E premte, 11.10.2024, 01:16 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Birra

E marte, 03.03.2020, 03:27 PM


Birra

Nga Edison Ypi

Ku i gjen paret ky që mbeti gjithë ditën klubeve duke pirë birrë ?! pyesnin me dyshim për ndonjërin që pinte 1 birrë në muaj në ndonjë klub të qelbët.

Birra nuk kishte fort lidhje me shuarjen e etjes. Birra ishte sapun për fytin, shplarëse e mbeturinave të gurrmazit nga marrinat gastronomike që shqiptari i hidhte stomakut.

Ndonjë birrë më të rrallë e pinin vetëm banorët e qyteteve.

Fshatarët nuk pinin birrë. Një shishe birrë kushtonte sa një ditë pune në kooperativë.

Të pinin birrë femrat në klubet e pista plot pijanecë dhe spiunë, nuk bëhej fjalë.

Përveçse si shpëlarëse e llumrave të gurrmazit, birra edhe të dehte, të arratiste në një bote iluzore pa tejkalime plani, pa parada, arrestime, kontrolle, pëshpërima për pushkatime.

Birra ishte një shpikje borgjeze për të përçarë rradhët e klasës puntore që mendjen nuk duhej ta kishte te pije dehëse si birra por tek triumfi mbarëbotëror i revolucionit proletar.

Të freskët apo të thartuar shqiptarët e gjerbnin birrën pa pyetur për cilësinë e saj.

Fatlumët e rrallë që kishin arritur ta "çanin ferrën" kishin sjellë haberin se "jashtë shtetit" birrën e pinin më së shumti gjermanët. Birrë pinin edhe monarkofashistët grekë të cilëve pas pak do tu derdhnim plumb në gojë. Birrën e pinte edhe qeflia Italia ku birra derdhej lumë. Në Çeki dhe Poloni ku prej kohësh uji kishte dalë nga përdorimi, birrën ta sillnin me rubinetë në shtëpi.

Efektet afrodiziake të birrës i shprehte më së miri pohimi; Filania i ka këmbët si shishe birre.

Për mardhënien e shëndetit me birrën shqiptarët e katandisur në skilipeca thoshin; Birra të shëndosh.

Më e bukur se nusja, më interesante se dhëndërri, më e bujshme se ahengu, birra ishte mbretëresha e dasmave. Nuk do kënaqemi kushedi se çë në dasmën e filanit, thoshin, se filani një cop gomar është, ama do pimë birrë sa do shqepemi.

Llumra të neveritshëm që ngriheshin përpjetë nga stomaku pushtonin çdo pasdite skutat e epërme të kafshimit dhe bluajtjes si Xhingis Khani stepat e Rusisë.

Kur "birrë s'kishte", s'kishe as nga ja mbaje, do duroje. Ama në ditën fatlume kur në klub "birrë kishte", brenda gurrmazëve të shqiptarëve vërshonte e gurgullonte birra që shplante gjithçka nga gojët me dhëmbë të kalbur deri te zorrët.

Shqiptari duke mbajtur birrën ishte një spektakël më magjepsës se Aleksandër Mosiu me në duar kafkën. Pa patate të skuqura, kikirikë, bajame, dhe diabolerira të tjera kaurreske nga këto të sotmet, duke kthyer birrën, shqiptarit i kërciste gurrmazi glluk glluk si WC e bllokuar.

Pasi kthente një gllënkë birrë shqiptarit i dilte nga gurrmazi një gromësimë e zgjatur si ofshamë Ferri.

Aq e rrallë ishte birra, sa sot e kësaj dite ka ende shqiptarë që heraherës e kqyrin nivelin e lëngut sikur të ishte e fundit shishe që duhet kthyer ngadalë se po mbaroi tjetër s'ka.

Birra ishte edhe si monedhë apo mjet këmbimi në natyrë. Pyetja; Me sa birra do më qerasësh për nderin që të bëra ? ishte më se e zakonshme.

Në raste të rralla birra çfaqej edhe me bollëk. Thuhej për filanin apo fistekun; Pasi piu pa lujt venit dy arka birrë, doli në oborr bëri një shurrë kali me shkumë dhe dredha deri në përrua.

Disa shkulnin tapën metalike me dhëmbë. Të tjerë me dhëmbë thërrmonin dhe hanin qelqet. Si dhe pse ndodhte kjo, një Zot e di.

Cikrrat, pështymat. qurret, gëlbazat, derdhjet, pjerdhjet, rrjedhjet, vjelljet, që shqiptarëve u dilnin në mënyrë të pavullnetëshme nga të gjitha brimat e trupit për shkak të birrës së keqe, ishin një spektakël mahnitës përtej çdo aftësie përshkruese me tekst, penel, daltë, pentagram.

Shpëlarja e gurrmazit me birrë skadente zgjati dhjetra vite. Deri ditën kur erdhi birra. Por iku etja.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora