Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Divorc
E diele, 01.03.2020, 01:23 PM
Divorc
Nga
Edison Ypi
Të
dy me shkollë të lartë. Të dy me smartfona. Të dy me email, fejsbuk, instagram,
pasuord që nuk e zbërthen dot as CIA. U njohën gjatë ceremonisë së promuovimit
të një libri të palexueshëm nga një autor i neveritshëm. Ai u magjeps pas saj
kur ajo i tha "shum' nice ky libri". Ajo u marros pas tij kur ai i
tha; “goxha cool ky autori”. U takuan disa herë. Zbuluan binjakërinë e shpirtrave.
U fejuan. U martuan. Ndër këngët që u kënduan në dasëm la mbresa të thella
“Ristana”. Veçanërisht vargu lotëndjellës; “S’pata pare me të majte”. Dikush
mori në fotografi dhëndërrin duke teshtitur, çka dhëndërrit nuk i pëlqeu. Një
çakërrqef nxorri nga brezi një kobure dhe çpoi tavanin. Dy që qenë më esëll
arritën t'ja heqin koburen nga duart adhuruesit të Traditës vetëm pasi e bindën
se kishte ngatërruar shekullin. Dasma po shkonte për bukuri. Kur befas u vunë
re disa lëvizje nervoze të dhëndërrit. Dhëndërri vej-e-vijke si i tërbuar me
një celular që e mbante në dorë si kobure. Me gjasa në ekranin e atij celulari
duhej të kishte diçka tmerruese. Dasma nisi t'i ngjante një zjarri shkarpash që
shndrrohet në hi. Në fillim mbyturazi, pastaj me zë të qartë dasmorët nisën të
pyesnin të habitur; ç‘ka ndodhur, ç‘po bën vaki ?! Shpejt u muar vesh se
njohjen e beftë, shpirtrat binjakë, dashurinë e zjarrtë, fejesën e ëmbël,
dasmën dhe martesën e shumpritur, i kishte marrë lumi i kishte çuar në det; Ai
dhe ajo nuk do martoheshin, nuk do bëheshin burr’ e grua, nuk do pillnin
bastarda. Pse-pse-pse ?! pyesnin të gjithë të habitur. Disa të ftuar ja plasën
të qarit. Njohja e pasojës por jo e shkakut provokoi pëshpërima dhe psherëtima
të shumta. Derisa e mori në dorë situatën një kunat i dhëndërrit. Kunati tha;
Na vjen keq që i braktisët tavolinat e të ngrënave dhe i latë të mjera si arena
luftrash të humbura. Ishte e paimagjinueshme të ndodhte një hata e tillë me një
dhëndërr sa trendy dhe tradicional si kunati im. Por faktet janë kokforta.
Gjithçka është e dëshmuar me një foto që u bë me celular nga një shok për kok
dhe mik besnik i dhëndërrit. E vërteta e hidhur është se në foton fatale që u
bë sebep për këtë divorc është fiksuar momenti kur gjatë një vallëzimi rock
nuses j'u dukën pak brekët.