Mendime
Kastriot Myftaraj: Sa ia shet një familje kryeministrit gjakun e djalit të pafajshëm
E diele, 13.12.2020, 01:09 PM
Sa ia shet një familje kryeministrit gjakun e djalit të pafajshëm, të vrarë me dashje nga Policia e Shtetit?
Nga
Kastriot Myftaraj
Televizioni
në shërbim të qeverisë Top Channel na bëri të ditur se ai disponon
ekskluzivisht një letër të familjes Rasha, ku ajo shprehet për vrasjen e djalit
të saj të pafajshëm nga Policia e Shtetit. Top Channel e ka publikuar foton e
letrës origjinale me stampën e tij, duke vënë kështu shenjën e ekskluzivitetit
të tij, që do të thotë se ka të drejtën e copyright dhe pamjet e letrës dhe
përmbajtja e saj mund të përhapen duke iu referuar Top Channel. Dhe sipas
rregullave të pronësisë mediatike, të gjitha mediat që citojnë letrën e
familjes Rasha i referohen medias private Top Channel, si disponues dhe
shpërndarës i letrës. Këtë gjë e bën edhe RTSH, media në pronësi publike, edhe
ATSH, agjencia e lajmeve në pronësi publike, kur citojnë letrën. Nëse nuk e bëjnë
Top Channel mund t’ i padisë në gjykatë për vjedhje të pronës së tij. Dhe Top
Channel po dihet i ka shumë për zemër këto lloj padish.
Sipas
rregullave të tregut mediatik në të gjithë
një media mund të fitojë ekskluzivitetin e diçkaje duke e blerë me para
atë. Kështu që kam gjithë të drejtën e logjikës, arsyes, ligjit, praktikës
mediatike që të pyes se sa e bleu Top Channel letrën e familjes Rasha. Apo që
ta shtroj pyetjen nga pikëpamja tjetër: Sa ia shiti familja Rasha letrën Top
Channelit?
Kjo
pyetje shtrohet thjesht nga publikimi ekskluziv, pavarësisht përmbajtjes së
letrës. Përmbajtja e letrës shtron pyetje të tjera. A ka vepruar Top Channel si
sekser ndërmjetës mes Kryeministrit Rama dhe familjes Rasha? Këtë e them sepse
përmbajtja e letrës është krejt sipas frymës dhe logjikës së fjalimit të
Kryeministrit Rama ditën e enjte. Fjalimi dhe letra duket sikur kanë dalë nga e
njëjta dorë.
Në
letër, familja Rasha dënon dhunën e protestuesve ndaj policisë dhe shpreh
keqardhjen për një polic të lënduar gjatë protestave që rrezikon të humbë
njërin sy.
Nga
letra duket se familja Rasha i ka ndjekur ngjarjet e ditëve të fundit vetëm nga
një pikëpamje ajo e Kryeministrit Rama dhe e Drejtorit të Përgjithshëm të
Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Nga letra duket që familja Rasha paska parë
vetëm dhunën e protestuesve ndaj policëve, por nuk paska parë asgjë nga dhuna
që i parapriu së parës, dhuna e tejskajshme e policëve ndaj protestuesve. A
thua vërtet nuk paska parë asgjë familja Rasha nga skenat e dhunës së tejskajshme
të policisë ndaj protestuesve? Në media janë shfaqur pamje filmike të shumë
rasteve kur shtatë deri dhjetë policë rrihnin me shkopinj e shkelma një
protestues të shtrirë në tokë. Gjithashtu janë shfaqur pamje filmike të shumë
rasteve kur disa policë tërhiqnin zvarrë një protestues të vetëm duke e rrahur
atë me ç’ të mundnin që nga grushtet, te shkkopinjtë, shkelmat. Meqënëse
familja Rasha paska gjetur kohë të shikojë televizionet në këto ditë të para të
zisë për vrasjen e djalit, a thua vërtet nuk i ka parë këto pamje, apo ka parë
vetëm RTSH-në e qeverisë dhe Top Channelin?
A
thua vërtet nuk e ka parë familja Rasha se protestuesit kanë qenë paqësorë në
fillim deri kur u sulmuan nga Policia me gaz kimik dhe ujëhedhës me trysni të
lartë?
Letra
përmban një humor makabër mazohist kur thuhet në të se: “Por e drejta duhet të
shkojë në vend, në gjykatë dhe ne presim nga shteti të garantojë drejtësinë, jo
nga dhuna politike.”(Duke cituar letrën pohoj të drejtën ekskluzive të Top
Channel mbi të si pronësi mediatike e tij.)
Që
e drejta në rastin e vrasjes së Klodianit nuk do të shkojë në vend as në
gjykatë dhe që shteti nuk do të garantojë drejtësinë, këtë tashmë e kanë të
qartë edhe adoleshentët protestues dhe nuk e paskan të qartë personat madhorë
të familjes Rasha! Këtë e them duke u nisur që nga vepra penale me të cilën
është cilësuar vrasja: Neni 83 i Kodit Penal që përmban veprën penale “Vrasje
në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” Ky nen thotë: “Vrasja e kryer
në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dënohet me burgim gjer në
shtatë vjet.”
E
thënë qartë Prokuroria është tallur. Vetë polici vrasës ka thënë në dëshminë e
tij se ishte duke e ndjekur Klodian Rashën dhe, kur gjendej 20-25 metra larg
tij pa se ai i drejtoi diçka, që iu duk si armë. Në këtë moment polici u rrëzua
dhe shtiu me armë kundër viktimës.
Cili
prokuror në botë e beson këtë përrallë të trashë, përveç ndonjë prokurhorri
shqiptar? Që të qëndrojë version i policit vrasës duhet që Klodian Rasha të
ketë pasur aftësi psikokinetike që ndryshe quhen telekinetike. Kështu e kam
shkruar në shqip fjalën anglisht “psychokinesis” që ndryshe thuhet edhe
“telekinesis” dhe që ka kuptimin e aftësisë mbinatyrore të një personi për të
bërë të lëvizin objektet fizike me anë të forcës psikike të ushtruar nëpërmjet
vështrimit të tij. Ndryshe nuk mund të shpjegohet sesi polici u rrëzua kur
viktima u kthye nga ai. A mund të na thotë familja Rasha që ka besim te
Drejtësia nëse djali i saj kishte aftësi psikokinetike?
Sepse
që Klodian Rasha t’ i ketë drejtuar policit një send duhet të jetë kthyer
ballas me të. Por nëse ka ndodhur kështu, si shpjegohet që viktima i ka marrë
plumbat nga pas shpine? Merret vesh, polici gënjen dhe të njëjtën gjë bën edhe
polici tjetër i pranishëm, partneri i policit vrasës. Polici tjetër thotë se ai
pa nga njëqind metra larg se partneri i tij dhe viktima po përlesheshin mes
tyre dhe në këtë kohë dëgjoi të shtëna arme. Por polici tjetër çuditërisht nuk
pa nga dy metra afër gjakun e viktimës të shtrirë në tokë, pasi ishte qëlluar
me dy plumba. Dhe në ndërkohën që polici tjetër përshkonte njëqind metrat për
të shkuar në vendngjarje duhet të jenë bërë dy njolla të mëdha gjaku në tokë
nga dy plagët prej plumbi të viktimës. Është e qartë se edhe polici tjetër
gënjen.
Prokurori
dhe oficeri përkatës i policisë gjyqësore kanë bërë sikur nuk kanë parë shenjat
e dhunës fizike që kishte viktima përveç plagëve të plumbit. Këto shenja
provojnë keqtrajtimin e tij para se të qëllohej me armë nga polici. Për këtë
arsye, prokurori duhet ta kishte cilësuar ngjarjen sipas Nenit 79 të Kodit
Penal, si “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Ky nen në shkronjën “e” të
tij thotë se vrasja me dashje e kryer “në mënyrë të tillë që i shkakton mundime
të veçanta viktimës” dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me bugim të
përjetshëm.
Që
nga dita e ngjarjes dhe deri më sot kanë kaluar gjashtë ditë, kohë e
mjaftueshme kjo që prokuroria të lëshonte urdhër arresti për personat
përgjegjës në Policinë e Shtetit që kishin lejuar këta policë të dilnin në
patrullim pa videokamerë në trup. I pari që duhej të ishte arrestar është
komandanti i repartit “Shqiponja”. Bashkë me të duhej të ishte arrestuar
drejtuesi i qendrës operative me të cilën komunikojnë policët në patrullim dhe
që ka pranuar këtë praktikë kundër rregullores policore. Por prokurhorri i
çështjes e dinte mirë se nëse arrestoheshin këta dy oficerë policie atëherë ata
do të tregonin se mungesa e videokamerave ishte një praktikë që bëhej me urdhër
nga lart. Dhe atëherë do të duhej të
arrestohej Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Dhe
meqënëse kështu vërtetohej bashkëpunimi
kriminal Prokuroria duhet të niste një çështje penale për një grup të
strukturuar kriminal brenda Policisë së Shtetit, madje eventualisht për një
organizatë kriminale.
Dhe
kështu Prokuroria duhet të merrte të pandehur zinxhirin komandues të oficerëve
të Policisë së Shtetit duke iu ngarkuar veprën penale të parashikuar nga nenet
333/a dhe 334 të Kodit Penal. Sipas nenit 333/a “Krijimi, organizimi dhe
drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal dënohet nga tre deri në tetë vjet
burg.” Sipas nenit 334 të Kodit Penal, kryerja e veprës penale nga grupi i
strukturuar kriminal, kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim
ose burgim të përjetshëm dënohet me 25 vjet burgim ose me burgim të
përjetshëm.”
Në
këtë rast dispozita përkatëse referuese është neni 79 i Kodit Penal që e kam
përmendur më lart dhe që parashikon dënimin me 25 vjet burg ose burgim të
përjetshëm.
Dhe
kur Ardi Veliu të vihej para një dënimi të tillë ai do të kërkonte statusin e
të penduarit dhe do të dëshmonte se videokamerat nuk përdoreshin me porosi të
Ministrit të Punëve të Brendshme, çka do të bënte që edhe ky të vihej nën të
njëjtën akuzë. Dhe merret vesh se pastaj ky do të zbulonte se kjo shkelje
ligjore praktikohej me urdhër të kundërligjshëm të Kryeministrit Rama, të cilin
familja Rasha e priti në shtëpi si ngushëllues hipokrit, që në mbrëmje të mund
ta përdorte arkivolin e Klodianit si podium për të mbajtur fjalim. Në këtë
histori ka një vrasës që është polici Nevaldo Hajdaraj dhe një kryevrasës që
është Kryeministri Edi Rama.
Edhe
më tepër do të zbulohej nëse policit vrasës do t’ i bëhej një ekspertim
mjekësor i specializuar për të parë nëse në organizmin e tij ka prani të
lëndëve narkotike të posaçme që nxisin instinktet e dhunshme primitive që
flejnë në nënvetëdijen njerëzore. Vetëm kështu shpjegohet sjellja e tij e
pashpjegueshme, sipas Kryeministrit. Këto praktika narkotizuese përdoren në
Turqi ndaj policëve, xhandarëve dhe ushtarëve që veprojnë në zonat e banuara
nga kurdë ku njerëzit keqtrajtohen dhe shfarosen si insekte të dëmshme. Këto
praktika turke të “policimit në komunitet” i ka sjellë në Shqipëri Ardi Veliu i
shkolluar dhe i trainuar në Turqi për polic, si dhe grupi i oficerëve të
Policisë së Shtetit i shkolluar dhe trainuar në Turqi. Praktikat narkotizuese
eksperimentohen në Shqipëri ndaj grupeve të caktuara- pilot të policëve.
Ekspertimi mjekësor i policit vrasës do të zbulonte edhe këtë krim shtetëror.
Kjo
do të ishte drejtësia e vërtetë dhe e plotë për Klodian Rashën. Por “drejtësia”
do të kufizohet me dënimin e policit vrasës, e shumta me shtatë vjet burgim,
dënim nga i cili do t’ i falet gjysma pas tre viteve kur të jetë harruar
ngjarja, në një gjykim pa bujë.
Drejtori
i Policisë së Shtetit ka shkuar personalisht në mjediset e paraburgimit dhe e
ka takuar policin Nevaldo Hajdaraj të cilin e ka kërcënuar se nëse do të
kërkojë statusin e të penduarit dhe do të fajësojë eprorët, atëherë do të ketë
pasoja jetike.
Në
letrën e familjes Rasha dënohen protestat si të nxitura dhe organizuara nga
opozita, krejt sipas atyre që tha Rama në fjalimin e tij. Në letër thuhet:
“Politikanët t’ i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë popull me
lojërat e tyre dhe të mos i hedhin benzinë zjarrit për interesin e tyre.” (Duke
cituar letrën pohoj të drejtën ekskluzive të Top Channel mbi të si pronësi
mediatike e tij.)
Por
në letër nuk thuhet asgjë kundër ndezësit të zjarrit, pushtetit që vrau djalin
e familjes Rasha në një krim shtetëror. Asgjë nuk thuhet në letër për atë se
përse përgjegjësia e krimit është kufizuar vetëm te polici vrasës. Nuk thuhet
asgjë në letër për atë që Kryeministri Rama që premtoi drejtësi në familjen
Rasha nuk ka marrë asnjë masë për të zbuluar përgjegjësit për atë që policët
patrullues nuk kishin videokamera në trup. Dhe kjo është në kompetencën e
Kryeministrit sepse Policia e Shtetit varet prej tij.
Është
një ironi e zezë që, në letër praktikisht kërkohet arrestimi i politikanëve
opozitarë si përgjegjës për protestat e dhunshme, në një kohë që nuk thuhet
asgjë për arrestimin e zinxhirit përgjegjës të Policisë së Shtetit dhe
pushtetit, për atë që polici vrasës veproi sipas praktikës së xhandarëve turq
në zonat e populluara nga kurdët. Të gjitha këto të krijojnë dyshimin mëse të
arsyeshëm se familja Rasha nuk e do drejtësinë për djalin e vrarë. Këtu nuk
mund të mos bëhet pyetja se në këmbim të çfarë gjëje e mban familja Rasha këtë
qëndrim. Me një arkivol të mbushur me para, me sa duket.
Nëse
ka ndonjë letër që duhet të shkruajë familja Rasha, kjo është një letër që t’ i
drejtohet familjes së policit vrasës, duke i kërkuar që të dyja familjet të
bashkohen në përpjekjet e tyre për drejtësi, pasi në këtë histori ka dy djem të
rinj-viktima, Klodian Rasha dhe polici Nevaldo Hajdaraj. Ky i fundit i
përpunuar me lëndë narkotike të posaçme për t’ u shndërruar në përbindësh
policor.
Letra
e familjes Rasha, e publikuar në Top Channel dhe e ripublikuar gjerësisht nga
mediat proqeveritare, na bën të kuptojmë plotësisht natyrën e regjimit që është
instaluar në Shqipëri nga Edi Rama në vitin e tetë të pushtetit të tij. Kur një
qeveri arrin deri atje sa të blejë edhe familjet e viktimave të tij duke i bërë
të shprehen sipas fjalimit të kryevrasësit, mund të merret me mend se çfarë do
të bëjë në zgjedhjet duke blerë votën e votesve-viktima të keq-qeverisjes.
Letra
e familjes Rasha të kujton praktikën e juntave policoro-ushtarake të dikurshme
në Amerikën Latinë, që nxirrnin disa nga familjet e desaparecidos (njerëzve të
rrëmbyer dhe të zhdukur nga policia e juntës) për të thënë se njerëzit e tyre
ishin rrëmbyer nga kundërshtarët e regjimit, të cilët donin të shkaktonin
trazira. Në atë kohë këto praktika bëheshin sipas udhëzimeve të këshilltarëve
të CIA-s të pranishëm në këto vende. Sot CIA e ka pranuar si gabim të sajin
bashkëpunimin me juntant e tilla dhe ka kërkuar ndjesë për këtë. Provën për
këtë e keni në publikimet në faqen zyrtare online të CIA-s. Këtë gjë e dijnë
dhe në Ambasadën Amerikane në Tiranë, e di dhe shefi i stacionit të CIA-s në
Tiranë. Por kur lexon qëndrimin e djeshëm të Ambasadës Amerikane në Tiranë për
vrasjen e Klodian Rashës të krijohet dyshimi i arsyeshëm se praktika të tilla,
në mos udhëzohen mbështeten ende nga përfaqësuesit zyrtarë amerikanë në
Shqipëri. A mos duhet që të kalojnë 30 vjet që CIA të kërkojë falje edhe për
këto bëma të saj në Shqipëri, si për ato në Kilinin e Pinoçetit? E përse do të
shërbejë kjo atëherë?