Udhëpërshkrim
Kadri Tarelli: Takim me shkrimtarë shqiptarë nga Sueda
E hene, 25.11.2019, 08:56 PM
TAKIM ME SHKRIMTARË SHQIPTAR NGA SUEDIA
Mirëpritje nga nxënësit e Durrësit
Nga Kadri
Tarelli
Ishte një lajm i bukur, madje i veçantë për
shkollën jopublike “Planetary school” të qytetit të Durrësit, që në mes të
vjeshtës së tretë, 2019, të presë mërgimtarët Sokol Demaku dhe Hamit Gurguri, të
dy shkrimtarë shqiptar nga Kosova, anëtarë të Lidhjes së shkrimtarëve dhe
artistëve të Suedisë, që prej disa vitesh jetojnë, punojnë e krijojnë në atë
vend të largët. Është lajm i bukur edhe për jetën arsimore të Durrësit, kur mësojmë
se mësuesit dhe nxënësit e një shkolle, kërkojnë dhe gjejnë mundësi të
organizojnë një kuvend të ngrohtë e mikpritës, me krijues të njohur nga Kosova,
Tirana dhe Durrësi.
Presidenti i shkollës, z. Osman Peposhi, përshëndeti
të pranishmit, uroi mirëseardhjen, duke shprehur kënaqësi e mirënjohje për
miqtë krijues, që nderuan, mësuesit dhe nxënësit. Ai premtoi, se të tilla
veprimtari do të ketë më shumë në të ardhmen, pasi kështu rritet cilësia e jetës
mësimore-edukative dhe emri i shkollës “Planetary school”.
Drejtori Avdyl Buçpapaj, në emër të
kolektivit mësimor, përshëndeti të miqtë, mësues e krijues të njohur, të ardhur
nga larg dhe nga Durrësi, që u bënë pjesë e këtij kuvendi kaq të bukur dhe me
vlera njohëse, letrare-artistike dhe atdhetare. Ai, së pari bëri njohjen e
secilit nga të pranishmit:
Si fillim, të Sokolit dhe Hamitit, të dy emra
të njohur prej disa vitesh në fushën e letrave, dhe si miq të disa shkollave të
qytetit të Durrësi. I pari Sokoli, mësues, publicist, poet, shkrimtar,
përkthyes dhe drejtues i RTV “Dituria”, botues i revistës me po të njëjtin emër
në Suedi, ndërsa i dyti, Hamiti: shkrimtar i 46 romaneve, studimeve dhe
përkthimeve shqip-suedisht e suedisht-shqip. Më pas, ai përshëndeti shkrimtarin,
poetin dhe studiuesin Viron Kona, i njohur më parë nga mësuesit dhe nxënësit,
si mik i kësaj shkolle dhe i fëmijëve në biseda librash, sot ardhur posaçërisht
nga Tirana, në shoqërim të shkrimtarëve nga Suedia. Falënderoi shkrimtarin dhe
poetin Vaso Papaj, kolegen drejtore e poete Merita Kuçi (Thartori), ish
drejtorin e QKF, Naim Kërçuku, tashmë sekretar i Klubit të Shkrimtarëve dhe
Artistëve të Durrësit, bashkë me ta edhe publicistin e shkrimtarin Kadri
Tarelli, të tre nga qyteti i Durrësit. Drejtor Avdyli, nuk kurseu fjalët e mira
për bashkëpunëtorët e tij të përkushtuar, në organizime të tilla letrare - artistike: zv. Drejtore Anisa Naçe, mësuesen
e letërsisë Ermira Lala dhe mësuesin e historisë Haki Hoxha, etj.
Mbresa dhe emocione na dhanë nxënësit, të cilët
recituan vargje të përzgjedhura nga autorët e pranishëm, që u duartrokitën gëzueshëm.
Më duhet t’i përmend me admirim, për kujdesin dhe dashurinë e tyre për letërsinë
e bukur dhe me vlerë: Simona Lila, Adriana Qyra, Ediola Agaj, Anita Brahimaj,
Burbuqe Nuredini, Leonela Domi, Albion Shahinaj, Amarda Nezeraj, Aleksandra
Cakani.
Më tej, pas fjalëve të shkrimtarëve të
mirëseardhur, që shpalosën krijimtarinë e tyre, librat, shkrimet, takimet, vështirësitë
dhe sukseset, një lloj kumti që u dëgjua me mjaft kureshtje nga të pranishmit. Kjo
veprimtari vazhdoi me pyetje të shumta që bënë nxënësit, Tedi Prifti, Lorenc
Roçi, Mario Vorfaj, Ana Hoxha, Ina Hoxha, Ina Qyra, Fariena Begu, Xhesika
Çanaku, Klerisa Çekani, Erika Guza, Emel vata, Leonela Domi, Abiola Dulla.
Më duhet të them nga përvoja, se nuk ka kënaqësi
më të madhe për krijuesin, kur ndeshet dhe bisedon me nxënësit e shkollave,
pasi ata janë të çiltër, disa të lexuar e të dashuruar me librin, që i thonë
pyetjet pa paragjykime, ashtu siç i ndjejnë dhe i përjetojnë, shpesh edhe të
çuditshme e të paparashikuar, aq sa nuk ta pret mendja. Këtu dua të shtoj edhe
kënaqësinë e autografeve të lëshuara nga autorët, të kërkuara nga vetë nxënësit,
si kujtime të bukura, një “pasuri” për moshën e fëmijërisë së tyre.
Me këtë rast, si një njohës i arsimit dhe mësimdhënies,
mësues dhe drejtues i hershëm në shkolla publike dhe jo publike, përfitoj të
them, se veprimtari të tilla janë të bukura, por më shumë edhe të dobishme:
Së pari:
Për nxënësit, sepse ata njohin dhe prekin një botë tjetër, atë të krijimit dhe të
krijuesit, të cilët gjejnë kohë dhe shkruajnë për ta por edhe për të rritur.
Jam i bindur, se të tilla takime i mbeten në kujtesë për gjithë jetën. Provoni
të ngacmoni pak kujtesën e cilitdo nga ne të rriturit dhe do të rrjedhë një lumë
i tërë, me emra artistësh, shkrimtarësh, këngëtarësh, sportistësh dhe piktorësh
të kohës. Po kështu do të ndodhë edhe më këta të vegjlit sot, nesër qytetarë,
veprimtarë, krijues dhe drejtues të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të
vendit dhe kombit.
Në
vazhdim: Për çdo shkollë, me çdo veprimtari të
thjeshtë në dukje, aq më shumë me përmasa të tilla, është një medaljon i
ndritshëm në historinë e institucionit, që i bën nder jo vetëm shkollës dhe
emrit të saj, por edhe arsimit shqiptar.
Veç të
tjerave: Bashkëbisedimi me figura të njohura në fushën
e letrave, artit dhe shkencës, është kënaqësi dhe përgjegjësi, pasi nxit njohjen,
madje edhe përfytyrimin e modelit udhërrëfyes për të ardhmen, sepse edukon e kultivon
karakterin, personalitetin, dëshirën e të vegjëlve për ta dashur punën, krijimtarinë,
librin dhe letërsinë, për të nderuar krijuesit e çdo gjinie.
Mbase jo
e fundit: Thyhet rutina e përditshme e jetës së
shkollës, duke u gërshetuar me llojshmëri veprimtarish, që e zbukurojnë dhe lenë
mbresa te gjithsecili. Këtu ka vend për shumë mendim dhe përgjithësim përvoje,
sepse në çdo shkollë bëhet mësim dhe edukim nëpër orët e mësimit. Dallimi bëhet
vetëm me nxënësit që shkëlqejnë nëpër olimpiada dhe konkurse, ku duhet shtuar
edhe një tjetër vlerë: nga veprimtaritë e ndryshme, të cilat bëjnë të mundur që
fëmijët të gjejnë dhe të shprehin vetveten, jashtë orës së mësimit. E gjitha
kjo është një mision i veçantë dhe i pa dukshëm i shkollës dhe mësuesit, për ta
vënë nxënësin në qendër të vëmendjes. Veprimtari të tilla, duhen përshëndetur
dhe duhen shtuar.
Shkrimtarët tanë, tashmë miq të nxënësve
durrsak, të mrekulluar nga takimi dhe biseda, i drejtuan urime shkollës,
drejtorisë, kolektivit të mësuesve dhe nxënësve, për pritshmëri më të larta në
mësim dhe edukim qytetar, shkencor dhe atdhetar, duke premtuar për kuvende të
tilla kaq të arrira e të mirëpritura në të ardhmen.
Në përcjellje të veprimtarisë, si zakonisht u
bënë shumë fotografi dhe autografe, si kujtesë të çasteve të paharruara.
Kadri
Tarelli
Durrës më:
14, Vjeshta e tretë, 2019