Udhëpërshkrim
Idriz Zeqiraj: Nëndega e LDK-së në NRW organizon "Darkën e Lamës"
E hene, 25.11.2019, 08:13 PM
NËNDEGA E LDK-SË NË NRW ORGANIZON "DARKËN E LAMËS"
Nga e djathta: Asllan Asllanaj, Sebastian Nuiçi, Anton Kolaj, Jakup Gërguri,
Haki Rugova, Binak Gashi, Arban Abrashi, Abaz Imeri, Ilir Makolli me lahutë
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
"Darka
e Lamës", viteve të fundit , po organizohet në shumë mjedise të Mërgatës.
Pjesëmarrja është familjare. Salla festive është një Kosovë në miniaturë.
Organizatori bënë historikun e shkurtër të "Darkës së Lamës", që zë
fill qysh në lashtësi. Shtrohet Darka ceremoniale, ku mbizotërojnë gatimet
klasike të traditës, të përgaditura nga nuset e vyeshme. Gjithësesi, muzika,
kënga, vallëzimi është masiv.
Në
organizimin e "Darkës së Lamës", Kryesia e Degës së LDK-së në
Gjerman, me kryetar Osman Ferizin, këtë vit, vuri një rregullë të ri, duke
planifikuar, paraprakisht, Nëndegën organizuese, natyrisht, nën patronazhin e
Degës. Dhe, ishte Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Nordheim Westfallen (NRW),
në pajtim me komunitetin vendor shqiptar, që mori përsipër organizimin.
Intonimi
i Hymnit Dardan, ngriti në këmbë të pranishmit, në sallën e Retorantit të Binak
Gashit, anëtar i Kryesisë të Nëndegës, në Titz të Vestfalisë Veriore. Jehu i
këngës arbëreshe "O e bukura More", ngjalli emocione malli e
dhimbjeje, njëherësh, sepse të pranishmit, aty e gjejnë vetën, me fatin e tyre kurbetçarë.
Nënkryetari
i Nëndegës nikoqire, Enver Musa, njëherësh edhe nënkryetar i Degës, bëri
hapjen, duke përshëndetur mysafirët e ardhur nga Kosova, nënkryetarin e LDK-së,
Haki Rugova, njëherit, kryetar i komunës të Istogut; sekretarin organizativ të
LDK-së, Arban Abrashin; kryetarin e LDK-së në Gjermani, Osman Ferizin;
kryetarin e Nëndegës të NRW, Jakup Gërgurin; Kryesinë e Degës të LDK-së;
Shoqatat dhe Organizatat e ndryshme, që veprojnë në Gjermani, si dhe të gjithë
të pranishmit në këtë mbremje festive të traditës.
Nënkryetari
Musa tha se "Darka e Lamës" na vjen si trashëgimi e lashtësisë ilire,
të cilën e kishte shumë për zemër edhe Presidenti Rugova. Dhe, sa herë shënojmë
këtë festë, në mendje na vie , shprehja, tashmë, proverbiale: "Rugova na
mungon".
Pamje
nga salla e "Darkës së Lamës"
Në
mes duartrokitjesh, në skenë ngjitet nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, i cili
i përshëndeti organizatorët dhe të pranishmit. "Kemi ardhur së bashku me
sekretarin e LDK-së, Arban Abrashin, me ftesën e kryetarit të Degës Osman
Ferizi. Sot kishim një takim pune të suksesshme, me Kryesinë e Degës të LDK-së.
Ju falemnderit për ftesën Tuaj në "Darkën e Lamës" dhe pritjen kaq të
ngrohtë dhe thellësisht vëllazërore. Ndjehemi të nderuar dhe fort të
emocionuar, që kësaj mbremje festojmë së bashku me mërgimtarët tanë. Ju keni
qenë dhe mbeteni të vlerësuar maksimalisht, për kontributin e dhënë dhe që
vazhdoni ta jipni për Atdheun, në vite e dekada.
"Darka
e Lamës", si trashëgimi e hershme, dikur ka qenë shumë masive në familjet
shqiptare, në veçanti në Kosovë. "Darka e Lamës", ka përmbyllur një
vit pune, duke siguruar ushqimin familjar. Por, për disa dekada, ky rit
domëthënës, u zvetnua, deri në harresë. Ishte Presidenti Rugova, shumë i
përkushtuar për ruajtjen e traditave shqiptare, Ai që e ringjalli "Darkën
Lamës", duke i dhënë rëndësinë që i takon. Dhe, si një porosi-amanet e Dr.
Rugovës, ky rit i lashtësisë ilire, po praktikohet gjithnjë e më shumë.
Po shoh këtu kuadro themelues të LDK-së si Anton Kolaj, Idriz Zeqiraj dhe anëtarë tjerë themelues të LDK-ë në Mërgatë. Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht dhe uroj shëndet e mbarësi në familjet e juaja. Vazhdoni të punoni dhe të ruani traditat shqiptare, duke i përçuar edhe tek fëmijtë tuaj, të lindur, të rritur dhe të shkolluar në mërgim. Ju lumtë, për organizimin kaq të bukur, që keni bërë për "Darkën e Lamës" - tha, në mes tjerash, zotëri Haki Rugova".
Kuadrot
Haki Rugova e Arban Abrashi me Sofije Dumnicën dhe
Alush
Bytyçin (i dyti nga e djathta)
Kryetari
i Nëndegës të LDK-së në Nordheim Westfallen, Jakup Gërguri, u dëshiroi
mirëseardhje "zyrtarëve të lartë nga Kosova, Haki Rugovës, nënkryetar i
LDK-së dhe Arban Abrashit, sekretar Organizativ i LDK-së dhe deputet i Kosovës;
Kryesisë së Degës për Gjermani, me kryetar Osman Ferizin; Qazim Bajgoraliut,
ish-kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani; Anton Kolajt, ish-nënkryetar i
LDK-së; Sebastian Nuiçit, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë, dega në
Gjermani; Shoqatës "Familja Shqiptare" nga Koblenz-i, me kryetar
Halil Çitakun dhe të gjithë të pranishmëve tjerë.
E
hapëm këtë mbremje festive me këngën "O E BUKURA MORE", si emblemë e
muzikës shqiptare për mërgimtarë. Është hera e tretë me radhë, që kjo këngë
arbreshe, e cila i ka mbijetuar shekujt, prej 600 vjetësh, që hapë programin e
"Darkës së Lamës". Riaktualizimin e "Darkës së Lamës" e
bëri Presidenti Rugova më 2002, për ta vazhduar edhe presidentët Fatmir Sejdiu
e dhe Atifete Jahjaga, si një traditë e bartur nga koha e paraardhësve tanë,
Dardanëve të Ilirisë, që daton nga shekulli i V-të para Kishtit.
•
"Darka
e Lamës", zakonisht është mbajtur në fund të tetorit, kur janë vjelë të
mirat e punës verore. Quhet e "Lamës", sepse Lama ka qenë vendi i rrafshët, ku është
"fshirë", shtypur kallinjtë e grurit, thekrës, elbit, për të vjelur
kokrrat. Kashta e mbetur, është përdorur për bagëti. Lama po ashtu ka qenë vend
gravitues i solidaritetit dhe reciprocitetit, në mes fshatarëve shqiptarë, duke
ndihmuar njëri- tjetrin me fuqi punëtore. Duke qenë se te shqiptarët sfera
bukësore, ka qenë pjesë e rëndësishme e jeteses, “dhënia e bukës” ka qenë
aspekt esencial i marrëdhënieve sociale tradicionale. Ne, si Nëndegë, vazhdojmë
ta festojmë "Darkën e Lamës" që shtatë vjetë radhazi",- tha
kryetari Jakup Gërguri, në referimin e tij.
Kryetar
Gërguri ftoi në skenë Veprimtarën e Nëndegës, Sofije Dumnica, veterane e
arsimit dhe, së bashku, lexuan lutjen për "Darken e Lames", të
njëjtin tekst- lutje, që e bënte vet President Rugova në Kosovë. Teksti në
fjalë është gjithnjë aktual, përmbajtësor dhe shumë domëthënës.
Mysafirët
Rugova e Abrashi nuk u lënë të qetë në pozicionin ulur. Herëpashere mërgimtarët
kërkonin të pozonin me mysafirët e nderuar. Mësuesja Sofije Dumnica, veterane e
arsimit dhe veprimtare e shquar e LDK-së; Anton Kolaj, bashkëpunëtor i afërt i
Presidentit Rugova; veprimtari i hershëm i LDK-së, i Fondit të 3%-it, kryesues
i Shoqatës "Nëna Tereze", bashkëpunëtor i Vëllezërve Kuzhnini,
Sebastian Nuiçi, pronari i Restorantit, ku mbahej "Darka e Lamës",
Binak Gashi dhe veprimtarë të tjerë, nga Republikat gjermane, u fotografuan me
kuadrot e LDK-së, Haki Rugova dhe Arban Abrashi.
R e t r o s p e k t i v
ë
Pinjollët
e Familjes Institucion Rugova, nuk harrojnë donatorët fisnikë, të cilët e
mbështetën materialisht Presidentin Rugova, në kohë zezone. Vitet `90-a. Dr.
Rugova në nismë të konsolidimit të Lëvizjes kombëtare masive LDK-e. Xhepat
bosh. Familja në skamje. Ishte Inxhinieri Smajl Hajdaraj, tani Hero i Kombit,
që ndante bukën me Familjen Rugova. Një porosi për Smajl Hajdaraj, për të
vëllanë Fazliun, në Gjermani: "Jeta e Presidentit në rrezik. Nevojitet një
veturë e blinduar". Kaq mjaftoi dhe Fazliu me shokë realizuan porosinë.
Kjo ishte arsye shtesë, që përshpejtoi ekzekutimin e Heroit Smajl Hajdaraj, nga
"komandantët" vrastarë. " (Kësaj mbremje festive nikoqirët i
kishin rezervuar vend Fazliut, pranë mysafirëve nga Kosova).
Rrëfen
kuadri i hershëm i LDK-së, në Kosovë dhe Mërgatë, Qazim Bajgoraliu: "Ishte
viti 1999, kur Familja Rugova, pas pengut të Kryefamiljarit, nga krimineli
Millosheviç, u bashkua në Evropë. I them Alush Bytyçit, një bisnismen
fillestar, në Gjermani: Presidenti ka nevojë të ngutshme për mbështetje
financiare. Alushi u gjegj pa hamendje: "Po, 10.000 marka i kam të
gatshme". (Zotëri Rugova me Abrashin me ngrohtësi e mirënjohje, u
përshëndetën me Alushin, duke bërë edhe fotografi, përgjatë "Darkës së
Lamës").
Kësaj
mbremjeje, për arsye shëndetësore, i mungonte poeti dhe piktori i talentuar,
Dan Gashi, një donator fisnik i LDK-së dhe Presidentit Rugova. Mungonte edhe
kryetari i parë i Degës të LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, që bëri shumë për
sigurimin e mjeteve, për akomodimin, sistemimin e Presidentit Rugova, me
familjen e gjerë, përgjatë qendrimit në Evropë.
Nëndega
e LDK-së në Nordheim Westfallen, ka një mobilizim të shtuar, sidomos, pas
Kuvendit Zgjedhor. Kryesia e vyeshme, e përgjegjshme dhe mjaft e përkushtuar,
në përbërje: Jakup Gërguri-kryetar, Enver Musa-nënkryetar, Arben
Gashi-sekretar, Ilir Makolli-arkatar, Enver Shala, Qazim Bajgoraliu, Asllan
Asllanaj, Muharrem Xhafolli, Binak Gashi, Behxhet Krasniqi, Qazim Thaçi, Alush
Bytyçi, Afrim Salihu - anëtarë, vepron në harmoni dhe respektim të hierarkisë
drejtuese. Përgaditja e "Darkës së Lamës", ishte dëshmi e një fryme
pozitive. Organizatorët, që nga kryetari Jakup Gërguri, nënkryetari Enver Musa,
sekretari Arben Gashi, arkatari Ilir Makolli, pronari i lokalit, Binak Gashi,
me shokë, ishin në nivelin e duhur, në menaxhimin e mbremjes festive të
"Darkës së Lamës". Pa xhelozi, malësori i Marevcit, Ilir Makolli,
shkëlqeu në pritje-përcjelljet e mysafirëve të shumtë.
Ndonëse
në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Informim të Degës së LDK-së, në
Gjermani, kësaj Kryesie simpatike i sugjëroj hapjen e Nëndegëve të reja të
LDK-së, në qytetet e shumëta që ka Republika e Nordheim Westfallen, madje, me
bollshmëri të mërgimtarëve tanë.
Në
mbremjen festive të" Darkës së Lamës", të pranishmit i argëtuan, me
muzikë të përzgjedhur, dueti Fatime e Adnan Ruhani.
U
larguam nga kjo festë e ëmbël e traditës shqiptare, me plot mbresa, nga takimi
përmallës e çmallës, njëherësh, me miq e shokë bashkëpunëtorë, prej tri
dekadash radhazi, për ta rrugëtuar kthimin në Mynih, prej 700 km, duke arritur
ditën e nesërme.
Qofshi
faqebardhë, motra dhe vëllezër, për pritjen admiruese dhe sofrën e begatë të
traditës!