E enjte, 14.11.2024, 01:50 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Bashkim Saliasi: 'Vëllazërimi', Babrru-Fushë në shkollën vartëse Babrru-Kodër

E shtune, 09.03.2019, 11:25 AM


Reportazh nga shkolla “Vëllazërimi”, Babrru-Fushë në shkollën vartëse Babrru-Kodër

Nga Bashkim Saliasi - Zëvendësdrejtor i shkollës 9-vjeçare Babrru-Fushë, Tiranë

Data 1 mars. Ditë pranvere. Sihariqin e parë të ardhjes së pranverës e kanë dhënë mimozat të ndjekura nga pjeshkat, kajsitë dhe kumbullat. Dimri po largohet dhe vendin po ia lë ditëve me më shumë diell, me më shumë ngrohtësi, me më shumë aktivitet për të gjithë banorët e komunitetit të zonës Babrru-Kodër dhe Babrru-Fushë.

Në këtë ditë të parë të pranverës mendova të vizitoj shkollën vartëse Babru – Kodër, cikli ulët, arsimi fillor, ku mësojnë 87 nxënës nga klasa e parë në klasën e katërtë dhe punon një staf mësuesish i përbërë nga pesë mësues dhe një mësues ndihmës. Katër prej mësuesve vazhdojnë çdo ditë të javës, kurse mësues Afrim Hudhra, që jep lëndën e anglishtes, punon tre ditë në këtë shkollë dhe dy ditë në shkollën Babrru-Fushë, që mban emrin “Vëllazërimi”.

Godina e shkollës fillore Babrru-Kodër

Shkollë Babrru-Kodër ndodhet faqe të kodrinës, ku dikur nuk ka qenë e populluar, por, pas viteve ’90 ardhjet e njerëzve nga rrethe të ndryshme, si dhe nga rrethinat e Tiranës, u shoqëruan dhe me ngritjen e banesave.  Përsëri zona e mbjellë dikur me vreshta dhe plantacione me ullinj ruan panoramën e saj, pasi askush nuk vuri dorë në prerjen e pemëve dhe ullinjve, përkundrazi ato u shtuan.

Rruga për te shkolla të krijon një ndjesi çlodhëse, kur shikon se banorët në të dy anët e saj kanë filluar të kryejnë punimin e tokës dhe mbjelljet e para të pranverës në bahçet e tyre.

I lidhur shumë ngushtë me shkollën që drejton

Në hyrje të shkollës më priti kryemësuesi Caush Kullafi, që ndiqte nga afër ardhjen e nxënësve të përcjellë nga prindërit e tyre. Shkolla e rreshtuar po bëhej gati të kryente gjimnastikën e mëngjesit, traditë të cilën mësuesit e kryejnë rregullisht.

Zilja e shkollës na ftoi të gjithëve të fillonim  gjimnastikën, një aktivitet mjaft i dobishëm për nxënësit dhe mësuesit për të rigjallëruar forcat dhe për ta përgatitur nxënësin që të mos jetë i plogët, por të rrisin shkallën e vëmendjes dhe të jenë aktivë gjatë orëve të mësimit

Shkolla Babrru-Kodër e rreshtuar për fillimin e gjimnastikës së mëngjesit

Mësues Sokoli për dhjetë minuta kreu së bashku me nxënësit ushtrimet gjimnastikore dhe pasi u rreshtuan i ftova mësues dhe nxënës të bëjmë një fotografi, kujtim nga viti shkollor 2018-2019.

Të gjithë e pritën me kënaqësi.

Dita e bukur me diell, ndihmonte që fotoja të fiksonte çaste të bukura të shkollës dhe të nxënësve të saj.

Në ambjentet e brendshme të kësaj shkolle të bie në sy rregulli dhe pastërtia. Koridori  dhe klasat janë të pasuruara, të zbukuruara  me lule dhe me stenda, që pasqyrojnë veprimtarinë e shkollës në vite.

Mësues Caushi, së bashku me kolegët bëjnë kujdes për gjithcka, shkollën e konsiderojnë të shenjtë, duke filluar nga godina, lulet dhe ambjentet e brendshme, që ndrisin nga pastërtia dhe bukuria. Thuhet se “Ambienti edukon” dhe, kjo thënie e urtë,  konkretizohet dukshëm në  këtë shkollë e ku mësues e nxënës ndihen mirë gjatë gjithë kohës që zhvillojnë mësimin dhe aktivitetet e përditshme.

Mësues Caushi i dhuron shkollës të gjithë bibliotekën e tij personale

Në krahun e majtë të korridorit shfaqet dukshëm bibloteka shtëpiake e mësues Caushit, i cili me rastin e fillimit të vitit shkollor 2018-2019 ia dhuroi shkollës bibliotekën e tij personale.

Një gjest human i këtij mësuesi të përkushtuar dhe të lidhur shumë ngushtë me shkollën e tij, dhe që meriton falënderime për punën e mirë që bën, jo vetëm gjatë  procesit mësimor, por edhe me librin jashtëshkollor.

-Kështu ndihem edhe unë më mirë, - thotë Caushi, - sepse edhe unë dhe fëmijët në shkollë kalojmë pjesën më të madhe të kohës. Këtu librat u shërbejnë edhe të tjerëve, bashkë me ta edhe fëmijëve të mi. Ja ku i kanë, kur duan të lexojnë,  t`i marrin, t`i lexojnë dhe t`i kthejnë përsëri në bibliotekë. Kështu librat janë në vendin e  duhur, në vendin e tyre.

Në bisedë me mësues Caushin më tregon se biblioteka, të cilën ia dhuroj shkollës, ka në përbërjen e saj 235 libra artistikë në përshtatje me moshën e nxënësve.

Gjatë kohës që po bisedonim, afrohen dy nxënëse dhe dorëzojnë librat që kishin marrë për të lexuar dhe morën libra të tjerë.

Në bisedë, sjellim  në kujtesë kohën e  çeljes së kësaj shkolle, por që godina e re, u ndërtua në vitin 1997.

Sigurisht kanë kaluar shumë nxënës që atëherë, edhe disa mësues kanë dalë në pension apo edhe janë larguar, por shkolla ja tek është, me historinë dhe gjallërinë e saj, me stafin e mirë përgatitur dhe të përkushtuar, gjithnjë duke përmirësuar e zhvilluar forma dhe metoda bashkëkohore...

Gjatë gjithë kohës që ndoqa zhvillimin e programit mësimor të asaj dite, pashë se të gjithë mësuesit dhe nxënësit vijonin etapat  e mësimit rregullisht, seriozë dhe të interesuar për mbarëvajtjen, gjithçka me rregull e disiplinë.

U largova nga shkolla Babrru-Kodër me përshtypjet shumë të mira për punën e mirë që bëhet në edukimin e fëmijëve të kësaj zone, që vijnë nga zona të Shqipërisë që përfaqësojnë kultura të ndryshme.

“E kam menduar gjithnjë parajsën si një bibliotekë”

Kishte kohë që drejtoresha e shkollës “Vëllazërimi”, Babrru-Fushë, znj. Merita Prenga diskutonte në çdo takim të përjavshëm sesi mundemi ne mësuesit të pasurojmë bibliotekën dhe t’i bëjmë nxënësit tanë të lexojnë sa më shumë libra. Kështu që nisma e ZAK-së, Kamëz “Shkëmbejmë libra”, e gjallëroi këtë dëshirë të mësuesve dhe nxënësve, ajo u mirëprit dhe shpejt nisi zbatimi i saj.

Shembullin vetjak e kish dhënë mësuesi i shkollës Babrru-Kodër, z Caush Kullafi që dhuroj bibliotekën personale të shtëpisë shkollës ku ai punon, teksa drejtoresha e shkollës, do të shkruante në faqet e Faceboocut: “E kam menduar gjithnjë parajsën si një bibliotekë”.

Shkëmbejmë libra në çdo ambient të shkollës për të shijuar leximin dhe, për të zhvilluar mendimin…

E para që ndërtoj këndin “Shkëmbejmë libra”, me orientim të drejtoreshës, ishte mësuese Rina Beqiri. Më pas, drejtoreshë Merita do ngrinte dhe dy këndet e tjera në katin e dytë dhe të tretë që jo vetëm zbukuruan ambientin, por i dhanë një frymëmarrje tjetër shkollës “Vëllazërimi”.

E dukshme ka qenë dhe është puna e veçantë e përgjegjëses së bibliotekës, mësuese Rinës me Qeverinë e nxënësve, me mësuesit e lëndës “Gjuhë shqipe”, jo vetëm për pasurimin e bibliotekës, por dhe Këndit të librit në korridoret e shkollës…

Libri i shkollës është dhe, si rrjedhojë, vendi i tij duhet të jetë gjithnjë i dukshëm, ashtu dhe funksional. Duke qenë gjithnjë përpara nxënësve ai sikur i kujton dhe u thotë: “Çfarë, këtu në rafte do të më lini? Nuk do të ishte më mirë të më merrni në duar dhe të më lexoni. Me siguri që nuk do të bëheni pishman!”

Mësuese Rina Beqiri në ambientet e bibliotekës duke sistemuar librat

-Në bibliotekë, - tregon mësuese Rina, - janë 1400 libra artistikë, kryesisht vëllime me tregime, romane, novela dhe libra dhuratë nga autor të ndryshëm.

Përveç nxënësve të rrethit letrar, kemi shumë nxënës që janë anëtarë të bibliotekës dhe çdo javë tërheqin libra për lexim, jo vetëm nga ata që u rekomandohen për të lexuar, por ata edhe i përzgjedhin dhe vet, duke i treguar njëri-tjetrit.

E “çmendur” pas librit

Në momentet që dy mësuesit Saimir Kabili dhe Emirjan Cubaj po kujdeseshin për të vendosur  këndin e bibliotekës në katin e parë dhe  unë po shprehja entuziazmin tim për punën e bërë deri atëherë, drejtoresh Merita më tha:

-Prit, prit se s’kemi mbaruar punë akoma.

Dhe, vërtetë, pas tre ditësh në katin e dytë dhe të tretë u vendosën dy këndet e tjera të mbushur me libra nga vet nxënësit e dhuruesit.

Këndi librave në katin e dytë

Këndi librave në katin e tretë

Në bisedë të lirë i them drejtoreshës se je shumë e pasionuar pas librit. Ajo buzëqeshi dhe tha:

-Jo, jo! Unë  jam “e çmendur” pas librave dhe luleve!

Më se e vërtetë. Në ambientet e “Vëllazërimit”, kushdo që ka hyrë e ka dalë, fjalët më të ngrohta ka thënë dhe kjo falë përkujdesjes së drejtoreshës, stafit të mësuesve dhe nxënësve, që tregojnë kujdes gjatë lëvizjes së tyre në ambientet e ngushta të korridoreve që ka shkolla jonë.

Ka dy arsye për të lexuar një libër, shkruan drejtoresha në faqen e shkollës në Facebbok..

-Të shijon leximi.

-Të zhvillohet mendimi.

Nisma e ZAK-së: “Shkëmbejmë libra”, vazhdon me përkushtim në shkollën 9- vjeçare “Vëllazërimi” Babrru-Fushë.

Dhurata e shkrimtarit Viron Kona

Shkrimtari Viron Kona, mik i shkollës sonë, më ftoi ditën e diel pasdite të takoheshim pasi kishte një dhuratë për shkollën tonë.

U takuam në rrugën “Myslym Shyri” dhe shohë se po vinte ngadalë me një qese të mbushur plot me libra.

-Ja, - më tha ai, - kaq munda të mbaj, një herë tjetër do t`ju dhuroj edhe libra të tjerë.

-Po ç`paske bërë kështu, miku im, ti nuk mban dot as pesha, përse nuk më tregove që të vija afër shtëpisë dhe të të ndihmoja.

Me buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe me fjalët e ngrohta e kaloj shumë shpejtë situatën.

U ulëm në kafe dhe ai nisi të shkruaj autografin: “Dhuratë për bibliotekën e shkollës...”. Ishin 20 libra të tijat, por dhe rreth 15 libra të shkrimtares, stilistes dhe atdhetares nga Kosova me banim në Norvegji, znj.  Emine S. Hoti, të leksikografit dhe atdhetarit shqiptar-suedez Sadulla Zendeli-Daja, si dhe të shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Sokol Demaku, i cili kishte ardhur para një viti me një delegacion shkrimtarësh nga Suedia për vizitë në shkollën “Vëllazërimi”.

-Më pëlqen nisma juaj, - thotë Vironi. - Kështu edhe shkolla pasuron bibliotekën e saj, edhe nxënësit lexojnë. E pashë këtë nismë edhe në shkollën 9-vjeçare “Illary Klinton”, edhe ata e kishin pasuruar goxha bibliotekën e shkollës së tyre. Shumë personalitete të arsimit e kanë pasur këtë dëshirë dhe cilësi dhuruese. Mbaj mend që kanë qenë shumë dhurues edhe profesorët e  njohur Shefik Osmani dhe Musa Kraja. Profesor Shefiku i dhuroi bibliotekës së Lezhës një sasi të konsiderueshme librash nga biblioteka e tij. Kështu ai u dhuroi libra edhe disa shkollave. Në këtë mënyrë libri shkon atje ku duhet, te nxënësit dhe mësuesit. Biblioteka gjallërohet dhe merr vlerën e saj kur libri qarkullon mes lexuesve.

Dhe, në bisedë ai kujtoi atë thënien kur dy vetë këmbyen nga një kokërr mollë dhe përfundimi ishte përsëri nga një kokërr. Kurse duke këmbyer mendime, secili prej tyre përfitoi dy mendime. E njëjta gjë ndodh edhe me librat që qarkullojnë dorë më dorë apo nga biblioteka te lexuesi dhe anasjelltas. Kështu një libër rrezaton te shumë lexues dhe nuk fle në rafte...

-Falënderoji: shkrimtaren Emine Hoti, leksikografin S. Z. Daja dhe Sokol Demakun nga ana ime, - i them mikut tim, pasi ai ka komunikim të rregullt me ta.

-Po, doemos, ata do të gëzohen shumë, - tha ai dhe shtoi se, edhe shkrimtarja Hoti, edhe S. Z. Daja e S. Demaku i kishte lënë disa nga librat e tyre për t`i bërë dhuratë në disa shkolla...Madje z. Sokol Demaku ka dhuruar edhe më parë në disa shkolla të Tiranës, Lezhës, Durrësit disa nga librat që ka përkthyer nga suedishtja në gjuhën shqipe si  “Djali dhe tigri”,  “Gjueti diamantesh”...

U ndamë me shkrimtarin e njohur dhe mikun e shkollës sonë Viron Kona për t`u takuar përsëri dhe për të folur si përherë për atë që i mungon më shumë  kohës së sotme: librit dhe leximit të tij

Falënderim

Në emër të drejtores së shkollës z Merita Prenga, n/drejtorit Bashkim Saliasi, mësueses që kujdeset për bibliotekën Rina Beqiri dhe gjithë mësuesve dhe nxënësve të shkollës 9- vjeçare “vëllazërimi” falënderojmë shkrimtarin Viron Kona, mikun e pa ndashëm të shkollës sonë. Faleminderit.

Sot në mëngjes dorzova librat dhurat nga shkrimtari, miku i shkollës time Viron Kona si dhe shtova dhuratë librat e mi dhe të vajzës Juliana Trocit (Saliasi), duke shtuar numërin e librave të dhuruar në rreth 30 copë.

Bashkim Saliasi duke i dhuruar librat në biblotekë drejtores së shkollës z Merita Prenga

Librat dhuratë për biblotekën e shkollës “Vëllazërimi”

Në faqet e facebokut  Caush Kullafi shkruan: “Biblioteka e shkollës “Vëllazërimi”, modeli i së mirës.

Kështu ndodh kur drejtoresha e shkollës Merita Prenga është “tmerrësisht” e dashuruar pas librit. Nisma e ZAK-së në kohën e duhur. Të vrapojmë drejt librit, ajo është udha e dijes për fëmijët. Faleminderit ZAK-së për këtë nisëm shumë të dobishme për të gjithë!

Caushi në një postim tjetër shkruan: Faleminderit ju që më vlerësoni!

-U ndjeva mirë edhe në falënderimin që më bëri drejtoresha e ZA-Kamëz, znj. Ermioni Cekani.

Faleminderit!

E dua librin, rri me librin, mësoj nga libri dhe dua që libri të kthehet te të gjithë si dikur, kur nuk kishim kompjuterë.

Vlerësim edhe për mësuese Rinën që punon me përkushtim për bibliotekën e shkollës.

Nisma “Shkëmbejmë libra” është një nga risit më të veçanta të këtij viti shkollor që ta bëjmë brezin e ri që t`i kthehet më shumë librit...

Shkëputem nga artikulli, duke sjellë në kujtesë mësuesit, kolegë të mi të shkollës, nxënësit e, sidomos drejtoreshën Merita Prenga, të përkushtuar pas shkollës që drejton, por dhe të pasionuar pas librit. Ajo, me kreativitetin e saj dhe vizionin e një drejtuese vizionare, synon që shkolla jonë të radhitet në një nga shkollat më të mira të ZAK-së.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora