Mendime
Eshref Ymeri: U duk si socialist i mirë, por...
E diele, 13.12.2020, 01:10 PM
U duk si socialist i mirë, por paska qenë “shejtan me brirë”
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Para do kohësh qe botuar në internet
informacioni në vijim:
“Pandeli Majko, sot ministër i
Diasporës, i njohur ndryshe edhe si ministri i lojës “Mos u nxeh”, është
akuzuar dhe lakuar nga politikanë të së majtës dhe së djathtës për fshehjen e 5
milionë USD para të pista në bankat e Qipros... Personi që dyshohet se e
spiunoi për herë të parë Majkon, është Anastas Angjeli, i konsideruar si
Mamuthi i korrupsionit në Shqipëri… Vite më vonë, Majko u shpreh:
“Diku nga viti 2000, unë kisha dhënë
dorëheqjen si kryeministër, dhe kryetari i opozitës, zoti Berisha, në atë kohë
bënte opozitën e dytë, ishte në kulmin e vetë të akuzave. Në atë periudhë doli
në publik dhe tha që Pandeli Majko ka 5 milionë USD në bankat e Qipros. Dhe të
them të drejtën, e mbaj mend mirë atë mëngjes që kam ardhur në Parlament,
mendova se do më thumbonin, do më thonin “ç’janë këto histori, ku, tek, si…”.
Kalova në këtë sallë dhe vajta në kafe dhe çfarë të shoh, “mirëmëngjesi” njëri,
“mirëmëngjesi, o yll”, tjetri. “Ti paske qenë i madh”, më thoshin të tjerët. U
ula në një tavolinë, që u çuan 12 veta në këmbë, duke më pritur dhe duke më
thënë “eja dhe ulu”, dhe e di kush ishte konkluzioni? “Ne të dinim të mbaruar,
por ti paske qenë tepër i veçantë”. Pra, kjo është psikologjia, mbi të cilën
funksionojmë ne te kafja”…
Javët e fundit, ministria me në krye
Majkon, ka bërë një tender skandaloz dhe fyes, duke blerë 2 mijë kuti “Loja mos
u nxeh’. Edhe me këtë skandal Majko u përpoq të bëjë humor!” (Citohet sipas: “Pandeli
Majko 5 milionë USD në bankat e Qipros, e spiunoi një ministër socialist”. Faqja
e internetit “Pamfleti”. 08 gusht 2020).
Ky informacion, i cili më ngjalli një
ndjenjë të thellë zhgënjimi, më nxiti të shtegtoj nëpër faqet e internetit për
të mësuar se cili është jetëshkrimi i Pandeli Majkos, të cilin deri tani e kam
pasë vlerësuar si një socialist korrekt dhe të panjollosur nga pisllëku i
korrupsionit. Megjithëse një dyshim të vogël e kam pasur për figurën e tij, kur
ca kohë të shkuara pati deklaruar se donte më shumë partinë socialiste sesa
Shqipërinë. Asokohe nuk i pata vënë rëndësi asaj deklarate, por ma pati
risjellë në kujtesë publicisti i talentuar me brumosje nacionaliste Erl Kodra,
i cili e ka cituar në një shkrim të botuar më shumë se një vit më parë. Në atë
shkrim ai rrëfehet, duke e vënë veten në rolin e Pandeli Majkos. Ja rrëfimi në
vijim:
“A ju kujtohet një shprehje e imja, ku deklarova
diçka me Partinë Socialiste dhe Shqipërinë? Më besoni, kurrë në jetën time nuk
kam qenë më i sinqertë. Unë e dua Shqipërinë, por më shumë e dua Partinë
Socialiste” (Citohet sipas: Erl Kodra. “Pandeli Majko “braktis” Edi Ramën”. Faqja
e internetit “Syri”. 01 mars 2019).
Pra, ja ku fleka lepuri: Pandi do më shumë partinë
socialiste, si një parti me udhëheqësi antishqiptare, kurse Shqipëria për të na
qenkej e huaj, se ai, siç do të sqarohet më poshtë, qenka bullgar.
Më shumë se 11 vjet më parë, faqja e
internetit “fv.al” e datës 27 mars 2009, pati botuar një material
interesant për Pandeli Majkon, me titull “Origjina e Pandeli Majkos, ky
socialist “i shquar””. Aty thuhet:
“Në verën e vitit 1991, në Ambasadën
e Bullgarisë në Tiranë u paraqit një grup shtetasish shqiptarë me nacionalitet
të supozuar bullgar, kryesisht me origjinë nga Gollobërda, Gora dhe Prespa, që
qenë nismëtarë për krijimin e shoqatës “Ivan Vazov”, e cila do të bashkonte
bullgarofonët e Shqipërisë. Në këtë grup qe dhe një djalë i ri, që binte në sy
për dy veti që do të mbeteshin më të spikaturat për të edhe në të ardhmen, se
flokët kishin filluar t' i thinjeshin shumë shpejt dhe se vazhdimisht qeshte.
Kur i erdhi radha që të prezantohej, njeriu që kryesonte grupin, Namik Dokle (i
cili, meqë ra fjala, më pas nuk pati më dëshirë që t’i kujtohet kjo aventurë
bullgare, sepse familjarët e vet u bënë nismëtarë të orientimit të Gorës nga
Serbia), me sensin e vet të njohur të humorit, e prezantoi djaloshin si
inxhinier Pandeli Majko, bullgar i padyshimtë dhe i pastër, jo vetëm nga emri,
por edhe nga shpirti. Pandeli Majko reagoi duke bërë të vetmen gjë që ai
realisht di të bëjë, ai qeshi. Diplomati bullgar që i priste dhe të cilit i
bëri përshtypje mbiemri i të riut, pyeti për origjinën e tij. Djaloshi Pandeli
Majko tha se origjina e familjes së vet qe nga Prilepi i Maqedonisë ku pati
lindur babai i vet, Sotir Majko”.
Në vijim, në atë material flitet se
cila do të ishte ecuria e jetës së Pandeli Majkos, si inxhinier mekanik.
“Çfarë do të bënte djaloshi 24 vjeçar
Pandeli Majko me diplomën e inxhinierit mekanik, diplomë kjo që në Shqipërinë e
vitit 1991 vlente praktikisht aq sa njëzet centimetra lëkurë viçi me të cilën
qe veshur, aq më tepër që Majko dhe notat i kishte të ulta? Sigurisht asgjë.
Djaloshi Pandeli Majko qe në kërkim të një alternative. Atëhere qe koha kur në
Shqipëri inicohej krijimi i gjithfarë shoqatave dhe organizatave të etnive dhe
kështu Pandeliu një ditë dëgjoi për nismën për krijimin e shoqatës së shtetasve
shqiptarë me origjinë bullgare. Atëhere thuhej se kjo shoqatë do të kishte
mbështetje të madhe financiare nga shteti bullgar dhe diaspora bullgare në
Perëndim, çka për Pandin do të thoshte një alternativë për të nxjerrë bukën e
gojës pa shumë mund. Kështu që Pandi, të cilit iu kujtua historia familjare
bullgare, e kapërceu “Rubikonin” dhe iu përkushtua çështjes nacionale bullgare,
duke zgjedhur të qe një “minoritar” bullgar në Shqipëri. Por Pandeliut nuk i
eci dhe aq në këtë aventurë, pasi grupi nismëtar i shoqatës “Ivan Vazov” u bë
shpejt një fole intrigash, ku një zog ende pa pupla nuk akomodohej dot. Por,
Namik Dokle, nismëtari i krijimit të shoqatës “Ivan Vazov” qe ai që do t’i
hapte Pandit perspektivën e vërtetë, duke e lançuar djaloshin Pandeli Majko në politikë”.
Dhe Pandeli Majko, si edhe dikush
tjetër nga radhët e neokoministëve shqiptarë, të cilët i ngjiti në skenën e
politikës demoshëmtia dhjetoriste shqiptare, nga bankat e universitetit, me një
diplomë inxhinieri krejtësisht formale në xhep, përfundoi në kolltukun e
deputetit të Kuvendit, i cili do të çelte perspektivën ylberiane për shumimin e
oligarkëve parazitë. Dhe Pandi, duke thënë me vete “kur të vjen e mira në derë,
s’ka nevojë t’ia hapësh, se e mira e hap derën vet”, me siguri që duhet të ketë
klithur nga entuziazmi kur ka firmosur listëpagesën e “ylefesë” së parë:
“për hair më qoftë rroga e parë në jetën time si deputet!”. Dhe që asokohe,
Pandi, për më shumë se 28 vjet rresht, vazhdon të firmosë listëpagesën për
marrjen e “ylefesë” dhe as që është kujtuar më ndonjëherë për “diplomën
e inxhinierit”, e cila i ka zënë myk diku në ndonjë “zgëq” të shtëpisë.
Domosdo. Ç’i duhej Pandit puna e inxhinierit, i cili bukën e gojës e fiton me
djersën e ballit, kur dihet që politika në Shqipëri është biznesi më
fitimprurës, madje është kaq fitimprurës, saqë, pa derdhur fare pikë djerse, të
bën milioner dhe miliarder, duke të ndihmuar që kapitalin financiar ta fshehësh
nëpër bankat e huaja pa kurrfarë mundimi.
Në rubrikën “komente” për
materialin e sipërcituar për Pandin, më bënë përshtypje të thellë dy ndërhyrje.
E para mban pseudonimin “mirela”, ku thuhet:
“Këtu në këtë vend duhet një
revolucion tip Zhan d’Ark… Po kush ta bëjë revolucionin, të vdekurit…!?”.
Po jo, moj e nderuara “mirela”, nuk
zgjidhet gjë me revolucion në Shqipëri, edhe sikur të dalin në skenë njerëz të
gatshëm për kryerjen e tij. Sepse nuk ka siguri që ata do të jenë të zhveshur
nga psikologjia mercenariste, nga servilizmi para të huajve, tipare këto që
janë të rrënjosura në gjenin tonë që nga lashtësia pellazgoiliriane dhe që kanë
dëshmuar se pellazgoilirët dhe shqiptarët, si pasardhës të tyre, të huajin e
kanë pasë respektuar dhe vazhdojnë ta respektojnë më shumë se vetveten.
Veç kësaj, e
nderuara “mirela”, nuk mund të bëhet revolucion në Shqipëri edhe për një
tjetër arsye madhore, po të keni parasysh ca fjalë të arta të njërit prej
përfaqësuesve më të shquar të opozitarizmit të diktaturës komuniste dhe të
demoshëmtisë neokomuniste, të ndjerit Maks Velo, i cili ka thënë:
“…Problem është se
ne si popull e duam të keqen. E duam të fortin, atë që thyen rregullat,
hajdutin, sepse ai që është i mirë dhe që punon, është një copë budalla”
(Citohet sipas: “Jehona e botimit të UET-PRESS, Maks Velo: “Ne si popull e
duamn të keqen, e duam të fortin…””. Faqja e internetit e gazetës “Mapo”.
03 gusht 2018).
Në një material, të botuar kohë më
parë, kam pasë cituar shqiptarin e nderuar kosovar Sokol Braha, me banim në
Zvicër, i cili, këtu e nëntë vjet të shkuara, pati botuar një libër fort
interesant. Aty ai shkruan:
“Shqiptarët
përshëndetin, nderojnë, urojnë, përgëzojnë, presin e përcjellin me krenari,
sepse i kanë në traditën e tyre këto dhe i ruajnë me krenari. Edhe pse këta
komshinj nuk i ftuam ne, por na erdhën si miq të paftuar! Por unë pyes veten: a
na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë,
kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”.
Prishtinë, 2011, f. 56).
Sigurisht që
qëndrimin kaq mikpritës, me kaq bujari dhe zemërgjerësi të tepruar ndaj të
huajve, këta e kanë pasë vlerësuar dhe vazhdojnë ta vlerësojnë si kompleks
inferioriteti të shqiptarëve. Por për njerëz me komplekse inferioriteti nuk ka
kush asnjë fije repekti. Prandaj shqiptarët, në heshtje, nuk gëzojnë aspakt
respekt, qoftë nga ana e fqinjëve tanë grekosllavë, qoftë nga ana e Perëndimit
evropian. Dhe kjo për shkak të politikanëve “tanë”, të cilët, me servilizmin e
tyre të pështirë, sidomos para diplomatëve e huaj në Tiranë, e le më në takime
me personalitete evropiane dhe amerikane jashtë vendit, na kanë turpëruar keq
në sytë e tyre.
Ndërsa në ndërhyrjen e dytë, me
pseudonimin “nostra” theksohet:
“Si nuk doli një figurë shqiptare që
të mos ta ketë të kaluarën kaq të njollosur, prejardhjet kaq të dyshimta,
qellimet kaq të mistershme dhe atdhedashurinë kaq në pikëpyetje? Meqenëse jemi
te pikëpyetjet, a drejtohet vallë Shqipëria nga shqiptarë?”.
E kuptoj fare mirë shqetësimin e
komentueses apo komentuesit me pseudonimin “nostra”. Pyetja nëse vendi
ynë drejtohet nga shqiptarë ose jo, është shumë e drejtë. Fajtorë jemi vetë ne shqiptarët, sepse nuk
kemi qenë në gjendje të krijojmë qytetërimin shqiptar përmes kalitjes së
vetëdijes kombëtare. Kjo për arsye se gjatë shekujve jemi hedhur sa nga njëra
fe te tjetra. Por s’kemi qenë të aftë ta kuptojmë rolin e fesë në çimentimin e
vetëdijes kombëtare. Vaso Pasha lëshonte thirrjen e famshme që nga Libani “feja
e shqiptarit është shqiptaria”. Jo, ore i nderuar pasha, që nuk pranove të
vije guvernator në Shqipëri, por pranove të shkoje në Liban. E ka pasur gabim
pashai i nderuar. Se ajo “shqiptaria”, për të cilën bën thirrje ai, nuk
u bë kurrë vatër dhe kudhër e fuqishme e kalitjes së vetëdijes kombëtare, e
krijimit dhe e çimentimit të qytetërimit shqiptar. Sepse vetëdija kombëtare dhe
qytetërimi shqiptar mund të kaliteshin dhe të çimentoheshin vetëm përmes
kudhrës së fesë, e cila ka luajtur një rol vendimtar në krijimin e qytetërimit
evropianoperëndimor dhe grekosllavolindor. Shqiptarët, në shumicën dërrmuese, u
hodhën në krahët e errësirës otomane, shumë prej tyre hynë në shërbim të saj,
braktisën organizimin mbarëkombëtar, shtruan kurrizin dhe, për qejfin e
patrikanës së Stambollit dhe të sulltanagait, si bashkëpunëtorë të ngushtë me
njëri-tjetrin, ndenjën pa shkolla shqipe për shekuj me radhë.
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se nuk
më bëjnë fare përshtypje ato 5 milonë USD të Pandeli Majkos, sepse të tjerë
politikanë-oligarkë të partisë socialiste dhe të partisë demokratike mund të
kenë të depozituara gjetiu edhe shumë më tepër miliona. Por më bën përshtypje
diçka tjetër:
Së pari, pse ky deputeti dhe ministri Pandeli Majko e përcjell
vetëm me një buzëqeshje akuzën që i është bërë për ato 5 milionë USD, të
fshehura në bankat e Qipros? Nëse në këtë akuzë nuk ka asgjë të vërtetë, cila
është arsyeja që ai nuk ka ngritur padi kundër akuzuesve për shpifje? Sepse
nëse akuza është thjesht një shpifje hesapi dhe Pandeliu vazhdon të heshtë,
atëherë lexuesit kanë plotësisht të drejtë të mendojnë se ai qenka kaq
burracak, saqë paska frikë edhe nga hija e vet. Heshja e tij a nuk dëshmon për
bukuri se akuzuesit kanë të drejtë?
Së dyti, Pandeli Majko deklaron se si e pritën në kafe kolegët
deputetë, me çfarë entuziazmi të jashtëzakonshëm, duke u çuar më këmbë, kur
kishin marrë vesh për atë depozitë në Qipro. Ky qëndim i kolegëve të tij
deputetë, biçim politikanë, më kujtoi marrëdhëniet e çifligarëve rusë me
njëri-tjetrin në kohën e carizmit, kur ishte në fuqi e drejta e bujkrobërisë,
se si i mburreshin shoku-shokut se sa bujrobër kishte njëri dhe sa kishte
tjetri në pronësi, çka për ta ishte kapital financiar. Madje njëri prej tyre
pati arritur deri aty me mburrjet e veta, saqë pati deklaruar si bujkrobër të
vet edhe të vdekur nga radhët e tyre, çka pati shërbyer si subjekt për një
vepër artistike, të cilën e pati shkruar shkrimtari i njohur Nikollaj Gogoli
(1809-1852), me titull “Shpirtra të vdekur” (1842). Pra, kriteri kryesor
i vlerësimit të politikanit nga ana e biçim politikanëve deputetë në vendin
tonë, është shifra disamilionëshe e kapitalit financiar që ai ka në zotërim, të
fshehur në bankat e huaja. Kjo dëshmon se sa lart e vlerësojnë hajdutin dhe sa
respekt të madh kanë për të biçim politikanët “tanë”. Nuk e di me saktësi nëse
këtë “demaskim” të kolegëve të vetë Pandi e ka bërë se është ndodhur bosh, apo
ka pasë qenë i kapluar për një çast nga naiviteti.
Akuza në adresë të Pandeli Majkos për
depozitën prej 5 milionë USD në bankat e
Qipros, një akuzë kjo që nuk është hedhur poshtë me vendim gjykate, si edhe
deklarata e sipërcituar e tij për entuziazmin e kolegëve deputetë, dëshmojnë
për dy gjëra.
E para - Shqipëria, për politikanët shqiptarë, shërben si tokë
e premtuar, pra, si kopshti i Edenit apo si kopshtet e Armidës, sepse votuesit
shqiptarë të kujtojnë delet e Panurgut [heroi i romanit “Gargantua dhe Pantagruel” (1532) i
shkrimtarit francez Fransua Rable (François Rabelais - 1494-1553)].
E dyta - ky “sinqeritet pa dashje” i Pandit vërteton më së miri
se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, të cilin në një shkrim të dikurshëm e
pata vlerësuar si universitet të servilizmit, s’përfaqëson gjë tjetër, veçse
një shportë karavidhesh që të kujton fare mirë shportën e karavidheve të
Bllokut të famshëm komunist që rrethohej nga bajonetat e Gardës.
Në faqen e internetit “freeforumzone”
të datës 30 tetor 2006, qe botuar një material më i hollësishëm për
jetëshkrimin dhe karrierën politike të Pandeli Majkos. Ai material titullohej “Sekretet
e karrierës së Pandeli Majkos”. Edhe ky material më bëri shumë përshtypje
se mbyllej si më poshtë:
“Nga të gjitha ato egërsira në
udhëheqësinë socialiste-korrupcioniste, Pandeli Majko dukej më i miri, por ja
që edhe ky na doli bullgar, edhe një arsye më shumë që tregon se partia
socialiste është me të vërtetë një parti antishqiptare”.
Ky përfundim nuk më duket plotësisht
i drejtë, sepse antishqiptare nuk është e gjithë partia socialiste.
Antishqiptare është vetëm kasta e saj drejtuese. Kurse masa e thjeshtë e
socialistëve janë shqiptarë, por shqiptarë kurrizshtruar, të cilët kasta
socialiste antishqiptare i shkel me këmbë kur të dojë dhe si të dojë. Dhe një
gjë e tillë e ka gjetur plotësisht mishërimin e vet në praktikë gjatë më shumë
se shtatë vjetëve të fundit të qeverisjes socialiste, kur vendin e kanë
braktisur gjysmë milioni apo edhe më shumë njerëz për shkak të varfërisë që i
pllakosi nga qeverisja në fjalë.
Brumosjen e vet antishqiptare Pandeli
Majko e ka vulosur me qëndrimin që paska mbajtur dikur kundër Armatës Kombëtare
Shqiptare dhe kundër Frontit të Bashkuar Kombëtar Shqiptar. Ja çfarë shkruhej
asokohe në një faqe interneti, në të cilën pati qenë botur një letër e hapur që
i drejtohej Pandeli Majkos:
“Mbrëmë, sapo të dëgjova rrëfimin
idiotesk, dhënë një TV shqiptar, thashë me vete: “ja, ky bullgari, tash sulmon edhe AKSH-në dhe liderët e
FBKSH-së”. Nuk mund të them se u habita me përbuzjen që ai shprehu në drejtim
të AKSH-së, por nuk mund të them se nuk u revoltova nga ky sulm i hapur kundër
një prej grupimit politik në Shqipërinë Etnike, që ka qenë dhe mbetet shpirti i
atdhetarizmës shqiptare” (Citohet sipas: Flori Bruqi. “Sekretet e karrierës
së Pandeli Majkos. Letër e hapur Pandeli Majkos”. Faqja e internetit “Forumi Shqiptar”. 16 tetor
2007).
Duhet të jemi të vetëdijshëm se sulmi
i Pandeli Majkos kundër AKSH-së dhe FBKSH-ë nuk duhej trajtuar kaq thjesht.
Sepse ai ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e pandarë e strukturave të larta të
partisë socialiste, si krahu i djathtë i kryetarit të saj. Prandaj qëndrimi i
tij kundër Armatës Kombëtare Shqiptare dhe Frontit të Bashkuar Kombëtar
Shqiptar, ishte reflektim i drejtëpërdrejtë i qëndrimit tradicional
antikombëtar të udhëheqësisë së partisë socialiste ndaj tyre, çka pasqyronte
mbështetjen e pikëpamjes së Fatos Nanos, i cili pati mëkatuar rëndë në takimin
me Millosheviçin në Kretë dhe me deklaratën armiqësore që pati lëshuar që nga
Lisbona, se kryeqytet i Kosovës na qenkej Beogradi!!!