E premte, 19.04.2024, 10:33 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Korça

E diele, 15.03.2020, 02:15 PM


Korça

Nga Edison Ypi

Korça është një Zonjë e madhe me motra e vëllezër shumë. Motrat e Korçës janë Vjena, Roma, Londra, Praga. Vëllezërit e Korçës janë Parisi, Berlini, Milanua, Budapesti. Korça ka dhe plot kushurinj e kushurira, kunata, nipër, mbesa; Tiranën, Ersekën, Selanikun, Bukureshtin, Athinën, Stambollin, Zagrebin, Prishtinën, Shkupin.

Mpleksja e mesdhetarizmit me kontinentalizmin, e bën Korçën një qytet absolutisht magjik, dhe udhëtimin drejt Saj definitivisht magjepsës, të tillë që nuk të mërzitet kurrë, edhe gjithë jetën të shkosh e të vish.

Si xhevahirët që ngado ti’ shohësh janë ndryshe të bukur, edhe hijeshia e Korçës varet nga cili drejtim i afrohesh.

Që udhëtimin drejt Korçës ta shijosh të tërin, në Korçë duhet vajtur i pa kushtëzuar nga kthesat e asnjë rruge, ngushticat e asnjë shtegu, vështirësitë e asnjë pengese. Pra e mira është në Korçë të shkosh si Zog.

Në pamundësi për të vajtur në Korçë si Zog, variantet e tjera janë këto;

T’i afrohesh nga perëndimi. Kur ndodhesh mbi majë të Qafës së Thanës, ndërkohë që ndjen se nga pas mesdhetarizmi i ngrohtë po jep shpirt, përpara po lind një fllad i ri, një magji e re, kontinenti.

Po t’i afrohesh Korçës nga lindja, pra nga Devolli, provon ndjesinë e kundërt. Nga pas le freskinë kontinentale, ndërsa përpara të pret ngrohtësia mesdhetare, Korça e butë dhe e ngrohtë.

Ardhja në Korçë nga jugu është me zarar. Nga Gryka e Këlcyrës, Lugina e Vjosës, Laskoviku, Kolonja, ke bërë mbi 100 kilometra mes bukurive më tronditëse të planetit gjatë të cilave je prekur nga “Sindroma Stendal”, pra nga bukuria që lodh dhe sëmur. Pra po erdhe në Korçë nga jugu mund të çmendesh ose të vdesësh.

Udhëtarët me shije estetike më të sofistikuara mund t’i aviten Korçës edhe nga drejtime te tjera.

Nga Gramshi nëpër rrjedhën e Devollit për të dalë në Maliq, pastaj në Korçë. Kalimi nëpër këtë kanion me humnera dhe ujvara frymëndalëse nëpër këtë rrugë të cilën pak janë ata që e dinë se ekziston, është udhëtim që mbetet përgjithmonë në kujtesë.

Nga Skrapari, përmes maleve. Ky variant, përveç sofistikimit të shijeve, kërkon edhe guxim, muskuj, si dhe përvojë, kushte këto që i plotësojnë fare pak fatlumë për tu patur zili.

Nga rrëzë Malit të Thatë, Podgorie, Zvezdë, Plasë, Korçë, është variant për të ngeshmit në kërkim të rrënqethjeve estetike sa më të forta. Ky itinerar preferohet sidomos nga lasgushianë të krisur që shkojnë me shpresë se duke udhëtuar andejpari do shohin "një shqiponjë të arratisur që fluturon mbi Mal’ të Thatë”.

Kolonja, Poradeci, Devolli, Prespa, Voskopoja, janë 5 xhevahirët e gjerdanit të artë që zbukuron gushën e Zonjës Korçë.

Vendet ku magjepsja Korçare bëhet aq e papërballueshme sa mund të ikësh nga fiqiri janë dy; Prespa dhe Voskopoja. Njëra më magjike se tjetra janë që të dyja “Vende të Mira” si Jeruzalemi dhe Meka, ku po të jesh’ i sëmurë, shërohesh, po të jesh i shëndetshëm, nuk sëmuresh. Voskopja dhe Prespa janë të dyja vende të shenjta të pandotura nga kallaballëku. Kur ndodhesh në këto dy vende, tek bërtet dhe dëgjon jehonat, ke ndjesinë se po llafosesh me Zotin.

Po të flesh një natë në Prespë apo Voskopojë dhe nuk sheh asnjë ëndërr, testi i idotit të ka dalë me sukses. Vuan nga pamjaftueshmëri shpirtërore dhe cerebrale. Je qënie inferiore. Leri udhëtimet dhe leximet. Ik shit rraqe mbi ndonjë tezgë.

Nëse idiot nuk je, dhe shtrihesh të flesh një natë në Voskopojë ose Prespë, kujdesu që gjatë asaj nate të mos të zerë gjumi. Lere atë natë të bardhë. Po fjete, do shohësh ëndërr, në ëndërr do shohësh Shenjtor, Kishë, afreske, varre të vjetër, Manastir me myshk, që do të çfaqen nat’ për nat’ 20 vjet rrjesht.

I vetmi qytet i Shqipërisë ku, secili kryelartë në dinjitetin e vet, qyteti është qytet dhe fshati është fshat, është Korça.

Po Korça njërëzore, Korça nga brenda, si është vallë Korça nga brenda ?

Qytet europian me kisha dhe kumbanore, me Zonja dhe Zotërinj si gjithë Europa, Korça ka një butësi të brendëshme të ruajtur me një vendosmëri të pashoqe që nuk kanë arritur ta prekin dot as luftrat dhe asgjë. Ta prekësh butësinë njerëzore korçare është më vështirë se të gërricësh diamantin. Korçës nuk guxoj t’i afrohem më tepër. Po të kuturisja, do dukesha si elefanti brenda dyqanit të qelqurinave. Më merren mentë nga sofistikimi i saj. Më mirë më jep penel dhe ngjyra të bëj një Monaliza më mahnitëse se të Leonardos sesa të më shtjesh në mëkat të “vizatoj” Korçën. Do ishte njësoj sikur t’i thuash kovaçit të Sovjanit; Daltat dhe çekiçat i ke, mermerin ik merre në Strelcë, gdhëndmë Davidin.

Të llafosesh për Korçën pa thënë dy fjalë për magjepsjen e saj më të hatashme, periferinë e saj në mbrëmje, zëre se s’ke thënë asgjë;

Shkëlqar Voskopoja. Rrezar Shën Prodhomi. Vizllin Liqeri. Ngrysur Mal' i Thatë. Vrënjtur Ivani. Zgjuar Gora. Fle Opari. Rrjedhin kruajt e Gorës. Paqe Prespa. Rrjedh Devolli. Raki' heq Sovjani. Dehet Plasa. Aheng Zvirina. Fresk Dardha. Zheg Pirgu. Dasmë Lubonja, Krisëm Korita. S'pipëtin Dvorani. Ulëret Ormani. Qan Qarri. Zjarr e flak’ Starja. Zymtohet Valamara. Vrënjtet Helmësi. Urtë Nizhaveci. Gjurulldi Kapështica. Prush nën kazana Boboshtica. Llaç e tulla Pojani. Valle hedh Bulgareci. Afër, fusha. Larg, fshatra. Më tutje, zjarre çobenjsh. Edhe më larg, horizonti, qielli. Akoma më larg, s’dihet se çfarë.

Thonë se Korçës do t’i vijë fundi kur Liqeri i Prespës të bëhet sa një filxhan kafeje dhe Mali i Thatë sa një kokërr arrë. Domethënë kurrë.

__________

Ju s'patët frikë kur luftuat dhe fituat mbi pushtuesit më të egër, thurët këngë e balada, i ratë daulles dhe lahutës për trimërira e heroizma inekzistente, sajuat heronj imagjinarë, mposhtët turq e italianë e gjermanë, u vutë rrugëve dhe shesheve emra vrasësish, ngritët në piedestal katilat dhe bushtrat, budallenjtë i shpallët dijetarë, e rrethuat vendin me tela me gjëmba, prishët kishat e xhamiat, spiunuat dhe burgosët nënën, babain, motrën, vëllain, ja dhuruat paret Sudes dhe Xhaferrit, paskeni frikë tani nga një cop virus.

__________

Vendi im është i tëri një makth tronditës pafundsisht i bukur. Është e mërkurë, por të duket e premte. Pas së enjtes vjen e marta. E hëna zgjat tre javë. E shtuna dhe e djela mungojnë me vite ose nuk çfaqen kurrë. Kodrat i bien flautit. Liqeret luajnë në Harpë. Erërat në violinë. Lumi krrusur mbi piano. Interneti nuk është shpikur. Selfie nuk bëhen. Televizor nuk ka. Qiellin e prek me dorë. Peshqit e liqereve kullosin nëpër korije. Lushnja me Elbasanin bëjnë dashuri mbi një varkë në Liqerin e Belshit nën një muzg me dy hëna. Gjermania përtej gardhit. Italia prapa derës. Amerika duke bërë muhabet me ca si vetja në kafene. Elbasani po ha tavë dheje. Skrapari po ja lyp Kolonjës. Rrëzë një gardhi Përmeti po bën qef me Tepelenën. Shkodra me pantallona të shkurtra dhe gjysmat e sisëve përjashta ta bën me dorë ta marrësh deri në Laç. Lezha topless po lan Benzin me ujë pusi. Puka me flokët që ja merr era kah Mirdita ka ndalur anës rrugës se i është çpuar goma. Në qiell kullosin re si dele të bardha që i ruan një bari sa Shpiragu me kërrabë sa Tomorri, gunë sa Myzeqeja, fyell sa Devolli.

___________

Nëse Virusi e ka da menien për me vra një numur shqiptarësh, ti thuhet Virusit se mund t'i çojë nga kanë ardhur aq sa shqiptarë ka planifikuar, po deshi edhe dyfishin ose shumfishin e tyre, madje sa të dojë të tjerë, por me kushtin që shqiptarët që do hedhi në halen e gomerëve të jenë të gjithë nga ata pa të cilët Shqipëria rehatohet. Po qe se Virusi nuk bindet, t'i premtohet se po e bëri këtë, spiunat e Sigurimit që sot mbahen për artista, për nder të tij do bëjnë pesë soc-filma, do shkruajnë dhjetë libra-këllira, do thurin njëqint poema-spirra, do ti ngrenë edhe një shtatore. Po ndodhi që edhe para kësaj oferte Virusi nuk dorzohet, ti lutemi të bëjë atë që meritojmë, të na çojë të gjithëve aty ku e kemi vendin, në Sharrë pranë kurvit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora