Udhëpërshkrim
Drita Halimi-Statovci: Konferenca Shkencore - Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera
E shtune, 01.06.2019, 08:00 AM
Konferenca
Shkencore : Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera, 02.05.2019,
Preshevë-Medvegjë-Sijarinë.
Nga
Drita Halimi-Statovci
Konferencës
Shkencore me temën bosht Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera, që u
mbajt më 02.05.2019, në Medvegjë, përkatësisht në Banjë të Sijarinës. Veshja
popullore dhe veshja në përgjithësi përfaqëson një universalitet gjithnjerëzor,
si dhe reflekton fuqi identifikuese për një individ, për një etni, për një vend
e për një komb si tërësi. Si duket ky fakt nxiti organizatorët për realizimin e
një Konference për veshjet shqiptare. Inisiativat e këtilla jo se ndihmojnë
hulumtimin e studimin e tematikës veshje e traditës, por njëherit zgjon nga
gjumi ndjenjën e dashurisë për traditën, të rivlerësimit të saj e të dashurisë
së dallueshme ndaj fenomenit veshje popullore. Domosdo kjo do të ndikojë edhe
në diskurse të reja moderne për traditën, si dhe do interferoj në ndërtimin e
një kulture të re publike në fushën e veshjeve të traditës. Natyrisht se veshja
e traditës reflekton një komunikim sa të pëlqyeshëm e të pranueshëm, aq edhe të
kuptueshëm e të lexueshëm si dialog, si diskurs e si komunikim në një
gjeohapësirë të madhe ose më të vogël.
1.
Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore në Manifestimin “Takimet e Vnedlindjes”
Tupallë
Ndodhi
rastësi dhe Konferencës Shkencore i parapriu tubimi-tradicional i këtyre
viseve, shumë domethënës “Takimet e Vendlindjes”, që u mbajt në fshatin
Tupallë. Po taman kështu, dhe në këtë Manifestim morën pjesë edhe studiuesit që
do parashtronin kumtesat e veta ditën e dy majit 2019. Do të thuhej asgjë e
jashtzakonshme, por ky Manifestim sikur mbushi secilin të pranishëm plot
emocion pozitiv për trashëgiminë kulturore në përgjithësi dhe për traditën e
ruajtur në Anamedvegjë e më gjerë në veçanti. Nuk do ndalem këtu për këtë
Manifestim, ndoshta në ndonjë rast tjetër.
2.
Pamje nga Manifestimi “Takimet e Vnedlindjes” Tupallë
Konferenca
Shkencore ishte ftuar dhe organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari
Kulturore e Luginës së Preshevës, në bashkëpunim me AFEDS, respektivisht
Forumin Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi. Një bashkëpunim ky me efekte
pozitive përgjithësisht, e veçanërisht për realizimin e Konferenxcës në fjalë.
Moderimi iu besua etnologes së re Luljeta Sylejmani, që e veshur me kostumin e
bukur, atraktiv e impozant të Anamedvegjës, Konferencës i jepte një vizualitet
të këndshëm e një sharm sa simpatik aq edhe domethënës. Kështu njësoj, me një
nyancë ndryshe të veshjes popullore, Luljetën e shoqëroi kolegeja e vet,
etnologe Erodita Qorkadiu-Haxhiu.
3.Pamje
nga Konferenca shkencore:moderatorja Luljeta Sylejmani, fjala e
hapjes:Xhemaledin Salihu dhe Muharrem Salihu
Natyrisht,
Konferenca hapet me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Shoqatës, Profesor
Xhemaledin Salihu, i cili shkurtimisht njohton për punën e Shoqatës që nga viti
2010, duke mos lënë anash të arriturat në evidentimin, fotografimin dhe
inçizimin e vlerave trashëgimore të Preshevës dhe të Bujanocit, pa harruar të
spikasë vazhdimin që do pasojë në Anamedvegjë. Theksohet fare mirë bashkëpunimin
me organizatat simotra, si dhe organizimi i takimeve të tjera natyrash e temash
të ndryshme.
Pas
tij përshëndetë edhe ekonomisti e biznesmeni z. Muharrem Salihu, që kishte
vlerësuar e vendosur t’i ndihmojë vendlindjes së vetë-Tupallës e Anamedvegjës
ekonomikisht. Ky përshëndetë në emër të AFEDS, duke pohuar se nga Italia i
kthehet Anamedvegjës për të dhënë kontribut në zhvillimin ekonomik. Modestia
njerëzore është edhe mrekulli, z. Muharrem Salihu me plot vullnet e dashuri me
kontributin e tij ekonomik si donator dhe si dashamirës i vendlindjes, njëherit
ndihmon me filozofi largpamëse edhe evidentimin, studimin dhe promovimin e
vlerave trashëgimore natyrash e materiesh disperzive.
Përshëndetjet
vazhdojnë me leximin e telegrameve urimi të Muzeut të Mitrovicës, për t’ia
kaluar fjalën zotëri Kolonel Sylejman Abazit nga Tirana. Ky ushtarak, që
përshëndeti në emër të Akademisë Alternative, gjeti fjalët më sensitive e më
largpamëse për Konferencën Shkencore të Trashëgimisë Kulturore, duke u shprehur
se kjo punë e lavdërueshme është realisht zahire e shpirtit. Zaten si të jetë
ndryshe, kur kujtojmë se trashëgimia kulturore ka vlera të veçanta! Që moti
pata shkruar se trashëgimia të ushqen kulturalisht dhe emocionalisht. Tradita,
apo trashëgimia kulturore të mëson për kohën, për historinë, i mëson të tjerët
për ty, njëherit të mëson edhe ty për të tjerët. Trashëgimia kulturore të bën
me traditë, të bën rrënjës por edhe të vendosë në modernitet e të mban me
kohën. Shkurt, pra trashëgimia, siç me plot vlerë u shpreh kolonel Sylejmani,
është zahire e e shpirtit njerëzor, madje do shtoja-edhe mbarë botëror.
4.
Fjalë përshëdetëse e Prof.dr. Sylejman Abazi, sekretar i Akademisë Globale
Albane
Përshëndetje
pati edhe Porfesor Agron Xhagolli nga Tirana, duke shprehur befasinë e këndshme
për hapësiren gjeografike të bukur të Anamedvegjës dhe kënaqësinë për një
Konferencë si kjo të trashëgimisë kulturore.
5.Fjala
përshëdetëse e Prof.dr. Agron Xhagolli në Konferencë
Në
Konferencë, në fjalen e hapjes e në punimet në seanca, që nga fillimi e deri në
përfundimin e saj, pjesëmarrës ishin personalitette e studiuesë nga Lugina e
Preshevës, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia.
Konferenca
zhvilloi punimet në dy seanca, duke pësuar pak ndryshime nga Programi i hartuar
paraprakisht. Seancën e parë shkencore e drejtuan Prof. Dr. Agron Xhagolli,
Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci dhe Dr. Fejzulla Gjabri, ndërsa u lexuan
kumtesat si në vijim: 1. Veshja identitet i spektrit të gjerë (Prtof. Dr. Drita
Halimi-Statovci), 2. Veshjet popullore në Lume e Dibër të Poshtme (Dr. Fejzulla
Gjabri), 3. Veshjet shqiptare në rrethin e Tetovës (Dr.sc. Shefki Selami), 4.
Kostumet kombëtare në trevat lindore shqiptare në Maqedoninë Perëndimore (Prof.
Dr. Nebi Dervishi), 5. Veshjet popullore shqiptare në Luginën e Preshevës
(Prof. Dr. Afërdita Onuzi-në mungesë e lexoi Prof. Dr. Agron Xhagolli).
6.Seanca
plenare e Konferencës shkencore: Prof.Xhemaledin Salihu, Afaristi Muharrem
Salihu, Prof.dr.Drita Halimi-Statovci, kryesuese, Prof.dr. Agron Xhagolli dhe
Rrahman Hyseni, shkrimtar
Seanca
e dytë u hap me kumtesën 1. Vendi i veshjeve popullore në tërësinë folklorike
(Prof. Dr. Agron Xhagolli), për të pasuar më tutje 2. Erotikja në këngët e
dashurisë (Dr. Albin Sadiku), 3. Copza kulturore të zhvilluara ndër shekuj te
popullata shqiptare në Vushtri e rrethinë (Mr. Jeton Sallahu dhe Bedri Xhema),
4. Trashëgimia kulturoredhe rëndësia e saj historike-Veshjet kombëtare dhe
diversiteti i saj (Dr. Sc. Mustafë Haziri), 5. Rëndësia historike e veshjeve
tradicionale shqiptare (Doc. Dr. Minir Ademi), 6. Veshjet tradicionale në
Kosovë (Erodita Qorkadiu-Haxhiu), 7. Veshjet e burrave shqiptarë të Medvegjës (
Prof. Rexhep Abazi) dhe 8. Veshjet e burrave në Preshevë (Xhemaledin Salihu,
Profesor).
Këto
13 kumtesa të lexuara mbajnë në vete një gjeografishtrirje tepër të gjërë të
etnisë shqiptare, si dhe një tematikë të bollshme e të nduarduartë për veshjet
popullore, por edhe të fushave të tjera trashëgimore. Me një natyrshmëri të
lehtë, për veç kumtesave për veshjet popullore, apo të traditës, në Konferencë
pati kumtesa që flasin për rite të kalimit, për punesat e dorës dhe për
përfitimin e motiveve-ornamenteve dekoruese në veshje e në artefakte të tjera.
Pa u lëshuar në detaje, lypset vërejtur se temat e këtilla komunikojnë,
informojnë për një trashëgimi të begatë kulturore dhe natyrisht se ndihmojnë
njohjen sa më të mirë të saj. Gjeneratat e ardhshme kështu përfitojnë një bazë
të mirë studiuese dhe kanë për të njohur segmente të kulturës, të së kaluarës,
mësojnë rëndësinë e pasurisë trashëgimore materiale, artistike ose shpirtërore,
dhe e bukura e kumtesave të këtilla është se do të shërbejnë si material
studimor për studiues të ndryshëm të Etnologjisë dhe Antropologjisë kulturore
në përgjithësi, por edhe më gjerë.
Kumtesat
që ishin lajmëruar me kohë, por që për arsye të mungesës së autorëve nuk u
lexuan në Seancat e Konferencës, si fjala vjen sipas radhës në Programin e
shpërndarë: 1.Veshja e gjerë e femrave në Malësi të Gjakovës, unike për vlerat
dhe llojin e vet (Agron Isa Gjedia), 2. Veshja e grave shqiptare në Rajonin e
Medvegjës (Dr. Qazim Namani), 3. Veshjet popullore shqiptare në tregimet e
autorëve shqiptarë (Dr. Rovena Vata), 4. Kostumet popullore në vendbanimet
shqiptare të Velesit (Prof. Dr. Mustafë Ibrahimi, 5. Trashëgimia kulturore dhe
politika (Phd Hajtullah Mustafa), 6. Veshja e Medvegjës dhe e viseve të tjera
si elemente ndërlidhëse me identitetin (Mr. Rini Useini), dhe 7. Veshjet
shqiptare në trevat e Medvegjës ( Rrahman Hyseni), sigurisht se do të
përfshihen në një Përmbledhës të veçantë të të gjitha kumtesave të zgjeruara
për botim, si dhe pa anashkaluar edhe shënimet tjera të punës së Konferencës
Shkencore për trashëgiminë kulturore, të mbajtur më dy Maj 2019 në
Medvegjë-Banjë të Sijarinës. Pra, do kemi 20 punime të nivelit shkencor. Do jetë
kjo një arritje e pëlqyeshme në fushën e trashëgimisë kulturore, veçanërisht
për veshjet e Anamedvegjës.
7.Pamje
nga Konferenca shkencore: pjesëmarrësit
Në
diskutimet, pas përfundimit të kumtesave, u vlerësua lartë Konferenca e parë
Shkencore në Medvegjë, e organizuar për traditën, përkatësisht trashëgiminë
kulturore në fushën e veshjeve popullore dhe më gjerë. Së pari u dëgjua fjala e
nikoqirit , Kryetarit të Shoqatës z. Xhemaledin Salihu. Ky e pa tejet të
rëndësishëm këtë takim dhe shprehi dëshirën që takimet e këtilla të shëndrohen
në traditë të vazhdueshme. Zaten kur e mendojmë këndvështrimin shkencor, do
pajtohemi se tradita-trashëgimia nuk është e ngurtë, por përkujtohet,
zhvillohet, ndërtohet e vazhdimisht pasurohet me elemente të kohës. Ndryshe nuk
mund të jetë e as të trajtohet ndonjë trashëgimi kulturore, e pra, as ajo
shqiptare. Diskutimet vënë në spikamë të arriturat e kumtesave shkencore, por
edhe reflektuan sugjerime për një nivel argumentues shkencor. Seanca e
diskutimeve u shfrytëzua pjesërisht edhe për pergëzime e urime për Konferencën
Shkencore. Për kryetaren e Organizatës jo qeveritare Uniteti Alban-z-nja Mimoza
Abrazhda, kjo Konferencë ishte një kënaqësi dhe një realitet që shpërfaqë
bashkimin e dijes, të punës dhe të kapitalit për të ardhmen e kombit shqiptar.
Zonja mësuese veterane e Medvegjës Aza Ferati u shpreh e ngazëllyer me këtë
takim, veçanërisht duke parë aty edhe disa ish-nxënës të vetë. Dëshira e sajë
ishte që kjo Konferencë të shnëdërrohet në traditë e të na mbushë zemrat plot
emocion dhe plot dije për trashëgiminë kulturore. Diskutuesit, si z. M. Ademi,
z. A. Syla e ndonjë tjetër patën edhe ca sygjerime që do plotësoheshin në
zgjerimin e kumtesave për botim. Një diskutues, banorë i këtyre anëve, Agim
Syla që kishte ardhur nga Diaspora shqiptare, u mahnitë me Konferencë të
këtillë dhe shprehu dëshirën që kjo praktikë të vazhdojë.
Në
fjalën përmbyllëse, u theksua se mrekullia e kësaj Konference qëndron në faktin
se ajo tuboi e takoi studiues e hulumtues të viseve të ndryshme etnike
shqiptare dhe se shtroi e debatoi tematika të ndryshme të trashëgimisë
kulturore pikërisht në Medvegjen, ndoshta pak të njohur. Për detyrën që iu dha
për fjalën përmbyllëse, Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci u shpreh e privilegjuar
dhe e respektuar, dhe potencoi se kultura, trashëgimia kulturore është një dhe
e pa ndarë dhe se pikërisht lypset të trajtohet si një dhe e pa ndarë,
përkundër kufinjëve të shumtë që rrethojnë botën etnike shqiptare. Kufinjt kanë
historinë e vetë, ndërsa kultura shqiptare shfaqet dhe është e njëjtë ose e
ngjashme kudo që jetojmë, natyrisht diversiteti i nuancave kulturore është
pasuria dhe mrekullia vetë. Filozofia mendimore shqiptare, ndërgjegja e kujtesa
e saj shoqërore identifikon qartas të kaluarën e vetë, por njëherit ndihmon ta
kuptojmë më mirë të sotmen e ta vlerësojmë drejtë trashëgiminë kulturore, të
kaluarën historike. Po, taman kështu u treguan, u shfaqen e reflektuan
realitetet e shtruara në kumtesat shkencore të Konferencës, që mund të
trajtohet edhe si maratonë për dije, për shkencë e për realizimin e vetvetës,
duke shkëputur nga harresa shumë elemente të traditës, të etnokulturës
shqiptare. Konferenca kishte për qëllim të mbahet në sallen e shtëpisë së
kulturës, atje ku zakonisht performohet tradita e bashkëjetesa multietnike, por
shkurtpamësia e drejtuesëve komunal nuk e lejuan një kënaqësi e një bukuri të
tillë. Dëm kulturor! Por e bukura ishte qëndrimi i jonë aty-në Medvegjë.
Rëndësia shkencore, por edhe interesimi për ndriqime në fushën trashëgimore, u
bënë bashkë dhe u jetësuan në një Konferencë Shkencore. Sa komunikim
domethënës, interaktiv dhe i shkëlqyeshëm për takime të këtilla. Në një mjedis
antropologjik kulturor, për një pjesë të madhe pjesëmarrësish të panjohur deri
tani, takohen studiues e hulumtues të viseve të ndryshme shqiptare me
interesime të ndryshme tematiko-shkencore, dhe duke shpërfaqur identitete
natyrash të nduarduarta ndihmojnë një kulturë të pa ndashme etnike shqiptare.
Më tutje, Profesoresha Halimi-Statovci u shpreh se takimet e këtilla janë shumë
të rëndësishme. Momenti kur vijmë dikund, takohemi e bashkohemi japim dhe
marrim emocion të veçantë, sikur edhe ndarja që ka emocion të veçantë. Do
dëshiroja që prej këtu të ndahemi si miq të gjithë ne të pranishmit këtu, dhe
të ndahemi me të arritura të reja në kulturën e shkencën tonë etnologjike, më
gjerësisht të antropologjisë kulturore. Nëse e trajtojmë kulturën tonë sui një
e të pa ndarë mund të japim kontributin e qëlluar e të ecim përpara në fushën e
trashëgimisë. Duhet vërejtur gjithashtu se nga ajo që u pa në Konferencë e në
Takimet e vendlindjes, disi bindemi se gruaja është ruajtëse dhe transmetuese
më e mirë e trashëgimisë kulturore se sa burri, dhe, këte duhet çmuar. Ka
përplot elemente që teorikisht e shpjegojne këtë çështje, por kjo ndodhë edhe
për faktin se gruaja është më tepër në shtëpi, gruaja e punon vetë një pjesë të
artefakteve të kulturës materiale, si fjala vjen veshjen popullore, e mban këte
me dashuri dhe e transmeton këtë pasuri me dashuri te gjeneratat e reja .
Pikërisht në Takimet e Vendlindjes por edhe këtu në Konferencë, u vërejt
vizualisht se femrat mbajnë veshjen popullore më shumë se burrat. Mirëpo, e
mira mbi të mirat është fakti se kjo trashëgimi iu transmetohet fëmijëve dhe
rinisë. Si përfundim erdhi qëndrimi unanim i Konferencës që kumtesat për botim
duhet punuar sa më mirë, me argumentime të mirëfillta dhe me aparaturë
përcjellëse shkencore të nevojshme për botim. Qëndrimet e Konferencës njëherit
ishin edhe mesazhe për të ardhmen, për hulumtimin, për trajtimin dhe për
ruajtjen dhe vlerësimin e drejtë të pasurisë trashëgimore. Ky edhe është
qëllimi dhe misioni i Shoqatës për trashëgimi dhe krijimtari kulturore i
Luginës së Preshevës .
8.Fjala
përmbyllëse e Prof.dr. Drita Halimi-Statovci, kryetare e Bordit të Konferencës
shkencore
Dhe,
në fund vjen falënderimi, por edhe mirënjohjet. Shoqata kishte përgaditur një
mirënjohje të veçantë për z. Muharrem Salihu, që në shenjë falënderimi ia
dorëzoi kryetari i Shoqatës z. Xhemaledin Salihu, por pati mirënjohje edhe për
të gjithë pjesëmarrësit si kontribues të Konferencës e të trashëgimisë
kulturore. Të më lejohet edhe mua, që me këtë rast të konstatojë se në rend të
parë duhet falënderuar organizatorët e takimeve të këtilla, dhe menjëherë pas
kësaj edhe sponzorizuesit që me vullnetin dhe dëshiren e tyre largpamëse
ndihmojnë evidentimin, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore,
përkundër faktit se shprehen që janë jasht këtyre rrjedhave! Falenderimi shkon
për z.Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës, z. Muharrem Salihu kryetar i
AFEDS, z. Rrahman Hyseni, anëtar i Këshillit organizues, për të gjithë
pjesëmarrësit me kumtesa dhe mysafirët tjerë të interesuar këtu si dëgjues e si
vëzhgues.
9.SHTKK
Preshevë i ndau Mirënjohje kontributi pë Konferencën shkencore, Afaristit Muharrem
Salihu
Gjithashtu,
dëshiroj të falenderoj edhe gjeneratat e reja që i kemi të pranishëm këtu me
ne, dhe që marrin pjesë me kumtesa, ose përcjellin punimet e Konferencës me
shumë interesim. Kolege e kolegë të dashur, miq dhe dashamirë të punës hulumtuese
e studimore, rini e dashur, të gjithë dashamirës të trashëgimisë kulturore
falemnderit edhe njëherë e mirëutakofshim në Konferenca të tjera të bukura, të
këndshme,frymëzuese dhe mbi të gjithat shkencore!