E marte, 12.11.2024, 02:02 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Armiku

E enjte, 20.02.2020, 08:48 PM


Armiku

Nga Edison Ypi

I qetë pranë dritares duke vështruar socializmin që ndërtohej dhe Shqipërinë që shkatërrohej; i tërbuar duke çjerrë fytyrën nën jorgan para se të zinte gjumi; duke përplasur kokën pas muri në ndonjë skutë ku s'të shihte kush; e pamundur ti jepje një kuptim cilësimit "Armik". Sa më hollë ta mendoje, aq më tepër ngecje nëpër labirinte arsyetimesh.

Cilësimin llahtarisës të pakonkurrueshëm me asnjë makabritet verbal, ekuivalent me vuajtjen e pafundme, burgosjen, zhdukjen, vdekjen, dukej sikur e kishin shpikur pesqintë djaj mbledhur kokmëkokë.

Arsyet për të qënë apo për të mos qënë armik, ishin sa inekzistente dhe të panumurta. Duke u lodhur ta gjeje nëse ishe a s'ishe armik, fantazia nuk mjaftonte, dituria nuk e kapte, mendja nuk e rrokte.

Kishte zyra ku proletarët shkonin thoshin se filani apo fisteku është armik, nuk ja do të mirën popullit punonjës, duhet futur në burg, dhe dëshira u plotësohej në çast, pa asnjë verifikim.

Por s'kishte asnjë zyrë, a të paktën komitet, ku të veje të pyesje; Shoku Jorgo, j'u lutem më thoni, jam apo s'jam armik ?

Nëse do bëje gabimin që në mungesë të shokut Jorgo dhe zyrës së tij të pyesje ndonjë shok a mik tëndin, gjeje belanë. Shoku a miku që deri në atë çast të ishin dukur çuna të mirë, ishin më zi se shoku Jorgo. Në vendin ku falë vigjilencës mbarëpopullore armiqtë ishin të gjithë në burg, si mund të dyshoje tek vetja në ishe a s'ishe armik. Këtu ka një problem. Këtu duhet ndalur. Kjo ha diskutim. Nga frika se po e provokoje, shoku a miku, të hidhte një vështrim të fundit nga koka te këmbët, ngrinte jakën e palltos, merrte frymë thellë, ikte vrap të spiunonte për lejimin e depërtimit të lakrave borgjeze në kokë, dhe kishe marrë fund si armik i rrezikshëm i partisë dhe popullit.

Gjatë dilemës rrënqethëse nëse ishe a s'ishe, një herë të dukej se nuk kishe asnjë arsye të ishe, dhe qetsosheshe, gëlltitje gjysëm aspirine dhe pas pak ndjeheshe më mirë. Por pas një çasti të kapnin përsëri të dridhurat. Të dukej se nuk kishe asnjë arsye të mos ishe, dhe të kapte një ankth që s'ta hiqte dot, jo gjysma e mbetur e aspirinës, por as e gjithë farmacia.

Ishe pra i dënuar të mos e dije nëse ishe apo nuk ishe armik. Por për të vazhduar të gjalloje deridiku i orientuar duhej gjithsesi ta dije nëse ishe apo s'ishe.

Dukej sikur në këto kushte e vetmja gjë që mund të bëje për ta shmangur dilemën cfilitëse të të qënit apo mosqënit armik, ishte të tkurreshe e tkurreshe pafund derisa të vazhdoje të ekzistoje, por jo më i madh se sa një pikë.

Por edhe pika s'ishte zgjidhje. Sa më i mbyllur e i heshtur të ishe aq më tepër dyshime ngjallje. Si misterioz dhe i pazbërthyeshëm, të damkosnin edhe pa thënë asnjë fjalë, madje më tepër në këto raste.

Ndërkohë ndodhte që armik mund të ishe, por nuk e dije, po ashtu si armik mund të mos ishe por kujtoje se ishe.

Mund t'i shtrëngoje nofullat sa t'i thyeje dhëmbët, nuk e gjeje dot kurrë çfarë kishe bërë a çfarë s'kishe bërë që armik ishe, dhe çfarë duhej të bëje a të mos bëje që armik të mos ishe dhe të mos dyshoje që ishe.

Të ishe por të fshiheshe, ishte e pamundur, të gjenin në brimë të miut.

Të mos ishe dhe të thoshe s'jam, ishte njësoj sikur të thoshe se ishe.

Të gjithë ishin, dhe askush nuk ishte.

Askush nuk ishte e megjithatë të gjithë ishin.

Të mendoje se u interesonte të kishin sa më tepër armiq, ishte e pabesueshme.

Këshilla e ndonjërit; Hë mo dhe ti ç'e vret mendjen kot, qepe gojën, ule kokën, puno, dhe je në rregull, s'ishte zgjidhje. Të shumtit që përfundonin prapa hekurave ishin pikërisht ata që qepnin gojën.

Vërsuleshin me më tepër vrull ta gjenin armikun atje ku armiku s'ishte se atje ku ishte.

Kur s'e gjenin dot as atje ku ishte as atje ku s'ishte, i vërsuleshin njëritjetrit.

Armiqësia ishte një oqean i pafund dallgët e të cilit armikun e përplasnin gjithmonë në të njëjtin vend, në burg.

Jeta rrezëllinte, plani tejkalohej, sukseset s'numuroheshin, ushtria stërvitej, kufitarët vigjëlonin, spiunat spiunonin, proletarët korrnin fitore, ata që ishin në burg riedukoheshin, dhe për çudi, armiqtë shtoheshin.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora