Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Kuçedër
E enjte, 09.01.2020, 08:00 PM
Kuçedër
Nga
Edison Ypi
Po
ende nuk ke ngordhur moj gjakpirëse, moj vampire, moj kriminele ? Më mirë që
s’ke vdekur. Vazhdo të frymosh. Kurrë mos vdis. Mbetsh përgjithmonë as e gjallë
as e varrosur, as e vdekur as e groposur. Ik rri krruspull diku pranë Shtish
Tufinës. Do të kapin dhimbjet reumatizmale si ato të mijra shqiptarëve që i
kalbe qelive të burgjeve dhe baltrave të internimeve. Kockat do të zbuten e
qullosen. Sytë e thatë e të ftohtë do të mbeten si i ke pasur; gremina që
rrëzonin fate, hone që vdisnin ëndërra. Nga goja do të dalin britma komitetesh
dhe urdhëra pushkatimesh. Sipas shijes tënde prej krimineleje dhe dëshirës prej
perversi të tyt shoqi, do hash menu sloganesh varur mbi mure të pista, bar
gjirizash, bukë të mykur me baltë varri. Gjatë dimrave do hedhësh mbi supe një
kapotë të grisur zborri gjith zhul. Do mbathësh çizme të shqyera llastiku pa
çorape. Që të mos të ngjiten zorrët do pish ujë nga rrëketë e varreve. Kësaj
jete fshataro-ushtarake që do bësh rrëzë vorrezave do t'i mungojë “kllasa
puntore”. Por “Kllasa” do vijë shumë shpejt kur trupi të mbushet me morra
proletarë nga ata të barrakave të veprave të pesëvjeçarëve. Për tu ngrohur
gjatë dimrave mos mbaj sobë. Ngrohu sa të mundesh duke u dridhur kur të kujtosh
krimet që ke bërë dhe gjakun që ke derdhur. Do lexosh libra. Për shembull atë
librin me letrat e zgjedhura që kurvi i dërgonte popullit të Gjirokastrës,
Zhoao Amazonës dhe rrugaçëve anembanë botës. Do presësh miq. Miqtë veteranë do
ngrihen nga varret për të ardhur pranë teje. Ti krruspull në mes, veteranët
plot baltë varri rrotull teje, do kujtoni sukseset, krimet, telat me gjëmba,
rrahjet, spiunimet, internimet, arrestimet, burgosjet, varjet, pushkatimet.
Pakngapak do rrjedhësh nga trutë. Epo Perëndia nuk mund edhe ta mundësojë të
frymosh kaq gjatë edhe ta lëri trurin qiqërr. Me rrëke nëpër turi të atij
lëngut të trashë që quhet tru, do t’i lutesh Perëndisë për faljen e mëkateve,
shpëtimin e shpirtit. Do jetë e kotë. Edhe ty që t’i numurosh, edhe Perëndisë
që t’i dëgjojë llahtaret e tua, koha e pafundme nuk mjafton. Perëndia do
dëgjojë sa do dëgjojë, dhe nga dëshpërimi do nisi të qajë, dhe shpirti do t’i
plasi, dhe kohën do ta ndali, dhe botës fundin do t’ja sjelli. Do pyesin;
Çmoshë kishte ? Do përgjigjen; S’kishte moshë. Ishe e zeza e njerëzisë.