Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Rrenacak milet
E shtune, 07.03.2020, 02:56 PM
Rrenacak milet
Nga
Edison Ypi
Rrejnë
kur flasin. Rrejnë kur pyesin. Rrejnë kur përgjigjen. Rrejnë kur rrinë. Rrejnë
kur lëvizin. Rrejnë kur hanë. Rrejnë kur pijnë. Rrejnë kur flenë. Rrejnë kur
ëndërrojnë. Rrejnë kur dashurojnë. Rrejnë kur urrejnë. Madje rrejnë edhe kur
rrejnë. Dhe nuk rrejnë rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e
kanë vesin. Rrejnë gjith kohën. Rrenin dje, rrejnë sot, do rrejnë nesër, do
rrejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk rrejnë as bukur,
këndshëm, që të thuash se rrejnë për humor apo për ta bërë të këndëshme bisedën
për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejnë dosido. Rrejnë si u vjen doresh.
Rrejnë pa u menduar. Nuk rrejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak.
Rrejnë kot. Rrejnë me instinkt. Rrejnë pa e ditur pse rrejnë. Rrejnë sepse u
duket se duhet të rrejnë. Rrena i ka këmbët e shkurtëra, rrena ka bisht, etj.
etj. demek sikur brenda të vërtetës mbisunduese rrena është e përkohëshme, janë
pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera rrena. Miku, armiku,
shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë
vetëm rrejnë. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Vishen
me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u
duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë
të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë. Duke rrejtur hajdutin e
bëjnë të ndershëm. Rrugaçin e proklamojnë hero. Cubin Robin Hud. Budallain
mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin
opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar. Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e
përkohëshme, relative, që t'ja vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu
është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i rrenës nga
fëmija te i rrituri, nga i dituri te injoranti, nga mëndjelehti te mëndjemadhi,
dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta
fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk rrejnë një herë që ti
falësh, apo tre herë që ti mëshirosh. Rrejnë pafundësisht. Rrena e këtij mileti
është një gjarpër që vigjëlon të vërtetën për ta gjetur ku është fshehur dhe ta
helmojë. Rrejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Rrejnë pa turp, pa edukatë, pa
vetpërmbajtje. Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori,
rren inferiori, rren politikani, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari,
rren sekretari, rrejnë statistikat, rrejnë deklaratat, rrejnë konferencat,
kongreset gjithashtu rrejnë, mbledhjet rrejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse
rrejnë dhe rrehen. Rrejnë edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa
rrejt, rrejnë spiunat. Rrejnë dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inginieri.
Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren
lexuesi shkrimtarin. Rren kafeneja, rren televizori, rrejnë tabelat që
njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Rrejnë
opinionistat, analistat, kazanistat. Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit
sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke
klithur. Gjurmën, hijen, e të vërtetës nuk i gjen dot kurrë. As këtu, as atje.
As në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë
a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj,
për t’ju lutur me përgjërim të thotë ku është e tëra, pse vetëm ikën dhe kurrë
nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet. E kotë. Pas hapit të parë
për me zbulu të vërtetën, ndjen se befas je mbuluar nga të tjera rrena. Njerëz
që rrejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të punojnë,
nuk mund të përparojnë.