E shtune, 27.07.2024, 02:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Reçaku, imazhi ontologjik i lirikës

E premte, 10.04.2020, 12:31 PM


REÇAKU, IMAZHI ONTOLOGJIK I LIRIKËS

(Lexime poetike. Poezia “Rekuiem për Reçakun” e Qerim Ujkanit), IV

Nga Prend BUZHALA

Poeti është si ai Maestroja i Urtisë që i vë në lëvizje forcat e brendshme të njeriut, që e nxit atë të ngrihet lart së brendshmi, për ta siguruar ekzistencën shpirtërore.

Te poezia me titull “Rekuiem për Reçakun” e krijuesit Qerim Ujkani, lexojmë vargun antologjik: “Heq kapakun e kresë dhe falem para jush”, tek e ndriçon luftën nga këndi personal-kolektiv, sipas një skeme mitike-simbolizuese. Poezia i kushtohet Masakrës së Reçakut, që çoi në bombardimet e NATO-s... Poeti e ka të qartë, sipas kësaj përvoje individuale e kolektive, se luftërat janë vërtet domosdoshmëri historike, që i vë kufi kohës në epoka të vogla e të mëdha, në jetën e një kombi. E te kjo epokë tashmë gjithçka shpërndërrohet qeniesisht, koha (njerëzit, shoqëria, nacioni), e ndërrojnë imazhin e tyre. Në fakt, mbetet si një frymë e ngurosur në kohë, si imazh ontologjik. Tashmë ai është kthyer në vatrën e dinjitetit të tij hyjnor, prandaj edhe derdh aq e aq potencial gjithëjetësor e gjithëkrijues, gjithëmendor e gjithëshpirtëror.

1.

Poeti të rënëve të Reçakut iu kushton një rekuiem (“rekuiemi, term kishtar; meshë e veçantë për prehjen e shpirtrave të të vdekurve; muzikë e kompozuar për këtë meshë”). Fjala, si e tillë, vjen nga vargu i parë i Lutjes (lat. Requiem aeternam dona eis, Domine; Jepua, Zot, pushimin e pasosun). Këndohet në ato çaste nga kori, ku shpirtrat e të rënëve pritet të ngrihen në parajsë, në dritën e pasosun. Në letërsi, rekuiemi krijohet me përmbajtjet sipas teksteve të përshpirtshme që na drejtojnë kah një gjendje mendore e të paprekshmes, të përjetshmes, sakrales - kundruall kalimtares, të përditshmes dhe materiales.

Në këtë frymë është e orkestruar, për nga tekstualja dhe mbarështrimi lirik, edhe kjo poezi e Qerim Ujkanit, me frymën e epërme e të përzishme të këngëtimit.

Kjo poezi përbëhet nga gjashtë njësi poetike dyvargësh, kurse njësia e parafundit -përbëhet vetëm me një varg. Distiku i parë dhe i fundit pprsëriten dy herë (ndryshon fjala mbrëmje/natë):

Heq kapakun e kresë dhe falem para jush

Mirëmbrëma në natën tuaj pa natë

(...)

Heq kapakun e kresë dhe falem para jush

Natën e mirë në natën tuaj pa fund

Modifikimi i kësaj ngjarjeje në lirikë të pastër, i përafrohet amzës mitike-frazeologjike popullore ("me të luejtë kapaku i kresë prej nji të keqeje a ngjarjeje"); personazhet lirikë tashmë janë jashtëkohorë, që iu takojnë përjetësisë, janë personifikim i lirisë, hyjnë në themelet e traditës sonë, duke bërë ndërlidhje me të gjitha kohët. Nuk ka se si të shprehet më mirë nderimi tejfundor se vargjet më lart. Përshëndetja vjen dy herë; herën e parës i pikëtakim me të rënët (Mirëmbrëma), herën e dytë si përshëndetje në ndarje (natën e mirë). Gjithçka shqiptohet në frymën e lartësimit të brendshëm: nata pa natë (sugjerim i dritës së përjetshme, të pasosun) dhe nata pa fund (targjedia ka ndodhë, ata tashmë i takojnë nkë kohe tjetër pa fund, një kohe eternale, të përshpirtshme).

2.

Aq e rëndë ishte kjo tragjedi, sa koha ndalet, bota mban minutën e saj të heshtjes:

Këtu është ndalur koha

Ora e botës në minutën e heshtjes

Mbas luftës, i vetmi ngushëllim, është mbushullima e lirisë, anise mungojnë më të dashurit; porse tashmë zë fill një luftë tjetër, po ashtu e rëndë, ajo me vetveten apo ajo me mundjen e pikëllimit.. Tashmë njerëzit e thurin rrëfimin e tyre për këtë luftë. Secili prej tyre e ka këtë thesar përjetimi e rrëfimi. Kurse aty, diku nën muret e vdekjes, poeti po e mbronte kryeveprën e tij, jetën, të mos binte, të mos humbte nga kuptimi, kur të gjitha kuptimet vriteshin nga absurdi i trishtimeve dhe kur njeriu i jepte kuptim jetës me prometheizmin e tij liridashës:

Rrëfimi për jetën në luftë për jetë

Zgjatet e zgjatet si lumi dhe si retë

Poeti kërkon kikat ku duhet të mbështetet qenia njerëzore dhe, gjithsesi, ajo nacionale e kolektive. Poezia, edhe në ato çaste orëligash, nuk e lë poetin të bjerë shpirtërisht. Po, yjet janë ata që bëjnë dritë natën në qiell. Ai kërkon mbështetjen për të mos u rrëzuar. Ylli që tregoi shtigjet deri te drita (e lirisë). Në mos qenka vetëm një rekuizitë për stolisje? Poeti shkon më tutje me këtë metaforë: e shtrin si shenjë poetike të ndarjes së epokave, te ai kufiri i ndarjes së natës me dritë. Prandaj, secili dëshiron të marrë diçka nga kjo lavdi (yjesh të qëndresës për liri), ndërsa lavdia shtrihet nëpër gjithë rruzullimin:

Të gjithë e morën me vete yllin e fundit

Tokën e mbollën me dritë gjithësie

3.

Koha e ndalur për një çast si frymë rekuiemi, na ligjëron se ajo ende është një ëndërr (“Ëndrra të hapura”, quhet libri poetik prej nga u mor kjo poezi); pra, është «ëndërr e hapur», e çelur së brendshmi, posi petale lirike figurash a petale lirie me mundësi të reja mbushullimi të qenies vetanake e të asaj kolektive; ashtu sikundër e ka vënë që në titullin e librit këtë sintagmë poetike.

Lufta dhe Paslufta në lirikën e Qerim Ujkanit këndohen si një këngë e tërë, si një frymë testamentore shpirti e dëshmie. Rruga e bërë nga njëri vendbanim te tjetri na ishte shndërruar nga njëra masakër te tjetra, nga njëra pamje shkatërrimi te tjetra. Kjo Pasluftë bart dhe vajtimin pa fund, mallkimin që gërryejnë qiellin:

Zanore të përhumbura kuisin frymërat

Mallkimet zhvatin qiellin

Kësisoj, njësia e parafundit përmbyllet me vetëm një varg, si rekuiem muzikor që e lëshon frymën e fundit lartësuese me tingujt e përzishëm e të përshpritshëm:

Zogjtë fluturojnë mbi ëndrra të pashkelura

Është «ëndërr e hapur», e çelur së brendshmi, posi petale lirike figurash a petale lirie me mundësi të reja mbushullimi të qenies vetanake e të asaj kolektive; ashtu sikundër e ka vënë që në titullin e librit këtë sintagmë poetike.

Qerim UJKANI

REKUIEM PËR REÇAKUN

Heq kapakun e kresë dhe falem para jush

Mirëmbrëma në natën tuaj pa natë

Këtu është ndalur koha

Ora e botës në minutën e heshtjes

Rrëfimi për jetën në luftë për jetë

Zgjatet e zgjatet si lumi dhe si retë

Të gjithë e morën me vete yllin e fundit

Tokën e mbollën me dritë gjithësie

Zanore të përhumbura kuisin frymërat

Mallkimet zhvatin qiellin

Zogjtë fluturojnë mbi ëndrra të pashkelura

Heq kapakun e kresë dhe falem para jush

Natën e mirë në natën tuaj pa fund

(Nga libri poetik i QERIM UJKANIT: “ËNDËRR E HAPUR”, POEZI, “RILINDJA”, PRISHTINË 2003)

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 4 prill 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora