Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rruga Saraçve
E shtune, 15.02.2020, 03:48 PM
Rruga Saraçve
Nga Edison Ypi
Rruga
Saraçve është një lloj rakie që po të zuri prej saj nuk bëhesh dot kurrë esëll.
Rruga
Saraçve është si ajo femra aq e dashur prej së cilës nuk ndahesh dot as në të
gjallë as në të vdekur.
Rruga
Saraçve është e vetmja rrugë në botë që nuk udhëton ti mbi Atë por Ajo brenda
teje.
Mund
të largohesh sa të duash nga Rruga Saraçve. Mund të shkosh edhe mbrapa Diellit
edhe para Honës, edhe te Rruga e Qumështit po deshe. Por nëse te Rruga Saraçve
ke qëndruar edhe vetëm një çast, dije se te Rruga Saraçve je dhe te Rruga
Saraçve do mbetesh në jet’ të jetëve.
Rruga
Saraçve nuk është rrugë. Rruga Saraçve është pol. Ku po të jesh, ngado që të
rrotullohesh, para ke botën, poshtë tokën, lart Qiellin.
As
treqint metra nga Selvia tek Pazari i Ri, zemra që rreh, shpirti që dridhet,
vatra që ngroh, zjarri që djeg, është 1 dhe vetëm 1, është Ajo dhe vetëm Ajo,
Rruga Saraçve.
Plot
me lëng jete, Rruga Saraçve është një përqëndrim urban me një dendësi njerëzore
marramendëse.
Rruga
Saraçve është një esencë, një palcë, një pigment urban që ndryn brenda vetes
sekretet e ekzistencës; Pafundësinë e dashurisë, zulmet e pasionit, misterin e
mbijetesës, të fshehtat e vijimësisë së rracës, paradokset e progresit, nazet e
gjuhës, origjinën e proverbave, pragjet e sakrificave, caqet e trimërisë,
fillesat e urrejtjes, shakatë e Fatit, trillet e cerebralitetit.
Me
shtëpi misterioze, porta që hapen e mbyllen duke kërcitur, mure me myshk,
gardhe të shtrembër, Rruga Saraçve, ky miks mahnitës mishi dhe mendimi, të lë
pa frymë.
Absolutisht
e pa zbërthyeshme, krejtësisht e pa interpretueshme, totalisht e pa
modifikueshme, me një rrezatim njëkohësisht të këndshëm dhe rrënqethës, Rruga
Saraçve është një ndërlikim dhe një sofistikim aq i thellë njerëzor, sa nuk e
rrok dot asnjë mendje.
Fine,
elegante, e epërme, e sofistikuar, Rruga Saraçve, nuk mund të mbetej jashtë
vëmëndjes së antipodit të saj, krimit komunist.
Si
njeriu përballë shtazës, urtësia përballë egërsisë, dituria përballë injorancës,
ndërtimi përballë shkatërrimit, dashuria përballë urrejtjes, jeta përballë
vdekjes, në pararojë të parehatisë së komunistave, e pamposhtura Rruga Saraçve
dhe komunizmi, kanë qëndruar përballë njëri-tjetrit në simbiozën llahtarisëse
të një bashkëjetesë të detyruar prej të mbrojturi të butë e kryelartë dhe
agresori të egër dhe frikacak.
Megjithse
gjithë kohën në thep-shqekzën e komunizmit vrasës, Rruga Saraçve kurrë nuk u
mposht.
Sepse
Rruga Saraçve duket prej mishi, dhe prej mishi është, por po të provosh ta hash
të mbetet si kockë në fyt.
Rruga
Saraçve duket e ëmbël, dhe e ëmbël është, por po të rrekesh ta pish helmohesh
dhe vdes.
Rruga
Saraçve duket e butë, dhe e butë është, por po të provosh ta kafshosh dhëmbët
t’i thyen.
Rruga
Saraçve duket e urtë, dhe e urtë është, por po iu afrove dhe e preke, egërsohet
dhe të kafshon.
Përbindëshi
komunizëm s’la gjë pa bërë që ta gjunjëzonte Rrugën. E ktheu në laborator
makabër ku eksperimentoi të gjitha llojet e sadizmave, krimeve, kafshimeve,
spiunimeve, helmimeve e shkatërrimeve. Instaloi mu pranë saj te Selvia një
stabiliment torturash. Ja ndërroi emrin. I vuri emrin e një vrasësi komunist. U
mundua ta bënte pis duke e nakatosur me lebër të ardhur. Por Rrugën e Saraçve
nuk e ndoti dhe nuk e gjunjëzoi dot kurrë.
Sepse
kur gjinakastralit vrisnin, Xhilag’t dashuronin.
Kur
komunistat këndonin këngë partizane, Stazimir’t dëgjonin kanconeta italiane.
Kur
proletarët vishnin uniforma, Saraç‘t ndiqnin modën e fundit.
Kur
komitetsat përhapnin gënjeshtra të reja proletare, Lik’t rrëfenin histori të
vjetra aristokrate.
Kur
vrasësit ulurinin nëpër kongrese, Moç‘t bënin muhabet si njerëz me kafe
përpara.
Kur
majmunat marshonin para tribunave, Qefali’t këndonin e kërcenin.
Kur
plehrat spiunonin, Bash’t lidhnin krushqira.
Kur
flliqsirat prishnin faltoret, Hyk’t faleshin fshehtas.
Kështu
ndodhi që bulevardi u bë pëgërja, ndërsa Rruga Saraçve u bë zemra e Tiranës.
Kështu
ndodhi që blloku polli shtriga të shëmtuara të liga, ndërsa Rruga Saraçve vetëm
goca t’bukra, princesha kokulura.
Kështu
ndodhi që komunizmi që erdhi nga larg u mposht nga një rrugë e vetme që s’erdhi
nga kurrkund, që aty ishte, aty është, dhe aty do jetë.
Kështu
ndodhi që Liria në Shqipëri nuk erdhi as nga Jalta as nga Malta, as nga lindja
as nga perëndimi, por nga Rruga Saraçve.
Kështu
ndodhi që teoritë dhe praktikat e kuqe u bënë të gjitha pluhur e hi nga
butësia, urtësia dhe durimi njerëzor te Rruga Saraçve.
Me
shtëpiza plot me shpirtra, ngushtica me të papritura, dashuri të zjarrta, drama
të ndërlikuara, tragjedi rrënqethse, Rruga Saraçve është rruga më e dashur, më
e ëmbël dhe më e bukur e botës.