Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Dasma ime inekzistente
E hene, 09.03.2020, 06:59 PM
Dasma ime inekzistente
Nga
Edison Ypi
-Që
thua ti, në katundin tim kurrë nuk ka ndodhur gjë më interesante se dasma ime.
Pas pesë vitesh që erdha nga emigracioni ku fitova ca çika lek, vendosa të
martohem. Pyet këtu e këtje, ja vura syrin për shoqe të jetës një perrie në
katundin tjetër. Fola me babanë e vajzës. Bëra përgatitjet. Erdhi dita e
dasmës. U nisën krushqit për të marrë nusen. Kur arritën mbetën me goj hapur;
Gjysëm ore para mbërritjes së krushqëve, nusja ishte zhdukur. Ishte rrëmbyer me
dikend që e dashuronte fshehtas prej kohësh. U llaftarisa. Dasma ime paskish qënë
një ëndërr, "shoqja e jetës" tradhëtare, jeta skëterrë. Çfarë
gabimesh kisha bërë që dasma mu avullua ? Ku s'më vajti mendja. Ndoshta duhej
të kisha bërë më tepër kujdes për të fejuarën, ta kisha puthur, përkëdhelur,
shoqëruar, sajdisur. Por nuk mund ta zgjasja me teorira. Rrethanat dramatike
kërkonin zgjidhje të shpejtë. Mblodha veten. I them babait të pabesës; Ç'më
bëre o i uruar ? Vajzën e desha, dasëm përgatita, ku të mbytem unë tani ? Mos u
shqetso, tha babai i tradhëtares. Ajo që iku, iku. Tani, që unë të mos luaj
mendsh, dasma jote të mos prishet dhe jeta jote të mos nxihet, propozoj një
zgjidhje. Kam dy çupa të tjera. Merre për grua njërën prej tyre. Cilën të
duash. Hajt u trashëgofsh. Mora kokën mes grushtave. Thashë me vete; Ç'thotë ky
vjehërr monstër ? Le nusja dhe dasma, po jetës time si i bëhet ? Problemi duhet
parë me seriozitet, me thellësi, me gjakftohtësi. Po ta prish këtë dasëm,
mendova, do më ikin dëm përgatitjet, do më duhet të lodhem të gjej një tjetër
nuse dhe të bëj një tjetër dasëm. Por mbase gjëndja nuk është aq dramatike. I
them vjehrrit shejtanbudalla; Dëgjo o vjehërr, Femrat janë bërë të gjitha të
njëllojta. Zere se mu ça goma e makinës në mes të rrugës dhe do ta zëvendësoj.
Vish nuse cilën të duash nga dy çupat. Le të vazhdojë dasma ime dhe të kërrcasë
ahengu që për qime desh u prish. Ashtu u bë. Mora për grua njërën nga dy çupat
e vjehrrit. Një surrat nallane që s'shihet me sy, edhe lugatin e tremb. Kështu
mbaroi dasma ime. Kujdes me dasmën tënde.
-Un
nuk do martohem.
-Pse
?
-Sepse
para dasmës tënde katastrofike preferoj dasmën time inekzistente.