Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Albanicus Modernicus

| E marte, 18.02.2020, 08:19 PM |


Albanicus Modernicus

Nga Edison Ypi

Ecën rrugës sikur nuk e ka mëndjen, sikur nuk i intereson asgjë shqiptare, sikur Shqipëria dhe shqiptarët janë një realitet që ky është lodhur shumë për ti bërë si Italia dhe italianët, por ka hequr dorë sepse këtu njerëzit janë të prapambetur, të pa gdhëndur, të egër, ndërsa ky është i përparuar, i ndriçuar, por ka humbur kohën kot, sepse për fatin e tij të zi është lindur gabimisht në këtë vend.

I lagët, i qullët, lëkurën e fytyrës të verdhë si në të bardhë si prej të vdekuri. Ta shihte Darvini do thoshte se njeriu nuk ka ardhur nga majmuni por nga kërmilli.

Nuk merr kurrë furgon. Pa makinë s'shkon kurrkund. Furgonat, sipas tij, janë plot me katundarë të pisët, malokë të trashë, morracakë që vijnë erë.

Po t'i dali përpara ndonjë pellg me baltë e konsideron fatkeqësinë më të madhe të jetës dhe mallkon ditën kur lindi. Sipas tij baltë bota ka vetëm nëpër fshatra, nëpër filma, nëpër llogore luftrash.

Në behar sajohet me ngjyra. Gjatë dimrit, në një mënyrë gjoja si të pa kujdesëshme, hedh rreth qafës një shall të trashë të gjatë që i varet teposhtë duke iu tundur. Jo rrallë e ka mjekrrën të vizatuar.

Nuk ha kurrë groshë apo trahana, apo të tjera të ngjajshme që hanë shqiptarët. I quan gjëra të rënda, të padenja për stomakun e tij delikat prej metropolitani të lindur. Ushqehet me spagheti, fruta deti, mish.

Mbahet për armik i betuar i modifikimeve genetike. Por po i dhe një top pingpongu dhe i the ta hajë se nuk është top pingpongu por vezë e trendy-t të fundit të pulave të qymezit, i mahnitur me arritjet e inxhinierisë genetike, i kullufit njëherësh të dyja, edhe gënjeshtrën spjeguese për të vërtetë, edhe topin e bardhë për vezë.

Hiqet pacifist i madh, flet kundër luftrave. Por po i doli një pik gjak nga gishti duke prerë një fetë bukë, zë e shan me libër shtëpie të gjithë banorët e planetit.

Nuk ka haber nga puna fizike, veglat e punës, përveshja e llërëve. Ka bindjen e thellë se është lindur për të përdorur vetëm trurin, vetëm kokën. Të vetmet vegla që përdor, edhe ato jo me ndonjë efikasitet kushedi se çë, janë hallatet e poshtëme. Tallet me ata që ndërtojnë. Sidomos me fshatarët. Shtëpitë dhe vilat e tyre të reja. Thotë; Emo se i ndërtojnë për inat të njëri-tjetrit, pastaj i lënë bosh.

Qefi i tij, Interneti. Për ç'do paqartësi, thotë; Ik se e gjen në Ueb.

Për fshatin ku ka ndodhur një vrasje, për plazhin ku do bëjë pushimet e ardhëshme, për vendin ku do kalojë autostrada, nuk lëviz kurrë nga vendi, as nuk merr në telefon për të pyetur. Në çast i vërsulet Google-it.

Shpik sentenca të pështira të tipit; "Lavdia dhe pasuria duhet të jenë të merituara". Dhe pa i lëvizur qerpiku jep autorësinë si t'i vijë. Përvjelljen që e shet për erudicion, thotë e ka thënë Shekspiri, Migjeni, Fan Noli, Konica, Konfuci, Pashko Vasa, Makiaveli.

Sipas tij të gjithë hebrejtë janë inteligjentë, të gjithë rusët biondë, të gjithë kinezët dinakë.

Ndonjëherë vete në koncerte me muzikë serioze ku hyn mish e del sallam.

Mbahet dhe mburret si mbrojtës i ambientit. Mirë bën. Halli se ky që kosh plehrash ka kokën e vet, të gjithën e redukton vetëm në mos flakjen e hedhurinave në rrugë. Natyrisht flet edhe për ndotjen në përgjithësi. Por ja fut kot. Sepse sapo dëgjon diçka për pastërtinë e ambientit, në mënt nuk i vijnë, si do ishte e natyrëshme, fresku i Thethit, valbonës, Osumit, Vjosës, Llogorasë, por ajri i kondicionuar.

Me autostradat, aeroportet, bankat, lokalet, shërbimet e ndryshme dhe në përgjithësi kollajllëqet urbane, sillet mirë dhe i respekton, por edhe ankohet. Pa llogaritur Internetin që i duket sikur ja ka lënë dajua kurbetli, ka bindjen se ato kollajllëqe janë ndërtuara nga qënie inferiore, aty janë dhe aty kanë qënë gjithmonë, në pritje që ti përdori ky.

Kur flitet për Lirinë nis e llap demek në mbrojtje të saj. Nuk konsideron se Shqipëria ka kaluar Diktaturë. Flet për kushtet sociale politike dhe infrastrukturore të Shqipërisë si për Italinë, Zvicrën, Anglinë.

Lirinë e percepron si diçka që të mundëson të shpërblehesh sa më tepër duke punuar sa më pak.

Hiqet mbrojtës i femrave. Por po ti pyesësh femrat për këtë lloj mashkulli të thonë se është dëshpërimi i tyre më i madh.

Kur është në Shqipëri thotë; Nuk rrihet në këtë vend. Kur është jashtë thotë; Nuk kthehem po s'u ndreq.