Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Filmi shqiptar
E premte, 20.03.2020, 08:54 PM
Filmi shqiptar
Nga
Edison Ypi
Kazan
plehrash plot me coftina, bilbila polici të ndryshkur, gajde të çara, lahuta të
çakorduara, çizme të grisura, stomaqe bosh, sy të çakërrdisur, veshë të zënë,
tru të atrofizuar, gjëndra kanceroze, lëkura me ekzema, kocka të deformuara,
gjarpërinj të ngordhur, lepuj të zgjebosur, kufoma të kalbura, i tillë ishte
filmi shqiptar.
Filmi
shqiptar ishte një pëgërje propagandistike të cilën shqiptarët pasi e hëngrën
pritën sa u erdhi rasti të rrëmbejnë një anije për të ikur për ta vjellë në
fund të botës.
Në
vendin ku i vetmi kamjon ishte ZIS-i, e vetmja veturë ishte GAZ-i, i vetmi vend
gatimi ishte haleja, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit,
e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte dora, e vetmja
dëshirë ishte të ikje nga syt këmbët; çfarë thoshin se prodhonin në një mjedis
të tillë, ishin të gjitha rrena.
Shqipëria
diktatoriale prodhoi vetëm 1 gjë. Atë më të urryerën, më brutalen, më të
turpshmen. Atë që i thuri lavde skllavërimit, bindjes së verbër, servilizmit,
spiunllëkut dhe të gjitha veseve të tjera më të ndyra; makabritetin estetik më
kriminal që ka parë bota, fëlliqësirën e quajtur film shqiptar.
Filma
të mirë pa aktorë të mëdhenj, ka. Aktorë të mëdhenj pa filma të mirë, nuk ka
kurrkund tjetër veçse në filmat shqiptarë. Filmi shqiptar është e vetmja
këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga regjizorë
"gjenialë" dhe aktorë “korifej”.
Filmi
shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të lopëve që disa
shqiptarë bastardë ua ngulën në kokë shqiptarëve normalë me dhjetra vite derisa
ja thithën trurin dhe në vend të trurit i futën zhavorrin.
Filmi
shqiptar ishte çmendina ku shqiptarët lëpinë budallallëkun e njëritjetrit si
macet dhe qëntë gjakun në oborrin e thertores.
Filmi
shqiptar ishte një pirun me tre dhëmbë; një sqepar i përgjakur i quajtur
“regjizor i madh”, një brisk rroje i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”, një
trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar”. Ky pirun me këta tre dhëmbë,
nën mbikqyrjen e rreptë të diktatorit dhe Sigurimit, bashkëpunuan ngushtësisht
për t’ua nxjerrë sytë dhe çjerrë fytyrën shqiptarëve.
Filmi
shqiptar është ajo dukuri katastrofike gjoja edukative që i ndan shqiptarët; Në
njerëz që dinë ose nuk dinë ta bëjnë dallimin mes propagandës dhe Artit, janë
apo nuk janë të aftë të konstatojnë se Arti nuk është “realitet” por “fiction”,
diçka që nuk kuptohet e as interpretohet, thjesht ndjehet.
Filmi
shqiptar është një helm që po ta pish, edhe pes lek po të kesh në xhep, të lind
dëshira t'ja falësh një jevge me shpresën e marrë se jevga do t’i shumfishojë.
Filmi
shqiptar është një koktejl trullosës të cilin pasi e pi, çorroditesh aq tepër
sa shkon shqyen derën e një depoje armësh ku armatosesh deri në dhëmbë pa e
ditur se çfarë lufte do bësh e me kë do luftosh.
Filmi
shqiptar është një kakofoni me tekst katastrofik që ka lënë në mendjet e
shqiptarëve batutat më të shpëlara, më të neveritshme. Mos provo të kuptosh pse
ndodhi kështu se sëmuresh me një diagnozë që s’ka çmendinë që ta shëron.
Filmi
shqiptar është një arkivol që e paraqesin si djep.
Filmi
shqiptar është një varr që e paraqesin si aeroplan.
Filmi
shqiptar është instruktori më i mirë për të mësuar si ta kalosh jetën në
kafene.
Filmi
shqiptar është këshilltari më i mrekullueshëm për të bindur të mos zësh kurrë
libër me dorë.
Filmi
shqiptar është mjeti më efikas për t'i shumfishuar budallenjtë.
Për
të qënë të sigurtë në suksesin imagjinar të filmit shqiptar, po thonë edhe
broçkullën e broçkullave, se filmin shqiptar e pëlqen populli Kinez.
Dy
lloj shqiptarësh janë apologjetët e fantazmës së përgjakur të quajtur film
shqiptar.
Të
parët janë ata që me Artin, stilin, frymëzimin, talentin, energjinë kreative,
nuk i lidh asgjë, dhe s’kanë asnjë haber kush janë e çfarë kanë bërë, për
shembull, Pedro Almodovar, Woody Allen, Roman Polanski, Luis Bunuel. Ngaqë
s’mund të fajsohet askush për atë që s’ndjen, këta s’mbajnë asnjë përgjegjësi.
Të
dytët janë autorët, aktorët, regjizorët, që ndoshta e dinë kush është Orson
Welles, Stanley Kubrick, Akira Kurosawa, por nuk duan tu ikin për dhjamë qeni
dhjetra vitet krrusur mbi govatën e ndryshkur “Shqipëria e Re” brenda së cilës
për hesap të diktatorit provuan të lajnë lëveret e përgjakura të shqiptarëve
përmes monstruoziteteve propagandistike huazuar nga stepat dhe gulagët.
Zoti
i ruajt nga skëterra e këtejme dhe e përtejme edhe të parët edhe të dytët.
Filmi shqiptar nuk është asgjë tjetër përpos një vampir propagandistik që mund
të shihet pa pasoja psiqike vetëm ulur në rradhën zero, karrikja infinit.