Udhëpërshkrim
Frrok Vukaj: Bukuri Natyrore e Vlera Qytetarie
E enjte, 21.11.2019, 10:33 PM
Bukuri Natyrore e Vlera Qytetarie
Tropojë – Gjakovë
Për
një pasqyrim realist
Valbona nga Rrogami
Nga
Frrok Vukaj
Nga mosnjohja
shumëkush mendon se Tropoja është “Prapa
diellit” e majë malesh, por realiteti tregon ndryshe. Udhëtimi nga rruga e
Kombit nuk është më shumë se 250 km, ndërsa nga Puka e Komani piktoresk kjo
distancë shkurtohet ndjeshëm.
Lidhja me
vendlindjen është si lidhja e Anteut me tokën. Sa herë e vizitojmë atë,
gjenerojmë forca të reja e qetësi psikologjike. Peizazhi i mrekullueshëm është
relaks e antistres, diçka romantike që të rinon. Kushdo që vjen e rivjen në
vendlindje apo si vizitor, i zgjohen e lindin mbresa e ndjesi të reja, ndaj po
përmend e shtoj kalimthi disa prej tyre, sepse kam shkruar
edhe herë të tjera...
Luginat e Valbonës
e lumit të Gashit, të Tropojës e Nikaj-Mërturit kanë një lartësi mesatare më
pak se 250 m mbi nivelin e detit, me një mikroklimë shumë të përshtatshme për
bujqësinë e veçanërisht për frutikulturën. Në oborrin e shtëpisë sime në Shëngjergj të Nikaj-Mërturit, hurmat sa
nuk po thyheshin nga prodhimi. Kurora e masiveve të pyjeve e brezit të
gështenjave nga Geghyseni deri në Markgegaj, të falin kënaqësi shpirtërore e
materiale. Si ngjyra ylberi përzier me re të murrme e gri ngjan gjelbërimi i
këtij fillim nëntori. Pishat e bredhat deri majë kershave e majave të pjalmuara
nga bora e hershme, janë të bukura e madhështore, joshëse e kurative në çdo
stinë.
Ngado të vish e
kudo të shkosh përballesh me befasi marramendëse: në brigjet e lumenjve e buzë
liqeneve alpin e artificial, në bjeshkët e larta e vrrinin e ëmbël, në pllajat
e ulëta e kreshtat e maleve, në burimet e bollshme e rudinat me bar, në Curraj
Epër e në Valbonë, në Agër e në Doberdol, në Sylbicë e në Lugun e Thive, në
grykëngushtën interesante e pak të vizituar Rrasa e Currajve-Mulaj ku
përbirohet Lumi i Mërturit, në Lumin e Gashit e të Vranës, në Kakijë e në
Shkëlzen, në Trokuz e në Ndërmaja, në sa e sa pasuri të shumta nën e mbi
tokësore të Alpeve, përsëri të virgjëra, të pastudiuara mirë e të
pashfrytëzuara me efektivitetin e duhur. Mund të shtosh e të numërosh me
dhjetëra e qindra; ato nuk kanë të sosur, pa harruar faunën e florën e
shumëllojshme me vlera të mëdha turistike e kurative.
Në fushat e
pllajat në të dyja anët Valbonës, përsëri gjallojnë blloqet me pemëtore disi të zvogëluara e bari i
shtuar nga mos punimi i tokave, të përshtatshme për gjithfarë kulturash.
Fondacione e shoqata, organet dhe organizmat shtetërorë po vijojnë të
investojnë në rindërtimin e ndërtimin e kanaleve e ujësjellësve të rinj. Një
projekt gjerman do të jetësojë furnizimin me ujë pothuajse të gjitha fshatrave
të kësaj lugine.
Janë dëshmi e
ndryshimeve pozitive të realizuara me investitor privat e shtetëror, edhe vilat
e bukura, qyteti me rrugë e lulishte të rindërtuara e disa rrugë makine të
viteve të fundit (Sylbicë e Curraj Epër, Shkëlzen). Një i huaj me siguri do të
befasohej me këtë qetësi e qytetërim, përballë paragjykimeve për “barut” e “shpellarë”, nganjëherë edhe keqdashëse.
Shumë është shkruar
e do të shkruhet për vlerat e kësaj treve, por asnjëherë ato nuk do të jenë të
plota pa i parë e pa i shijuar nga afër. Lufta e egër politike i ka ulur tonet,
i ka thirrur arsyes e konstruktivitetit duke ndërtuar ura komunikimi të
ndërsjella. Në shumë aspekte ka një bashkëpunim e harmoni për interesa madhore
të komunitetit në të gjitha fushat; ekonomike, politike, kulturore,
shpirtërore, të besimet etj. Këto i pamë të konkretizuara në nivel zyrtar, në
veprimtaritë e shoqatave, fondacioneve, komuniteteve fetare e shtresave
shoqërore, pa mohuar edhe mangësitë e konceptet frenuese nga segmente të
veçanta.
Pamë evenimente të
përbashkëta, të pinë kafe e bëjnë vizita të ndërsjella për raste gëzimesh e
hidhërimesh, mes demokratëve e socialistëve, zyrtarëve e qytetarëve me
pikëpamje e besime të ndryshme duke respektuar praktikat e mendimet ndryshe.
Shembulli i
drejtuesve e familjeve më në zë ka qenë e do të jetë një vlerë e shtuar e
rrezatim i vyer për sot e për nesër, një pasuri për brezat.
Tropojanët në
përgjithësi kanë shumë energji pozitive, janë krenar, impulsive, të
drejtpërdrejtë e kurajozë, punëtorë e të palodhur që e duan zhvillimin e
përparimin, arsimin e kulturën, që luftojnë për drejtësi sociale të përsosur,
deri diku të parealizuar e utopike e kjo i përball e i paragjykon kundrejt
zhvillimeve zhgënjyese të shoqërisë.
Shembull përkushtimi e korrektësie
Kështu mund ta
tipizoja me pak fjalë kushëririn tim “shoqërues” e sponsor të këtij udhëtimi.
Koloneli në
pension Vuksan Vukaj është larguar nga vendlindja qysh në moshën 13 – 14 vjeç.
Rreth viteve 1967 prindërit e tij vendosen në Kam të Bytyçit. Punuan pa u
kursyer për shumë vite në atë minierë të shfrytëzuar qysh para Çlirimit. Iiati,
Pjetër Sadiku, trupmadh e faqekuq, me forcë të madhe fizike e morale, ra në sy
për cilësitë pozitive e si punëtor i fuqishëm i nëntokës për nxjerrjen e
vagonëve grumbull me krom; kur ngecnin a dilnin nga shinat, thirrej ai si
shpëtimtar…. E shoqja Dila, punëtore në sipërfaqe, me trup të hajthëm e
kockëfortë , shquhej për vitalitetin e vullnetin e hekurt, për bujari e
humanizëm, për pastërti e mendje të kthjellët deri në momentet e fundit të
jetës. Këta prindër lindën e rritën 6 fëmijë, 4 prej të cilëve mbaruan shkollën
e lartë. Vuksani, me një temperament ku shkrihet sanguini me kolerikun, i ka
kaluar të gjithë shkallët e shkollimit e të karrierës ushtarake. Mbaron me
rezultate të larta Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, “Shkollën e
Bashkuar të Oficerëve” e “Akademinë Ushtarake”. E fillon karrierën ushtarake në
Sazan, siç i patën thënë për pak kohë. Shtatë vite të çuditshme e vështirësi të
jashtëzakonshme në atë ishull misterioz e strategjik. Pa pikë mëdyshje krah tij
edhe bashkëshortja Lula, mësuese me arsim pedagogjik, me kërkesa të larta ndaj
vetvetes e nxënësve për rezultate sa më të larta. Aty lindën fëmijën e parë.
Ndonëse menduan ta quanin Sazan, së fundmi i vunë emrin Dritan, i lindur më
1977.
Vuksani, i
përkushtuar e i aftë profesionalisht e fizikisht, disi tip spartani e kurajoz,
i hapur, i drejtë e kritik objektiv, por edhe reflektues, tregon për peripecitë e jetës së gjatë
ushtarake, për idealet pozitive e utopizmin komunist, të cilat nuk i mohoi as
në luftën më të egër politike, për përplasjet e privacionet, për uljet e
ngritjet në karrierë, por pa u dorëzuar as pranuar të dalë jashtë radhëve të
ushtrisë. Puna e përkushtimi i garantoi mbijetesën e vazhdimësinë, edhe kur
përballja ishte e egër. Një gjysmë shekulli shkollë e karrierë ushtarake, nga
komandant toge e deri komandant brigade, nga kadet deri në gradën e kolonelit,
me merakun e “akuzat” për mohimin e gradës gjeneral. Edhe pas daljes në lirim,
me të njëjtin vullnet e përkushtim ka vazhduar veprimtarinë në sektorin privat,
por me natyrën e ushtarakut të karrierës. Vuksani është kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve
Shkodër, me një veprimtari të shquar për njohjen e promovimin e vlerave dhe
edukimin patriotik. Largësia e detyra korrekte e ushtarakut, për shumë vite ia
kanë privuar disi vendlindjen, por jo dashurinë, ndaj çdo ditë e më shumë i
shton vizitat. Kjo vizita e fundit përveç motivit së “Përkujtimit të të
vdekurve” pati edhe dëshirën për të bërë vizita në Bajram Curri e Gjakovë, për
të takuar shumë shok e miq të para viteve 90, por edhe të tjerë si rezultat i
një biznesi të krijuar gjatë tranzicionit.
Shkulëm piramida e ngulëm trarë
Tropoja është
quajtur edhe Malësia e Gjakovës. Lidhjet shpirtërore kanë qënë
historike, të fuqishme e të pazgjidhshme. Ai mur i hekurt famëkeq
shekullor, me gjithë traumat tragjike që shkaktoi, nuk arriti t’i shkëpusë lidhjet tona, por më shumë i fuqizoi ato. Sa
herë kalojmë atë Tra ndarës drithërohemi
e pyesim veten. Prapë ky kufi mes vëllezërish??!! Prapë këta “dreq politikajsh” nuk i shkulën
këta çibanë kanceroz në trupin e kombit ??!! Shkon vëllai te vëllai në raste
gëzimi a hidhërimi, për nevoja shëndetësore a familjare, për turizëm a biznes
të vogël, për shkollim e veprimtari social-kulturore e nuk të ndahen
kontrollet, dokumentet, pyetjet, hetimet e dyshimet, reminishencë e represionit
serb. Kur i Zoti i shtëpisë e përzuri djallin, ky i fundit iu lut që t’i lënë
një gozhdë për të varur trastën sa herë ta sjellë rruga. Shumë gozhda
kanë mbetur të ngulura si çibanë në palcën e këtij kombi. Bashkimi e mjekimi i
kujdesshëm mund të na shpëtojë nga kjo e keqe e madhe.
Gjakova me
rrethinat e saj ka qenë e mbetet tunduese për çdo vizitor: qyteti interesant me
arkitekturë tradicionale e bashkëkohore , me asete të vyera e vlera edukative,
me veprimtari të pasura letrare, kulturor-artistike e sportive. Shumë
evenimente të rëndësishme, të cilat është e pamundur t’i përmendim, janë
organizuar në bashkërendim me Tropojën zyrtare e tropojanët e ato kanë qënë një
pasuri me vlera të mëdha.
Fushat e gjëra
pjellore e malet rreth e rrotull, të
pacenuara nga sopatat e motosharrat vrastare, ia shtojnë shumë bukurinë, pa
harruar bjeshkët me nam e qendrat
turistike.
Ëndrra e
shumëpritur për t’u lidhur me rrugë e
autostrada të nivelit evropian me Pejën, Prishtinën e Prizrenin, ka
filluar të jetësohet e të gëzojë zemrat e çdo qytetari vendas e të huaj.
Mikpritje e qytetari në shtëpinë e Ramiz Morinës
Kafen e parë, në
ditën e dytë, e pimë në një lokal jo larg hotelit karakteristik të Pashtrikut.
Na ka ftuar Ramiz Morina, një shok i hershëm i Vuksanit. Kur menduam se atij
takimi të këndshëm do t’i vinim kapak, ne paskeshim gabuar. Ramizi me
këmbëngulje na ftoi për një kafjall (mëngjes) në shtëpinë e tij. Kundërshtimet
tona nuk patën dobi. Megjithëse u nisëm për një kafe, tavolina u shtrua me meze
e me raki. Një fjalë popullore thotë: “ Mysafiri sheh gjithçka, por është edhe
“bereqet”. E para është e vërtetë, por edhe e dyta për bujarin është po aq e
vërtetë. Me siguri mendoi ndryshe një
kurnac i kamur, por në zemër i varfër, që na ftoi për kafe e as tentoi
formalisht për të paguar.
…Para se të hynim
në banesën e të zotit të shtëpisë, vizitën e parë e bëmë në punishten e rakisë.
E blente rrushin e piqte raki, po një raki si i thonë fjalës ”me ngjallë të
vdekurin”.
Pyetëm e i pamë një për një ato mjete e orendi të
shumta, me kushte të favorshme për të punuar në cdo orë të ditës, edhe një
njeri pa shumë njohuri për këtë mjeshtri.
Shkëmbyem mendime
e krahasuam përvojat e traditat. Në oborrin e sipërm, ku ishte hyrja kryesore,
na pritën e uruan mirëseardhjen me çiltërsi e bujari Fitnetja e Miranda (nënë e
bijë).
Qysh në oborr, si
të ishim shumë të afërt a farefis, bëmë fotografi e filluam bisedat. Mes
ofertës për në dhomën e pritjes a në kuzhinë, ne na pëlqeu zjarri bubulak e
temperatura e përshtatshme. Mikpritje e ngrohtë, e sinqertë e vëllazërore, pa
paragjykime e fanatizëm, civilizuese e qytetare, e traditës e bashkëkohore…Po
shikoja një realitet krejt ndryshe krahasuar me thashethemet a të vërtetat e
tabutë e paprekshme të së kaluarës. E
ndjenim veten shumë mirë në atë familje të Mahallës Gercar të Qabratit historik
të Gjakovës, e shquar për mikpritje e qëndresë
heroike kundër çdo okupatori. Shpesh herë përpiqem të rri me kujdes për
të mos lënduar ndokënd në ndjenjat e sferën e besimit, të riteve, të mendimit
politik, të sjelljes a fushë tjetër, por e ndjej veten mirë e harlisem me
argumente e fakte në biseda e debate, kur bashkëbiseduesit janë të hapur, pa komplekse e paragjykime ekstreme. Në këtë
shtëpi u ndjemë komod e të relaksuar. Na ngrohu ajo pritje bujare e
civilizuese, bisedat e mendimet e sinqerta mes mysafirëve , të zotit e zonjave
të shtëpisë, mes dy besimeve me pak ndryshime e shumë pika takimi.
Dëgjojmë të thuhet
“pritje e mirë, muhabet i mirë, raki e meze të mira etj. Por sot të gjitha
ishin në masën “shumë mirë “. Nuk pashë fanatizëm e paragjykime tek ato femra
as në veshje, as në sjellje. Diskutonin e debatonin lirshëm e me kulturë pa
ndjerë censurë as tutelë nga i zoti i shtëpisë, mysafiret. Fitnetja, e shoqja e
Ramizit, e lindur dhe e rritur në Prishtinë, pohon se të partë e saj e kanë
prejardhjen nga viset shqiptare brenda kufijve administrative të Serbisë. Nënë
e bijë shquheshin për shije në rregullimin e dhomave, për pastërti shembullore,
si kuzhiniere e specialist në përgatitjen e zaireve, diskutonin me qytetari për
zhvillimet shoqërore, për emancipimin e fanatizmin otoman që i ka ikur koha.
Për Ramizin
fillimisht u befasova, apo e pashë si me dyshim formimin e tij të admirueshëm,
si njohës i mirë i zhvillimeve brenda e jashtë vendit, i sjelljes e mendësive
të shtresave shoqërore. Qysh në vitin 1972 hynte e dilte në Shqipëri me
kamionin “Man” 30 tonësh për çimento, llamba elektrike e qelqurina në Elbasan,
Vlorë e Fushë-Krujë, por edhe anë e kand Jugosllavisë. Siç më shpjegoi, moto e familjes ka qenë e do të jetë: Dashuria për
Atdheun e për punën. “Të tillë jam mundue me i edukue edhe fëmijët, kudo të
shkojnë e kudo të punojnë, Kosovën e
Shqipërinë mos me i harrue”. Don Zoti e të gjithë i ka shëndosh e mirë. Miranda
e Miradia familjarisht punojnë në Prishtinë , prej shumë vitesh Emira në
Gjermani e Xyla në Suedi. Shpati jeton e punon në Gjakovë, me dashuri të madhe
për prindërit, për punën e për Kosovën, shembull pozitiv në shoqëri. Edhe pse nuk e takuam i uruam fejesë e martesë
të shpejtë. Pritshmëritë tona u tejkaluan; Vuksanin, si mik më i vjetër, e
lidhën në Skype me vajzat e me dhëndrit, madje e ftuan edhe për vizita.
Pa ditë nga vjen, nuk di ku shkon
Akoma pa u ngritë
nga tavolina, nëpërmes një telefonate Mustafë Brahim Aliaj na fton për një kafe
tek lokali “Arra”. Me ndihmën e Ramizit e falë internetit gjejmë adresën e lokalit e ngjitur me të një Arrë e
madhe me degë goshajka ( kurorë). Pa u
ulur mirë, një djalosh pak si buçko, i zhdërvjelltë e fytyrëqeshur, me nxitim
na jep dorën duke na përqafuar e rrahur shpatullat; i përmalluar e pothuajse i
përlotur, sikur shihte vëllezërit kurbetçinj
pas shumë vitesh. Kaq të mbushur me dashuri e kishte zemrën, sa fliste
pa pushim e disi i gulshuar. I takuar për herë të parë, e pyes se nga e kishte prejardhjen.
Jemi vëllezër, nga
Palçi i Mërturit të Tropojës e kam prejardhjen, prej atij fshati me emër nga
rrjedh edhe familja e famshme Gërvalla,- e fytyra i shkëlqen nga krenaria.
A je lidhur me
ndonjërin prej andej?
Po, me Dedë
Gjolin, me sa di e kam kushëri
Ke gjet njeriun e
duhur, i ditur e i shëtitur, nga dera e njohur e Fetë Sadik Gjergjit, e shquar
për bujari e atdhedashuri.
Dardha bie nën
dardhë , - plotësoi dikush, -që e njihte mirë Mustafën, por ky heziton të flasë
për vetveten.
Si për koincidencë
dëgjojmë një këngë “Për liri e për flamur, gjaku ynë nuk shteron kurrë”.
I ati, para viteve
’90, për veprimtari patriotike, është
burgosur 16 muaj në Maqedoni, ish RFS e Jugosllavisë. Edhe Mustafa, qysh në
shkollë të mesme, bie në sy për shpirtin kryengritës e veprimtar shoqëror, për më shumë liri e demokraci, për
ndërgjegjësimin e bashkëmoshatarëve e më të rriturve, me biseda, me shkrim parullash, shpërndarje
traktesh e komunikatash, organizim protestash e forma të tjera rezistence. Në
vitet e para me parullën “Kosova Republikë” e më vonë me një ideal e vizion të ri më të avancuar ”Kosova e
Pavarur”.
Në vitin 1984 me
mision largohet nga Gjakova për në Bajram Curri dhe prangoset nga organet e
Punëve të Brendshme. E marrin nën hetim,
e pyesin e sterpyetin, bile na përmend një oficer me mbiemrin Neza e punonjësin
Sylë Kuca. I kuptojnë zemrën e dëshirat e tij, e shohin me dhembshuri,
fillimisht me dyshime, por më vonë biseduan si vëllai me vëlla, me aq sa
lejohej. Pas 35 ditësh e kthejnë në Kosovë
e burgoset 6 muaj. Flet me pasion e gjallëri, me zjarrin e pashuar për
liri e Pavarësi reale. Përmend shokët e shkollës Prend e Mem Lleshin të rënë në betejën e
Rugovës me 1998, djalin e xhaxhait Avdylin, mësuesin frymëzues e patriot Palush
Sylaj nga Vogova, takimin me Ilmi Haradinaj, babai i heroit të Kosovës, Ramush
Haradinaj…Flet deri në detaje për veprimtari atdhetare për çlirimin e Kosovës,
për keqtrajtimin fizik e moral në vitin 1993 nga shkijet e shërimin në
Gjermani, për vitin 1998 kur përballja me serbët bëhet e ashpër e serioze, për
mungesat në armatim e peripecitë e sigurimit të municionit.
Pa harruar edhe
biznesin, zemra i rreh fort për Kosovën, mendon e punon për forcimin e saj, për
lirinë e sovranitetin, por meraku e fantazia i shkon edhe më larg, atje ku i ka
rrënjët e të parëve, në Palçin e Gurit, buzë
Drinit e rrëzë Agrit e T’thermes, aty ku u thyen ushtritë e Turgut
Pashës me 1910. Së fundi më tregon edhe
një listë me brezat, aty ku takohen me vëllezërit palçnorë e ma len amanet për
t’ia saktësuar.
Me gjithë dëshirën
e madhe për të qëndruar më gjatë, u detyruam për t’u larguar për një vizitë në
Prizrenin historik e për bashkues e më vonë për Tiranë.
Në këto vizita
pamë nga afër përvojë e vlera pozitive në rritje, që na afrojnë natyrshëm e na
bashkojnë me njëri –tjetrin e me botën e
qytetëruar, të mbështetura në traditën e çmuar e të sotmen frymëzuese, të
përshkuara natyrshëm nga fryma e civilizimit perëndimor.
U larguam për t’u
kthyer përsëri në trojet Dardane, aty ku kemi edhe një pjesë të zemrës e përkushtimit tonë.
Ura e Tabakeve - Gjakove