Udhëpërshkrim
Simsia: Sokakët e qytetit tim
E merkure, 22.04.2020, 06:08 PM
SOKAKËT E QYTETIT TIM
Nga
Pierre-Pandeli Simsia
Sokak!
Këtë
emër të huazuar nga turqishtja e kemi dëgjuar që në moshën tonë foshnjore, sapo
kishim hedhur hapat e para në jetë, nga gjyshet tona të mira, ato gjyshe të
dhëmbsura, të paharuara, nga mamatë tona të shtrenjta, ne që nuk i kemi, na
mungojnë shumë, shumë, që me zërin e tyre të ëmbël prindëror na thoshin: Hajde
dalim pak në sokak...
Hapat
e parë të jetës sonë, i kemi hedhur në ato sokakë; atje jemi rritur.
Sa
e sa herë në fëmijërinë tonë kemi lozur, jemi rrëzuar në sokakët e qytetit,
jemi gjakosur në gjunjë, në krahë...
Sokak!
Vazhdon edhe në ditët e sotme të quhen me të njëjtin emër rrugicat e Beratit të
shtruara me kalldrëm; zakonisht shtrimi i tyre është me gure zaje lumi, si edhe
me gurrë të skalitur që mjeshtërit e hershëm duarartë i kanë punuar aq bukur.
Nga
vetë arkitektura e Beratit që lagjet muzeale janë të ndërtuara në zona
kodrinore, sokakët janë ndërtuar me pak pjerrtësi që fillon në të dyja anët e
rrugicave dhe ajo pjerrtësi bashkohët në mes me gurrë të sheshtë të bardhë për
të mundësuar rrjedhën e ujit në mot me shi.
Nëse
do t'i vështrosh kalldrëmet, sokakët e qytetit që në krye të tyre, të duken si
një rrjedhë e ngushtë lumi me ujë të valëzuar nga puhiza e një ere të lehtë,
apo si një rrugicë qilimi në ngjyrë të murme me një vizë ngjyrë bardhë në mes.
Qytetarët
beratas, qytet, nga i cili jam edhe unë vetë i lindur dhe i rritur deri në
moshën time 30-të vjeçare në atë qytet të gurrtë, kanë patur fatin e madh që
nuk u kanë munguar as zajet e lumit, as edhe gurrët për të ndërtuar sokakët.
Në
periudhën e vjeshtës dhe të dimrit, Lumi Osum në Berat, e rrit nivelin e ujit
të tij dhe, në periudhën e verës, kur fillon edhe shteron, bregu i lumit ka
sasi të bollshme rëre dhe zalli, materiale ato që edhe kanë shërbyer në
shtrimin e rrugicave me kalldrëm, sokakë.
Dhe
ne, foshnjë, fëmijë të asaj kohe të largët, dilnim nën shoqërinë e gjysheve,
mamave tona në sokak.
Sokakët
e qytetit tim, flas për vitet e fëmijërisë, rinisë sime, sepse kam 30-të vjetë
larguar nga qyteti im, nga Shqipëria, shndrisnin nga pastërtia.
Gratë
e lagjeve të qytetit, banoret e shtëpijave, ku portat e tyre janë në të dy
krahët e sokakut pranë njëra tjetrës dhe duket sikur bisedojnë mes tyre, si në
"konkurencë" me njëra tjetrën, dilnin që në orët e para të mëngjesit,
me fshesën në dorë, ajo fshesë e punuar mjeshtërisht nga një lloj bime që
quhet, Mel, dhe që i bënte të dukeshin kurrizpërkulura të mrekullueshmet gjyshet,
mamatë, motrat tona.
Pastrimi
i sokakut ishte edhe meraku i grave të çdo shtëpie
Sokakët
e qytetit tim shndrisnin në çdo kohë nga pastërtia.
Mbasditja,
deri ndaj të ngrysur ishte edhe koha më e bukur në sokakët tanë.
Pothuajse
çdo pragporte shtëpie në anën e jashtëme, kishte shkallën e parë që ne e
quanim: bezul dhe, në ato shkallë bezule rrinin ulur gratë e moshuara,
pothuajse të gjitha veshjezeza, për t'u mbledhur pastaj në bezulin e një porte
dhe fillonin me kënaqësi bisedat që u përshtateshin moshës së tyre.
"Mirëmbrëma"
- përshëndesnin kalimtarë të ndryshëm që kthehesin nga puna apo diku tjetër për
në shtëpi.
-
Mirmbrëma, të keqen mëma, dëgjohej si në korr, përgjigja e atyre grave të mira.
-
Mirëmbrëma - përshëndet një vajzë e bukur kalimtare dhe, përsëri si në korr,
dëgjohet përshëndetja e grave në sokak.
-
E kujt është ajo vajzë? Është e lagjes sonë? - e pyet një grua moshataren e saj
që ka pranë.
-
Po, e lagjes sonë është. Është e bija e ...
Dhe,
gruaja pyetëse, menjëherë i shkon mendja tek i biri i saj që ende nuk ka
vendosur të gjej shoqen e tij të jetës. - E bekoftë Zoti, sa vajzë e mirë
qenka...
Dhe
populli i mrekullueshëm artist beratas që këngën e ka ushqimin e tij
shpirtëror, nëpër vite i kanë kënduar vashëzave bukuroshe, sokakëve të qytetit
të tyre: "Edhe gurrët e sokakut, për ty bënin shiqajet. O hajde moj lule e
zambakut, kur më shkon sokakut, ashikut-o me goj ç'i flet..."
Vendasit
janë të mësuar në ecjen pa vështirësi nëpër sokake, ndërsa jabanxhinjtë, veçanërisht
vajzat, gratë, e mbathura me sandale, këpucë me taka të holla, ndjejnë
vështirësi ecjeje në sokakët e gurrtë.
Kujtoj
vitin 1974 kur Artistja e Popullit Vaçe Zela kishte ardhur në Berat bashkë me
ansamblin shtetëror për një koncert qeveritar.
Dihet
nga të gjithë, që Vaçja i donte shumë lulet dhe, atyre që u ishte dhënë
mundësia të kalonin pranë pallatit ku ajo banonte në Tiranë, u binte në sy
ballkoni i saj plot me lule...
Por,
ne në Berat, kishim mjeshtrat e rritjes dhe mirëmbajtjes së luleve. Ishte çifti
i shumërespektuar bashkëshortor, të ndjerët Amalia dhe Stavri Manestra, të
cilët i kam njohur shumë mirë, sepse shtëpitë tona janë ngjitur me shtëpitë e
Manestrave.
Fatkeqësisht,
të ndjerët Amalia dhe Stavri nuk kishin fëmijë. Fëmijë për ata ishin mbesat dhe
nipërit e tyre, ishim ne të gjithë fëmijët e lagjes, ishin shumllojshmëria e
luleve e shumta, të bukura aromëmira, shumë ngjyrëshe, që, e ndjera Amalia, i
donte shumë, kujdesej për to, madje edhe përlotej si një nënë ndaj fëmijës së
saj, kur shihte ndonjë gjethe të rrënë përdhe, ndonjë lastar të këputur apo të
tharrë...
Shtëpia
e tyre e madhe, shtëpi karakteristike beratase, që në hyrje në portën kryesore
të shtëpisë, avllia e pastër, shkallët, deri në katin e dytë të shtëpisë, madje
edhe brenda dhomave, ishin plot me vazo me lule. Madje, vetë e ndjera Amalia
Manestra ishte punonjëse, shitëse e luleve në një dyqan në qendër të Beratit...
E
dashuruar me lulet, artistja Vaçe Zela në atë vit 1974, do ishte vizitorja e
radhës në shtëpinë e tyre.
E
kishte të vështirë artistja ecjen nëpër ato sokake paksa të pjerrët, sa,
herëpas'here, qeshte ndërsa trupi i saj anonte majtas djathtas duke na
përshëndetur të gjithë neve që e shikonim me admirim...
Dhe,
ndërsa kalimtarë të ndryshëm shkojnë e vijnë nëpër sokakë, qetësinë e prishin
lojrat e ndryshme të fëmijëve djem e vajza, të cilët, si të jenë motra dhe
vëllezër të së njëjtës familje, sepse, ashtu janë pothuajse të gjitha familjet,
shtëpitë e lagjeve muze të qytetit; duke qenë vendas banorët, respektin,
dashurinë e sinqertë e kanë të trashëguar nga të parët, prindërit e tyre.
Prandaj
edhe banorët hynin e dilnin në shtëpitë e njëri tjetrit si në shtëpinë e
prindërve, të motrave, të vëllezërve të tyre pa druajtje.
Sokakët
e pastër shndrisin edhe nga bardhësia e mureve të jashtëme të shtëpive të lyera
që të gjitha me gëlqere.
Çuditërisht,
në ndonjë vrimë të vogël, në hapësirën midis gurreve të atyre murreve, era ka
shpërndarë farat e ndonjë luleje dhe, ndonjëra prej tyre rastësisht ka ngecur
në ato vrima, për të filluar pastaj jetën e saj të lulëzimit nëpër murre.
Eh,
meraku u gjysheve, nënave, motrave tona, lyerja e murreve me gëlqere, ajo lëndë
e gurrtë e prodhuar nga djegia e gurrit gëlqeror.
Gurrë
gëlqere nga fshati Vodicë, gurrë gëlqere nga Mali Tomorr, e bardhë, e bardhë si
vetë dëbora e malit të shenjtë.
Gëlqere
gurrë, gëlqere sherbet, gëlqere pluhur.
Gëlqerja,
jo vetëm që zbardhon murret e shtëpive, por ajo është edhe pastërti, është
higjienë, është dizinfektues për çdo familje, për mbarë qytetin. Prandaj edhe
banorët, herëpas'here, përveç lyerjes së murreve me gëlqere, dizinfektonin me
gëlqere pluhur edhe kapakët metalikë të gropave të ujrave të zeza jashtë
portave të shtëpive të tyre.
Sokakët
e Beratit, ashtu siç është vetë arkitektura e tij e veçantë e ndërtimit me
shtëpitë e bukura karakteristike, të ndërtuara njëra mbi tjetrën, janë pritësit
e vizitorëve të shumtë vendas dhe të huaj...
Kush
nuk ka shkelur mbi ata sokakë dhe nuk është mrekulluar?!
Kush
ka kaluar nëpër ata sokakë dhe nuk ka shkrepur aparatët e tyre fotografikë për
t'i patur kujtim nga vizita në një qytet të bukur, qytet shekullor, qytet
historik...?!
Sa
shumë e dëshiroj që edhe në ditët e sotme, tradita e bukur beratase,
mirëmbajtja, arti i të shtruarit me kalldrëm me zaje lumi, me gurrë të skalitur
të vazhdojë, të trashëgohet nga të rinjtë, ndër breza.