Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Biznes
E marte, 07.01.2020, 07:02 PM
Biznes
Nga
Edison Ypi
Mbi
trotuarin e “Bankë”-s, shitet “Bar Miu”. Rrëzë murit të “Change”-it tregëtohet
“Far Djathi”. Anash vetrinës së “Fustane Nusërie”, janë nderë të mbathura.
Dyqani i frutave mban tabelën “Mish Derri i Freskët”. Në “Farmaci” mund të
hyhet vetëm nëpërmjet derës së dyqanit ku shiten "Patate me shumicë".
Para një “Cash Point”-i mbajnë rradhë për të tërhequr pare; një me mustaqe, një
tjetër pa dhëmbë, një ushtarak, një hunderr, një me vrragë thike në faqe. Në
një dyqan shiten njëkohësisht oriz, sheqer, shapka kineze, patate, makarona,
kopertona bicikletash, vajra makinash. Tek “Travel Agency” luhet
"Bilardo" dhe vihen "Baste Sportive". “Këpucë të Vjetra”
rrinë varur mbi ca arka me presh. Ngjitur me preshët dy qingja leshbardhë po
blegërijnë se e kanë nuhatur që pas pak do theren. Brenda një guve të errët të
quajtur “Ëmbëltore”, kërrusur mbi pjata dhe tasa, nja pes a gjasht të uritur po
kullufisin male mishi shoqëruar me pilaf dhe kos. "Qilima"-t e varur
në trotuar mbulojnë gjysmat e tabelave “Telefona Celularë" dhe
"Orëndreqës”. Trotuari i “Elektroshtëpiake”-ve plot me hekurishta të
ndryshkura. “Klinikë Dentare” ka vetëm tabelën, s’dihet se ku ndodhet. “Sallon Bukurie”
dhe “Shërbime Funerale” i ndan një derë e vogël dërrase mbyllur me lloz që
s’merret vesh ku të degdis. Një kamion i ndalur, shoferi i të cilit ka ikur në
drejtim të paditur, është futur së prapthi në një si magazinë. Një e treta e
kamionit brënda në magazinë, pjesa tjetër ka bllokuar trotuarin dhe gjysmën e
rrugës. “Dyer të Blinduara” ka blinduar veten brenda një rrethi rrogozash
vertikalë mbështjellë si cilindra. “Fotograf”-i mban në gjirin e vet; “Internet
Kafe”, “Lojra Kompjuterike në Rrjet”, “Punime Duroalumini”. “Fizioterapist”-i
ka; sipër një “Class Restorant”, nga e majta një “Picaso Bar” nga e djathta një
“Gëlqere”. Tek “Berber”-i edhe mund të rruhesh, të qethesh, apo të bëhesh
synet, por me pak vështirësi, sepse brenda hyn tymi i pjekjes dhe aroma e
pulave hungareze që po piqen në hell në lokalin ngjitur. Një Golf 4 me 8 veta
në bord duke provuar të hyjë mbrapsht në një garazh, gjatë manovrës hedh
përtokë një motoçiklist pa kaskë. Nga karroceria e një kamioni të vjetër bien
me zhurmë mbi asfalt një katarakt me arka bosh.