Mendime
Florim Zeqa: Pasqyra reale e shtetit!
E enjte, 10.12.2020, 07:09 PM
Shkruan:
Florim Zeqa
Arsyeja
pse ne shqiptarët e kemi problem ta pranojmë realitetin politik ashtu siq
është, është se ne fillimisht nuk mund ta tejkalojmë veten, subjektin që i
takojmë, nuk arrijmë ta sfidojmë simpatinë dhe as urrejtjen kemi ndaj një
subjekti politik apo politikani të caktuar.
Nga
simpatia nuk i shohim gabimet e politikanëve që adhurojmë, nga urrejtja nuk i
pranojmë sukseset e kundërshtarëve politikë. Ky është defekti më i madhë dhe i
patejkalushëm i shumicës së shqiptarëve.
Në
një vend ku gënjeshtra dhe mashtrimi i politikanëve e sundojnë e vetëdijen e
qytetarëve, është e vështirë të ndodhin ndryshime dhe aq më pak të priten
rezultate pozitive.
Sundimtarëve
politik është duke i kontribuar jashtëzakonisht shumë edhe shkalla tepër e ulët
e zhvillimit ekonomik, e cila është duke ndikuar jashtëzakonisht negativisht në
ngritjen e vetëdijes qytetare.
Nuk
ka ku bjen më poshtë vetëdija qytetare, përderisa të votohen të njëjtat parti
politike dhe të njëjtit politikanë që ua bën jetën ferr, që ua thyen shpresat
dhe humbën dashurinë për vendin, e aq më keq, kur vota e qytetarit blihet me
shuma të vogla dhe të papëfillshme parashë nga kusarët politikë.
Qytetarët
e hipnotizuar nga kusarët politikë të shekullit 21, sikur i janë adaptuar jetës
në varfëri dhe varësi ekstreme nga ndihmat e mjerueshme sociale që marrin nga
buxheti i varfër i shtetit.
Edhe
pse në gjendje të mjerueshme sociale, fanatikët partiakë, të hipnotizuarit dhe
vartësit e kësaj skene politike, janë të gatshëm ta durojnë njëri-tjetrin për
çfarëdo lloj sharje apo ofendimi në baza familjare, por jo edhe kritikat
ndaj liderëve partiakë.
Qytetarët
e vendit tashmë janë mësuar të jetojnë duke numëruar aferat korruptive dhe
skandalet e politikanëve, por jo edhe sukseset e tyre, për shkak se ato
mungojnë dhe as që shihen në horizont.
Mediat
gjithnjë janë në pritje të lajmeve bombastike dhe janë në garë, se cila do të
jetë e para që përhapë lajmin për skandalet e pushtetarëve, për të rritur
shikueshmërinë dhe klikueshmërinë e portaleve.
Pas
çdo skandali, si gjithnjë televizionet janë në garë mes tyre, se cili do t'i
sjellë e para në studiot televizive akterët
e aferave korruptive dhe bartësit e skandaleve, përfituesit e dhjetra e
qindra miliona eurove nga buxheti i shtetit për ta dëshmuar
"pastërtinë" e tyre para qytetarëve të vendit, duke u bërë kështu
hallka e fundit që përfitojnë nga megaskandalet e orkestruara të skenës së
korruptuar politike.
Edhe
kur çdo gjë bëhet publike përmes mediave, prokuroria dhe gjykatat e larta të
shtetit mbyllin sy e vesh dhe heshtin, ndërsa avokatët fërkojnë duart dhe
presin në radhë për të mbrojtur të akuzuarit eventual për vjedhjen e buxhetit
të shtetit.
Kjo
është pasqyra reale e shtetit më të ri dhe më të izoluar, më të pasur me
resurse nëntokësore, por më të varfër në kontinentin evropian, me politikanët
më të pasur në rajon, por me skemat më të varfëra sociale në Ballkan, e shtetit
të vetëm në kontinentin evropian pa sigurime shëndetësore për qytetarët, anipse
e kemi nivelin më të lartë të sëmundjeve të rënda dhe kancerogjene në
kontinentin evropian.
Si
pasojë e keq-qeverisjes dhe hajnisë së organizuar në nivelet e larta
shtetërore, nepotizmit dhe korrupsionit endemik në të dy nivelet e qeverisjes,
qytetarët i kanë humbur shpresat për një të nesërme më të mirë në shtetin për
të cilin dhanë shumë dhe priten jashtëzakonishtë gjatë.
Liderëve
partiakë dhe politikanëve në përgjithësi nuk po ju intereson më zhvillimi
ekonomik i shtetit dhe as mirëqënja e qytetarëve, por vetëm pushteti dhe
privilegjet që ju sigurojnë pasurim të shpejtë, punësim të familjarëve dhe
militantëve partiakë nëpër institucione shtetërore, të cilët më pas i
shfrytëzojnë si mburojë për mbrojtjen e pushtetit nga kundërshtarët politik.