E marte, 23.04.2024, 09:32 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Monument

E marte, 04.02.2020, 08:42 PM


Monument

Nga Edison Ypi

Aq mahnitëse është Lugina e Erzenit, sa, për me ja bo qefin syve duke parë nga lart me të gjithë madhështinë e saj atë luginë, edhe sikur të jeshë duke vajtur në Durrës për të marrë paret e llotarisë së Kinës, e pamundur mos me u kthy majtas diku përtej Vorrit të Ashikut në fshatin Manskuria mbi ca kodra që duken herë si qafa femrash e herë si kurrize djajsh.

Në një nga kthesat, një djalosh rreth të tridhjetave anës rrugës me vështrim drejt fushave, lumit, kodrave. Pranë tij, mbi murin mbajtës të rrugës, një videokamera e vogël me dritëzën e kuqe ndezur. E përshëndes. Nuk përgjigjet. E pyes si e ke emrin, nga cili katund je, çfarë po bën këtu, çfarë po regjistron kjo kamera ? Lëviz pak, por nuk flet.

Nuk mund ta detyroj të flasi. Vazhdoj drejt Manskurisë. Si në çdo fshat ku ata që punojnë nuk i sheh dot se nuk ta kanë ngenë, edhe në Manskuri, ai që takon të parin është gjithmonë dikush që flet për rrugën që edhe u asfaltua edhe u vodh, për deputetin që kurrë nuk shkon t'i shohi, për atë vilën në mes të kodrave që e ka ndërtuar një doktorreshë e deprimuar që vjen nga Durrësi çdo fundjavë për të mos parë njëri me sy.

Zbres ngadalë nëpër litarin e zi të asfaltit. Kthesa, panorama frymëndalëse, djaloshi, videokamera, aty të gjitha. E përshëndes. Nuk lëviz as qerpiku. Zbres në rrugën kryesore. Sillem nja një orë andej rrotull. Kush ishte ai tipi ?! Ngjitem përsëri. Djaloshi vazhdon të qëndrojë në të njëjtin vend. E kotë t'i flasësh. Nuk përgjigjet. Zbres.

Nesret po aty. As djalosh që hesht, as videokamera që regjistron, asgjëprejgjëje. Kthehem. Pyes një skraparlli që shet fruta anës rrugës; Si është puna e atij atje, te ajo kthesa, me videokamera ? Skraparlliu tha;

Është nga një katund në anën tjetër të Erzenit. Iku para dhjetë viteve në Gjermani. Pas tre vjet mërgim erdhi mori nuse në katund. Vjen dy herë në vit nga një javë në stinë të ndryshme. Ngjitet nëpër ato kthesat e Manskurisë. Regjistron me kamera gjithçka, rrugën Erzenin, fushat, ullishtat, katundet, lindjen, perëndimin e diellit. Kur dita është e pastër, edhe detin, ndonjëherë edhe Laçin, madje edhe Lezhën. I bën këto regjistrime për t'i parë në Gjermani kur është i mërzitur. Kur kalova një herë andej i pashë një pikë lot nën sy. Ai mundet me shku për turizëm kahmos nëpër botë. Por është i magjepsur me vendin e vet, katundin e vet, rrënjën e vet. Kur vjen rri me orë të tëra te ndonjëra nga kthesat. Nuk flet me askënd. Dhe nuk ulet kurrë. Gjithmonë më këmbë. Si monument.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora