Udhëpërshkrim
Frrok Vukaj: Vlera që na bashkojnë
E shtune, 09.11.2019, 10:58 AM
VLERA QË NA BASHKOJNË
NGA
FRROK VUKAJ
Qëllimi i vizitës
sime për në vendlindje, në Shëngjergj të Nikaj – Mërturit, është respekti për
të vdekurit, për të “Shumtit” e asaj bote të përtejme, për prindërit e të
afërmit që nuk jetojnë.
1 Nëntori – kjo
pikë referimi, është si një fushë magnetike që i afron të gjithë, jo vetëm nga
Shqipëria, por edhe mërgatën nga jashtë vendit.
Me një autobus të
vogël të linjës Tiranë – Koplik, udhëtova për Kryebushat, hereët në 31 Tetor,
për t’u takuar me kushërinjtë e mi që banojnë në Shkodër.
Feja e Shqiptarit është Shqiptaria.
Në ulësen pranë
meje Mersin Koldashi, një burrë faqekuq e me trup të lidhur mbante në majë të
kokës një si qeleshe a fes që ngjante me atë të klerikëve myslimanë apo
kristian. Pas pak filluan bisedat e zakonshme. Banonte në Tiranë, afër Saukut,
me origjinë nga Ujëmishti i Kukësit, i besimit mysliman. Udhëtonte për në
Shkodër, sepse merrej me një tregti kinkalerish, bizhuterish, qelqurinash etj.
Pak nga pak biseda u shtri edhe në 3-4 ulëset më të afërta e mori një drejtim
interesant në fushën e besimit. Temë shoqërore disi e ndjeshme. Biseda mori
zjarr sa nuk kishte nevojë t’i ngaje urët. Paskëshim qenë besimtarëve të tre
besimeve, por edhe ateist dhe laik.
Mersin, emrin e
paske mysliman e mbiemrin katolik….
Orte, na dikur
kemi ardhë nga Kopliku, të shpërngulur me forcë nga pushtuesit turq (osman
shënimi) e jemi vendos në Luginën e Drinit të Zi. Ma vonë e ndërruam fenë nga
katolik në myslimanë.
Si e ndjen veten ?
Shumë mirë, unë i
respektoj fetë, të gjithë jemi shqiptar, Allahu na ka krijue.
Zoti është mbi
gjithçka, pohoi dikush.
Po Kopliku ka edhe
katolik edhe mysliman.
Shumë mirë,
njëlloj jemi, me mish e gjak shqiptari.
Një djalosh rreth
të 30-ve thotë:
Ka edhe ortodoksë.
Unë në shtëpi i kam të tre besimet.
Edhe të tjerët
pohuan të njëjtën gjë, mes të cilëve edhe unë.
Po për Krishtin e
Muhametin e ngau dikush bisedën...
Janë udhërrëfyes
shpirtëror… si punë partish, por dalin edhe parti të vogla me programe e
veprime të këqija.
Kanë fillue me u
prish edhe fetë. Asnjë fe e vërtetë nuk thotë me vra, me pre, me vjedhë…. por
kërkojnë harmoni e paqe, me punue e jetue me djersën tënde.
E ka thënë shumë
kohë më parë Vaso Pasha “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”
Edhe Gjergj Fishta
bukur ka folë “Kemi Bajram e kemi Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë”.
Një klerik
mysliman ka thënë: Qofshim mysliman, qofshim të krishterë, kurrë nuk e kemi
mohue Atdheun, e gjithnjë kemi mbetë
shqiptarë”.
Po vere e raki a
pini?
Me meze a pa meze?
Me mish derri a
berri?
Unë shpesh i
ngatërroj se mish derri e mish berri janë si afër,- qeshi me te madhe një meso
burrë.
Mishi i derrit i
pjekur me shijon me shumë edhe pse jam mysliman.
Rakinë e mishin e
derrit i ka ndalue Muhameti.
Nuk e kam lexue
kund në kuran.
Unë pijë me
kristian e gjynahin e marrin ata, - e u gajasen se qeshuri.
Ndërsa ata po
bisedonin m’u kujtua një shoku im mysliman, A.T. i sëmur me grip. Kur e pyeta
nëse ka pi ndonjë ilaç me tha:
Kam hangër do mish
të bekue e raki të zierë e kam ba shumë ma mire, po nuk e di a kam ba gjynah.
Unë u tregova një
barsoletë për disa shokë në Bajram Curri që shpesh pinin raki e vere. Unë u
bëja vërejtje se po prishnin besimin, por ata me thane se ishin “në të shkuar”.
Si është kjo në të shkuar, i pyes unë.
Kur erdhi Muhameti
e i gjeti gjithë humor e harmoni ua bani hallall, por kur u kthye e i gjeti të
dehur ua mallkoi pijen!
Unë me shaka u
them: “Po unë ju po ju gjej vazhdimisht në të shkuar”, - e qeshem te gjithë se
bashku.
Pa e ndjerë
udhëtimin arrita në destinacion, duke u përshëndetur përzemërsisht me të
gjithë. E ndjeva veten shumë mirë; në atë mikromjedis të vogël manifestoheshin
vlera e mesazhe për t’u marrë shembull nga shoqëria, politika, institucionet
shtetërore e fetare të vendit.
Dy kafe që nuk harrohen
Udhëtimi disi i gjatë Vau i Dejës – Pukë - Fushë -Arrës –
Fierzë – Lekbibaj, qe i bukur dhe mbresëlënës. Pothuajse nuk i linim radhë
njëri – tjetrit duke treguar për çapkënllëqet e fëmijërisë, për peripecitë e
shkollimit, për udhëtimet aventureske në dimrat e gjatë e plotë borë, për
kushtet e vështira në shkolla e konvikte, por edhe për shumë vlera që na rritën
e na edukuan me dashurinë për njëri-tjetrin e vullnetin për punë.
Edhe pse para 2
muajsh kam udhëtuar po në këtë rrugë, prape shoh e nuk ngopem me ato pamje
magjepse. Si pa dashur m’u kujtua një bisedë me mësuesin veteran Sadik Lama, me
origjinë nga Kruja, i cili ka punuar në Tropojë mes viteve 1953 – 1956.
O profesor, kam
udhëtuar për në Qafë – Shtamë, por nuk më është dukur kush e di se çfarë, për
aq sa flitet.
O Frrok ti ke të
drejtë se në Tropojë e në Veri e ke kudo Qafë Shtamë.
...Afër Poravit,
në një pikë strategjike na u shfaq një pamje përrallore në këtë fund tetori
ngjyrë bronxi, me gjysmën e gjetheve të përthara e të rëna për tokë. Vepra e
Dritës, Valbona e Drini, Liqeni i Fierzës, pothuajse i shterur deri afër
Kukësit, majat e larta të Alpeve, pyjet e pllajat në të dy anët e Drinit deri
atje ku errësohet shikimi ynë, janë të gjalla e të mistershme.
Më hijerënda që
tregon histori sfiduese e forcë titanike është Hidrocentrali, burim i arterieve
të fuqishme që i japin jetë Atdheut.
Sapo zbritëm në
Dushaj, nga pas më vjen një zë ….Shoh Edisonin që vjen pas meje “Hajdeni të
pimë kafe, jam me Fredin, po ju presim”. Shkuam me kënaqësi tek kushërinjtë,
por edhe ish-nxënësit e mi. Kjo qe kafja e dytë, se të parën e pata pirë në
mëngjes.
Kur ndalova në
Kryebushat, Vuksani e Staka më thonë;
A po pi kafe, ke
në banak një ish-nxënës.
Ç’ne këtu ish
nxënësi im?
Hyr e pyete...
Më doli përpara
një djalë zeshkan e simpatik. Ai po më përqafonte e mëndja ime si në kërkim po
vihej në provë për ta njohur. Qe Aleksandër Filip Pjetërgjokaj, nga Bëtosha,
nga dera e përmendur e Zenel Selimit, dikur dere vojvode. Kishte mbaruar për
Gjuhë – Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, e tani vazhdonte
studimet master.
Rri e mendoj,
përsëri i kujtoj e do t’i kujtoj gjatë dy kafet e sotme.
I paragjykojmë
shpesh me pa të drejtë rininë…..
Punojnë, por nuk
janë të kamur, bile edhe të zhgënjyer nga jeta, me vështirësi si shumica e
vendit, por dinë me të nderue e të respektue. M’u bë qejfi, jo edhe aq për
shpenzimin, por për veprimin, për qytetarinë e shfaqur.
Tek varrezat e fshatit Shëngjergj
Pas një bllokimi
të pa arsyeshëm prej disa vitesh, tashmë rruga e makinës shkon në qendër të
fshatit, disi i degraduar në agroblegtori e objektet social kulturore. Varrezat
e fshatit janë rrethuar për bukuri e të pastruar, jo vetëm nga ferrat e bari,
por edhe shkurret e shtuara vit pas viti. Varret e ndërtuara nga mjeshtrit
duarartë bien në sy për finesën , rrethimet, zbukurimet, simbolet, fotot e të
tjerë elementë të frymëzuar nga dashuria e respekti për prindërit e të afërmit
e larguar nga kjo jetë.
Me origjinalitetin
e gjelbërimin e bollshëm nuk qëndrojnë pas as varret tradicionale të vona e ato
shekulloret.
Në interval prej
2-3 vitesh, shoh varre të reja me projekte interesante. Këtë vit një i tillë
për Man Arif Mulajn, i besimit mysliman, krah atyre të besimit katolik.
Ceremoni të përafërta, me fare pak ndryshime që pothuajse nuk bien në sy….
Respekt e mirënjohje për të vdekurit; kujtim i vlerave pozitive, por respekt e
harmoni edhe për të gjallët.
Në këtë fshat ka
kaluar mbi një shekull pa hasmëri, as probleme serioze të kohës, por jo pa vend
për të shtuar kujdesin e urat e komunikimit. Zhvillimet e vrullshme kanë
mësimet dhe pësimet e veta, për të cilat kërkohet punë e edukim. Shumë kanë
ardhur nga larg, bile edhe të moshuar, pa marrë parasysh lodhjen fizike e
shpenzimet monetare.
Përveç riteve të
zakonshme bien në sy vizitat e qerasjet tek varret e çdo familje, të kombinuara
mirë me traditën e bashkëkohoren. Mundësitë janë shtuar, se dhe kushtet janë më
të mira. Makinat e shumta janë një tregues domethënës. Të gjitha bashkë e grupe
- grupe bisedojnë për të kaluarën e të sotmen, pa mëri e mllefe, në respekt të
të parëve, për amanetin e vlerat që na lanë. Zakoni i hershëm ka qenë qerasje
me prodhime bujqësore e blegtorale, për shpirtrat e të vdekurve, për të
ndihmuar më të varfrit. Dekadat e fundit pihet edhe nga një gotë raki sa për të
uruar. Mos o zot t’i trashet gjuha ndokujt, as t’i merren këmbët; po të ndodhte
kështu turp i madh. Zemra të gufon kur sheh fëmijë 3 – 4 vjeç e të rritur deri
90 vjeçar; ndjen krenari për ruajtjen e manifestimin e vlerave pozitive.
Është një rast
ideal për t’u takuar edhe me ata që u rritem apo punuan për shumë vite.
Me Rixhinën e
Hajdarin; Ylberin, Sokolin e Davën te Lagjes Pjetërnikaj; Dedën, Sokolin,
Agronin, Katrinën e Zojën; Bardhokun, Ndokën e Dranden të Lagjes Malaj; Zefin,
Lulashin, Borën e Nestin; Martinin, Edisonin, Klevisin e Groshen të Lagjes Vukaj; Kolën e Lushin të
Lagjes Kolprecaj; Salihin, Sadikun, Afrimin, Zojën e Selvinë të Lagjes Mulaj;
Drilonin e Rajmondën të Lagjes Gjonaj; Gjinin, Donin, Afërditën e Zojën të
Lagjes Pjetërnikaj; Besartin e Dukatën; Martinin, Përparimin e Gentianin të
Lagjes Mulaj; Palin, Paulon, e Jetën të
Lagjes Vukaj ; vëllezërit Vuksan e Stakë Vukaj, etj.
Së fundi edhe një
simbolikë e veçantë:
Julian Malaj, një
djalë i gjatë e simpatik, student në Universitet, më afrohet e më thotë: “Të
fala mësuese Dilës, mësueses sime të fillores”. Ky respekt për mësuesen pas
shumë vitesh, patjetër se është një vlerë e shtuar për këtë djalosh e mësuesen
e tij.
Mbyllet kjo dite
përkujtimore me shume mbresa e vlera që na bashkojnë, shembull pozitiv jo vetëm për ne më të moshuarit , por edhe
për brezin e ri.