Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Albanicus Modernicus
E marte, 18.02.2020, 08:19 PM
Albanicus Modernicus
Nga
Edison Ypi
Ecën
rrugës sikur nuk e ka mëndjen, sikur nuk i intereson asgjë shqiptare, sikur
Shqipëria dhe shqiptarët janë një realitet që ky është lodhur shumë për ti bërë
si Italia dhe italianët, por ka hequr dorë sepse këtu njerëzit janë të
prapambetur, të pa gdhëndur, të egër, ndërsa ky është i përparuar, i ndriçuar,
por ka humbur kohën kot, sepse për fatin e tij të zi është lindur gabimisht në
këtë vend.
I
lagët, i qullët, lëkurën e fytyrës të verdhë si në të bardhë si prej të
vdekuri. Ta shihte Darvini do thoshte se njeriu nuk ka ardhur nga majmuni por
nga kërmilli.
Nuk
merr kurrë furgon. Pa makinë s'shkon kurrkund. Furgonat, sipas tij, janë plot
me katundarë të pisët, malokë të trashë, morracakë që vijnë erë.
Po
t'i dali përpara ndonjë pellg me baltë e konsideron fatkeqësinë më të madhe të
jetës dhe mallkon ditën kur lindi. Sipas tij baltë bota ka vetëm nëpër fshatra,
nëpër filma, nëpër llogore luftrash.
Në
behar sajohet me ngjyra. Gjatë dimrit, në një mënyrë gjoja si të pa
kujdesëshme, hedh rreth qafës një shall të trashë të gjatë që i varet teposhtë
duke iu tundur. Jo rrallë e ka mjekrrën të vizatuar.
Nuk
ha kurrë groshë apo trahana, apo të tjera të ngjajshme që hanë shqiptarët. I
quan gjëra të rënda, të padenja për stomakun e tij delikat prej metropolitani
të lindur. Ushqehet me spagheti, fruta deti, mish.
Mbahet
për armik i betuar i modifikimeve genetike. Por po i dhe një top pingpongu dhe
i the ta hajë se nuk është top pingpongu por vezë e trendy-t të fundit të
pulave të qymezit, i mahnitur me arritjet e inxhinierisë genetike, i kullufit
njëherësh të dyja, edhe gënjeshtrën spjeguese për të vërtetë, edhe topin e
bardhë për vezë.
Hiqet
pacifist i madh, flet kundër luftrave. Por po i doli një pik gjak nga gishti
duke prerë një fetë bukë, zë e shan me libër shtëpie të gjithë banorët e
planetit.
Nuk
ka haber nga puna fizike, veglat e punës, përveshja e llërëve. Ka bindjen e
thellë se është lindur për të përdorur vetëm trurin, vetëm kokën. Të vetmet
vegla që përdor, edhe ato jo me ndonjë efikasitet kushedi se çë, janë hallatet
e poshtëme. Tallet me ata që ndërtojnë. Sidomos me fshatarët. Shtëpitë dhe
vilat e tyre të reja. Thotë; Emo se i ndërtojnë për inat të njëri-tjetrit,
pastaj i lënë bosh.
Qefi
i tij, Interneti. Për ç'do paqartësi, thotë; Ik se e gjen në Ueb.
Për
fshatin ku ka ndodhur një vrasje, për plazhin ku do bëjë pushimet e ardhëshme,
për vendin ku do kalojë autostrada, nuk lëviz kurrë nga vendi, as nuk merr në
telefon për të pyetur. Në çast i vërsulet Google-it.
Shpik
sentenca të pështira të tipit; "Lavdia dhe pasuria duhet të jenë të
merituara". Dhe pa i lëvizur qerpiku jep autorësinë si t'i vijë.
Përvjelljen që e shet për erudicion, thotë e ka thënë Shekspiri, Migjeni, Fan
Noli, Konica, Konfuci, Pashko Vasa, Makiaveli.
Sipas
tij të gjithë hebrejtë janë inteligjentë, të gjithë rusët biondë, të gjithë
kinezët dinakë.
Ndonjëherë
vete në koncerte me muzikë serioze ku hyn mish e del sallam.
Mbahet
dhe mburret si mbrojtës i ambientit. Mirë bën. Halli se ky që kosh plehrash ka
kokën e vet, të gjithën e redukton vetëm në mos flakjen e hedhurinave në rrugë.
Natyrisht flet edhe për ndotjen në përgjithësi. Por ja fut kot. Sepse sapo
dëgjon diçka për pastërtinë e ambientit, në mënt nuk i vijnë, si do ishte e
natyrëshme, fresku i Thethit, valbonës, Osumit, Vjosës, Llogorasë, por ajri i
kondicionuar.
Me
autostradat, aeroportet, bankat, lokalet, shërbimet e ndryshme dhe në
përgjithësi kollajllëqet urbane, sillet mirë dhe i respekton, por edhe ankohet.
Pa llogaritur Internetin që i duket sikur ja ka lënë dajua kurbetli, ka bindjen
se ato kollajllëqe janë ndërtuara nga qënie inferiore, aty janë dhe aty kanë
qënë gjithmonë, në pritje që ti përdori ky.
Kur
flitet për Lirinë nis e llap demek në mbrojtje të saj. Nuk konsideron se
Shqipëria ka kaluar Diktaturë. Flet për kushtet sociale politike dhe
infrastrukturore të Shqipërisë si për Italinë, Zvicrën, Anglinë.
Lirinë
e percepron si diçka që të mundëson të shpërblehesh sa më tepër duke punuar sa
më pak.
Hiqet
mbrojtës i femrave. Por po ti pyesësh femrat për këtë lloj mashkulli të thonë
se është dëshpërimi i tyre më i madh.
Kur
është në Shqipëri thotë; Nuk rrihet në këtë vend. Kur është jashtë thotë; Nuk
kthehem po s'u ndreq.