Udhëpërshkrim
Albert Zholi: Atje ku dashuria triumfon mbi dhimbjen
E hene, 23.12.2019, 11:42 AM
ATJE KU DASHURIA TRIMFON
MBI DHIMBJEN...
Nga
Albert Z. ZHOLI
Jetimët!
Një emër që të sjell dhimbje! A e dini se kudo nëpër botë, ashtu edhe në vendin
tonë ka miliona fëmijë të cilët e kanë harruar ç’do të thotë nënë/baba, si dhe
të tjerë që nuk njohin as njërin e as tjetrin?! Për shumë fëmijë, i vetmi
ngushëllim është ndonjë kujtim nga prindërit e tyre, foto, video apo diçka e
vulosur përjetë në kujtesën e tyre, me të cilën krenohen gjithë jetën. Në këtë
26 nëntor numri i tyre u rrit. Tragjedia e madhe e tërmetit mori me vete shumë
jetë prindërish. Të flasësh për këtë kategori të shoqërisë është shumë e
vështirë, pasi heziton përpara faktit se si do ta konsiderosh atë, të mjerë, të
lënë në harresë, barrë ekonomike apo përgjegjësi individuale apo shtetërore që
kërkon përkujdesje dhe interesim?! Kjo është dilema e trajtimit të tyre në këto
30 vjet demokraci! Nëse do flasim me
shpirt njerëzor, me përgjegjësi intelektuale, me ndjesi hyjnore mund të themi se kjo kategori duhet të
konsiderohet edhe barrë, edhe sakrificë, por në radhë të parë përgjegjësi dhe
detyrim shpirtëror. Shpesh herë, jo për faj të tyre (sepse ata janë krejt
pafajësia) të mbetur dyfish jetimë në
gjendje mjerane e në mëshirën e fatit, mes nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor
dhe shpresës së premtimeve boshe e demagogjisë pa fund të qeverive sot, jetimët janë kontingjenti më vulnerabël i shoqërisë
shqiptare. Në këtë situatë emergjente që ndodhet vendi ynë, sot më shumë se
kurrë të gjithë ne duhet të jemi solidarë me fëmijët jetimë për t’u falur atyre
dashuri, këtë ndjenjë që ata nuk e njohin nga mungesa e prindërve. Në tërë këtë
problematikë shqiptare, këta fëmijë në një formë apo tjetër gjejnë mbështetje
nga institucione të veçanta, fondacione,
deri diku dhe shteti, për t’ua bërë jetën më të lehtë e më të bukur. E
ku ka më madhështore se sa të gëzosh zemrën e një fëmije, të cilit i mungon
dashuria dhe përkëdhelja e prindit?! Është gjesti më human dhe më fisnik kur i
qëndrosh pranë një fëmije, që ka humbur dashurinë dhe përkrahjen prindërore dhe
t’i thuash: Ja, ne jemi me ju, si ju, pranë halleve dhe shqetëssimeve tuaja?!
Një ditë e ndryshe nga
ditët e zakonshme...
Në
prag të krishtlindjeve dhe festave të fundvitit, Instituti Kombëtar i
Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe fondacioni “FAB” i kompanisë “Hysenbelliu
Group”, për festat e fundvitit, si rrallë institucione të tjera e kthyen
vëmendjen te fëmijët jetimë. Dhe nuk është hera e parë. Një nismë, një
përgjegjësi prindërore, një ndjesi e thellë humane bëri që këto Institucione ti
kthejnë sytë dhe zemrën si çdo vit tek
jetimët për tu kthyer atyre buzëqeshjen e humbur, gëzimin e harruar, shpresën e
venitur, në mënyrë që festat të trokasin njësoj edhe për ta si për gjithë
bashkëmoshatarët e tyre. Konkretisht në këtë ditë në një atmosferë tejet
ngrohtë familjare festive në kuadër të festave të fundvitit këto institucione
organizuar në ambientet e “Prestige Resort”, në Durrës një drekë festive për
fëmijët jetimë. Në këtë drekë festive kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë,
morren pjese femije nga Durrësi e
Kavaja, (dy nga zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit)
por edhe nga disa qytete të tjera të Shqipërisa, Korça, Shkodra, Tirana,
Elbasani, dhe qendra të ndryshme rezidenciale, etj. Ishte i pranishem edhe
Presidenti i Republikës Ilir Meta, Drejtori i
Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë z.
Ilir Çumani, dhe president i fondacionit “FAB” z. Fatmir Hysenbelliu, kreu i
bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, këngëtarë dhe aktorë si Liliana Kondakçi,
Justina Aliaj, Lili Cingu, Bashkim Alibali, Kastriot Tusha, Edmond Budina,
Bujar Kapexhiu, Luan Zhegu, Edmond Halili,
etj. Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i IKIJSH, z. Ilir Çumani theksoi: “Jemi mbledhur sot
për të përcjellë tek fëmijët jetimë një ditë ndryshe, një ditë që ata të ndihen
në mes njerëzve më të dashur. “Jetojmë në një botë që vuan nga uria, jo vetëm
nga uria për bukë por nga uria për dashuri”- ka thënë Nënë Tereza. Sot, më
shumë se kurrë do të gjente zbatim kjo shprehje sidomos për fëmijët jetimë. Sot
më shumë se kurrë të gjithë duhet të jenë solidarë me fëmijët jetimë për t’u
falur atyre dashuri, këtë ndjenjë që në jo pak raste e kanë të mohuar nga
familjarë të tyre. E megjithatë, këta fëmijë në një formë apo tjetër gjejnë
mbështetje nga strukturat shtetërore dhe jo vetëm, por kurrë nuk është
mjaftueshëm për t’ua bërë jetën më të lehtë e me të bukur.” Fill pas fjalës së
tij përshëndetëse, këngëtarët e
mirënjohur Luan Zhegu, Liljana Kondakçi, interpretuan me shumë dashuri disa
këngë për fëmijët e pranishëm. Një atmosferë e bukur, e ndezur, miqësore dhe e
ngrohtë. Fëmijët këndonin bashkë me këngëtarët. Ata duartrokisnin dhe
brohorisnin. Ishte dita e tyre, ishin këngët e tyre, ato këngë që emocionojnë
çdo fëmijë. Pas tyre, një atmosferë
ndryshe. Grupi i valleve të fëmijëve jetimë nga Devolli, interpretoi disa valle
me melodi nga të gjitha trevat e Shqipërisë ku u veçua vallja burrëore e Osman
Takës, e realizuar aq bukur nga fëmijët
- artistë. Por befasitë nuk ishin kaq. E mirënjohura Justina Aliaj solli para
të pranishmëve këngën “kukulla;” një këngë aq e dashur për fëmijët. “Mjeshtri i
Madh” Kastriot Tusha këndoi këngën himn “Për ty Atdhe” një këngë që e kënduan së bashku të gjithë
pjesëmarrësit.
Vlerësimet
Kur aktiviteti kishte arritur kulmin Kryetari i
Bashkisë Kavajë, z. Redjan Krali nderoi me certifikata Mirënjohjeje për këtë
aktivitet human dhe të rrallë,
Presidentin e Republikës z. Ilir Meta, z. Ilir Çuamni dhe z Fatmir
Hysenbelliu dhe organizatën DMS - Diaspora e Michiganit për Shqiptarët me
përfaqësuese Joli Paparisto. Duke marrë certifikatën z. Presidenti Meta
theksoi: “Me shumë kënaqësi e pranova ftesën e Institutit Kombëtar të
Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Fondacionit “FAB” për të marrë pjesë në
një veprimtari bamirësie kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë dhe jo vetëm, nga
Durrësi e Kavaja, dy nga zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti tragjik i 26
nëntorit. Në këtë ditë kemi parë solidaritetin e madh, por pamë edhe se sa e
rëndësishme është jeta, fëmija, familja, pro edhe shteti. Kemi parë gjëra shumë
prekëse këto ditë por mbi të gjitha kemi parë edhe fëmijë që mësonin në çadra
edhe pse në situate tepër të vështira.
Kjo tregon se sa të etur janë fëmijët për dije. Ajo që do na mbrojë nga e keqja
është dituria, mësimi, shkolla solidariteti. Këto ditë mësuam se aty ku ndërtohet
me përgjegjësi ka siguri. Ku nuk ka përgjegjësi ka rrënime. Ndaj duhet të
dëgjojmë shkencëtarët, të diturit, profesionistët që të kemi sa më pak
fatkeqësi. Në këto situate mësuam se sfidat kalohen me dashuri, bashkëpunim,
solidaritet. Jetimët duhet të ndjejnë ngrohtësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e
shtetit dhe të shoqërisë, por edhe të ndihen pjesë e familjes sonë të madhe, jo
vetëm në momente të tilla humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar. Të punojmë
të gjithë për një Shqipëri më njerëzore, më të dhembshur dhe të drejtë, që u
jep ëndrra, shpresë dhe mundësi çdo ditë jetimëve, fëmijëve dhe të rinjve tanë
për një të ardhme të sigurt dhe të ndritur në atdheun tonë”. Ndërsa z. Fatmir
Hysenbelliu, president i Fondacionit FAB theksoi se: “Ne gjithmonë jemi munduar
të jemi pranë fëmijëve jetimë. Ky është qëllimi ynë kryesor, misioni ynë tu
ndodhemi pranë kësaj shtrese në nevojë. Si gjithmonë edhe në të Ardhmen ne do
të japim ndihmën tonë për këtë shtresë në nevojë të shoqërisë që shumë herë
ndihet e lënë në harresë. Ndërsa z. Çumani duke marrë Certifikatën theksoi se:
Ndihemi mirë kur shohim këta fëmijë që sot gëzojnë kaq sinqerisht, kaq të
qeshur. Në fakt, në këtë moshë jetimët kanë më shumë nevojë për shtetin, sepse
ata janë përballë situatave të panjohura për ta përballuar jetën të vetëm.
Shumëkush, apo të gjithë ne nuk duhet të kujtohemi për fëmijët jetimë dhe jo
vetëm në një ditë. Qeveria duhet të jetë e vetëdijshme se çfarë “borxhi” i ka
kësaj kategorie njerëzish, ashtu sikurse shoqëria duhet të jetë më e emancipuar
për këtë fenomen”. Pas marrjes së këtyre vlerësimeve, aktori i humorit shkodran
Edmond Halili solli situata të ndryshme gazmore ku fëmijët për asnjë çast nuk i
ndalën të qeshurat. Ndërsa këngëtari i mirënjohur Bashkin Alibal elektrizoi
sallën dhe përshëndeti fëmijët jetim në këtë veprimtari në emër të fëmijëve të
Diasporës Shqiptare në Michigan, të cilët në këto ditë të vështira për vendin,
janë pranë këtyre fëmijëve jetim me ndihma dhe kontribute solidare. Ai kujtoi
ndihmën që ky forum i Diasporës, përmes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”
të Elvis Naçit, mundi të mblidhte të ardhura për blerjen e një banese për një
familje të pastrehë me fëmijë jetim dhe sigurimin e paketave ushqimore për një
numur të konsiderueshëm jetimësh.
Epilog
Ishte
një ditë e veçantë. Një ditë që tek jetimët solli një dritare të re jete mes
dashurisë dhe respektit të figurave më të mëdha të artit dhe kulturës
shqiptare. Ishte një ceremoni dedikuar e gjitha për ta, një ditë surprizë ku
fëmijët jetimë përjetuan një ditë ndryshe, ndërsa shijuan ushqimet e ngrohta të
gatuara me shumë dashuri për to nga stafi i “Prestige Resort”. Një ditë që ata
do ta kujtojnë me nostalgji pasi dhe pse jetimë, ata gjetën ngrohtësi por edhe
takuan shumë personalitete që i kishin ëndërr ti takonin, ku dhe mijëra fëmijë
me prindër nuk kanë mundësinë ti takojnë dot. Kur aktivitetet bëhen me dashuri
dhe mirësi, patjetër që suksesi do jetë i madh dhe mbresat e pashlyeshme.
Kështu ishte për jetimët kjo ditë mes dhjetori, kur festat e fundvitit janë në
prag dhe që u tregoi atyre se ato po trokasin njësoj edhe për ta, si për gjithë
bashkëmoshatarët e tyre kudo në Shqipëri.