Udhëpërshkrim
Tahir Bezhani: Gjashtëdhjetë vite nëpër oda me çifteli në dorë
E shtune, 21.09.2019, 11:06 AM
GJASHTËDHJETË VITE NËPËR ODA ME ÇIFTELI NË DORË
Shaban
Shishmani, rapsod i ndjesive të thella të melosit popullor shqiptar.
Nga
Tahir Bezhani
Mbi gjashtëdhjetë
vite jete të kaluara odave shqiptare, anekend trojeve tona,duke krijuar
kënaqësinë e dashamirëve të artit muzikor,të folklorit shqiptar, janë një
përvojë jete,një pasuri shpirti,e më shumë se kaq, edhe manifestim i ndjenjës së brendshme të palodhur,të dehur në
telat e çiftelisë e në melosin e ëmbël
rekian. Shaban Shishmani është trashëgimtar i melosit të vjetër që e kanë
kultivuar të tjerët para tij,si Maxhun Fazlia e Sadri Isufi,dy legjenda
shekullore,pastaj vllaznit Botusha, Hajdari e Tahiri, e shumë të tjerë. Nga ato
gjenerata,Shabani është trashegimtar i gjeneratave të vjetra që mban të gjallë frymën burimore të folklorit autokton shqiptar
nga Rekë e Keqe.
-Fillimet rapsodike të Shaban Shishmanit.
Shaban Shishmani,
lindur e rritur në fshatin Shishman të Rekës Keqe, Komuna e Gjakovë, në vitin
1948, nga një familje bujare e njohur
për urtësi, mirësi, patriotizëm e shumë vlera të tjera që janë trashëguar
brezave tonë, pra një familje palcë ashti i shqiptarisë. Me këto karaktere u
rrit dhe u edukua edhe rapsodi Shaban
Shishmani,i cili që disa vite jeton në lagjen Brekoc të Gjakovës. Edhe pse në
këtë moshë,bukur të shtyrë, shpirti i tij ende nuk ia ka
kërkuar pushimin e merituar prej rapsodi.
Ky rapsod i
mirëfilltë, gëzon autoritet, jo vetëm në Rekë të Keqe të Gjakovës, por në
gjithë rrafshin e Dukagjinit,në tëre Kosovën e trojet shqiptare.
Nuk kishte më
shumë se njëmbëdhjetë vite kur filloi të merret me këtë “zeje” të shpirtit. As
vet nuk e ka menduar që t’i bëjë mbi gjashtëdhjetë vite rrugëtim me gjithë barrën e artit të bukur, të kapur damarëve të
zemrës e mendjes. Por vitet ecin...
Në moshë të re
pra, e njohu artistin tjetër të folklorit shqiptar, moshatarin, Zef Gashi nga
fshati Korenicë e Gjakovës, me të cilin nuk u ndanë disa vite. Duke e tërhequr
vëmendjen e popullit për këngën e bukur si art i vërtetë shpirtëror, shpejt u
bënë të njohur në tërë Kosovën. Kështu, atëbotë, Lornec Antoni e Akil Koci,dy
muzikologë të respektuar në rrafshin
kombëtar nuk hezituan, bënë inçizimet e para në vitin 1964 në Radio Prishtinën.
Ato vite, zëri i këtyre dy të rinjve,Shabanit e Zefit,ishte hit,sinonim i çdo
gjëje që njerëzit dëgjonin me kënaqësi të veçantë. Me këto suksese të papara
deri atëherë,këta dy të rinj, mbetën pjesë e historisë së folklorit tonë
burimor shqiptar. Këngët e dashurisë, për moshën e tyre dhe shumë deshira të
tjera,ishin kërkesë kohe. Këta dy
rapsodë ndahen mes veti pas ca vitesh nga se Zefi(tani i ndjerë), drejtohet për
shkollë të muzikës, ndërsa Shabani vazhdon me këngën i vetëm disa kohë, odave
të Rekës së Keqe.
Trashëgimia
folklorike e Shaban Shishmanit nuk është burim familjar, ndonëse veglave u
kishin rënë edhe babai me axhen, por
është pasion e ndjeshmëri përsonale
artistike, i cili ndikoi shumë në frymëzimin e gjeneratave pas tij. Në këtë kuptim, angazhoi në duet
vëllain, Sokolin, pastaj me djalin e axhës, Nexhmedinin,i cili(tani), ndodhet
ne SHBA. Edhe ky “duet” vëllazëror nuk
zgjati,nga se Nexhmedini kaloi në Radio-Prishtinë,ku bëri karrierë, ndërsa Sokoli
në SHKA.”Jahë Salihi” të Nivokazit,ndër shoqëritë e afirmuara të kohës, gjatë
viteve 80. Ndërsa, koka e këngës folklorike, kaloi në shoqërinë “Ganimete
Terbeshi”, që ishte në kuader të fabrikës së tekstilit “Emin Duraku” ,Gjakovë.
Një shoqëri me renome të kohës e cila brenda vetes kishte 12 anëtarë enkas për
folklor. Kjo arritje ishte meritë e Agë Botushës së ndjerë, dikur drejtor
financiar i fabrikës.
Shaban Shishmani
si rapsod, gjatë karierës së tij jetësore i ka rënë fati të këndojë me shumë
figura të këngëve folklorike, si me: Zenel Dolin, Ndec Gojanin, Zenel
Gacaferin,Tafil Agen (instrumentalist), Sadik Kuçin, i “Grupi i Shaban
Shishmanit”,me Muhamet Sejdiun, Miftar
Meten, Besim Avdylin etj. të gjithë nga rrethi i Gjakovës dhe qyteti . Emrat e këtyre
burrave kanë lënë gjurmë të pashlyera në folklorin tonë popullor,në jetën
kulturore, duke kultivuar vlerat artistike të një trashëgimie etnokulturore me
shekuj.
-Autorësia krijuese e rapsodit Shaban Shishmani
Rapsodi, Shaban
Shishmani.
Duke qenë një
përsonalitet me përvojë i folklorit burimor shqiptar,duke poseduar bagazh e
dije në shpirtin melankolik të vargut
artistik, si rrjedhojë, burojnë vargje të autorësisë së autorit-tekste, të
cilat me dijen e aftësinë përsonale i komponon dhe interpreton si autodidakt,
me sukses të paparë. Duhet vlerësuar lartë- aftësia krijuese e këtij rapsodi,i
cili vetëm gjatë viteve 90 e këndej, ka shkruar e komponuar mbi 15o tekste të
ndryshme. Pëmbajtja e teksteve, kryesisht është patriotike e viteve 90-ta,ku i
këndohet okupimit klasik serb, dhe
figurave të kohës, prijësve që ditën ta drejtojnë kombin në rrugën e fitores.
Ndërsa në vitet 98-99 u këndon fuqishëm luftetarëve të lirisë, atyre që ranë në
fushëbeteja për lirinë e këtij populli. Kjo familje (e rapsodit),ka dhënë një
dëshmor, ish mësuesin Rexhep Binaku, të cilin e vranë barbarët në mënyrë më të pa njerëzishme... E gjithë kjo punë mbi
gjysëm shekullore e rapsodit Shaban Shishmani, nuk duhet të mbetet anash, në
harresë, por vlen të jetë e pashme, e ndjeshme në vëmendjen e njerëzve
kompetentë të artit tonë folklorik.
Për sukseset e tij
të jashtëzakonshme,si prijës i grupit folklorik,ka qenë i ftuar shumë e shumë
herë edhe jashtë vendit tonë, dhe përherë i kthyer me mirënjohje e lëvdata të
lakmueshme për veten e të tjerët. Ka marrë pjesë (pas lufte) në
Gjirokastër(2006) dhe me grupin e tij ka zënë vendin e parë në Festivalin e
njohur,pastaj në Krumë të Hasit(2001),poashtu mer vendin e parë dhe shpërblehet
me mirënjohje,dhe shumë vende tjera. Gjithsej mban më se 30 mirënjohje të
karrierës për sukseset si rapsod, me
grupin e tij të lartëcekur. Një Mirenjohje të veçantë e mban me xhelozi nga
kryetari i Gjakovës, Ardian Xhini, marrë para pak kohësh.
-Pozita e këngës folklorike dhe rapsodët
sot.
Duke njohur
përvojën e Shaban Shishmanit, prej një rapsodi me përvojë të gjatë, natyrshëm
lindi dëshira për ta ditur gjendjen e rapsodit sot dhe vlerat e folklorit në
këto vitet e fundit, sipas mendimit të tij. Ishte kënaqësi të merrje një mendim
aq të thukët . Pos të tjerash u shpreh:” Folklori nuk mund të humbë nga shpirti
jonë. Ne jemi rritë nëpër shekuj me këngën folklorike. Jemi regjë e tymosur
nëpër kohë, gëzuar e hidhëruar,trimëruar e luftuar gjithmonë nën ndikimin e
këngës. Kemi rezistuar çdo dukuri negative, pra, kënga është vaji i burrit,
kanë thënë gjithmonë.
Pas lufta,
ceremonitë darsëmore, zjafete e kanagjeçe etj.e kanë zbehur fuqinë rapsodike.
Mendoj se shkaktar kryesor është organizimi i ceremonive në të cilat bëhet
muzikë tallava,muzikë e huaj përzier me melodinë tonë vetëm sa për të vallëzuar
tërë ditën ose gjithë natën. Pra,nuk po kultivohet ajo forca e embriont
shpirtëror që ngritë peshë zemrat,por një “kërcim-muzikë”. Këtë gjendje është
mirë me e tejkaluar sa më parë. “Nuk e zëvendëson asgje këngën e shpirtit e të
zemrës!” tha rapsodi Shaban Shishmani.Në vazhdim të bisedës “vodhëm” edhe dy
prononcime të figurave ndërkombëtare që
në fillimet e viteve 2000 të cilët ishin në vendin tonë me detyrë nga OKB-ja.
Duke qenë musafir
i ftuar në oden e Haradinajve të Glloxhanit,
zotëri Peterseni dhe gjenerali gjerman i KFORIT, ftohet për këngë
folkorike, po ashtu dhe rapsodi Shaban Shishmani me grupin e tij. Pas pushimit,
mes këngës e bisedave, zoti Petersen iu drejtohet shumë të rinjve në odë me
fjalët:” Ju duhet t’i trashëgoni këto gjëra të bukura,veshjen,këngën.Folklori
është pjesë e çdo populli në mënyrën e tij,andaj nuk duhet harruar kurrë. Sa
bukur këndon Saban Shismani( në mungesë të theksit SHSH)”
I njëjti rast rapsodit Shaban Shishmani i kishte ngjarë edhe në Kullen e Haro Bajraktarit të Vranocit, ku prezent ishte kongresmeni Engel Eliot, i cili, të rinjve u dha të njëjtën porosi, sikur edhe zotëri Petersen më parë.
Autori i tekstit bashk me rapsodin Shaban Shishmani.
Trashëgimia
folklorike si art, gjithmonë ka ushqyer shpirtin e njeriut nëpër kohë, si frymëzim për liri, humanizëm, drejtësi,
dashuri, ideal kombëtar. Bashkë me këngën, populli ynë është rritur duke u
edukuar për luftën për liri, deri në mitologjizëm, për sakrificen , për
dashurinë, etj. Prandaj, si pjesë e historisë sonë dhe ndjenjë shpirtërore e
pandarë, kurrë nuk duhet nënvlersuar cilësitë dhe efektet e saja historike, por
patjetër se folklori dhe rapsodi duhet të jenë pjesë e jetës sonë.
Në këtë rast,edhe
rapsodi në fjalë, z.Shaban Shishmani, mbetet pjesë e kësaj historie të mirëfilltë
e të lavdishme, të ecjes sonë rrathëve të historisë, për afër 60 vite jete e
pune.
Gjakovë, Shtator 2019