Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Çifligjet e mia
E premte, 27.03.2020, 01:34 PM
Çifligjet e mia
Nga
Edison Ypi
Unë
Edison Bej Ypi, stërnip pashallarësh dhe rilindasish, shtëpi pene dhe pushke
denbabaden qëkur s'mbahet mend, inxhinier dhe perfeksionist, skllav i përunjur
i Bukurisë, rendimentit, efikasitetit, fjalës së zgjedhur, jam pronari i më të
mëdhenjve çifligje të botës; çifligjeve të traditës, atdhedashurisë,
qytetarisë, edukatës, respektit, ndjeshmërisë, shpirtmadhësisë, zemërgjerësisë,
tolerancës, transparencës, mirkuptimit, shpresës, ëndërrave të mia. Unë nuk
shitem as nuk blihem. Për asnjë çmim. Vlera e çifligjeve që unë kam brenda
gjoksit është e pallogaritëshme. Për t'i blerë apo shitur ato çifligje, pra për
të më blerë apo shitur mua, duhet shqyer gjoksi im, ç’ka është e pamundur sa
kohë buldozerat dhe eskavatorat që atë shqyerje do ta mundësonin ende nuk janë
shpikur. Unë jam ai që gjithë kohën udhëtoj kah errësira drejt dritës, kah
gjumi drejt zgjimit, kah vdekja drejt lindjes. Unë jam ëndërra. Nga ëndërra ime
shpërthen drita. Nga ëndërra tek ëndërra, nga drita tek drita, nga të dyja tek
secila, nga secila tek të dyja dhe tek të gjitha, mua më mbështjell Liria. Nuk
kam caqe hapsionore; Për mua grimca është më e madhe se gjithësia, dhe
gjithësia më e vogël se grimca. Nuk kam as pengesa kohore. Tek unë gjithçka
ndodh në një kohë rrjedhën e së cilës e mat një sahat pa akrepa dhe numura.
Brenda meje ka kështjella me mure të lashta me myshqe dhe bedena të larta,
rrethuar me ledhe të thella ku bëhen luftra të përgjakta pa fillim e pa mbarim.
Brenda kështjellave dhe ëndërrave të mia luftojnë heronj të pamposhtur me
heshta, bomba, aeroplana. Oqeanet dhe detrat e mia ku fryjnë erëra të tërbuara
janë të rrethuar nga mbeturina, rraqe, hekurishta, brisqe, biçaqe, karroca pa
rrota, makina pa motorra, autobuza rrangalla, trena pa shina. Kujet e
kukuvajkave të pista dhe krrokamat e korbave të zinj nuk i mposhtin dot Nositat
e m’i të bardhë. Brenda kazanave të plehrave të mia kapardisen të patalentuar
të shumtë që shkruajnë libra për ibret me shpresë se në promuovime do
duartrokiten nga idiota. Nëpër autobuza lehin zagarë që shkruajnë artikuj dhe i
gënjen mendja se budallenj të ngeshëm do t’ua lexojnë nëpër gazeta. Hipur mbi
makina bredhin vrasësa që realizojnë pajtime, hajdutë që kthejnë prona, qorra
që kqyrin piktura, shurdha që dëgjojnë simfonira. Mbi vagonat e trenave, disa
ulur disa më këmbë, pa e ditur se nga janë nisur e ku po venë, kush me sqepar
ngulur mbi shpinë kush me thik’ në fyt, lëvizin shqiptarë të therur të gjitha
trevave. Në çifligjet e mia myzeqarët kujtojnë të internuarit. Tironcit ecin me
nallone rreth shtëpiave me qerpiça. Durrsakët pinë kafe te Torrja.
Elbasanllinjtë bëjnë seks. Kavajsit shesin misra të pjekur. Kolonjarët flasin
për gjeopolitikë. Shkodranët ngasin biçikleta. Lebërit flasin italisht.
Krutanët pijnë raki. Matjanët kolliten. Dibranët teshtijnë. Gollobordasit
flenë. Skraparllinjtë mburren. Korçarët dëgjojnë serenatën "Do çmendem nga
bukuri' e Saj". Kalamajtë shkruajnë SMS. Në një tren nga dritaret e të
cilit vijnë aroma papaveri, femra. Të gjitha Monaliza. Në gozhda janë varur
gravura të vjetra që bëjnë fjalë për heronj të shpikur dhe gjenialë të heshtur
nëpër katunde duke kullotur lopën. Mbi këto dete, makina, autobuza, kafenera,
supermerkata, fusha, fshatra, karroca, trena, vagona, fluturoj unë që Bukurisë
nuk i afrohem më tepër se duhet nga frika se mos çmendem.