëna. U lind më 9 nëntor 1879, në
Lepogllavë, që asokohe ishte nën Austrohungari (në kohën e Jugosllavisë së
Dytë, Lepogllava ka qenë e njohur për burgun e rëndë të të burgosurve politik,
ku e kanë vuajtur dënimin shumë
shqiptarë). Shufflay ka studjuar filozofinë dhe historinë në Universitetin e
Zagrebit, ku në vitin 1902 ka doktoruar filozofinë. Në vitet 1902-1903 ka
specializuar historinë në Institutin e Historisë në Vjenë. Prej vitit 1904 deri
më 1908 ka punuar kustos i Muzeut Popullor të Budapestit. Prej vitit 1908 deri
më 1918 ka qenë profesor inordinar në Universitetin e Zagrebit, ku ka ligjëruar
lëndët ndihmëse të historisë. Për shkak të angazhimit politik që i mbante
krahun regjimit hungarez, u pensionua në vitin 1918, dhe më pastaj iu
përvesh punës shkencore-hulumtuese të
pavarur. Ishte në udhëheqjen e ngushtë
të Partisë Kroate të Dejtësisë. Në vitin 1921, nën akuzën se po bashkëpunonte
me emigracionin antijugosllav, regjimi serbomadh i Jugosllavisë së Parë, e
dënoi me tri vjet e gjysëm burgim, prej të cilave e vuajti gjysmën, në Burgun e
Mitrovicës së Sremit.
Puna
kërkimore-shkencore e Shufflayt
Millan Shufflay ishte shkencëtar i nivelit të lartë në fushën e
historisë dhe filozofisë. Njihte mirë gjuhët klasike latine e greke, si dhe
gjuhët e gjalla: gjermane, frenge, angleze, italiane, hungareze dhe të gjitha
gjuhët sllave. Kjo i mundësonte leximin dhe kuptimin e dokumenteve origjinale.
Edhe ka shkruar e botuar punime në ato gjuhë. Konkluzionet që ka nxjerrë
Shufflay në shkrimet e tij historike, edhe sot konsiderohen relevante dhe te
padiskutueshme. Ka zotëruar në mënyrë të vaçatë aspektet diplomatike midis
shteteve dhe midis Papës me kishat dhe me shtetet në Mesjetë. Gjuhën shqipe e
ka mësuar më vonë, dhe ndonëse konsiderohet si albanolog i shquar, nuk ka bërë
ndonjë botim në këtë gjuhë, përkundër faktit se afro njëzet vjet pune kërkimore-shkencore
ia ka kushtuar historiografisë dhe kulturës shqiptare, dhe për këto ka botur
shumë shkrime në gazeta e revista dhe disa vepra në gjuhën kroate, gjermane ose
hungareze. Shkrimet, botimet dhe veprat
e Shufflayt për historiografinë shqiptare janë:
l. Acta et diplomata res
Albanie mediae aetatis illustrata I (Akte dhe diploma që ilustrojnë
historinë mesjetare të Shqipërisë, bleni I), që përfshinë periudhën e viteve 344-1344, botuar në Vjenë në vitin
1913;
2. Acta et
diplomata res Albanie mediae aetatis illusrata II (Akte dhe diploma që ilustrojnë historinë
mesjetare të Shqipërisë, II, botuar në Vjenë, 1918, që përfshinë periudhën deri
në vitin 1451. Konsiderohet se vlera e dy vëllimeve të AA, përveç akteve të
shumta dëshmuese, qëndron në komentet dhe konkluzionet e pamohueshme që ka dhënë Shufflay për
secilin dokument.
3. Die Kirchenzustande im
vorturkischen Albanien (Rrethanat kishtare të Shqipërisë paraturke,
Budapest, 1916; 96 fq.
4. Konstantin Balsic
(1392-1401) – Historijski roman u tri djela (Konstatin Balshaj – roman
historik, në tri pjesë; Zagreb 1920, fq.199).
5. Stadte un Burgen
Albanien huptsachlich wahrend des mittelaltes (Qytetet dhe kështjellat e
Shqipërisë, veçanërisht në kohën e
Mesjetës; Vjenë 1924, 202 fq.
6. Historija Sjevernih Arbanasa
(Historia e Shqiptarëve të Veriut, botuar në Beograd 1924; është përkthye
në gjuhën shqipe nga profesori Zekeria
Cana, Prishtinë 1968; 238 fq.).
7. Srbi i Arbanasi –
njihova simbioza u srednjem vijeku (Serbët dhe Shqiptarët- simbioza e tyre
në Mesjetë; Beograd 1925; 142 fq.; (kjo vepër është botuar nga “Hylli i
Dritës”, Shkodër 1938, në përkthim të Zef Fekeçit dhe Karl Gurakuqit).
8.
Povijest sjevernih Arbanasa – Socioloska studija (Historia e Shqiptarëve të Veriut – studim
sociologjik, Beograd, 1925).
Përveç veprave të cituara më
sipër, Shufflay ka botuar edhe shumë shkrime, ese, si dhe polemika, kritika e reçensione lidhur me veprat dhe shkrimet e të
tjerëve për historiografinë shqiptare. Është e gjatë lista bibliografike e
shkrimeve të Shufflayt në revista shkencore e gazeta, në gjuhën kroate, serbe,
gjermane, hungareze, italiane. Në lidhje me to dhe me veprat e tjera, Shufflay
ka pasur një letërshkëmbim të shpeshtë me personalitete të njohura shkencore e
kulturore të kohës së tij. Një letërshkëmbim të dendur ka pasur edhe me Mitat Frshërin (Lumo Skendon) në
periudhën prej qershorit 1928 deri në janar të vitit 1931, derisa Shufflay e
vizitoi Shqipërinë, më 12 – 17 janar
1931, të cillit iu bë një pritje dhe nderim i posaçëm, kur e priti edhe vet Mbreti Zog dhe Shufflay ishte ndarë i
ngazëllyer nga pritja dhe nderi që i ishte bërë.(Për letërshkëmbimin e
Shufflayt në lidhje me studimet për
historinë shqiptare, shih: Zekeria Cana –Ymer Jaka, “Përparimi”, nr.1/1988,Prishtinë).
Shkrime të Shufflayt
janë botuar edhe në revistën e Mitat
Frashërit “Diturija”.
Shufflay është marrë edhe me letërsi, ndonëse në këtë fushë nuk ka
shkëlqyer sikur në shkencë. Nga fusha e letërsisë romani i tij i parë ka qenë
roman historik “Kosntantin Balsic” (Balshiq), i botuar në vitin 1920, i
strukturuar në bazë të elementeve reale të vjela nga lënda dokumentare
historike. Romani i tij i dytë
fantastiko-shkencor “Na pacifiku 2225”, ka pasur një jehonë dhe
lavdi më të madhe. Romani është botuar në gjuhën gjermane, ndërsa në kroatishte
është botuar në formë novelash në 75
vazhdime të gazetës “Obzor”, në vitin 1924. Thuhet se ai roman ishte inspiruar
nga një ëndërr e Shufflayt që kishte parë sa ishte në burg, të cilën pastaj e
ka zhvilluar si imagjinatë e shndërruar në roman. Në atë roman
ka paraparë rënien e një asteroidi të madh në Pacifik në vitin 2225; ka
paraqitur vizionet e tij për të ardhmën, disa prej të cilave tashmë kanë
ndodhur. Për shembëll, kishte paraparë Luftën e Dytë Botërore, kishte parparë
vitin kur Japonia do të sulmonte ShBA-të, kishte paraparë braktisjen e qetë
britanike nga India dhe formimin e dy shteteve (India dhe Pakistani), kishte
parparë krijimin e një religjoni universal në botë i cili do t’i shuajë të
gjitha religjionet e njohura deri më tash, kishte paraparë rënien e fuqive
botërore si ShBA-ve, Monarkisë Britanike, kishte parparë ngrohjen globale për 3
gradë të celsiusit, kishte paraparë ngritjen dhe rënien e komunizmit, përhapjën e drogave dhe të feminizmit,
varfërisë, vegjetarianizmit dhe shumë ngjarje,
ndodhi e dukuri tjera, disa prej
të cilave tashmë kanë ndodhur.
Dr Shufflay ka bashkëpunuar
me shumë shkencëtarë dhe institucione shkencore të kohës së tij. Bashkëpunimin më të ngushtë në hulumtime dhe
në shkruarjën e veprave historike e ka pasur me
historianin e njohur hungarez, Llajosh Taloci (1857 - 1916), dhe me historianin tjetër çek, Konstantin
Jireçek (1854 – 1918), me albanologun
Italian Antonio Balldaçi (1867 – 1960),
dhe me individë, institucione e akademi të shkencave të Austrisë,
Gjermanisë, Hungarisë, Italisë, Serbisë, etj.
Në bashkëpunim me Talocin dhe Jeriçekun në periudhën 1913 –
1918 ka botuar dy vëllimet e para të lëndës së historisë së Shqipërisë, të
quajtura: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I - II”.
Në atë përmbledhje punimesh, prej dy vëllime, lënda është vjelë nga burime të ndryshme. Kishin në plan ta botonin
edhe vëllimin e tretë, me të njëjtin titull, por në ndërkohë kishin vdekur të dy bashkëpunëtorët: Taloci (1916) dhe Jireçeku (1918). Akademia e
Shkencave e Austrisë, duke ditur se vetëm Shufflay kishte aftësinë ta kryejë
atë detyrë, e kishte ftuar në Vjenë (1929) dhe kishte kërkuar prej tij ta vazhdonte
punën në hartimin e vëlllimit të tretë të
“Codex Albanicus”, që do kapte periudhën kohore deri në vitin 1571, dhe
Shufflay e kishte pranuar me kënaqësi këtë detyrë. Dy vëllimet e para kishin
përfshirë periudhën 344 deri më 1451.
Shuffllay kishte materiale të mbledhura më heret edhe për edicionin e tretë, por i duhej
hulumtuar akoma nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme në Itali e gjetkë dhe të
vizitonte qytetet, kalatë, kishat dhe
muzetë në Shqipëri. Dhe për koincidencë, dhe falë angazhimit të Mitat Frashërit
(Lumo Skendo), në të njëjtën kohë vet mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e kishte
ftuar Shufflayn ta vizitonte Shqipërinë për të vazhduar me hulumtimet e për të
botuar të kompletuar historinë e Shqipërisë. Mirëpo, Shufflay ishte i
padëshirueshëm për pushtetin e monarkisë
serbe dhe e kishte të ndaluar daljen jashtë shtetit. Vetëm falë angazhimit dhe
intervenimit të qeverisë shqiptare, gadi pas dy vjetëve iu lejua dalja jasht
vendit dhe iu dha pasaporta për të vizituar Shqipërinë, por jo edhe Italinë, ku
do të shkonte për të vjelë dokumente historike. Qeveria shqiptare i kishte
akorduar 3000 franka ari për shpenzimet e udhëtimit dhe kopjimin e materialeve
në arkivat e Raguzës e të Kotorrit, dhe
75000 franka ari për grumbullimin dhe publikimin e materialeve (vlera e asaj
shume është pothuaj sa 5 milionë euro të sotëm, gjë që nuk ishte shumë e vogël
për buxhetin e varfër të shtetit shqiptar asokohe, por kjo tregon se sa ajo
qeveri i kushtonte rëndësi veprimtarisë shkencore dhe nxjerrjës në dritë të
historisë së vërtetë shqiptare të
Mesjetës nga një shkencëtar i paanshëm dhe me renome e integritet siç ishte
Shufflay).
Nga epistolata
(letërshkëmbimi) i dendur i Shufflayt me Lumo Sendon, ministrin e arsimit
shqiptar (Abdurrahman Dibra) dhe me bashkëpunëtorë e kolegë tjerë, nga
përmbajtja e atyre letrave të shumta, mund të shihen peripecitë dhe pengesat që
ia bënte regjimi i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në punën e tij
kërkimore-shkencore, sepse atij regjimi nuk i konvenonte nxjerrja në dritë e
historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Prandaj u detyrua të
kërkonte nga miqtë e tij në arkivat e Romës që t’i dërgonin dokumente të
kopjuara siç i kishte specifikuar, të cilat kishin të bënin me historinë e
shqiptarëve në periudhën e caktuar. Pas shumë kërkesave e pritjes më se
dyvjeçare që kishte marrë lejen për ta vizituar Shqipërinë, në janar 1931 ishte nisur për vizitë Shqipërisë, dhe rrugës ishte
ndalur për të hulumtuar e vjelë materiale në arkivat e Raguzës (Dubrovnikut)
dhe të Kotorrit. Kishte në plan që në katër vëllime të botimit të tretë të Acta
Albania, të përfshinte periudhën deri në vitin 1571. Pas kryerjes së
hulumtimeve në ato arkiva, kishte arritur në Shqipëri, ku ka qëndrua një javë,
duke vizituar arkivat, muzeumet, qytetet, kalatë, kishat e manastiret, për të
cilat paraprakisht kishte njohuri dhe kishte materiale arkivore. Në Shqipëri është pritur me nderime të mëdha,
madje edhe nga vet Mbreti Zog, ndërsa në Parlamentin e Shqipërisë ka mbajtur
fjalim (më 16 janar 1931), ku ka elaboruar konceptin dhe planin e realizimit të
projektit të historisë së Shqipërisë.
Atentati
mbi Shufflayn dhe jehona e tij
Puna intensive dhe e thellë
kërkimore-shkencore në hulumtimin dhe ndriçimin e historiografisë shqiptare të
Mesjetës, qëndrimi i tij politik kundër
regjimit të monarkisë borgjeze serbomadhe, kanë bërë që Shufflay të jetë tërë
kohën nën mbikqyrjën e rreptë të atij regjimi, duke e penguar në punë,duke i
bërë presione e shantazhe dhe kërcënuar, duke mos i dhënë leje për të dalë jashtë shtetit për hulumtime shkencore.
Regjimi nuk e kishte lejuar as të shkonte në Universitetin e Budapestit, i cili
e kishte emëruar profesor dhe udhëheqës i katedrës së historisë në atë
Universitet. Më se dy vjet ia kishte zvarritur dhënjën e lejës për ta vizituar
Shqipërinë, dhe kjo ishte arritur vetëm në saje të angazhimit të Mitat Frashërit
dhe Qeverisë së Shqipërisë te ministri
serb (ambasadori Anastasijeviq)
në Shqipëri.
Me të këthyer nga Tirana,
Shufflay kishte marrë letra kërcënuese, me porosinë : “Dosta vise” (Mjaf më),
ndërsa gazetat kishin zhvilluar një fushatë të ashpër kundër tij, derisa një
mbrëmje, më 18 shkurt 1931, duke dalur prej banesës së tij për të shkuar në
darkë në qytet, e kishin pritur para derës dhe e kishin goditur në kokë me
shufra hekuri tre atentatorë (Branko Zveger, Lubomir Bellosheviq dhe Stevo
Veçerinac), pjesëtarë të organizatës
terroriste të regjimit serb, e quajtur “Mlada Jugoslavija” (Jugosllavia e Re)
dhe ajo “Za kralja i otadzbinu” (Për Mbretin dhe Atdheun). Nga plagët e
marra Shufflay kishte vdekur të
nesërmën. Policia ia kishte bastisur banesën dhe konfiskuar materialet e
gjetura, ndër të cilat edhe ato të përgatitura për botimin e vëllimit të tretë
të “Acta Albanica”. Varrimin e tij e
kishin përcjellur policë të shumtë, të cilët nuk kishin lejuar njerëzit të flasin
për të vdekurin. Regjimi i kishte urdhëruar edhe mediat të mos i japin
publicitet atentatit as vorrimit të Shufflayt. Por atë që bënte regjimi brënda,
reagimet nga jashtë nuk mund t’i ndalte. Ajo vrasje kishte bërë jehonë më të
madhe se vrasja e deputetëve kroatë,
Stjepan Radiqit me shokë, që ishte ishte kryer në Parlamentin e
Jugosllavisë (20.06.1928). Kundër
atentatit mbi Shufflayn kishin reaguar e protestuar, shkruar peticione e
memorandume dhe publikuar në gazeta, personalitete të njohura nga institucione
të shumta shkencore në botë, si Albert Ajnshtajn, Henrich Mann, dr Jozef Bajza,
dr Max Hilderbert Boehm, dr Karl Fritzler, dr Zenon Kuziela, dr Mati Spahn, dr
Branimir Jelliq, Lumo Skendo, Faik Konica etj,etj. Kishte reaguar Liga
Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Federata Ndërkombëtare e Universiteteve
dhe shumë institucione tjera shencore e kulturore e shume gazeta e redaksi të
mediave më të njohura në botë. Të gjithë e akuzonin mbretin e Jugosllavisë,
Aleksandar I Karaxhorgjeviqin për diktaturën e regjimit të tij.
Në kujtim dhe nderim të
këtij shkencëtari dhe të kontributit të
tij për historiografinë shqiptare, në vitin 2002 në Tiranë është mbajtur një
konferencë shencore kushtuar këtij
kolosi, titulluar: “Shuflai dhe
Shqiptarët”, me ç’rast, për kontributin e tij të çmueshëm në afirmimin e
popullit shqiptar, post mortum iu nda
çmimi “Naim Frashëri”. Në Prishtinë një rrugë e mban emrin “Milan
Shuflaj”, por ai kolos i historisë së Mesjetës meriton të kujtohet e të
studjohet akoma.
Pasi nuk ishte martuar
asnjëherë dhe nuk kishte krijuar familje, pas vete nuk ka lënë trashëgimtarë
biologjik, por ka lënë trashëgimi një
opus të madh të historisë mesjetare të Ballkanit, e veçmas të historisë së Shqiptarëve, të periudhës së
viteve 344 – 1571.