| E premte, 10.04.2020, 12:31 PM |
REÇAKU, IMAZHI ONTOLOGJIK I LIRIKËS
(Lexime
poetike. Poezia “Rekuiem për Reçakun” e Qerim Ujkanit), IV
Nga
Prend BUZHALA
Poeti
është si ai Maestroja i Urtisë që i vë në lëvizje forcat e brendshme të
njeriut, që e nxit atë të ngrihet lart së brendshmi, për ta siguruar
ekzistencën shpirtërore.
Te
poezia me titull “Rekuiem për Reçakun” e krijuesit Qerim Ujkani, lexojmë vargun
antologjik: “Heq kapakun e kresë dhe falem para jush”, tek e ndriçon luftën nga
këndi personal-kolektiv, sipas një skeme mitike-simbolizuese. Poezia i
kushtohet Masakrës së Reçakut, që çoi në bombardimet e NATO-s... Poeti e ka të
qartë, sipas kësaj përvoje individuale e kolektive, se luftërat janë vërtet
domosdoshmëri historike, që i vë kufi kohës në epoka të vogla e të mëdha, në
jetën e një kombi. E te kjo epokë tashmë gjithçka shpërndërrohet qeniesisht,
koha (njerëzit, shoqëria, nacioni), e ndërrojnë imazhin e tyre. Në fakt, mbetet
si një frymë e ngurosur në kohë, si imazh ontologjik. Tashmë ai është kthyer në
vatrën e dinjitetit të tij hyjnor, prandaj edhe derdh aq e aq potencial
gjithëjetësor e gjithëkrijues, gjithëmendor e gjithëshpirtëror.
1.
Poeti
të rënëve të Reçakut iu kushton një rekuiem (“rekuiemi, term kishtar; meshë e
veçantë për prehjen e shpirtrave të të vdekurve; muzikë e kompozuar për këtë
meshë”). Fjala, si e tillë, vjen nga vargu i parë i Lutjes (lat. Requiem
aeternam dona eis, Domine; Jepua, Zot, pushimin e pasosun). Këndohet në ato
çaste nga kori, ku shpirtrat e të rënëve pritet të ngrihen në parajsë, në
dritën e pasosun. Në letërsi, rekuiemi krijohet me përmbajtjet sipas teksteve
të përshpirtshme që na drejtojnë kah një gjendje mendore e të paprekshmes, të
përjetshmes, sakrales - kundruall kalimtares, të përditshmes dhe materiales.
Në
këtë frymë është e orkestruar, për nga tekstualja dhe mbarështrimi lirik, edhe
kjo poezi e Qerim Ujkanit, me frymën e epërme e të përzishme të këngëtimit.
Kjo
poezi përbëhet nga gjashtë njësi poetike dyvargësh, kurse njësia e parafundit
-përbëhet vetëm me një varg. Distiku i parë dhe i fundit pprsëriten dy herë
(ndryshon fjala mbrëmje/natë):
Heq
kapakun e kresë dhe falem para jush
Mirëmbrëma
në natën tuaj pa natë
(...)
Heq
kapakun e kresë dhe falem para jush
Natën
e mirë në natën tuaj pa fund
Modifikimi
i kësaj ngjarjeje në lirikë të pastër, i përafrohet amzës mitike-frazeologjike
popullore ("me të luejtë kapaku i kresë prej nji të keqeje a
ngjarjeje"); personazhet lirikë tashmë janë jashtëkohorë, që iu takojnë
përjetësisë, janë personifikim i lirisë, hyjnë në themelet e traditës sonë,
duke bërë ndërlidhje me të gjitha kohët. Nuk ka se si të shprehet më mirë
nderimi tejfundor se vargjet më lart. Përshëndetja vjen dy herë; herën e parës
i pikëtakim me të rënët (Mirëmbrëma), herën e dytë si përshëndetje në ndarje
(natën e mirë). Gjithçka shqiptohet në frymën e lartësimit të brendshëm: nata
pa natë (sugjerim i dritës së përjetshme, të pasosun) dhe nata pa fund (targjedia
ka ndodhë, ata tashmë i takojnë nkë kohe tjetër pa fund, një kohe eternale, të
përshpirtshme).
2.
Aq
e rëndë ishte kjo tragjedi, sa koha ndalet, bota mban minutën e saj të
heshtjes:
Këtu
është ndalur koha
Ora
e botës në minutën e heshtjes
Mbas
luftës, i vetmi ngushëllim, është mbushullima e lirisë, anise mungojnë më të
dashurit; porse tashmë zë fill një luftë tjetër, po ashtu e rëndë, ajo me
vetveten apo ajo me mundjen e pikëllimit.. Tashmë njerëzit e thurin rrëfimin e
tyre për këtë luftë. Secili prej tyre e ka këtë thesar përjetimi e rrëfimi.
Kurse aty, diku nën muret e vdekjes, poeti po e mbronte kryeveprën e tij,
jetën, të mos binte, të mos humbte nga kuptimi, kur të gjitha kuptimet
vriteshin nga absurdi i trishtimeve dhe kur njeriu i jepte kuptim jetës me
prometheizmin e tij liridashës:
Rrëfimi
për jetën në luftë për jetë
Zgjatet
e zgjatet si lumi dhe si retë
Poeti
kërkon kikat ku duhet të mbështetet qenia njerëzore dhe, gjithsesi, ajo
nacionale e kolektive. Poezia, edhe në ato çaste orëligash, nuk e lë poetin të
bjerë shpirtërisht. Po, yjet janë ata që bëjnë dritë natën në qiell. Ai kërkon
mbështetjen për të mos u rrëzuar. Ylli që tregoi shtigjet deri te drita (e
lirisë). Në mos qenka vetëm një rekuizitë për stolisje? Poeti shkon më tutje me
këtë metaforë: e shtrin si shenjë poetike të ndarjes së epokave, te ai kufiri i
ndarjes së natës me dritë. Prandaj, secili dëshiron të marrë diçka nga kjo
lavdi (yjesh të qëndresës për liri), ndërsa lavdia shtrihet nëpër gjithë
rruzullimin:
Të
gjithë e morën me vete yllin e fundit
Tokën
e mbollën me dritë gjithësie
3.
Koha
e ndalur për një çast si frymë rekuiemi, na ligjëron se ajo ende është një
ëndërr (“Ëndrra të hapura”, quhet libri poetik prej nga u mor kjo poezi); pra,
është «ëndërr e hapur», e çelur së brendshmi, posi petale lirike figurash a
petale lirie me mundësi të reja mbushullimi të qenies vetanake e të asaj
kolektive; ashtu sikundër e ka vënë që në titullin e librit këtë sintagmë
poetike.
Lufta
dhe Paslufta në lirikën e Qerim Ujkanit këndohen si një këngë e tërë, si një
frymë testamentore shpirti e dëshmie. Rruga e bërë nga njëri vendbanim te
tjetri na ishte shndërruar nga njëra masakër te tjetra, nga njëra pamje
shkatërrimi te tjetra. Kjo Pasluftë bart dhe vajtimin pa fund, mallkimin që
gërryejnë qiellin:
Zanore
të përhumbura kuisin frymërat
Mallkimet
zhvatin qiellin
Kësisoj,
njësia e parafundit përmbyllet me vetëm një varg, si rekuiem muzikor që e
lëshon frymën e fundit lartësuese me tingujt e përzishëm e të përshpritshëm:
Zogjtë
fluturojnë mbi ëndrra të pashkelura
Është
«ëndërr e hapur», e çelur së brendshmi, posi petale lirike figurash a petale
lirie me mundësi të reja mbushullimi të qenies vetanake e të asaj kolektive;
ashtu sikundër e ka vënë që në titullin e librit këtë sintagmë poetike.
Qerim UJKANI
REKUIEM PËR REÇAKUN
Heq
kapakun e kresë dhe falem para jush
Mirëmbrëma
në natën tuaj pa natë
Këtu
është ndalur koha
Ora
e botës në minutën e heshtjes
Rrëfimi
për jetën në luftë për jetë
Zgjatet
e zgjatet si lumi dhe si retë
Të
gjithë e morën me vete yllin e fundit
Tokën
e mbollën me dritë gjithësie
Zanore
të përhumbura kuisin frymërat
Mallkimet
zhvatin qiellin
Zogjtë
fluturojnë mbi ëndrra të pashkelura
Heq
kapakun e kresë dhe falem para jush
Natën
e mirë në natën tuaj pa fund
(Nga libri poetik i
QERIM UJKANIT: “ËNDËRR E HAPUR”, POEZI, “RILINDJA”, PRISHTINË 2003)
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 4 prill 2020)