Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Farmaqe
E shtune, 25.01.2020, 11:25 AM
Farmaqe
Nga
Edison Ypi
Shqiptari
patriot është njeri inteligjent, thellësisht i kulturuar, i sofistikuar, i
sjellshëm, modest. Mirpo sorollopat gjoja atdhetarë, gjoja nacionalistë, që
sheh në televizor janë budallenj me brirë, aspak modestë, gdhëra që ta shpifin,
të papëmbajtur, invadentë, burracakë. Tek ua dëgjon gomarllëqet, këmbët nuk të
mbajnë, kockat nisin të zbuten, supet të dridhen, dhëmbët të këcasin. Mos shko
në farmaci. Ta jap unë një recetë me farmaqet e duhura për tu ruajtur nga
patriotat shejtanbudallenj; Treqint gram allçi për kockat. Një tas spinaq për
muskujt. Dhjetë gram çimento për dhëmbët. Futi në një kovë lëveresh. Trazoi me
një shkop. Ç‘do mbrëmje nga një garuzhde.
Ta
kanë shpifur taborri i hajvanëve që në Fejsbuk gjithë kohës s'bëjnë gjë tjetër
veçse mburrin veten. Për të evituar damllanë që për shkak të mutërve
autoreferencialë mund të bjeri nga çasti në çast, ndiq këtë këshillë
farmakologjike; Mblidh llumrat e kafeve të një dite të një kafeneje. Shtoi dy
litra baltë. Valoje. Hidhe mbi kokë. Damllaja do largohet prej teje si djalli
nga Zoti.
Bën
një biznes të mbarë. Por të ka ikur gjumi. Në kokë të rreh pyetja; Shqipërinë e
dua shtet të fortë, por taksa nuk dua të paguaj. Si i bëhet ?
I
bëhet. Mos e kërko shërimin te pagimi i taksave, respektimi i ligjit, forcimi i
shtetit, ekonomia e tregut, librat e Lokut, teoritë e Smithit. Stomakut dhe
trurit tënd i mungojnë disa farmaqe. Një gotë uji me shurrë mëngjezi. Shtoji
pak salep. Zjeje. Lëre të ftohet. Pi nga një lugë gjelle sa herë të vijë në
kokë pyetja mundonjëse me Shqipëri të fortë dhe taksa të papaguara.
Për
arësye që s’i di as dreqi në kokë të rreh si çekan pyetja; Femrat janë të
ëmbla. Por janë edhe dinake. Dinakëria femërore, është e lindur apo e imponuar
nga rrethana shoqërore, si reagim vetmbrojtës ndaj vrazhdësisë së burrave ?
Qartësimi i kësaj dileme kërkon një recetë psikoterapike. Ulëriti gruas një
mbrëmje me britma dhe kërcënime jo më pak se njëzet minuta rresht. Pastaj ndal
dhe thuaji të shqiptojë një dinakëri femre nga ato në formë autokritike shoqëruar
me lotë pasi kanë bërë një faj inekzistent. Mblidhja lotët në një filxhan.
Ktheje me eks. Menjëherë do të lëvizi ipçka e kokës. Do zbulosh në çast
sekretet e të fshehtave frymëndalëse të femrave; temperaturat e skutave,
shpërthimet që ndjellin dhe ndezin dëshirat, harqet e mermerta ku rrëshqasin
shikimet, kalldrëmet ku hijshëm trokasin çapat, llagëmet ku u lëvrijnë
dëshirat, luginat e psherëtimave, rrugicat dhe ngushticat e kënaqësive, qafat e
qefeve, brigjet e çlodhjeve, kthesat e taksirateve, semaforat e dilemave,
autostradat e udhëtimeve, aeroportet e fluturimeve. Ke për të parë se do
ndalësh së dërdëllituri për dinakërinë e tyre. Se na shurdhove bythën dhe ti me
gjithato pyetje e ankesa për femrat që janë mrekullia e jetës.
Të
ka gjetur një belà. I je qepur aq keq kompjuterit sa ke harruar të përkëdhelësh
me dorë, të puthësh me buzë, të nuhatësh me hundë.
Nëse
virusi ka hyrë kaq thellë, s'të lypsen farmaqe. Mblidhi në një vend
kompjuterin, modemin, printerin, USB-rat, flash-at, blue toothat, infra redat,
chatat, forumat, mailat, JPG-rat, filet, harduerat, softuerat, CD-rat. Hidhi
nga ballkoni. Kërcitja gjumit. Kur të zgjohesh do jeshë shëruar.
Je
simpatizant serioz i partisë që të pëlqen apo fanatik i sëmurë ? Këtë s'e gjen
dot kurrë. Nuk ka farmak për këtë çrregullim psiqik. Dilemën cfilitëse do
vazhdosh ta vuash derisa të ngordhësh.
Nuk
gjen dot derman me asnjërin nga farmaqet e mësipërme ? Të qahet ? Është normale
për vdekëtarët e pamposhtur. Fshiji lotët me duar. Mjer’ a ti i mjeri ç‘pate
dashuruar.