Mendime
Eshref Ymeri: Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes
E marte, 01.12.2020, 08:05 PM
Institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes
Si ka mundësi?
“Mosmirënjohja njerëzore nuk njeh kufi” - García Márquez
Nga Prof.
Dr. Eshref Ymeri
E shtrova këtë pyetje si nëntitull për disa arsye që do
t’i parashtroj në vijim.
Si ka mundësi që shumë personalitete të shquara nga
radhët e dijetarëve perëndimorë kanë pasë qenë radhitur në krahun e së vërtetës
historike dhe shkencore lidhur me lashtësinë e gjuhës shqipe dhe shteti
shqiptar i Tiranës s’e ka vënë absolutisht ujët në zjarr për t’i kujtuar dhe
nderuar ashtu siç e meritojnë?
Ata dijetarë janë të
shumtë, por këtu dëshiroj të përmend emrat e vetëm katër prej tyre: një i periudhës së lashtësisë, një
i periudhës në kapërcyell të mesjetës dhe dy të kohëve mederne, të shek XX.
I pari i përket
lashtësisë romake të periudhës paskristiane. Ky është Plini Plaku (23-79 e.r.).
Në vëll. VI, të veprës së tij me titull “Naturalis Historia”, f. 95, e
cila përbëhet prej 37 vëllimesh dhe është botuar në vitin 77, ai ka shkruar se
romakët e patën marrë alfabetin nga pellazgët.
I dyti i përket
periudhës së pasmesjetës evropiane. Është fjala për dijetarin e shquar gjerman Lejbnicin
(Gottfried Wilhelm Leibniz - 1646 - 1716), i cili ka thënë se në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe,
duhet t'i drejtohemi gjuhës shqipe.
E treta është
përkthyesja dhe albanologia e shquar bavareze Marie Amelie Julie Anna,
Baronesha von Godin (1882-1956), e cila jetën e vet ia pati kushtuar
historisë dhe kulturës shqiptare, të pasqyruar në 20 veprat e botuara.
I katërti është Prof.
Horald Whitehall (1905-1986), profesor i linguistikës anglo-gjermane në
Universitetin Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej vitit 1951 deri
në vitin 1986. Ky profesor i njohur ka
shkruar:
“Shqipja është dega
më e vjetër e trungut të familjes së gjuhëve indoevropiane. Si e tillë, ajo nuk
është degëzuar më tutje, por ka mbetur si gjuhë e parë dhe e vetmuar”.
Si ka mundësi që shteti shqiptar i Tiranës të heshtë për
të vërtetën historike që thuhet në Enciklopedinë e Madhe Greke:
“Stërgjyshët e
shqiptarëve të sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në
pjesën më të madhe të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim
shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë” (Citohet
sipas: “Enciklopedia e Madhe Greke”. vëll. 19, f. 873).
Shteti shqiptar i
Tiranës, përmes Presidencës, duhet t’i shprehte mirënjohjen më të thellë
Redaksisë së Enciklopedisë së Madhe Greke dhe ta vlerësonte me një Çmim të
lartë, kurse Akademia e Shkencave duhet t’i shpallte anëtarë nderi anëtarët e
asaj Redaksie. Por, fatkeqësisht, këtë të vërtetë të shenjtëruar, të botuar në
Enciklopedinë e Madhe Greke, edhe shteti shqiptar i Tiranës, edhe Akademia e
Shkencave e kanë anashkaluar, duke harruar qëllimisht që Redaksia e asaj
Enciklopedie ka dalë kundër qëndrimeve shoviniste që janë mbajtur dhe vazhdojnë
të mbahen në Greqi për prejardhjen e shqiptarëve. Shteti shqiptar i Tiranës nuk
mund të mos e anashkalonte të vërtetën historike dhe shkencore të Enciklopedisë
së Madhe Greke, sepse rrënjët e servilizmit të tij ndaj Greqisë zënë fill që në
periudhën e diktaturës komuniste, kur kryediktatori Enver Hoxha, duke ulur keq,
deri në vetëposhtërim, autoritetin e vendit tonë, pati kërkuar me ngulm
vendosjen e marrëdhënive diplomatike me Athinën, pa këmbëngulur fillimisht për
shfuqizimin prej saj të ligjit paradoksal të luftës, i cili vazhdon të jetë në
fuqi edhe në ditët tona, si edhe duke lënë krejtësisht në harresë gjenocidin e
egër të shtetit kriminal grek kundër Çamërisë. Shteti shqiptar i Tiranës pas
vitit 1990, po ashtu, nuk mund të mos e anashkalonte atë të vërtetë, sepse
servilizmin politik ndaj Greqisë, të trashëguar nga periudha e diktaturës
komuniste, e përsosi edhe më tej, duke e ngritur deri në nivelin e filozofisë
së nënshtrimit politik ndaj Athinës. Akademia e Shkencave nuk mund të mos e
anashkalonte atë të vërtetë, sepse ajo nuk ka qenë kurrë kështjellë e mbrojtjes
së të vërtetave historike dhe shkencore për prejardhjen e shqiptarëve, ajo ka
qenë dhe vazhdon të mbetet një ngrehinë pa identitet,. e vënë kokë e këmbë në
shërbim të servilizmit të kastës politike të Tiranës në marrëdhëniet me
grekoserbizmin. Prandaj ajo akademi nuk e ka ngritur kurrë zërin kundër shtetit
të Tiranës, i cili kaloi në Kuvend ligjin antikombëtar për ekzistencën e 9
minoriteteve në Shqipëri, ndërkohë që lejoi të hidhet në qarkullim një vepër
antishkencore, ku deklarohet se 93% e fjalëve të gjuhës shqipe na qenkan të
huazuara! Pra, politika antikombëtare e shtetit të Tiranës bashkëpunon ngushtë
me antishkencën e Akademisë së Shkencave për vënien në jetë të strategjisë së
kahershme të grekoserbizmit, sipas të cilit shqiptarët “nuk janë rrënjës” në
trojet e tyre etnike, sepse “nuk ekziston” një komb shqiptar, por “ekziston një
bashkësi nacionalitetesh”, “nuk ekziston gjuha shqipe”, por “ekziston një gjuhë
me fjalë të grabitura nga gjuhët e tjera”. Ky qëndrim antikombëtar i kastës
politike të Tiranës dhe i Akademisë së Shkencave, vjen në sinkroni të plotë me
raportin e politikanit zviceran Dik Marti (Dick Marty - 1945) kundër
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raport ky, i cili ishte i
mbushur me mashtrime, me shprehje raciste për shqiptarët, si shoqëri fisnore,
se shqiptarët nuk janë komb.
Domosdo, s’mund të
ndodhë ndryshe. Politika antikombëtare e Kuvendit të Shqipërisë për 9
minoritetet dhe antishkenca e Akademisë së Shkencave kundër gjuhës shqipe,
flasin me një zë për shkombëtarizimin e shqiptarëve, se në krye të Kuvendit dhe
në krye të Akademisë janë dy mbeturina të diktaturës komuniste, të emëruara nga
kryeministri, i cili vetë, po ashtu, është një mbeturinë e diktaturës
komuniste.
Si ka mundësi që historiani grek Kostandinos Pangalis ka
deklaruar që helenët e dikurshëm janë shqiptarët e sotëm dhe shteti shqiptar i
Tiranës e ka kaluar në heshtje deklaratën e tij?
Si ka mundësi që
historiani grek Dhimitri Bethanis ka deklaruar publikisht se ilirët janë popull
i lashtë dhe shqipja është më e vjetër se latinishtja dhe shteti shqiptar i
Tiranës e ka kaluar në heshtje deklaratën e tij?
Si ka mundësi që,
ashtu si edhe historiania e talentuar shqiptare Elena Kocaqi, historiania greke
Maria Efthimiou, profesore e historisë në Universitetin e Athinës, ka deklaruar
publikisht se Greqia ishte shqiptare, edhe
sot gjysma janë shqiptarë, dhe shteti shqiptar i Tiranës e ka kaluar në
heshtje deklaratën e saj?
Si ka mundësi që
legjenda e kinematografisë botërore Irene Papas (1926) ka deklaruar publikisht
se nuk mund të largohet nga
kjo botë e të mos thoshte të vërtetën se ishte shqiptare, se nëna e saj ishte
nga Epiri dhe babai nga Shqipëria, se ai kishte qenë mësues letërsie dhe
urrente priftërinjtë grekë, dhe Tirana zyrtare e ka kaluar në heshtje
deklaratën e saj? Këtë ikonë të artit
kinematografik botëror e rriti, e edukoi dhe e pajisi me kulturë të gjerë
Greqia. Megjithatë, ndaj deklaratës së kësaj artisteje të shquar, për të
vërtetën historike që ajo mbron, a nuk duhej të kishte një reagim me nota të
theksuara mirënjohjeje nga ana e shtetit shqiptar të Tiranës?
Si ka mundësi që
Profesori Sinadinovski ka deklaruar publikisht se janë 100 mijë shqiptarë
ortodoksë në Maqedoninë Veriore, të cilëve shteti shovinist maqedonas nuk i
lejon të kenë kishën e tyre, se mumjet politike shqiptare në Shkup janë të
vdekura dhe të pakallura, dhe shteti shqiptar i Tiranës e ka kaluar në heshtje
deklaratën e tij?
Si ka mundësi që
shteti shqiptar i Tiranës të manifestojë një mosmirënjohje aq skandaloze ndaj
gazetarit të shquar grek Takis Michas (1948), i cili jeton në Athinë, ku
punon për gazetën e përditshme “Eleftherotypia” dhe vazhdon të japë
kontributin e vet për “The Wall Street Journal Europe”.
Ky gazetar me personalitet të lartë intelektual dhe profesional, ka pasë
shkruar gjerësisht për ndërhyrjen greke në Bosnjë dhe veçanërisht në masakrën e
Srebrenicës. Falë ndershmërisë shembullore në mbrojtjen e së vërtetës dhe
objektivitetit të tij profesional në qëndrimin ndaj krimeve që shovinizmi i
egër grek, në bashkëpunim të ngushtë me kishën shoviniste greke, pati kryer
kundër vëllezërve tanë çamë, ai ka shkruar:
“Le të imagjinojmë
se Kryeministri i Shqipërisë erdhi në Athinë për të lypur kredi. Pak para se të
largohej nga vendi, fton gazetarët dhe shpall se ai do të ngrejë çështjen e
kompensimit për pronat e çamëve në Thesproti/Çamëri dhe për krimet
kundër popullatës civile dhe largimit të dhunshëm të tyre nga Greqia. Nuk do ta
karakterizonim këtë akt si “skandaloz”? Nuk do të ishte konsideruar ky si një
“provokim” ndaj Greqisë? Nuk do të mendonim se një veprim i tillë, në thelb, i
hedh dinamit tërë status-kuosë së pasluftës ballkanike dhe hap kutinë e
Pandorës për çdolloj kërkesash?” (Citohet sipas: Takis Michas. “Qeverisw greke: si do të dëshironit t’u kërkohej nga
shteti shqiptar dëmshpërblim për gjenocidin çam?”. Faqja e internetit e
gazetës “Dielli”. 27 mars 2015).
Gazetari Takis
Michas ka dashur të ngjallë vetëdijen kombëtare të kryeministrit shqiptar,
për ta vënë shtetin kriminal grek para përgjegjësisë jurdike, për gjenocidin e
rëndë që pati kryer në Çamëri. Por pati trokitur në derë të shurdhit, sepse
Çështja Kombëtare Shqiptare e Çamërisë dhe krimet barbare të grekoserbizmit
kundër kombit shqiptar, janë një problem i mbyllur për kryeministrin shqiptar
për shkak të tradhtisë së kastës politike shqiptare.
Si ka mundësi të
kalohet në heshtje nga shteti shqiptar i Tiranës kontributi i jashtëzakonshëm i personalitetit amerikan David L. Phillips,
drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në
Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Kolumbia në
Nju York, njëherësh njohës i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit
Perëndimor, i cili ka botuar sa e sa
materiale në mbrojtje të shteti të Kosovës dhe përgjithësisht të shqiptarëve?
Si ka mundësi që
shteti shqiptar i Tiranës ta kalojë në heshtje figurën shumë të nderuar të
Kryetarit të Lidhjes Qyetare Shqiptaro-Amerikane Zhozef DioGuardi (Joseph
DioGuardi - 1940), i cili, që prej më shumë se 30 vjetësh, ka dhënë dhe vazhdon
të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të Kosovës në veçanti dhe
të mbarë kombit shqiptar në tërësi, aq më tepër kur më 20 shtator ai festoi
80-vjetorin e lindjes? Meriton falënderimin më të përzemërt shkrimtarja dhe
publicistja e shquar e formatit nacionalist, zonja Vilhelme Vranari Haxhiraj, e
cila emrin e nderuar të Zhozef Dioguardit e ka përfshirë në librin e saj me
titull “Elitat e Mohuara... Krenari Kombëtare”, të botuar në vitin 2019,
në të cilin ka pasqyruar gjerësisht veprimtarinë e çmuar të këtij personaliteti
të shquar me prejardhje shqiptare. Ajo shkruan:
“Është fat i madh që
kemi përkrahjen e Joseph DioGuardit, një personalitet me gjene shqiptare, i
cili, me vullnet, e bëri Çështjen Kombëtare Shqiptare më të dëgjuarën në
Amerikë e në botë dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro Amerikane një organizatë të
pavarur, me vlera kombëtare në të mirën e shqiptarisë. Me të drejtë ne
krenohemi për një potencial intelektual dhe një individualitet të tillë
diplomatik e politik me përmasa botërore”.
Duhet falënderuar përzemërsisht gazetarja e shquar e
formatit nacionalist, zonja Elida Buçpapaj, e cila, në një analizë me titull “Skënderbeu i sodit Joe DioGuardi
mbushi tetëdhjetë, ndërsa Komuniteti shqiptar në SHBA, për turp, fjetë”, të botuar më 22 shtator 2020, në
portalin “Voal”që ajo drejton bashkë me Skënderin, i ka bërë një Homazh
të shkëlqyer personalitetit emblematik Joe Dioguardit. Ajo thekson:
“Nuk ka asnjë
shqiptar që t’i jetë përkushtuar çështjes shqiptare, që të ketë luftuar për
liritë e të drejtat e njeriut dhe lirinë e shqiptarëve, që të ketë denoncuar
krimet serbe të kohës të Milosheviçit, segregacionin antishqiptar në Maqedoni,
që të jetë angazhuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi; nuk
ka burrë shteti shqiptar si Joe DioGuardi që t’i ketë ndjekur shqiptarët hap
pas hapi, nga koha e pushtimit dhe respresionit, konflikteve deri tek
sendërtimi i demokracisë dhe lirive me standard perëndimor!”
Komuniteti shqiptar
në Shtetet e Bashkuara nuk mund të mos rrinte fjetë në qëndrimin indiferent
ndaj 80-vjetorit të lindjes së Joe DioGuardit, sepse, si i përçarë që është tradicionalisht,
ai ndjek shembullin e përçarjes së kastës politike në Tiranë dhe në Prishtinë,
e cila, për turpin e saj, as që e vuri ujët në zjarr për ta vlerësuar lart
figurën e tij të nderuar me rastin e këtij përvjetori të shënuar. Komuniteti
shqiptar vazhdon përçarjen e vet tradicionale, të cilën e pati nxjerrë në pah
bashkëkohësi i nderuar i Fan Nolit, Kosta Çekrezi, në librin me titull “Plani
i tretë i copëtimit të Shqipërisë”, të botuar në Vashington në vitin 1951.
Edhe më e çuditshme
është mosmirënjohja e shtetit të Tiranës dhe e Akademisë së Shkencave ndaj
dijetarëve të tillë, si Niko Stillo, shqiptar ordodos nga trojet shqiptare të
Çamërisë, shqiptaro-francezi Mathieu Aref, Aristidh Kola, Agron Dalipaj,
Luftulla dhe Liliana Peza etj., të cilët kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm
në fushën e hulumtimit të lashtësisë së kombit shquptar dhe të gjuhës shqipe
Kjo heshtje e
mumifikuar e kastës politike shqiptare dhe kryesisht e Presidencës shqiptare të
Tiranës, është me të vërtetë sa e çuditshme, aq edhe e pahijshme dhe madje e
turpshme. Një heshtje e tillë dëshmon më së miri se kasta politike shqiptare,
në atë masë që është krejtësisht mosmirënjohëse ndaj personaliteteve akademike
botërore, të cilat, që në shekujt e kaluar dhe deri në ditët tona, kanë mbrojtur
dhe mbrojnë publikisht të vërtetën shkencore për lashtësinë e kombit shqiptar
dhe të gjuhës shqipe, po në atë masë është servile dhe mercenare e pështirë në
shërbim të grekoserbizmit dhe të brukselizmit..
Servilizmi dhe mercenarizmi i kastës politike shqiptare
para grekoserbizmit dhe brukselizmit , ia kanë ulur keq autoritetin mbarë
kombit shqiptar.
Meri Sheli (Mary Shelley - 1797-1851), shkrimtare angleze, në romanin
e vet fantastiko-shkencor, me titull “Njeriu i fundit” (The last man), të
botuar në vitin 1826, ka një aforizëm me domethënie shumë të thellë:
“Kushdo që punon për
njerëzit, shpeshherë vëren sesi nga fara që ai mbjell, mbin dhe rritet
mosmirënjohja, e plehëruar nga vesi dhe marrëzia”.
Shteti i Tiranës nuk
mund t’i falënderonte dhe t’i nderonte publikisht personalitet e
lartpërmendura, sepse ai, qoftë dje në diktaturë, qoftë sot në kushtet e
demoshëmtisë dhjetoriste, nuk e njeh absolutisht institucionin e mirënjohjes.
Sepse t’i shprehësh mirënjohjen dikujt për nderin që të ka bërë, do të thotë të
nderosh veten tënde për vlerat e larta morale që të karakterizojnë. Por kasta
politike shqiptare e Tiranës, e zhveshur nga këto vlera të larta morale, është
dalluar për servilizmin e pështirë para grekoserbizmit dhe gjatë këtyre tridhjetë
vjetëve edhe para brukselizmit, prandaj është e paaftë ta nderojë vetveten. Si
servile e tillë, ajo, që në kohën e diktaturës komuniste, ka pasë vlerësuar
lartë armiqtë e kombit shqiptar, si Josif Broz Titon. Kështu, në
faqen e parë të librit të këndimit të shkollave tona në vitet 1946-1947, pas
një fotoje të madhe me ngjyra të Titos, me propozim dhe miratim të
kryediktatorit Enver Hoxha, shkruhej:
“Tito luftëtar, Tito Çlirimtar,
Tito Shpëtimtar i Popullit Tonë!”.
Po ashtu, kryediktatori Enver Hoxha, dikur pati dhënë
porosi që, në qendër të Tiranës, të ngrihej shtatorja e Stalinit, i cili e ka
pasë deklaruar hapur qëndrimin e vet
krejtësisht shpërfillës, deri në fyerje, ndaj
Shqipërisë, shtatore që qëndroi në atë shesh deri në vitin 1968 dhe mandej u
zhvendos në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë shtatores së
Leninit. Për më tepër, një bulevardi kryesor të Tiranës, me porosi të
kryediktatorit, iu vu emri i Stalinit. Kryediktatorit, si servil i regjur i
grekoserbizmit, s’mund t’i bënte përshtypje fakti që, në një takim që pati në
Moskë më 10 shkurt 1948 me një delegacion jugosllav, të kryesuar nga Eduard
Kardeli, që kishte në përbërje edhe Milovan Gjilasin, Stalini pati deklaruar
shkoqur fare:
“Ne nuk kemi
kurrfarë interesash të veçanta në Shqipëri. Ne pajtohemi që Jugosllavia ta
gëlltisë Shqipërinë”!
Një deklaratë tipike kjo për natyrën shoviniste
rusocariste, e cila qe manifestuar tradicionalisht dhe vazhdon të manifestohet
edhe në ditët tona në qëndrimin shovinist të politikës
ruse ndaj etnive të tjera joruse.
Traditën e servilizmit të diktaturës komuniste
enverhoxhiste ndaj grekoserbizmit për nderimin e armiqve të kombit shqiptar,
kasta politike e Tiranës e pasuroi edhe më shumë me filozofinë e nënshtrimit
ndaj Greqisë, duke lejuar që kisha ortodokse shqiptare, dikur e pavarur, e
themeluar nga Noli i Madh, me mbështetjen e fuqishme të mbretit Zog, të
shndërrohet në një filial të kishës shoviniste greke, të konkretizuar me
ardhjen në krye të saj të priftit grek Janullatos. Që Shqipëria nuk ka më kishë
të pavarur ortodokse, por ka një kishë të pushtuar krejtësisht nga Greqia, këtë
e pranon vetë historiani grek Nikolas Stavros, i cili ka deklaruar publikisht:
“Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e
madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”.
Në këtë mënyrë, kasta politike neokomuiniste e Tiranës
shkeli mbi gjakun e Papa Kristo Negovanit, të Naum Veqilharxhit, të Koto
Hoxhit, të Anastas Kulluriotit, të Petro Nini Luarasit, të Atë Stath Melanit
etj., të masakruar barbarisht nga kisha
shoviniste greke, shkeli mbi ëndrrat e kryepeshkopëve nacionalistë Kristofor
Kisi dhe Visarion Xhuvani për të vazhduar traditën fanoliane të pavarësisë së
kishës ortodokse, dhe sillet me nderime të mëdha ndaj Janullatosit, i cili ka
ngritur në qendër të Tiranës katedralen gjigante, të stolisur krejtësisht me aq
shumë simbolikë greke, saqë qytetarëve që kalojnë para hyrjes së saj, u duket
sikur janë në Athinë. Për ta bërë fakt të kryer pushtimin e kishës fanoliane
nga kisha shoviniste greke, kasta politike e Tiranës i dha Janullatosit
shtetësinë shqiptare. Me sa duket, jo vetëm kasta politike e Tiranës, por edhe
mbarë ortodoksët shqiptarë që i bëjnë temena Janullatosit, paskan krijuar
bindjen e patundur se “qenka e pamundur” që, në radhët e qytetarëve të besimit
ortodoks, në përputhje të plotë me Statutin kishës fanoliane, të gjendet një
intelektual i talentuar, me gjuhë, me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi
shqiptare, i pajisur me kulturë të gjerë, plotësisht i aftë për t’u vënë në
krye të kishës ortodokse, për t’i rithyer asaj pavarësinë e shenjtëruar, të
grabitur nga kisha shoviniste greke.
Tani kastës politike të Tiranës i duhet që filozofinë e
nënshtrimit tërësor para Athinës ta konkretizojë edhe me një vepër monumentale:
sipas shembullit të shtatores së Stalinit, para katedrales ortodokse
janullatiste të ngrejë një shtatore gjigante në nderim të Janullatosit. Në
ballin e kastës politike të Tiranës, ajo shtatore do të jetë damka
përfundimtare e nënshtrimit dhe e servilizmit shembullor ndaj grekëve. Ajo shtatore do të nxjerr në
pah edhe shumë më mirë vetëposhtërimin e dyfishtë të kastës politike të Tiranës
para grekëve. E quaj vetëposhtërim të dyfishtë, sepse kam parasysh një vlerësim
fantastik që Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio - 1313-1375) ka bërë për grekët. Në
vëllimin e tretë të “Dekameronit” ai shkruan:
“… duke ditur vesin
e grekëve, që sa më pak të gjejnë burra që t’ju thyejnë dhëmbët, aq më tepër
shtyhen përpara me potere e kërcënime dhe, përkundrazi, kur hasin ndonjë burrë
të vërtetë, jo vetëm përulen, por arrijnë sa të poshtërojnë veten, duke i
dorëzuar edhe femrat e familjes”.
Pra, kur të
poshtëron një i vetëposhtëruar, nënkuptohet që vetëposhtërimi është i dyfishtë.