Kulturë
Bardhosh Gaçe: Albert Zholi - Hiret e një gruaje bionde
E diele, 29.03.2020, 10:58 AM
Libër plot ndjenjë dhe fantazi “Hiret e një gruaje bionde” i Albert Zholit
Nga
Prof. Bardhosh Gaçe
Libri
me tregime “Hiret e një gruaje bjonde”, me autor Albert Zholin ka dicka
ndryshe. Autori është i njohur për librat e tij publicistikë, për analitikën e
kujdesshme mbi problemet e emigracionit dhe për dy vëllime me tregime. Është eksperienca e gjatë në fushën e letrave që e kanë mbarsur autorin me ide të reja në
lëvrimin e një stili të ri eksperimental duke sjellë një hop tejet cilësor në
këtë vëllim me tregime. Që në titullin e tij, libri të thithë në hullinë e një
misteri të përjetshëm njerëzor, me të cilën historia e letërsisë na ka mësuar
ti skalisë nga Homeri e deri në ditët tona. Në gjashtë tregimet e këtij libri
do të skaliten në mendjet tona llojet e dashurive nga ajo njerëzore, tek
dashuria instiktive, interesi e deri tek dashuria e madhe që nuk njeh barriera
dhe skaje, por mbin aty ku ka ndjenjë të
sinqertë. Ajo është jokonvencionale, e papërlyer dhe shumë herë e fshehtë dhe
dinjitoze. Nëpërmjet një narracioni të thjeshtë të personazheve, por mbi të gjitha
një fantazie për tu patur zili ne mësojmë rrokapjekjet e njeriut për të gjetur
vetveten, për të arritur pikën kulminante të fizicitetit dhe lumturisë fizike e
cila asnjëherë nuk mund të planifikohet, e mbi të gjitha të nënshtrohet por
gjithnjë mund të ëndërrohet dhe të zaptohet me forcën e shpirtit dhe duke
luftuar edhe me gabimet dhe mosfatin.
Me
një penë ngjyruese, autori na përshkruan situata dhe hamendësi që vijnë si
rezultat i një ekperience të mirëfilltë mendimi dhe njohje të psikologjisë
njerëzore dhe të ligjshmërisë sociale dhe njerëzore ku jetojnë personazhet e
skalitur nga pena e Zholit. Autori ka shpërthyer jashtë klisheve dhe
vrarjendërgjegjeve të tepërta që të gjitha përthithen nga koha në mënyrë të
cuditshme. Është koha me mësimet e saj që rrjedh me një shpejtësi marramendëse dhe
që në vend të moralit krijon jetën dhe veprimet e personazheve , dhe në fund
është vetë mësimi i kohës dhe i ndjenjës ai që jep shtysën për të gjetur
zgjidhjen. Autori ka pikasur formën tragjike të realitetit njerëzor, gabimet
dhe deformimet që natyra njerëzore ia shtyn përditmërisht njeriut të
gjunjëzohet duke e bërë shpesh viktimë të fjalës, modernizmave, ekstravagancave
e tolerancave të dëmshme për jetën e tij. Krejt në mënyrë të sinqertë ai ka
skalitur në këto tregime përballjen e personazhit pozitiv me atë negativ duke
sjellë një format të Shqipërisë së kohës pa moralizuar dhe mbi të gjitha pa
stereotipe. Sepse ndodh cuditërisht kështu…
Ky
libër sjell një mentalitet të ri tek lexuesi shqiptar. Ai pikëtakon njeriun
ideal dhe rrethanën e ambientit, shoqërisë dhe pasojave të saj drejt një
zgjidhjeje positive. E ndërsa autori na bën të imagjinojmë një pjesë të jetës
së përditshme, ai në të njëjtën kohë arrin të na ofrojë oazin e lumturisë së
njeriut, që është mirëqënia dhe dashuria njerëzore, një idil që ai e ka
skalitur me përsosmëri.
Bjondet
kanë sherruar botën dhe janë symbol i gruas tradhëtare. Ky mentalitet zotëron
dhe në gjuhën frazeologjike shqiptare ku thuhet”bjonde vagabonde”. Ky fakt, tejet gjenetik duket se nuk përbën
më një faktor në botën e tashme, ku misku kozmetik na konfuzon në
natyralitetin femëror. E megjithatë është ky gen i lashtë, ky fatalitet i
cilësuar bjond që na tërheq njëmendazi në librin e fundit të autorit Albert
Zholi, Hiret e një gruaje bjonde. E ndërsa e lezojmë, përkundërshtohemi. Tregimi nga është perifrazuar ky titull
është një mësim për burrat megallomanë dhe strikt, që e shohin femrën mbas një
akuariumi paragjykimesh dhe mendësish, që i vendosin kufij dhe forma të
cuditshme, pa njohur brendinë dhe rëndësinë e të qënit në radhë të parë njeri
dhe më pas femër. Njeriu gjithnjë nxitet nga forma, e jashtmja e bukura, duke
rënë kështu në rrjetën e djallit.
E
ndërsa nga kjo piknisje titullohet një vëllim me tregime, gjithcka tjetër në
këtë libër është një rrugëtim drejt të njohurës e të panjohurës njerëzore që
është shpirti. Autori ka sjellë një mentalitet të ri në letërsinë shqipe, duke
e pastruar rrëfimin e tij nga klishetë dhe nga manierat që shumë herë krijojnë
persona falso. Ai ka ditur të skalisë figurën e femrës herë si një viktimë e
mentalitet shqiptar, herë si një instrument interesi, herë si një të përdalë pa
skrupuj e herë si një viktimë të modernizmit. Por, gjithnjë duke e përballur me
dikë më të pjekur, autori ka arritur të gjejë zgjidhjen ideale, që është filli
që përshkon gjithë rrëfimistikën e tij. Dashuria në të gjitha format e saj të bukura, të
shëmtuara, te pamoralshme apo jashtëmartesore triumfon. Dhe kjo përbën një
ideal sa të guximshëm dhe të vërtetë.
Dashuria egziston dhe përbën një vlerë të pallogaritshme të librit dhe
personazheve që përditë përplasen me monotoninë, shfrytëzimin, interesin dhe
injorancën;të gjitha këto tipare që sjellin vdekjen e saj.