E enjte, 03.10.2024, 03:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Testamenti poetik i artistit të madh

E shtune, 11.04.2020, 11:46 AM


TESTAMENTI POETIK I ARTISTIT TË MADH, MITI MODERN I FRYMËZIMIT

(Lexime poetike. Frederik RESHPJA: “Testament”), 5

Nga Prend BUZHALA

Në Prishtinë poezia e Frederik Reshpjes është botuar që më 1975, në vëllimin poetik “Enisé, enisé”. Dhe, së fundmi, më 2018, “Era përkund pikëllimin e luleve”, poezi, zgjodhi dhe parathënien e shkroi Anton N. Berisha, edicion i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan. Vëllim i fundit hapet me poezinë “Testament”, të cilën po e marrim për komentim.

1.

Kur De Rada i drejtohej Pëllumbit të Anakreontit te "Milosau", ose Naimi engjëllit të urtësisë te "Historia e Skënderbeut", i pasuar nga Gjergj Fishta që i drejtohej zanave ("Lahuta e Malcis"), apo nga Lasgushi që artin e sillte nëpërmes Zogut të Qiejve a Frymës së Zotit - që të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se po krijojnë një REALITET ARTISTIK, një botë arti. Poezinë e ka lindur vuajtja, kanë thënë estetët e lashtë dhe kështu thonë edhe ata të sotmit. Frederik Rreshpja, te poezia "Testamenti" na e shqipton kredon e tij estetike:

Që fëmijë e kam kuptuar se kam lindur

I mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe (...)

Mos e pastë njeri këtë fat!

Të shohësh ndryshe!

Pra, jo si të tjerët! Jo si regjimi e regjimet!

Të shohësh ndryshe (pluralizmi i ideve, pluralizmi estetik), përbënte përgjegjësi, sfidë dhe guxim.

Dhe ky është ai mallkimi që e ndoqi në jetë.

Ngjashëm me romantikët evropianë që e kishin temë të preferuar bukurinë fatale. Porse arti krijohet, po edhe trajtohet e këndohet si temë e përjetshme njerëzore, me përmasat ontologjike të tij, dhe me përmasat e përjetimit estetik të tij. Të mos shohësh si ideologjitë totalitare, as si ideologët e artit, por si artist, si krijues- përbënte një poetikë të tërë të refuzimit, e që francezët me Bartin e quajnë refuzim estetik.

Poeti e pranon këtë sfidë të bukur mallkimi!

Vargu "Mos e pastë njeri këtë fat!" përsëritet te secila njësi strofike-lirike, për ta përforcuar e shkallëzuar tensionin emocional, që shënjojnë këtë fat (të gjakuar) lirik-jetësor! Religjioni i poetit është arti. Dhe kjo është ajo simetria e bukur kontrastive e thënies dhe e formës poetike, ku thuret Miti Modern i Frymëzimit. Ky mallkim është “religjioni” i tij, është kredoja e tij. Sigurisht që artisti posedon, në radhë të parë imagjinatën krijuese dhe përfytyrimet, është i hapur ndaj përvojave, është natyrë impulsive dhe e shqetësuar, emocionalisht i ndjeshëm, ambicioz, i pavarur, dyshues në norma e rregulla, afektiv... Platoni i moçëm thoshte se artistët janë të frymëzuar, janë raca më e çmendur, ata shkruajnë gjëra të bukura, por atë që e shkruajnë, nuk e kuptojnë. Indusët e lashtë thoshin se arti është një DEHJE E KTHJELLËT, e artisti një I DEHUR I KTHJELLËT.

Nuk është e habtishme, prandaj, pse ai i përfytyron dhe i percepton ndryshe gjërat dhe realitetin, me anë të imagjinatës krijuese:

Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet.

Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

Era si ketër brente degët.

Peshqit marrin fluturimin e zogjve, zogjtë bien poshtë, era merr rolin e ketrit... Realiteti shikohet përmbys. Gjithçka në përmbysje! Pamjet na vijnë krejt surrealiste. Realiteti dekompozohet që të formësohet artistikisht! Fluturimi dhe rënia, furia dhe brejtja, - ja një tjetër simetri kontrastive e këtij dekompozimi. Në “Fjalorin e simboleve” (J. E. Cirlot) thuhet se peshku është një qenie psikike, që shënjon një "lëvizje depërtuese", i pajisur me një fuqi "ngritëse" në lidhje me çështjet themelore - domethënë në të pandërgjegjshmen (“peshku është simbol i një jete të thellë, i botës shpirtërore që shtrihet nën botën e dukshme, peshqit që përfaqësojnë forcën e jetës”). Në mitet antike ligjërohet edhe për peshkun fluturues. Ndërdija (subkoshienca) përbën thelbin metaforik të artit. Prandaj ndodh “dekompozimi”. Nëse deti shënjon gjerësinë dhe thellësinë (e padukshme), peshku, si qenie e shenjtë (simbol antik i krishterimit), te kjo poezi fluturon për në qiell! Horizontalja ka mbetur si themel lartësish. Nga poshtë lart (vertikalja: fluturonin drejt çerdheve, te yjet) dhe nga lart poshtë: Në vend të borës binin zogj në çdo dru.) poeti tashmë është i kryqëzuar aty. Tashmë vargjet zënë e marrin përmasa biblike:

Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!

Mos e pastë njeri këtë fat!

Në Bibël thuhet: "Këtu është nëna juaj" (Gjoni 27, 19) që i rri te koka të kryqëzuarit. Te Zbulesa (28, 12) lexojmë versetin: “Një shkallë u vendos në tokë me majën e saj për në qiell (Zanafilla 28:12). Korrespondueshëm me këtë referencë biblike, qëndron vargu i Reshpjes nga poshtë-lart. Poshtë qëndron vuajtja, lart lavdia e dritës. Poeti, i mallkuar me artin e tij, vuan pafundësisht. Vuajtja ka përmasa biblike. Kësisoj, nëna IDENTIFIKOHET me Shën Mërinë, të cilës i falet (Ave) poeti!

2.

Mistifikuesit romantikë e modernë, shpesh artin e tyre ia atribuojnë një frymëzuesi, si Dante Virgjilit, apo Tomas Stern Eliot që ia atribuoi Miltonit.

E pra, pikëshikimet janë nga më të ndryshmet, ashtu si janë nga më të ndryshmet (dhe më të mistershmet) edhe udhët e artit e të artistit... Për art ka nevojë secili njeri, ka nevojë secila fushë e jetës. "Besimi ka nevojë për art", do të thoshte edhe Papa Gjon Pali i Dytë, i cili shkroi një ese studimor të mrekullueshëm, me titullin "Letër dërguar artistëve". Porse arti qëndron "përtej gjërave", një mister që qëndron "në anën tjetër", mu si Hyji, ku qëndron E Tejetbukura. Një Bukuri e Parrëfyer, si i Tejetlavdishmi.

Arti është Mburojë e Shpirtit përballë goditjeve të errësirës, përballë sulmeve të egra të së keqes e përballë dredhive të satrapisë... është kërkim i ethshëm... Realiteti i jetës merr formë e përmbajtje në shfaqjet më të thella të artit. Arti nuk është vetëm ai Çasti i Shkrimit, apo Çasti Solemn i Këngës. Kundruall karakterit kalimtar të jetës (iku rinia duke dashuruar një Afërditë, rrethuar me Olimpin e luleve, simbol i më të bukurës, i lulëzimit të moshës), është edhe ai çasti i ëndërrimit dhe gjakimit të së bukurës:

Kam dashur një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.

Pastaj erdhe ti tërë ikje.

Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.

Kështu iku dhe rinia, filigrani i djalërisë,

i mallkuar me art.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Duke qenë i burgosur, i privuar nga të mirat e jetës, arti i bën shoqëri. Nuk e lë vetëm. Dhe ja, përsëri aty, si këmishë pranë trupit, i qëndron mallkimi, mallkimi i artit! Ai i këndon fatit të tij nopran, tragjik. Ai është në shoqëri vetëm me dhimbjen, me vetminë, me hënën, malet, lumenjtë, gjethet, peizazhin vjeshtarak, pothuajse një peizazh kufomatik. E çka i mbetet kur jetën e pati kaq të vuajtur:

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka,

Dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes

Gjithçka qëndron në braktisje. Gjithçka është me zemrën e plagosur. Të vetmin ilaç, për t'u shëruar nga pikëllimi, ai e gjen te poezia e tij. Nëse dhimbja e fatkeqësia e kanë përcjellë kaq gjatë nëpër vite, të duket sikur ai nuk gjendet në kërkim të shpresës, por në kërkim të këtij pikëllimi, të boshllëkut të ëndrrave, të vetmisë.

Tashmë perceptohet një tjetër akt i kësaj drame të jetës, pasjeta (i bërë njësh me natyrën, të cilën e shndërroi në simbol lirik dhe e përjetësoi nëpër vargje):

Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,

Se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinën kur bien gjethet

Do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.

Njësitë strofike, sikundër i lexuam, përbëjnë akte më vete të dramës jetësore e poetike! Ato thuren si një simetri kontrastive njëra me tjetrën. Dhe këtë e arrin ta strukturojë vetëm Artuisti i Madh.

3.

Që nga Bodleri e këndej, poetët ndiejnë dhembje për shkak të humbjes së përgjithshme të humanizmit. Jeta është e vjelur, vihet në pah ndjeshmëria se gjithçka është shkatërruar...

Bodleri këtë Mit të Frymëzimit, në përqasje me realitetin, e përkufizon si Lule të së keqes, Mjeda ynë e përkufizon si kob të bukurisë (te “Vaji io bylbylit”), Lasgushi si bukuri tmerrësisht e dashur, llahtari tmerrësisht e bukur, Beqir Musliu si bukuri e zezë. Kësisoj, në vazhdën e këtij këndimi, qëndron edhe formula e tij poetike: i mallkuar me art./ Mos e pastë njeri këtë fat!

-----------------------------------------

Frederik RESHPJA:

TESTAMENT

Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur

I mallkuar me art.

Gjërat i shihja ndryshe:

Nëpër shirat e vdekur

Peshqit fluturonin drejt çerdheve, te yjet.

Në vend të borës binin zogj në çdo dru.

Era si ketër brente degët.

Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!

Mos e pastë njeri këtë fat!

Kam dashur një Afërditë në Olimpin e trëndafilave.

Pastaj erdhe ti tërë ikje.

Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.

Kështu iku dhe rinia, filigrami i djalërisë,

i mallkuar me art.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka,

Dhe të harrohem, se nuk dua që edhe pas vdekjes

Të më ndjekë mallkimi i artit.

Mos e pastë njeri këtë fat!

Po kur të vdes, portreti im ka për t’u shfaqur nëpër gjethe,

Se unë kam patur miqësi me çdo dru.

Në stinën kur bien gjethet

Do të bien edhe sytë e mi.

Tani e tutje shirat do të jenë lotët e mi.

Mos e pastë njeri këtë fat!

(Nga libri poetik i Frederik Reshpjes “Era përkund pikëllimin e luleve”, poezi, zgjodhi dhe parathënien e shkroi Anton N. Berisha, edicion i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan, 2018)

(Prend N. Buzhala, rishkrime, 5 prill 2020)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora