Kulturë » Kozeta
Kozeta Zylo: Bisedë me Dr. Evelina Sulaj Skënderi nga fronti i Luftës në Itali
E diele, 12.04.2020, 08:04 PM
Bisedë me Dr. Evelina Sulaj Skënderi nga fronti i Luftës në Itali
Trageti i Barit me trupat e bashkatdhetarëve tanë që
humbën jetën në këtë pandemi është një tragjedi më vehte që i shtohet dhimbjes
për gjithë viktimat e kësaj katastrofe. Thuhet se vetëm në Bresha, qyteti
simbol i katastrofës së Italisë së Veriut, kanë humbur jetën 300 shqiptarë. Sot
nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për shqiptarët që kanë humbur jetën në Itali.
Dr.Sulaj Skënderi po jetojmë në kohën e Luftës, një luftë e tmerrshme
përballë një armiku të padukshëm, cila është detyra juaj si mjeke në këtë kohë
dhe ku shërbeni konkretisht?
Jetojmë në një
situatë të paparë prej 100 vjetësh, shumë pak njerëz të sotëm e kanë jetuar
pandeminë spanjolle të 1918-es. Unë jam specializuar në Nefrologji, por punoj
si angjolloge në spitale private dhe poliambulator privat në Rimini, Itali.
Si e shikoni gjendjen shëndetesore nga coronavirusi të popullit italian
nëpër spitale dhe cilat janë disa nga sfidat që mjekët kanë përpara?
Sot në Itali
situata është drejt stabilizimit. Mjekësia ka përpara një sfidë të veshtirë dhe
urgjente : të zbulojnë mjekim specifik dhe vaksinën për coronavirusin;
gjithashtu mjekesia duhet të përgatitet të përballojë mirë epidemi të tjera, që
sigurisht mund të ketë në të ardhmen, pasojë e agresivitetit të njeriut ndaj nënës natyrë.
Në opinionin e gjerë publik duket se ky virus vdekjeprurës e ka gjetur
administratën italiane komplet të papërgatitur cili është opinioni juaj?
Është e vërtetë që
administrata italiane u gjend e papërgatitur per të përballuar këtê epidemi.
Italia nënvleftësoi epideminë orientale dhe nuk kishte një plan të vërtetë
emergjence. Kështu që qytetarët u gjendën jo të informuar në mënyrë korrekte,
personeli mjekësor u gjend i painformuar profesionalisht për të përballuar
situatën dhe spitalet u gjendën pa mjete mbrojtëse. Këto sollën pasojat që të gjithë i dini.
Si e keni pritur këtë pandemi globale në vehten tuaj si njeri, si mjeke dhe
më konkretisht në familje?
Unë personalisht
që në rastin e parë në Itali kam këshilluar familjarët e mi dhe të afërmit edhe
në Shqipëri të reduktojnë kontaktet sociale. Kina sot ka raporte shumë te
ngushta me gjithë boten, prandaj dihej që virusi do pushtonte botën. Në
spitalet ku punoj unë sherbimi im është mbyllur për momentin. Unë vete në
spital për të kryer vetëm konsultat dhe vizitat urgjente.
Italia u bë shtet i frikshëm, ngase pati numrin më të lartë të vdekjeve pas
Wahan në Kinë pse ndodhi kjo në një vend aq të civilizuar si Italia?
Italia falë
sistemit shëndetësor falas për të gjithë, falë kujdesit për moshën e tretë ka
një popullsi me numur të madh të moshuarish. Mungesa e masave përgatitore për
të përballuar epideminë transformoi
spitalet në vatra infektimi. Mos te harrojmë se ishte vendi i parë
europian që u godit nga epidemia dhe mungesa e eksperiencës në keto raste është
fondamentale. Në Jugun e Italisë, ku epidemia filloi me vonë, vdekshmëria është
shumë më e ulët se në Veri.
Cilat janë disa nga këshillat tuaja si mjeke dhe a mendoni se do të zhduket
së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?
Coronavirusi duke
qënë virus i ri nuk është i njohur, nuk ka akoma një mjekim specifik, nuk ka
një vaksinë, nuk ka mjete të mjaftueshme për diagnostikimin e personave të
infektuar, por pa shënja ( mbi 50% e të infektuarve ) që jane burim infektimi
per të gjithë njerëzit me të cilët janë në kontakt. Për këto arsye mjeti me i
mirë per t’u mbrojtur, për momentin, është distancimi fizik dhe respektimi i
normave të higjienës, kontakti me mjekun e familjes i personave të kontaminuar,
solidarizimi me njerëzit që kanë më pak mundësi të përballojne izolimin.
Përderisa nuk kemi nje vaksinë për virusin nuk mund të parashikohet fundi i saj,
por vetëm reduktimi.
Konkretisht sot gjithë lajmet dhanë nisjen e tragetit nga Bari i Italisë me
trupa të vdekur shqiptare, si e përjetuat këtë situatë dhe e dini numrin e
saktë?
Trageti i Barit me
trupat e bashkatdhetarëve tanë që humbën jetën në këtë pandemi është një
tragjedi më vehte që i shtohet dhimbjes për gjithë viktimat e kësaj katastrofe.
Thuhet se vetëm në Bresha, qyteti simbol i katastrofës së Italisë së Veriut,
kanë humbur jetën 300 shqiptarë. Sot nuk ka të dhëna të sakta zyrtare për
shqiptarët që kanë humbur jetën në Itali.
Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë në kohën pandemike parë me syrin tuaj
si shqiptare, por dhe si mjeke?
Shteti shqiptar
mori masa kurajoze dhe në kohën e duhur
dhe për këtë arsye pati një kurbë infektimi jo shumë të lartë, sidomos duke
marrë parasysh raportet familjare dhe sociale shumë të ngushta që
karakterizojnë popullin tonë. Shpresoj që njerëzit të kenë akoma durim për të
evituar një krizë të dytë infektimesh.
Cila është fëmijëria juaj, origjina dhe çfarë do të kujtoni me shumë prej
saj?
Unë kam lindur në
Tepelenë, një qytet i vogël në Jug, ku të gjithë njiheshim. Babai im Myftar
Skënderi dhe nëna ime Kajaçja kanë lindur e janë rritur në Salari. Mendoj se
kam patur prindër te jashtëzakonshem që mundën në ato vite të dërgojnë në
universitet 5 nga 6 fëmijet e tyre, dhe
ju jam shumë mirenjohëse për sakrificën e tyre të pashembullt. Jam e lidhur fort shpirtërisht jo vetëm me
Tepelenën ku jetova derisa vajta në universitet, por edhe me Salarinë,
vendlindjen e prindërve të mi. Në kohën tonë, në qytetin tonë shoqeria ishte i
vetmi argëtim i vërtetë, prandaj ruaj kujtime shumë te bukura por dhe jam në
kontakt gati me të gjithë shoqërinë time të femijërise. Nuk harroj të djelat në
Ujin e Ftohtë ku mblidhej gjithe qyteti me gatimet nga shtëpia, afersinë e
njerëzve në raste vështirësie, nuk harroj shijet dhe aromën e Salarisë kur vija
në verë. Ka ardhur koha e nostalgjisë së thellë, sidomos mbas humbjes së babait
tim.
Mendoni se një ditë do të ktheheni në Shqipëri për të ofruar përvojën tuaj si mjeke e specializuar e
ardhur nga shteti italian me një mjekësi të
zhvilluar?
Unë u riktheva në
Itali, ku kisha vazhduar një pjesë të specializimit 1995-96, në 1997 me idenë
për të ndenjur pak kohë, sa të qetësohej situata në Shqipëri. E mbajta opsionin e kthimit të vlefshëm për
shumë vjet. Sot Shqiperia po ecën përpara dhe shërbimi shëndetësor po
modernizohet pa harruar që vendi ynë ka patur historikisht mjekë të aftë. Për
momentin nuk medoj që mund të kthehem. Në familje flasim shqip në shtëpi dhe
çdo verë i kam çuar fëmijet me pushime në Shqipëri për të shijuar natyrën e
vendit tonë e gjithë të afërmit. Shqipëria do eci përpara sepse i ka të gjitha
kapacitetet.
Ju faleminderit Dr.Sulaj
për bisedën dhe paçi shëndet!
Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare
10 Prill, 2020
New York