Mendime
Adil Fetahu: Kuptimi penalo-juridik i ''Ndërmarrjes së përbashkët kriminale''
E marte, 01.12.2020, 08:09 PM
KUPTIMI PENALO-JURIDIK I “NDËRMARRJES SË PËRBASHKËT KRIMINALE”
Nga Adil
FETAHU
Pas arrestimeve dhe dorëzimit në Gjykatën Speciale (të Kosovës,sic!) në
Hagë, të kreut të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep
Selimi, dhe ca ditë më heret Salih Mustafa, dhe më 26 nëntor 2020 pas
konfirmimit të aktakuzës kundër tyre nga gjykatësi i procedurës paraprake
(Nicolas Guillou) u pa se katër të akuzuarit, perveçse për vepra penale individuale, akuzohën
edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Kjo sintagmë është një konstruksion i ri në doktrinën
juridike, që u përdor nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në
gjykimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kreut
ushtarak, policor e paraushtarak të
Serbisë, të Bosnje-Hercegovinës dhe të Kroacisë. Po, ç’kuptim penalo-juridik ka
sintagma “ndërmarrje e përbashkët kriminale”?
Ndërmarrja e përbashkët kriminale nënkupton forma të bashkëkryerjes
sistematike dhe gjërësisht të përhapura të veprave penale (krimit), me këto
elemente: 1) që në kryrjen e krimit të kenë marrë pjesë më shumë ekzekutues; 2)
që ata individë në grup kanë synim dhe qëllim të përbashkët; 3) që synimi ose
qëllimi i përbashkët paraqet vepër penale (krim) të paraparë sipas ligjit, 4)
që kryesit e veçantë (individualisht) të veprave penale kanë qëllim të
përbashkët; 4) që i akuzuari konkret ndaj të cilit zhvillohet gjykimi, ka marrë
pjesë në atë ndërmarrje të përbashkët dhe ka “kontribuar” dukshëm në kryerjën e
krimit; 5) që personat të cilët kanë marrë pjesë në ndërmarrjen e përbashkët
kriminale duhet të identifikohen me ndonjë strukturë, emër, kategori apo grup
të cilit i përkasin (ushtarak, policor, paraushtarak, administrativ) apo
çfarëdo grupi tjetër të identifikueshëm.
Për t’u gjykuar një akuzuar për ndërmarrje të përbashkët kriminale, të
gjitha elementet e përmendura duhet të vërtetohën në mënyrë të sigurtë, me
prova të padyshimta. KJo nënkupton kategori të veprave penale të kryera në
mënyrë sistematike, në kuadër të një sitemi të organizuar dhe gjërësisht të përhapur të kryerjes së
veprave penale nga individët të cilët konsiderohen pjesëtarë të ndërmarrjes së
përbashkët kriminale, për një synim a qëllim të përbashkët.
“Kontributi” i secilit pjesëtar të ndërmarjes së përbahkët kriminale duhet
matet me veprimin e secilit që ka marrë pjesë në zbatimin e planit a qëllimit
të përbashkët. Ai “kontribut” duhet të jet i domosdoshëm apo i rëndësishëm për
arritjen e qëllimit. Ai “kontribut” vetvetiu mund të mos paraqet vepër penale (krim), dmth. nuk është
i inkiriminuar sipas ligjit. Për shembëll, një grup prej
3- 4 vetash janë marrë vesh për ta plaçkitë bankën. Në përbërje të
grupit ka edhe persona të armatosur, por përjashta i pret vozitësi i veturës
për qëllim të ikjes pas plaçkitjes. Vozitësi duke pritur pranë timonit, vet nuk
ka bërë vepër penale, por kontributi i tij në arritjën e qëllimit të plaçkitjes
së bankës është i rëndësishëm, bile i domosdoshëm, prandaj edhe ai do të
gjykohet për veprën që kanë kryer pjesëtarët e tjerë të grupit, për aq sa i ka
kontribuar krimit. Nëse plaçkitësit kanë vrarë rojën apo nëpunësin e bankës,
edhe vozitësi do të përgjiget si bashkëpjesëmarrës në vrasjen, ndonëse ky as e
ka parë as ka ditur gjë për
victimën. Por, është dashur ta dijë se
në raste të tilla ka rrezik vrasje të njerëzve.
Në rastin e të akuzuarëve të kreut të UÇK-së për ndërmarrje të përbashkët
kriminale, kryesi i veprës duhet të ketë qenë i njohur dhe të jetë pajtuar me qëllimin
dhe sistemin e caktuar të malteretimit, torturës, vrasjes, burgosjes së paligjshme, dhe me
vetëdije ka marrë pjesë apo i ka kontribuar realizimit të qëllimit të
përbashkët. Kjo shprehje e ky koncept
penalo-juridik shfrytëzohet për të përfshirë forma të ndryshme të
bashkëveprimit dhe bashkëpjesëmarrjes në nxitjen, ndihmën dhe kryerjen e
veprave penale, pa marrë parasysh raportin
e drejtpërdrejt subjektiv të
individit ndaj krimit të kryer. Sipas këtij parimi, përgjegjësia penale e
individëve në veprat penale kolektive mund t’i ngarkohet individit në bazë të
parimit të përgjegjësisë objektive. Ithtarët e këtij parimi konsiderojnë se ky
është një satisfaksion moral në fushën e të drejtës ndërkombëtare, që kushdo që
ka marrë pjesë, në çfarëdo forme, në kryerjen e veprës penale, të mos
mbetet pa u ndëshkuar. Këtë konstruksion
penalo-juridik e përdori prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë,
Xhefri Najs, në aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit dhe grupit nga kreu
politik, ushtarak, policor dhe paraushtarak të Serbisë, për krimet e kryera
kundër popullit shqiptar në Kosovë. Në bazë të këtij koncepti janë gjykuar të
akuzuarit nga grupi Millosheviq, por edhe shumë të akuzuar tjerë për krimet e
kryera në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci.
Në ndërmarrjen e përbashkët kriminale ndonjëherë, apo edhe shpeshherë, mund
të vjen deri te tejkalimi i qëllimit të caktuar. Sikur në rastin e përmendur më
sipër të plaçkitjes së bankës: plaçkitësit nuk kanë pasur për qëllim të vrasin rojën apo
nëpunësin e bankës, por situata është krijuar ashtu dhe plaçkitësit e kanë
tejkaluar qëllimin. Secili pjesëtar i grupit do të përgjigjet edhe për vrasjen,
nëse gjykata vërteton se ka qenë i vetëdijshëm për rrezikun e kryerjes së
krimit të vrasjes.
Kodi Penal i Kosovës
Këtë koncept të përgjegjësisë objektive e parashohin shumica e ligjeve
penale të shteteve të ndryshme. Edhe Kodi Penal i Kosovës, e parasheh këtë
koncept, vetëmse me terma tjera (bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale) dhe
në formë më të drejpërdrejt të përgjegjësisë individuale ndaj veprës së kryer.
Me qenë se Kodi Penal i Kosovës është miratuar në vitin 2012, konceptin e
bashkëkryerjes së veprave penale e ka përpunuar më hollësisht, duke pasur
parasysh konceptin e “Ndërmarrjes së
përbashkët kriminale”të aplikuar në proceset gjyqësore të Tribunalit
Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Neni 35 i Kodit Penal të Kosovës është
krejtësisht në atë frymë. Por të shohim edhe dispozitat tjera që i referohen
dhe sanksionojnë bashkëpunimin në kryerjen e veprave penale.
Neni 31 (Bashkëkryerja): Nëse dy apo
më shumë persona sëbashku kryejnë veprën penale duke marrë pjesë në kryerjen e
veprës penale ose thelbësisht duke i kontribuar kryerjes së saj në ndonjë
mënyrë tjetër, secili prej tyre është përgjegjës dhe dënohet me dënimin e
paraparë për vepër penale.
Neni 32 (Shtytja): 1) Kushdo që
me dashje e shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale dënohet sikurse ta
kishte kryer vet atë vepër penale nëse vepra penale është kryer. 2) Kushdo që
me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale dënohet sikur ta kishte
kryer vet atë vepër penale nëse vepra penale është tentuar por nuk është kryer.
3) Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të
dënueshme me së paku pesë vjet burgim dhe vepra penale as që është tentuar,
shtytësi dënohet për tentativë.
Neni 33 (Ndihma): 1) Kushdo që me dashje ndihmon
personin tjetër për kryerjen e veprës penale dënohet me denim më të butë (!).
2) Ndihma për të kryer një vepër penale përfshinë, por nuk kufizohet në dhënien
e ndihmës ose udhëzimeve se si të kryhet vepra penale; vënien në dispozicion të
mjeteve për kryerjen e veprës penale; krijimin e kushteve ose mënjanimin
pengesave për kryerjen e veprës penale; ose
premtimi paraprak se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale,
kryesin apo identitetin e kryesit, mjetet e përdorura për kryerjen e veprës
penale ose përfitimet që rrjedhin nga kryerja e veprës penale.
Neni 34 (Bashkimi kriminal): 1) Kushdo që shprehimisht apo në mënyrë të
heshtur merret vesh me një apo me më shumë pesona për të kryer ose për të
nxitur kryerjen e një vepre penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim dhe
ndërmerr veprime përatitore për realizimin e marrëveshjes së tillë, dënohet me
dënimin e paraparpë për atë vepër penale. 2) Gjykata mund ta zbusë dënimin ose
ta lirojë nga dënimi personin i cili është penalisht përgjegjës sipas
paragrafit 1 të këtij neni, nëse personi i tillë:
2:1. vullnetarisht heq
dorë nga marrëveshja,
2.2. vullnetarisht
ndërmerr veprime për parandalimin e ekzistencës së vazhdueshme të bashkimit
kriminal ose të kryerjes së veprës penale në pajtim me qëllimet e saj, ose
2.3: vullnetarisht ia
zbulon policisë njohuritë e marrëveshjes në kohën kur vepra penale e
planifikuar akoma mund të parandalohet.
Neni 35 (Marrëshja për të kryer vepër penale): 1) Kushdo që
merret vesh me një apo me më shumë persona për të kryer vepër penale dhe një
apo më shumë nga ata persona ndërmerr çfarëdo veprimi të rëndësishëm për
kryerjën e veprës penale dënohet me dënimin e paraparë për atë vepër penale. 2)
Për qëllim të këtij neni, shprehja:”veprim
i rëndësishëm drejt kryerjes së veprës penale” nuk duhet të jetë
veprim penal por duhet të jetë hap i rëndësishëm përgatitor drejt kryerjes së
veprës penale të cilën pesonat janë pajtuar që ta kryejnë.
Neni 36 (Kufijtë e përgjegjësisë penale dhe ndëshkimit
për bashkëpunim): 1) Bashkëkryesi është penalisht përgjegjës brenda
kufijve të dashjes apo të pakujdesisë së vet. 2) personi i cili shtytë ose
ndimon në kryerjen e veprës penale është penalisht përgjegjës brenda kufijve të
dashjës së tij. 3) Rrethanat personale, përfshirë marrëdhëniet dhe cilësitë të
cilat mund të rezultojnë në përjashtimin nga përgjegjësia penale, lirimin nga
dënimi, ekzistimin e formave të
rënda apo të lehta të veprës penale ose
që ndikojnë në përcaktimin e dënimit, mund të merren parasysh vetëm ndaj
personit për të cilin vlejnë. Nëse rrethanat personale të cilat ndërlidhen me
kryesin kanë ndikim në zbutjen ose ashpërsimin e dënimit dhe këto rrethana
përbëjnë elemente të veprës penale, bashkëkryesi, shtytësi ose ndihmësi është përgjegjës për dënimin e paraparë për
vepër penale kur ai ka ditur për këtë
rrethanë, edhe nëse nuk ka pasur lidhshmëri me të.
Ligji për dhomat e specializuara dheZrën eprokurorit të
specializuar (gusht 2015),
ndër të tjera, ka përcaktuar (neni 3) se: Dhomat e specializara janë pjesë
përbërëse e çdo niveli të sistemit të gjykatave në Kosovës… dhe se ato gjykojnë
dhe funksionojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës ë Kosovës, me këtë
Ligj si lex specialis, me dispozitat e tjera të ligjeve të Kosovës të përfshira
shprehimisht në këtë ligj dhe të zbatuara na ky ligj, të drejtën zakonore
ndërkombëtare së cilës i është dhënë përparësi kundrejt ligjeve vendore me
nenin 19 (2) të Kushtetutës, të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
që përcakton standardet e drejtësisë penale, përfshirë Konventën Evropiane për
të Drejtat dhe LiritëTthemelore të Njeriut dhe Marrëveshjën Ndërkombëtare për
të Drejtat Civile dhe Politike, të cilave iu është dhënë përparësi kundrejt
ligjeve vendore me nenin 22 të Kushtetutës…. Në nenin 12 të Ligjit në
fjalë, është përcaktuar se Dhomat e Specializuara zbatojnë të drejtën
zakonore ndërkombëtare dhe ligjin penal materal të zbatueshëm në Kosovë
përderisa ai është në përputhje me të drejtën zakonore ndërkombëtare, që ka
qenë e zbatueshme në kohën kur janë kryer krimet, në pajtim me nenin 7(2) të
Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut dhe nenin 15
(2) të Marrëveshjës Ndërkomëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, të
përfshira dhe të mbrojtura me nenin 19(2), 22(2), 22(3) dhe 33(1) të
Kushtetutës. Në vazhdim Ligji për Gjykatën Speciale , në gjashtë faqe
teksti të dendur i radhitë llojet e krimeve kundër njerëzimit sipas të drejtës
ndërkombëtare (neni 13); krimet e luftës sipas të drejtës ndërkombëtare (neni
14); krimet e tjera sipas të drejtës së Kosovës neni 15). Në nenin 16, sipas të
cilit përcaktohet përgjegjësia penale individuale, për krimet nga e drejta
ndërkombëtare nga nenet 13 e 14), thuhet:
personi i cili ka planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose në ndonjë
mënyrë tjetër ka ndhimuar dhe ka dhënë mbështetje për planifikimin, përgatitjen
ose ekzekutimin e këtij krimi, mbanë përgjegjësi individuale për krimin.
Pozita zyrtare e të akuzuarit, qoftë si kryetar i shtetit, kryeministër apo
zyrtar i qeverisë, nuk e liron këtë person nga përgjegjësia penale, as nuk ia zbutë dënimin.
Fakti që ndonjë prej veprimeve ose mosveprimeve është kryer nga një vartës
nuk e liron eprorin e tij nga përgjegjësia penale, në rast se ai e ka ditur apo
ka pasur arsye ta dijë se vartësi kishte ndërmend t’i kryente ato veprime ose i
kishte kryer dhe eprori nuk ndërmori masa të nevojshme dhe të arsyeshme për t’i
parandaluar ato veprime, ose për t’i dënuar kryerësit e tyre.
Fakti që i akuzuar ka vepruar në zbatim të urdhërit të qevrisë ose të
eprorit, nuk e liron atë nga përgjegjësia penale, por mund të merret parasysh
në zbutjen e dënimit në rast se Dhomat e Specializuara përcaktojnë se këtë e
kërkon drejtësia.
* * *
Ndërmarrja e përbashkët kriminale, si koncept i ripenalo-juridik, jotradicional dhe fleksibil, është aplikuar
nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë. Teoricenë dhe ekspertë të së
drejtës penale thonë se Tribunali nuk ka pasur bazën e vlefshme ligjore për ta
aplikuar këtë koncept, sepse në Statutin e Tribunalit nuk përmendet në mënyrë
eks;licite ky koncept. Kritikët e këtij koncepti thonë se, gjykata duke mos
mund të argumentojë elementet subjektive të përgjegjësisë, i ngarkon me përgjegjësi objektive kolektive, gjë që është në
kundërshtim me parimin e prezumimit të pafajsisë, që është themel i të drejtës
penale.
Ky institut juridik është zbatuar pastaj edhe në dy gjykata tjera
ndërkombëtae: në Gjkatën Ndërkombëtare
në Ruanda dhe në Gjykatën Speciale për Siera Leone..
Kritikët e këtij koncepti thonë se kjo “përgjegjësi kolektive” paraqet
sfidë ndaj parimit tradicioal të të drejtës penale që ka të bëjë me
përgjegjësinë individuale. Zbatimi i gjërë i konceptit të ndërmarrjes së
përbashkët kriminale, jep shijen e
ndikimit të politikës në punën e gjykatave.
Vlenë të përmendim këtu se Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe me një
vendim të vetin (2016) e ka hequr konceptin e ndërmarrjes së përbashkët
kriminale nga zbatimi në praktikën gjyqësore të atij shteti, me arsyetim se është zbatuar gabimisht kur është
fjala mbi përgjegjësinë për vepra penale kolektive, në atë masë sa që tentohet
në kitere objektive. Vendimin e vet gjykata e aryseton me faktin, se duhet të
merret në konsiderim elementi subjektiv i qëllimit të bashkëpesëmarrësit,
sikurse për kryesin e drejtpërdrejtë të veprës penale.
Gjykata Speciale e Kosovës (sic!) në Hagë, në aktakuzat e ngritura deri më
tash, e ka përfshirë dhe elaboruar në shumë pika konceptin e ndërmarrjes së
përbashkët kriminale, duke u thirrur kryekput në praktikën gjyqësore të
Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Se sa do të zbatojë drejtësinë në
gjykimin e të akuzuarëve të kreut të UÇK-së, do të mbetet të shihet.
Heqja nga praktika gjyqësore e konceptit të ndërmarrjes së përbashkët
kriminale, në sistemin gjyqësor të shtetit me sistemin më të zhvilluar në botë,
siç është sistemi i Britanisë së Madhe, është një argument shtesë për mbrojtjen
e të akuzuarëve në Gjykatën Speciale të Kosovës (sic!), që ta kontestojnë
akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Të shpresojmë se drejtësia do të bazohet vetëm në të vërtetën dhe e
vërteta në drejtësi, e nuk do të
ndikohet nga qëllime, presione apo imponime politike nga jashtë.