E premte, 19.04.2024, 07:10 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Kanoçja

E merkure, 12.02.2020, 08:28 PM


Kanoçja

Nga Edison Ypi

Nga fundi i viteve '70, mes përpjekjeve të ethëshme me tuba, rrjeta, tela, tepsira, mekanizma, për të parë ndonjë televzion tjetër veç hales propagandistike RTSH, u muar vesh se me anë të një antene të ngushtë dhe të shkurtër që mund të vendosej edhe brenda shtëpisë, në bandën UHF mund të shihej kanali i dytë jugosllav, dhe gjatë beharit, përveç Rai Due, edhe disa privatë. Por televizorët e montuar në Durrës mundësonin vetëm marrjen e frekuencave VHF, por jo UHF. Duhej pra një konvertitor UHF-VHF. Meraklinjtë e televizionit dhe elektronikës ju vërsulën revistave ruse tip fai da te/do it yourself mbetur në Bibliotekën Kombëtare nga vitet '60 nga ku morën skica dhe instruksione për konvertitorë të tillë.

Konvertitori, ose Kanoçja, si e pagëzoi populli shqiptar me urtësinë e tij proverbiale fill pas daljes në dritë mrekullinë çudibërëse televizive, ishte një kuti metalike sa një paketë cigaresh. Kishte një kabëll koaksial që lidhej me televizorin, dhe një tjetër kabëll të tillë që lidhej me antenën. Ushqehej me një fill që merrte korentin jashtë Kanoçes zakonisht nga një bateri ushtrie, por edhe nga brenda televizorit, ose nga një radricator i vogël me transformator 220/12 volt, dhe një diodë.

Në brendësi Kanoçja kishte;

Një tranzistor. Nga më pak i preferuari tek më i miri, tranzistori mund të ishte; AF 106, AF 139, AF 239, BF 272.

Disa rezistenca dhe disa kondensatorë të vegjël.

Një kondensator variabël të përbërë nga dy pllaka llamarine që duke u afruar dhe larguar mundësonin ndërrimin e stacioneve të përtejdetit që në pak kohë do ndryshonin rrënjësisht përditshërinë materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Një Zot e di nga vinin tranzistorët. Të etur për të parë, askush nuk pyeste.

Kondensatorët dhe rezistencat nuk ishin problem. I merrnin nga qarqe të dala jashtë përdorimit, dhe mi jepnin. Por i bëja dhe vetë nga copa qarqesh të stampuara sipas një procedure të thjeshtë me gërshërë për prerje dhe havi për ngjitje.

Më vonë, për ti dhënë Kanoçes një pamje më dinjitoze, llamarinën e kutisë e zëvendësova me pllaka antimoni blu ose të gjelbëra që mi sillte të prera një mik nga Poligrafiku sipas zbatimit me sukses të parimit leninist "kam te puna".

Kanoçja me 2 tranzistorë që merrte pak më mirë se Kanoçja me 1 tranzistor, ishte vendosje e njëpasnjëshme e dy kanoçeve me 1 tranzistor.

Kur më duhej të bëja 10 a më tepër Kanoçe, organizoja një lloj "prodhim në seri" duke i prerë llamarinat paraprakisht dhe duke i shtrirë përtokë si letrat e bixhozit ku Hasia shihte Fatin.

Një i njohuri im që dilte jashtë me anije, më solli nga italia një grusht transistorë. Ja kishin falur te një servis televizorësh në Itali. I bëra të gjitha kanoçe për ishullarët.

Me shpresë se brenda tij mund të kishte ndonjë tranzistor për Kanoçe, dikush më solli një qark elektroik marrë nga një ballon metereologjik që e kishte sjellë era kushedi se nga për ta rrëzuar në Shqipëri.

Ne ishullarve na bënte shumë për të qeshur etja mbarëpopullore për Kanoçe. Drejtori, nëndrejtori, shefi, sekretari, nëpunësi, spiuni, oficeri, komandanti, komisari, halabaku, akademiku, të gjithë që të shurdhonin për rrezikun e kulturës borgjezo revizioniste, të gjithë kërkonin ethshëm Kanoçe.

Përmirësim pas përmirësimi, sukses pas suksesi, nga njëra fitore te tjetra, pllakat, telat, havinë, kallajin për ngjitje, kabllot, morsetat, ushqyesin brenda në Kanoçe, të gjitha të markës "kam te puna", nga fundi i viteve '80 Kanoçja nuk dallonte aspak nga një konvertitur industrial.

Sinjalet e kanaleve nuk kishin qëndrueshmëri, vinin, iknin, por kurrë nuk mbeteshe pa parë gjë, se ikte ky kanal, por vinin të tjerë.

Me Kanoçe kalohej mirë jeta, sidomos nata. Shiheshin lajme, filma, spektakle, intervista.

Ti Edison, më tha një ditë një ishullar, ti që me kanoçet e tua me 1 e 2, madje edhe me 3 tranzistorë, ti i vetmi që kanoçen nuk e le në konservë peshku por e ndërtove me pllaka antimoni, ti që eksperimentove me tranzistorë BFR 90 dhe BFR 91 për të parë televizione satelitarë, ti që u hoqe ndryshkun jetës së qindra ishullarëve, miqve, farefisëve, je kanoçtari më i kualifikuar në Shqipëri. Por meqënse sot zanati i kanoçtarit ushtohet vetëm në Shqipëri, je kanoçtari më i mirë në botë.

Faleminderit, i thashë ishullarit, por të lutem mos ma ha hakun, ma njih të plotë meritën. Përderisa sot kanoçbërja është zeje që nuk njihet, jo vetëm në botë, por askund në Univers, thuam se jam kanoçtari më i kualifikuar që ka Rruga e Qumështit.

Kanoçja, kjo "Pelë Troje" që borgjezia ndërkombëtare e futi si pykë mes rradhëve të ngjeshura rreth partisë, bëri goxha punë.

Filmat, spektaklet, Papën polak, Solidarnoshin, Perestrojkën, pushkatimin e çiftit Çaushesku, shembjen e Murit të Berlinit, Takimin e Maltës, komentet maestose të Demetrio Volcic dhe Jash Gavronkit, e plot të tjera, shqiptarët i panë falë Kanoçes.

Nja dhjetë vite rrjesht, nga helmimi definitiv i trurit prej këllirave propagandistike me gomerë që ndërrohen me biçikleta dhe fëlliqësira të tjera luajtur nëpër ekrane dhe skena nga ata që sot po vërtiten si pordha nëpër brekë nëpër godina dhe turbina, shqiptarët i mbrojti një kuti metalike me ca mrroklla brenda.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora