E premte, 01.11.2024, 01:03 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Vezë të pjekur mbi kaci

E enjte, 02.04.2020, 08:25 AM


Vezë të pjekur mbi kaci

Nga Përparim Hysi

Tek rri mbyllur, "vullnetarisht" nga ky"armiku" alias Covidi-19, që metaforikisht unë e kam quajtur"qen që të kafshon" dhe mandej leh,  mendja është bërë si një koshere bletësh dhe ca nga vetizolimi dhe ca nga tollovija e lajmeve,  më bën që të çaj rrethimin,  të vë krahë si zog dhe të ikë diku, qoftë në një ishull imagjinar që të marrë frymë i lirë dhe pa atë trysninë që po na rri mbi kokë mu si shpata e Demokleut. Rri vërtet brenda,  por mendja bluan në mokrrat e kujtesës gjithë ç'ke jetuar der më sot dhe çuditesh,  me domosdo,  me një fakt shumë domethënës:- Jeta jote (natyrshëm dhe  i cilitdo frymori tjetër),  i ngjet një kasete që, sado ti nuk  e ke filmuar,  vjen e të shfaqet parasysh, sikur e përjeton tani. Kjo kasetë,  në kushtet e kësaj kohe me një lirësi pa limit,  merr përmasat e një kaleidoskopi,  të mbushur me disketa dhe,  tek i nxjerr një nga një,  zë e vret si me nge këtë vetizolim që,  siç thonë,  të bën mirë. Je i mbyllur si në një manastir dhe hiç nuk dallon nga një murg. Herë  je si MCIRI i LERMONTOVIT; herë AT SERXHI i TOLSTOIT dhe imagjinata zë e ndërton hulli nga do  të çashë rrethimin apo hamendësime përçude e bestyte,  prej të cilave as që mendoje se do t'i kisha si piketa ballafaqimi.

*     *    *

Kurrë nuk kam qenë kaq kohë vetëm. Nga natyra unë kam nevojë për fre dhe aq shumë e dua lirinë,  sa,  po të bëj një analogji letrare për të treguar gjendjen time fizike,  jam ai "qengji proverbial i NAIMIT, që, edhe,  po të ma presin rrugën, njëzet a tridhjetë vetë, unë çaj mes tyre si shigjetë". Mirëpo ky armiku alias Covidi-19,  është si hije. Vallë,  luftohtet me"hijen" dhe,  për ta vënë poshtë,  duhet të rrishë brenda, se ndryshe e paguan me kokë. Tani jo potencialisht,  por realisht e kam humbur lirinë dhe ashtu si ai, i mbyturi që kapet pas fillit të kashtës,  e pranoj vetizolimin në këto dhoma që kam me qera dhe,  për ta zbutur disi këtë jetë , përkohësisht prej murgu,  zë e kapem prej slloganesh. E, - them me vete, - ky vetizolim i detyruar vërtet që ta ka kufizuar lirinë,  por,  në të njëjtën kohë,  lirinë e ke me pashë brenda atij qerthullit ku je futur. Tani i jap të drejtë  ZHAN POL SARTËRIT që ka shkruar:- Nuk kemi qenë kurrë aq të lirë,  sa gjatë pushtimit gjerman!!! Mandej e mbaj  veten me kurajo se më vjen në ndihmë HENRIK IBSEN që thotë:- Njeriu më i fortë në botë,  është ai që rri më shumë vetëm. Dhe hajde dhe mos beso! Armiku më keq se ai gjermani pushtues i HITLERIT,  por unë po qëndroj vetëm dhe nuk paska më të fortë se unë.

Dhe tek lexoj përmjet internetit një det me  lajme nga shkenca,  s'kam si e mbaj ekulibrin mendor, se një i bie gozhdës dhe tjetri patkoit. Bëhem tym nga koka dhe as që kam dyshim që Covidin-19 do ta mundim,  por pasojat do jenë dramatike. Pikërisht,  këto pasoja më vrasin shpirtërisht dhe,  në ndodhtë që kolapsi do vazhdojë gjatë, atëherë ka për të ndodhur ajo që MIGJENI e ka përshkruar tek"Legjenda e misrit" apo tek"Të korrat". MIGJENI ka qenë POETI dhe PROZATORI- GJENI. Dhe GJENITË paraprijnë.

*    *    *

Në një nga"diksetat" e Kaleideskopit tim,  m'u faneps fëmijëria. Aty nga fillimet e viteve '50-të të shekullit që iku. Qenë vite të llahtarshmë zije buke. Në qytet kishte triska me racione të limituar dhe"kryefjala e triskave" ishte;-Dublikatë nuk lëshohet që fjalë për fjalë,  për ata që nuk e kanë jetuar atë kohë,  do të thoshte:- Po humbe triskën,  nuk merr dot më bukë. Asnjë alternativë tjetër. Ne jetonim në fshat, larg mëse katër orë nga qyteti dhe, ndërsa kishim tokë pa hesap ( si familje kishim 150 dynymë tokë),  kishim pendën e qeve,  dylopë dhe tridhjetë dhënë,  megjithatë në familjen tonë prej 10-vetash,  në ato vite mungonte buka.  Mungesa e bukës nuk qe  vetëm në familjen tonë,  por në të gjithë fshatin,  po se po,  por në tërë vendin. Shkoi kuntali i misrit (për grurë as që bëhej fjalë),  dyqind mijë lekë dhe askush ng fshatarët nuk e kishte atë fuqi blerëse. Ishte ajo kohë,  kur rronim me lakra dhe, sado që shtëpia jonë,  ishte shumë larg (pas nesh nuk kishte shtëpi tjetër veç MANASTIRIT të ARDENICËS që qe një orë larg me këmbë),  çdo ditë mësynin lypësa të ardhur nga larg që kërkonin diçka për të ngrënë. Kishte thatësira të njëpasnjëshme dhe uria qe e madhe. Unë flas për gjëra që i kam parë me sy dhe,  për një gjykim pak më preçiz,  po tregoj. Shimë grurin tonë dhe bëmë gjithësej 15 kuintalë. Paradoksalisht,  kaq ishte detyrimi ndaj  shtetit. Në ballin e makinës shirëse ishte:"Lëmi i parë shtetit". Pra,  e shlyemë detyrimin ndaj shtetit,  por ashtu si dardha e ka bishtin prapa,  për çdo kuintal 8 kg i donte SMT apo shteti si ujem. Babai bleu sa frëngu pulën në"tregune lirë",  120  kg grurë për të shlyer ujemin. Sado që nuk është për të qeshur dhe,  për çudi,  rronim. GJyshi nga ana e nënës që rronte në një fshat të SKRAPARIT, sillte gati 100 dhëntë e tij për të dimëruar në arat tona dhe qumështin e tyre e përdornim ne. Pra,  bulmet kishim me tepricë dhe me të merreshin nëna ime dhe xhaxhesha. Një grusht miell dhe,  mandej,  lakra me bollëk; me bollëk dhe qumësht apo kos. Herë-herë djathë dhe,  jo vetëm nuk e ndjenim urinë,  por sikur u mësuam me të. Jo më kot nuk ka thënë SOFOKLIU:- Njeriu është kafsha që përshtate më lehtë!

*    *   *

Gjyshja ime, NËNË BEGZOJA (tërë fshati i thoshin nënë),  ishte shpirt njeriu. E shkurtër, sa një burrë i madh,  mund ta fuste në xhep,  ishte jo vetëm amvisë e mrekullueshme,  por dhe,  ngaqë ishte si "mami" vendi,  e dinte se ç'ndodhte me një grua shtatëzënë. Në sepete të mbyllur me kyç, se ku kishte ruajtur ndonjë grusht miell. Fshehurazi,  si të kish bërë faj,  kish  gatuar paksa si një bukëz dhe,  po fshehur thirri dy nuset e shtëpisë dhe ua nxori përpara. Fshehur, fshehur,  po të lija rehat unë, gati 7-vjeç atëherë,  por qeshë"syri dhe veshi i mbretit". Mbreti qe babai. I përgjova dhe,  tek i zura me"presh në dorë",  bërtitta:- Kam për t'i thënë babait!!! Gjyshja dha e mori për të më zbutur,  po ku të falja unë?

Atëherë gjyshja më bëri një propozim "luajal":- Do të pjekë nënja një vezë në kaci!!! Këtu u dorëzova. Qe haraç i arsyeshëm. Dhe hëngra atë vezë të pjekur mbi kaci për të thyer disi urinë. Dhe,  nëse disketa" Vezë e pjekur mbi kaci"doli  para syve të mi, e sjell për lexuesit dhe për të thënë:- Kurrë mos u përsëritët ajo kohë" që të hamë vezë mbi kaci"!!!

Tiranë, 1 prill 2020



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora