Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Faleminderit plehra
E marte, 07.04.2020, 12:40 PM
Faleminderit plehra
Nga
Edison Ypi
Diktatura
kishte banorë por nuk kishte plehra. Demokracia ka plehra por nuk ka banorë.
Sapo
dal nga shtëpia, në pamundësi të përshëndes banorët inekzistentë, shkoj
përshëndes plehrat që ka grumbulluar në oborr pastruesja.
Më
i mahnitur se para çdo vepre arti, qëndroj disa minuta para atij mali me ngjyra
që ke qef ta shohësh;
Në
një kuti kartoni gjysma e djathit që duket i freskët, është flakur.
Nuk
kuptohet nëse qumështi nga kutia e kartonit është pirë apo derdhur.
Mbi
ca qese plastike të mbyllura dhe të lidhura, mbishkrime misterioze në disa
gjuhë nga kinezçja te arabishtja.
Disa
tapa si jetime të vogla kërkojnë të rivendosin lidhjet me grykat.
Tava
plastike ëmbëlsirash, llokume, bakllava, revani, cip mbi cip rrëzë një kutie
kartoni që mban mbishkrimin e një kompjuteri.
Vegla
hidraulike të kromuara flakur kot, për defekte të thjeshta.
Karrocë
kalamani. Litarë, ushkurë, rripa, tuba, ulluqe. Rrotëza, çikrikë, pjata,
tiganë, lugë, pirunë, thika, që edhe mund të përdoren.
Arka
me fruta paksa të kalbura.
Pjata,
gota, kupa, me dhe pa mbishkrime.
Shishe
me turlilloj lëngjesh brenda.
Pjesë
kompjuterësh.
Gazeta
dhe revista të panumërta të zhubrosura.
Mbi
kutitë me ngjyra, çmime, oferta. Çarçafë dhe peshqirë aspak të grisur.
Dysheku
i flakur duket sikur pret dikend të shtrihet mbi të.
Të
dish t’i lexosh plehrat, kupton gjithçka;
Kah
po shkon vendi, ekonomia? Po qan apo po qesh biznesi? A po e bën si duhet punën
e vet lubrifikanti i ekonomisë, korrupsioni? A po punon diplomacia? Ç’thotë
gjeopolitika? Ç’mollois parlamenti? Cilat maja ka kapur qeverisja? Cilat
rekorde po thyen llafollogjia? Kah po shkon kultura? Po i lexojmë apo po na
lexojnë librat? A po na tret stomaku? A rrezikohemi nga diabeti? Si na rreh
zemra ? A po na kruhet ndopak kurrizi?
Jo
rrugët, as urat, vilat apo makinat. Plehrat dhe vetëm plehrat janë ato që
dëshmojnë gjithçka; qëndrueshmërinë e genit, vazhdimësinë e rracës, humoret e
popullit, piskamat e fukarenjve, icklat e zengjinëve, mbarëvajtjen e shtetit,
të ardhmen e Kombit. Për meritat që keni; Faleminderit plehra.