Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Shetitje
E merkure, 15.01.2020, 08:20 PM
Shetitje
Nga Edison Ypi
Llafazanë,
dembelë, shpifarakë, intrigantë, hipokritë, dallkaukë, rroça, poça, pyka, tyça,
tyta; mblidhuni dhe ejani të shetisim nëpër Shqipëri. Ngadalë si gjarpri.
Shtrembër si drapëri. Shpejt si drita. Drejt si shigjeta. Teposhtë si rrufeja.
Do
vemi në disa vende ku do j’u laget syri dhe do j’u hallakatet mendja.
Mos
merrni me vete shami. Lotët do t’i fshini si ka thënë Poeti; me duar ! As
aspirina, paracetamola, antidepresiva, se prishet magjia.
Gjatë
shetitjes do shihni kodra të bukura dhe fusha të mbjella rrethuar nga korije si
bizhu’ të jeshilta me të ikë mendja. Do kaloni mes malesh të egër që do j’u
kallin frikën këndshëm. Do bëni foto mbi liqere të kaltra ku në muzg pasqyrohet
Luna. Do flisni me fshatarë që do na tregojnë halle me ndërlikime të pa
besueshme por të vërteta, që s’i rrok mendja. Do kuvendoni me vejusha veshur me
të zeza që do j’u tregojnë për burrat e vrarë për hiç gjë me një mijë mënyra.
Do futeni në Kisha të vjetra me mure me myshk, rrethuar me qipariza dhe vorreza
ku natën vërtiten fantazma. Do hyni nëpër shtëpira ku, të përkulura me tabaka
në dorë, gotën me dhallë do t’ua sjellin katundarka që buzëqeshin si Monaliza.
Do kuvëndoni me pleq me sy të thellë dhe rrudha, veshur me xhaketa dhe kapele
të vjetra, që nuk duan të dinë sa është ora, dita, data, viti. Duke ikur e duke
fshirë lotët me duar, do bindeni se udhëtimi nëpër Shqipëri, s’ka asgjë nga
ngrënia dhe pirja, por vetëm dehja.
Në
veri do shihni shqiptarë të egër dhe të hapur që e kanë po aq të lehtë t’ju
vrasin në çast, sa edhe t’ju bëjnë mik për kokë.
Në
jug do jenë më të butë por më të mbyllur. Por edhe ata, për të njëjtat arësye
të errëta, j’a do t’ju bëjnë mik për kok’ në çast, j’a do t’ju vrasin në vend.
Do
kaloni nëpër fshatra të internuarish ku ka ende të rreckosur shpresë humbur,
jetët e shkatërruara të të cilëve vazhdojnë të rrotullohen pafund nëpër
spiralet konfuze të fatit të tyre të zi më çmendurisht se gjethet e vjeshtës
kur i merr era.
Në
një lokal që quhet “Bar Kafe Hardhija”, do hani kos nga ay që pritet me thikë.
Mbi
derën e një dyqani katundi do shihni një copë letër mbi të cilën është shkruar;
“Ofrojmë matje tensioni”.
Diku
në Myzeqe do takoni një blektor që rrit buallica qumështin e të cilave e çon e
shet çdo ditë me aeroplan në Londër.
Kur
të keni ndalur për tu shplodhur pak në një lokal që quhet; “Restorant Jonxha”
njëri do më pyesi mua; Ku i ke psonisur këta budallenj o flori ?! Që juve të
mos u mbetet qefi, unë do bëj sikur s’do dëgjoj.
Nga
Belshi, mespërmes Dumresë së magjishme, gjatë një rruge që të shpje në Kuçovë,
që ju nuk e dini fare se ajo rrugë ekziston, do ndeshemi me disa merhumër të
cilët kohën kur kanë bërë ushtrinë e mbajnë për periudhën më të ndritur të
jetës, dhe me këtë mburren.
Fill
pas tyre, në një vend të hatashëm plot liqere dhe lëndina, do na presë rrugën
një fytyrëvrerosur me një Benz të madh, i cili, me një zë rënkimtar, do t’u
ankohet se bën disa biznese agroblegtorale, dhe e mbajnë për më të pasurin, por
në fakt është më i varfëri i të tërëve, sepse u ka miliona borxh bankave.
Duke
kaluar pranë qyteteve, ju që celularët s’i shqitni nga dora, do shkriheni tue u
qesh kur në ekranet e aparateve do j’u çfaqen Uajrlesa si; “TofikuNet”,
“HajdariCom” apo “MuhametiMobile”.
Gjatë
kësaj shetitjeje ju do rrini urtë dhe nuk do më thoni mua ule zërin. Unë do bëj
si di. Shqiptarëve do j’u thërras me sa të kem në kokë. Në këto raste, ju që
s’keni fare ide si janë shqiptarët, do vini re me çudi’ se nga e bërtitura ime
jo vetëm nuk do mërzitet askush, por do mbeten të gjithë të kënaqur. Kjo do
ndodhi sepse unë këtë mënyrë komunikimi me të bërtitura e kam ngritur në Art.
Ejani
pra ta bëjmë këtë shetitje. Se në fund, si gjithmonë, përsëri ju do mburreni
unë do bëj sikur s’kuptoj, ju do bërtisni unë do hesht. Veç një gjë harrojeni;
që ju të gënjeni, unë t’ju besoj.