Mendime
Ahmet Selmani: Si e ndau një mollë Ibrahim Rugova
E merkure, 02.12.2020, 07:01 PM
Kujtesë
SI E NDAU NJË MOLLË
IBRAHIM RUGOVA
Nga
Ahmet Selmani
Në
vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u
solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur
autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e
studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë,
studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe
dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash,
në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të
gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.
Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës,
qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa
asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast
më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te
ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte
për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë
respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme
duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të
them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi
bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim
gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën
përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati
nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete. Kështu 11 studentë, si dhe dr.
Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.
Kështu
u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë
prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës.
Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo
më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e
fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë.
KujtesëSI E NDAU NJË MOLLË IBRAHIM RUGOVANë vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës,...
Posted by Ahmet Selmani on Wednesday, December 2, 2020