E premte, 29.03.2024, 07:48 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Maratonomaku Rinush Idrizi

E enjte, 12.03.2020, 06:07 PM


Maratonomaku Rinush Idrizi

Nga Edison Ypi

Rinush Idrizi hynte në klasë furishëm, me frymëmarrje të shpejtuar, si dikush që vjen nga larg për të sjellë një haber të mirë, si marotonomak, që haberin e mirë do ta sjelli gjallë a vdekur, dhe dilte nga klasa si Sizif, i pakënaqur që shkëmbin e rëndë sa herë e ngrinte telart aq herë i rrokullisej teposht.

Rinush Idrizin klasa e dëgjonte e nemitur. Arratisjet e tij letrare përmes kërcimesh pindarike nga detajet më të imta të prozës e poezisë së zgjedhur shqiptare dhe botërore, te bëmat e perëndive të Olimpit ishin mahnitëse. E niste me Nolin, e përfundonte me Danten. Fliste për Ndre Mjedën, dilte te Shekspiri. I bënte me aq shkathtësi, aq natyrshëm, butë dhe bukur, këto kërcime, sa duke udhëtuar nëpër Letërsi na dukej sikur udhëtonim nëpër botë, madje nëpër kohë.

Rinush Idrizi ishte një lloj magjistari që klasën e bënte të binte në delir, në ekstazë.

Rinush Idrizi nuk zbatonte program mësimor nga Drejtoria, Ministria, Akademia, etj. Leksionet e Rinushit ishin një çakërrdisje e këndëshme e pangjajshme me asgjë pedagogjike zyrtare, konvencionale.

Komitetet, mbledhjet, hovi proletar, klasa puntore, puna vullnetare, për Rinush Idrizin nuk ekzistonin.

Rinushi na e çorrodiste mendjen me herezira. Sipas Rinushit, ata që thonë se Poeti i shkruan vargjet në momente frymëzimi, gënjejnë. Vargjet që lexohen ose recitohen me një frymë gjatë pak minutave, janë dashur vite të shkruhen. Poeti dhe shkrimtari janë njerëz me ndjeshmëri të lartë që nuk frymëzohen në çastet e të shkruarit, por gjatë një kohe të gjatë, se Poeti është njeri që lodhet shumë.

Fort ngulmonte Rinushi mbi efektin që të shkruarit artistik ushtron mbi lexuesin. Sipas tij, brenda këtij misteri që kurrë nuk do të zbulohet, ndryhet sekreti i të shkruarit bukur. Është gjëja më absurde, thoshte Rinushi me nervozizëm, ta komentosh një tekst duke thënë se "me këtë ka dashur të thotë katë, me këtë tjetrën atë tjetrën, e kështu me rradhë".

Një ditë Rinushi na rrëfeu se si në një universitet diku në Europë, pritej të vinte një Profesor i famshëm që do komentonte një fragment nga Komedia Hyjnore. Studentat mbushën Aulën. U bënë gati të merrnin shënime. Ra një heshtje sa dëgjoheshin frymëmarrjet. Profesori erdhi. Me vete kishte Komedinë Hyjnore. Hodhi një sy rretheqark. Priti pak çaste. E përplasi Komedinë Hyjnore mbi tavolinë. Tha me zë të lartë; Dante nuk mund të komentohet ! Dhe iku.

I kam të gjalla hyrjet e daljet e Rinush Idrizit nëpër vargjet e De Radës, Mjedës, Serembes, si minatori brenda labirinteve nëntokësore të minierave të floririt.

Rinushi thoshte se autorët e vërtetë pasi e mbarojnë një vepër, i thonë turmës; U lodha derisa e mbarova. Deri tani ishte e imja. Prej tash është e juaja. Merreni. Lexojeni. Griseni. Bëni ç'të doni.

Tregonte pafund për madhështinë e Heminguejt. Veçanërisht për "Plaku dhe Deti" përkthyer nga Ismail Kadare. Aq të mahnitëshme i bënte komentet, sa e gjithë klasa, "Plaku dhe Deti" e mësuan pothuajse përmendësh.

Rinushi thoshte se Poet kemi vetëm 1, Lasgush Poradecin.

Kur fliste për Prometeun dridhej sikur ta kishin lidhur atë vetë pas një shtylle dhe i kishin vënë flakën.

Një ditë Maratonomaku u fut vrullshëm në klasë me dëngun e fletoreve të hartimeve të korigjuara. E përplasi dëngun mbi tavolinë pakashumë si profesori me mjekërr Komedinë Hyjnore. Ngriti përpjetë duke e tundur njërën nga fletoret. Tha; Ky di të shkruaj ! dhe shqiptoi emrin dhe mbiemrin e të nënëshkruarit.

Kaluan vite. Unë që për gazetën Drita, revistën Nëntori, Zërin e Popullit, gazetën Puna, dija vetëm se ekzistonin, nuk e mora vesh kurrë ku e internuan dhe si i vajti filli. Më thanë se nga kjo jetë iku para kohe. S'mund të ndodhte ndryshe me një maratonomak si Sizifi Rinush Idrizi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora